Albspirit

Media/News/Publishing

Odise Kote: Do dështoj, do dështoj disa herë…

 

 

Fytyra të zhubravitura në rrugë indiference,

me artikulim dembel ngaqë kishin kohë

pa lexuar asnjë rresht,

përqeshën dështimin tim të rradhës,

si një përrallë popullore

që ia thanë njëri tjetrit

pasi nuk iu ndodhi atyre.

 

 

Pinin dhe gogësinin,

aq sa më ngjau se kishin gjithë jetën aty,

mbi tavolinat e harresës

duke rrotulluar jetën e tjetrit

(të tyren e kanë braktisur prej kohësh)

si një lodër – fugë fëmijësh.

 

 

Kthehesha nga disa takime të errëta me fatin,

e çuditërisht buzëqeshja?!

Nuk doja zymti e trishtim në pore

pasi trishtimi është i lehtë,

është dorëzim,

ndaj këndoja me zë të lartë:

do dështoj disa herë, po kokën nuk e ul,

deri sa të gjej vijën e paprekur nga të tjerët…

 

 

Të njëjtat fytyra të zhubravitura,

ishin po aty edhe pas një jave,

(do jenë edhe pas një viti)

me artikulim edhe më dembel

kanë kohë pa lexuar asnjë rresht,

asnjë libër e dallohen qartazi

nga shikimet e babëzitura,

pasi është e pamundur t’i harrosh,

dhe e vështirë për t’i mbajtur mend,

derisa fitorja nuk ëshë një gjë e lirë…

Please follow and like us: