Albspirit

Media/News/Publishing

Gjelok Marko: Serbia, “Kali i Trojës” së Politikës Ruso-Pansllaviste

 

Para disa ditësh një ekspert ushtarak gjerman që po komentonte zhvillimet e luftimeve në Ukrainë iu sos durimi me gazetarin dhe i tha: “Po ta them hapur të vërtetën, ne Gjermania dhe gjithë opinioni në Perëndim jemi viktima të vetë propagandës sonë”! Kjo mjerisht është e vërtetë.

Fakt është se për vite me radhë jo vetëm media, por edhe politikanët perëndimorë kanë zhvilluar kulturën e të të ashtuquajturit “të folurit politikisht korrekt”. Dikur parimi që jo vetëm propagandohej po edhe zbatohej ish e vërteta. Sot praktikisht hipokrizia nën maskën e të folurit “politikisht korrekt” është zyrtarizuar mbi të vërtetën. Kjo ka sjellë shumë zhgëjnime në rradhët e atyre që megjithë zemër kanë besuar te Perëndimi. Kjo gjithashtu i ka dhënë mundësi propagandës ruse e kineze të kenë terren të hapur në Perëndim dhe të bllokojnë nxjerrjen në dritë të fakteve e të vërtetave. Ky vetmashtrim solli si rrjedhojë që Perëndimi të zihet në befasi nga sulmi rus në Ukrainë. Kjo ngjarje filloi t’u hapë sytë demokracive perëndimore, po megjithatë jo plotësisht. Taktika mashtuese që synon të ndalojë të thuhet hapur e vërteta nën maskën e të folurit “politikisht korrekt”, “të qënit të matur e të mençur”, etj po përdoret me sukses nga Serbia dhe agjentët e propagandës ruso-serbe në Shqipëri dhe kudo në Europë. Sot, më tepër se kurrë është e domosdoshme të mos biem pre e kësaj strategjie po të rikthehemi te e vërteta. Prandaj le të mos druhemi t’i themi hapur të gjitha ato të vërteta që dihen botërisht por strategjia e të folurit “politikisht korrekt” mundohet të na pengojë t’i themi hapur:

Të gjithë e dinë se Serbia u krijua nga Rusia me një mision: “Të shtrijë territorin e Perandorisë Pansllaviste deri në Adriatik”! Sërbisë i dhanë territore që nuk ishin të sajat, i dhanë çdo ndihmë për realizimin e këtij “misioni të shenjtë”. Ky u quajt dhe vazhdon të quhet mision i shenjtë i gjithë serbëve nga Kisha Ortodokse Serbe, ky synim u quajt si synimi më i lartë dhe detyrimi patriotik i çdo serbi nga intelektualët serbë që themeluan shtetin serb. Populli serb nga “baballarët e kombit serb” dhe nga të gjitha levat e shtetit të tyre, si dje edhe sot, sistematikish indoktrinohen të mendojnë, të imagjinojnë, të duan dhe të urrejnë sipas parimeve të teologjisë Pansllaviste. Indoktrinohen vazhdimish në të gjitha format të urrejnë më shumë shqiptarët, pas tyre kroatët sepse kanë fatin të jetojnë në brigjet e Adriatikut dhe nuk janë të gatshëm t’i hapin portat Rusisë e agjentit të saj Serbisë t’i pushtojë këto territore dhe të realizojë synimin “hyjor”, të dalë në Adriatik.

Për hir të realizimit të këtij qëllimi Serbia nuk ngurroi të bëhet instrumenti i Rusisë për të filluar Luftën e Parë Botërore. Sot ata janë po aq të gatshëm të zbatojnë çdo plan që do t’iu sugjerojë Rusia, çdo plan që i shërben idealit të Pansllavizmit Ruso-Serb. Serbia nuk ndryshoi nga parimet e Marksizëm-Leninizmit. Nuk deshi t’ia dijë për propagandën e Vllazërim -Bashkimit të Jugosllavisë së Titos. Është naivitet  qesharak të besosh se tani, nën regjimin e Joseph Goebbelsit të Millosheviçit, pas një propagande tepër intensive të dirigjuar nga ai, pikërisht tani në regjimin e Vuçiçit Serbia na paska ndryshar, paska ndryshuar krejt Serbia për hir të miqësisë që ka Rama me Vuçiçin! Atë që nuk mundi ta arrijë Titua, e realizoi Vuçiçi! Nuk ka dyshim: Të hapësh dyert dhe të bësh Serbinë antare të Bashkimit Europian do të thotë t’i hapësh dyert dhe të futësh aty “Kalin e Trojës së Rusisë”! Ky fakt, kjo e vërtetë duhet thënë hapur e me zë të lartë deri sa “struci i diplomacisë perëndimore” të detyrohet të nxjerrë kokën nga rëra, deri sa opinioni perëndimor të zgjohet dhe të shohë të vërtetën.

Një nga taktikat që ka përdorur me sukses Serbia, taktikë që ka bërë që politika perëndimore të mbyllë sytë, është dhe e ashtuquajtura kartë e “Krishterimit”. Të gjithë e dinë se kjo taktikë historikisht ka funksionuar në këtë mënyrë: Pushtimi i kishave dhe manastireve katolike dhe shndërrimi i tyre me dhunë në objekte të Pansllavizmit . Më pas falsifikimi i historisë duke i deklaruar këto kisha e manastire si djepi i Ortodoksisë Serbe, si djepi i kombit sërb etj… E dinë të gjithë po megjithatë dhe jo vetëm që heshtin, po edhe i pranojnë si legjitime këto mashtrime. Po t’i analizosh kishat Ortodokse Serbe dhe Ruse, t’i krahasosh me atë që ka predikuar Jezu Krishti del shumë qartë se janë krejt të kundërta. Fatkeqësisht deri sot askush, asnjë person zyrtar nga Shqipëria apo Kosova dhe as nga Europa e “Krishterë” nuk ka dalë dhe t’i ballafaqojë këto Kisha Zyrtare me parimet e Biblës, me atë që ka predikuar vetë Jezu Krishti. Kjo duhet bërë! Në qoftë se nuk janë të gatshëm ta bëjnë europianët duhet ta bëjmë ne shqiptarët, sepse ne kemi vuajtur dhe vuajmë më shumë nga këto mashtrime e padrejtësi. Si sqarim për ata që nuk kanë njohuri për këtë fushë shkurtimisht do të jepnim sqarimin: Bibla flet për Antikrishtin, si personin që do të vijë një ditë dhe që do të jetë kulmi i së keqes. Flet gjithashtu edhe për shumë që ecin në shpirtin e antikrishtit. Në Bibël thuhet se këta persona pretendojnë të jenë të krishterë, madje dalin nën shenjën e kryqit, citojnë herë pas here edhe Biblën, por duke e keqinterpretuar. Bibla thotë se  në fakt këta persona  përfaqësojnë Antikrishtin, janë ata që i paraprijë dhe pregatitin rrugën për ardhjen e Antikrishtit. Për këtë kemi folur më tepër te analiza e mëposhtme:

Gjelok Marko: Kirill, Vuçiç dhe kishat e tyre të Krishtit apo të Antikrishtit?

Jezu Krishti predikonte që duhet të duam armiqtë. Kirilli zyrtarisht del e deklaron se duhet të vriten vëllezërit.Ukrainasit dhe rusët janë popuj me lidhje të shumta, praktikisht vëllezër. Në fakt këtë lloj feje që zyrtarisht quhet e krishterë, po që në fakt i takon Antikrishtit, disa mësues të Biblës e quajnë feja e Kainit.Në librin e Zanafillës na tregohet se Kaini i bëri një ofertë Zotit. Zoti nuk e pranoi ofertën e Kainit. Pas tij vëllai i Kainit, Abeli i bëri edhe ai një ofertë Zotit. Zoti e pranoi ofertën e Abelit. Kaini mendoi se rruga e vetme që oferta e tij të pranohet nga Zoti ishte të vriste të vëllanë, gjë që edhe e bëri. Këtë predikon edhe sot Kirilli, kryepeshkopi i Rusisë kur thotë se të vrasish Ukrainasit, qoftë dhe gratë e fëmijët, nuk është mëkat, përkundrazi kjo është rruga e domosdoshme: Duhet zhdukur Ukraina e Ukrainasit që të mund të përparojë Rusia. Ky fakt, kjo kundërthënie midis fjalëve të Jezu Krishtit dhe  deklaratave të Kirillit, midis teologjisë e praktikave të kishës Ortodokse Serbe dhe Biblës duhet bërë hapur, pjesë e debateve publike. Këto fakte duhen shprehur hapur edhe me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian. U duhet thënë hapur se në anën e kujt janë në anën e së vërtetës apo në anën e Kirillit? Sa po i zbaton Bashkimi Eeropian parimet e barazisë, drejtësisë dhe të vërtetës në lidhje me marëdhëniet Kosovë -Serbi? Kur ata nuk druhen të na akuzojnë publikisht për faje të paqëna, përse nuk paskemi të drejtë të mbrojmë vetveten sipas fakteve dhe së vërtetës?

Para disa vitesh shteti i Iranit në luftën kundër Irakut midis të tjerave për çminimin e fushave të minuara përdori një taktikë të veçantë. Rekrutonte të mitur, disa në moshën 14 vjeç e më poshtë, persona që nuk mund të përdoreshin si ushtarë dhe i dërgonte të vraponin në fushat e minuara. Atyre ju thuhej se po të vdisnin në këtë mënyrë e kishin të garantuar përjetësinë. Në atë kohë pati gazetarë, madje dhe perëndimorë që patën guximin ta demaskojnë këtë veprim si një keqpërdorim të fesë dhe të besimit. Me të drejtë. Përse kanë droje ta bëjnë këtë gjë sot gazetarët e politikanët tanë në Kosovë e Shqipëri në një kohë kur Kirilli deklaron publikisht se vrasja e Ukrainasve, madje edhe e grave dhe fëmijëve nuk është mëkat? Përse nuk kanë guxim të flasin për këtë gazetarët në Kosovë në një kohë kur manastiret e kishat në Kosovë përdoren si depo armatimesh etj? Po ashtu pëse nuk ngrihen këta priftërinj njerës të fesë, përfaqësuesit zyrtarë të Kishës Ortodokse Sërbe dhe të flasin për viktimat e shqiptarëve , për fëmijët e masakruar e për padrejtësitë e tjera sipas mësimeve të Jezu Krishtit, ashtu si bënte vetë Jezu Krishti dikur? Përse ata priftërinj lejojnë që manastiret të bëhen depo armësh? A do të vepronte kështu Jezu Krishti?

Së fundi problemi më i madh që ka gjithë kombi Shqiptar është kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.Para pak kohe një komentator e quajti qëndrimin e Edi Ramës : “Qëndrimin më të ndyrë që mund të mbajë një njeri”! Më në fund: Dikush që e do atdheun dhe nuk ka frikë të thotë të vërtetën. Këto lloj qëndrimesh dhe këta lloj personash do ta shpëtojnë kombin!

Armiqtë tanë nuk druhen të thonë publikisht mashtrimet më të përbindëshme kundër shqiptarëve. Këto mashtrime i thotë publikisht Joseph Goebbelsi i Millosheviçit,  Vuçit. Përse nuk paska të drejtë të thotë të vërtetat publikisht Albin Kurti? Përse duhet të druhen  gazetarët dhe intelektualët shqiptarë të Kosovës dhe të Shqipërisë? Errësira luftohet duke ndezur dritën. Mashtrimi luftohet e mposhtet duke thënë publikisht e me guxim të vërtetën. Aleatëve tanë perëndimorë duhet tu kujtojmë historinë, faktet, duhet tu kujtojmë idealet që ata pretendojnë se i kanë si themel të politikës së tyre. Në fakt gjithë suksesi i demokracive përëndimore e ka patur gjithmonë themelin në faktin se këto vende jo vetëm i propagandonin, por edhe i zbatonin parimet e drejtësisë, të vërtetës dhe të lirisë e paanësisë. Në qoftë se ata i braktisin këto parime shkatërrojnë vetë bazën dhe themelin ku ata qëndrojnë. Kjo do të bëjë që ata të humbasin rolin e tyre, të humbain luftën. Le të mos druhemi tua themi këto të vërteta aleatëve tanë. Edhe në qoftë se me disa politikanë perëndimorë do të mund të kemi probleme, më në fund do të dalin persona nga vetë këto vende perëndimore që do të na mbështetin. Frika, nga ana tjetër, na garanton humbjen.

Please follow and like us: