Angela Kosta: Poezia e Julian Sonos
Julian Sono ka lindur më 26 prill 1973 në qytetin e Elbasanit, por me prejardhje vjen nga një familje e shquar me tradita brez pas brezi ortodokse nga Leskoviku. Pasioni i tij për librat, letërsinë dhe poezinë është dalluar që në adoleshencën dhe rininë e tij. Njohës i thellë i letërsisë bashkëkohore, gjithashtu i “Përroit të ndërgjegjes”, filozofi që ka në qendër lirinë vetjake, reflektohet qartë në krijimtarinë e Julianit.
“Njeriu është i dënuar të jetë i lirë pasi: nuk ka përcaktor, njeriu është i lirë, njeriu është i liri”.
Dhe kjo nismë e tij, e para përmbledhje me poezi dhe prozë “Shqetësimi i një qenieje që mundohet të meritojë emrin “Njeri”, le të mbetet në kujtesën e lexuesit si një bashkëbisedim me autorin.
Telefoni i nënës
Një zile telefoni bie
Nëna vrapon ta hapë.
Bir, ti je?
Linja bie, nëna ngeli në merak.
Ky telefon, ajo zile ishte jeta e saj.
E uronte si perëndi
kur zërin e djalit i sillte pranë.
Ashtu siç e mallkonte
kur zilja s’binte për ditë e ditë me radhë.
Natë e ditë telefonin vështronte
Hë more mavri! Kur do biesh prap?
Eh, ky telefon!
Si snob, gjithë indiferentizëm
ndaj zemrës së nënës qëndronte.
Nënës si ngeli gjë tjetër
veç me të, të bisedonte.
E i thosh ca fjalë
ku pengjet e jetës ndërthureshin
me zemrën plot mall.
JETEN i rrëfente nëna telefonit
sikur ai të ishte uratë.
E një ditë , telefoni binte pa pushim
përtej oqeanit vinte një zë!
Ishte një bir që me nënën donte të fliste.
Por me kot… Nëna kishte ikur!
Kishte ikur në një tjetër jetë, në të tjera botë.
Iku nëna me shpirt të përmalluar
atje ku fjala mall s’kish kuptim.
Iku nëna mes pengjesh e lotësh
Pa i thënë djalit: lamtumirë!
Letër dashurie në shekullin e njezet e një
Ngurrova e ngurrova,
tashmë shkruaj e shpreh
me guximin e flokëve të bardhë.
E di! Do të qeshin me mua,
do të më marrin për të çmendur.
Edhe ti e dashur, letrën kur ta lexosh,
për të çmendur do më kujtosh.
E do thuash:
“Ç’është ky ditëzi…
Letër dashurie shkruan
tani në shekullin e njëzet e një?
E pra, qenka i çmendur a i marre,
që në shekullin e e – mailit
zhgarravit letra me penën të ngjyer në kallamar!
Ç’do gjë mund të mendosh,
brengën time kurrë mos e provofsh!
Kam një jetë që të dua…
Eh! Si do ish jeta ime me ty…
A s’më thua?
Për mua, ti je deti, ndërsa unë kripa në të.
Ti je si kodra ullinjsh, ndërsa unë gjethe dafine.
Ti je lumi i rrëmbyer, ndërsa unë shelgu buzë tij.
Ti je jeta, ndërsa unë një sekondë e saj.
Ti je epshi, gëzimi, drita e lumturia,
ndërsa unë skllavi i përulur në hiret e tua.
Këtë letër po e shkruaj me shpirtin që qan,
prandaj lashë zhgarravina e njolla,
që dhimbjen time të besosh.
Mbase, edhe në këtë moshë,
akoma të më dashurosh.
Nuk kërkoj mëshirë, se mëshira s’është dashuri,
nuk kërkoj përbuzje, se ajo s’të bën njeri.
Në këtë jetë, a në tjetër jetë,
në dhomën e zbrazët të shpirtit tim,
vend për ty gjithmonë do ketë…
Pasi letrën ta kesh lexuar, mbase dashuria ime,
e zbehur nga koha do të duket,
a mbase ndjenjën time
në harresën e ëndrrave rinore e ke futur.
Përsëri të kuptoj, të fal
e përsëri do ndjehem i lumtur,
se në çantën e postierit
shëtiti një shpirt në qytet,
shëtiti një dashuri e një jetë të humbur…
I yti përjetë do të jem!
Si dashuri e qiejve të pastër,
në zemër do të të kem!
Kur të vdes!
Kur të vdes
më varrosni në baltën e pyllit
atje është dashuria.
Pemët do më kuptojnë,
ndërsa njerëzit: jo!
Kush me lot vadit një pemë
rrit shpresë ndërfiliza të rinj.
Në pyll e dua varrin
aty është balta nga u krijuam
aty është frymëmarrja
ku dashurinë përjetuam.
Unë s’po pres që të vdes
ka kohë, mbase dhe s’ka!
Jetën dua ta jetoj si në pyll
mbi degë cicëruar
vdekjen e dua nën rrënjë pemësh
në baltën e jetës dashuruar.
Merr ç’të takon.
Të gjithë duan, dëshirojnë
Askush, asgjë nuk dhuron
Para, pushtet, epshe e orgji
Interes e intriga për të vënë pasuri.
Ne e quajmë epoka e djallit
virtytet i zvetnuam
duke thënë:
me një brimë i bie kavallit.
Merr ç’të takon o njeri!
Mos e kalo jetën në kaos
e vdekjen me rregullat e qetësisë.
Merr ç’të takon, o njeri!
Lëri mënjanë, lakmit për pushtet e pasuri
Dashurin si gravitet përdore
Të ndreqësh kaosin ashtu siç bën universi kohë pas kohe.
Të kesh diell e pemë
të kesh ujë e oksigjen
të dashurosh me besim
të gjitha këto jane falas, o miku im!
Kaq na takojnë në këtë jetë!
Ç’do gjë tjetër
ështe sy ziliqar që shpirtin e vret.
Mos provoko furtuna në një det të qetë.
Himn dashurisë
Dashuria s’njeh epoka, s’njeh kohë
Dashuria duket si marrëdhënie njerëzore
në të vërtet
Që me krijimin e universit përkon.
Dashuria, nuk humb as nuk shkatërrohet
Ajo thjesht
nga një shpirt në një shpirt tjetër kapultohet.
Njeriu një gjë s’kupton
nga një fjalë e vetme, e padukshme për t’u parë nga ajo jeton!
Shumë i kanë kënduar dashurisë
shumë e shumë të tjerë në emër të saj mashtrojnë, shfrytëzojnë.
Por kush sheh dashurin
si burim jete, si dritë e pastër
nën, dhe mbi univers rron.
Dashuria është si një metal
farkëtim marrëdhëniesh
ndjenjash e mendimesh kërkon
futur në ujë e zjarr të vijueshmërisë së jetës
merr form, merr emër, merr forcë.
Dashuria!
Kjo trajtë e emrit e lakuar
Sipas ç’do mënyre njerëzore
është e lakmuar.
Nga dashuria u krijuam
dhe me dashuri duhet të
si dritë bredharake në univers le të mbesim.
Jam fajtor
Jam fajtor se ndoqa udhën e zemrës
edhe atëherë kur neuronet provokonin mëkat.
Jam fajtor se s’pranova të pasurohem shpejt
sepse s’më vinte për shtat.
Jam fajtor se besoj tek virtyti njerëzor
besoj tek liria e brendshme
që ka dritë brenda saj.
Jam fajtor se i përulem dashurisë
edhe kur urrejtja me përkund në krahet e saj.
Jam fajtor se urrej femrën
bukurinë relative të saj.
Se më duhet të respektoj gruan
cilësitë e saj
durimin ka si forcë, si shqisë të gjashtë.
Jam fajtor se s’jam hyjni
dua të jem i ndershëm me veten
për aq sa di.
Jam fajtor për miqtë që si veten i dua
edhe kur ata hedhin monedhën
kok a pil e dalin të fituar.
Sa shumë faj paskam bërë në jetë
fajin ma paska ajo ditë e mallkuar
ku unit tim i dhashë bes.
I dhashë besën e burrërisë
se t’vërtetën e dashurisë do mbroj
kundër egos dhe lakmisë.
Oqean
Oqean i pamatë
në skaje e thellësi
mistere të mëdha mban
njësoj si qënia njeri.
Oqeani brenda tij fsheh zjarrin
ndërsa njeriu
hi vullkanesh
mbart në gji.
OQEANI blu në sipërfaqe
e zezë thellësia e tij
Njëson me njeriun
aparencë gënjeshtare
ndryshe nga brendësia e tij.
Të dy të bukur i bën drita
pa të errtat thellësi.
Sa mirè do të ishte
Oqeanit njeriu thellësinë t’i merrte
në mendim.
Diellit, dritën t’i merrte
në gjykim.
Oqean i dashur!
Ti, me njeriun më ngjan!
Tek ti, gëlon jeta
ekuilibrat mes gjahtarit e pres
në trupin tënd mban.
Përgatiti Angela Kosta, përkthyese, shkrimtare, publiciste, Zv Drejtore & Zv Kryeredaktore në Albania Press.