Albspirit

Media/News/Publishing

Saimir Z. Kadiu: Një shqiptar i famshëm i portës së Beshiktash dhe përfaqësueses turke…

 

SABRI DINO (1942-1990)

50 vjet më parë (13 janar 1973) mbaj mend një ndeshje të dobët të Italisë në Napoli kundër përfaqësueses turke për eleminatoret e Botërorit gjerman të vitit 1974.

Kuptohet Italia luante kundër një kundërshtari mediokër që nuk bëri një goditje në portën e Zoff.

Por italianët nga ana e tyre nuk munden të mposhtnin portierin turk gjatë 90 minutave…

Një portier i shkathët, modern dhe trim me ndërhyrjet e tij…

Për fat të mirë, më 25 shkurt 1973 në Stamboll dhe pikërisht në stadiumin e Beshiktash ku luante talenti i portës turke, Pietruzzo Anastasi shënoi golin e fitores dhe kualifikimi i të kaltërve në Kupën e Botës 1974 nuk gjeti pengesa të tjera.

Portieri turk quhej Sabri Dino…

Kush ishte Sabri Dino?

Ishte nipi i Abidin Dinos, piktorit të madh turk me origjinë shqiptare nga Çamëria.

Kam bërë një postim për këtë figurë të madhe të artit edhe si regjizor të filmit “Gol” për Botërorin anglez të vitit 1966 dhe këtu e kuptoj edhe lidhjen e artistit të famshëm me futbollin.

Jo rastësisht kamera fokusonte portierët e mëdhenj të atij boterori… Yashin, Banks, Tilkovski, Iribar, Mazurkievich, Albertosi, Gilmar…

Nëpërmjet tyre regjizorit Dino i kujtohej nipi i tij që asokohe ishte portieri më i mirë turk…

Sabri Dino ka luajtur futboll deri në vitin 1975 me Beshiktash.

Me përfaqësuesen turke ka luajtur 12 ndeshje gjatë viteve 1969-1975.

Ka qenë pjesë e Beshiktash në dy ndeshje në kuadër të Kupës Ballkanike në vitin 1965 kundër 17 Nëntorit të Tiranës ( 1-1 në Stamboll dhe 2-0 në Tiranë për skuadrën tonë. Në Stamboll ka shënuar Bukoviku, ndërsa në Tiranë Fatmir Frashëri dhe Niko Xhaçka).

Më pas hyri në biznesin e tekstilit me veshje për burra.

Por këtu ishte i pafat dhe biznesi i tij falimentoi. Ky falimentim solli tragjikisht edhe vetëvrasjen e tij më 14 janar 1990.

Please follow and like us: