Lartësi shpirtërore në simbolet e kultit
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Vite e vite më parë në Ramicë më kishin tërhequr vëmendje mjaft simbole dhe figura të ndryshme të gdhendura me mjeshtëri në portat dhe në qoshet e shtëpive. Për to, në vite sipas kohës kam mbajtur dhe shënime, por lëvizjet e shumta si ushtarak, diku ngelën e shënimet u zhdukën… përsëri sa herë që shkoj në Ramicë, vrej ndryshim në porta e shtëpive, si dhe qoshet e shtëpive që po zhduken me radhë… Isha në gusht 2023 dhe ishte prishur porta e vjetër e Hodo Feratit, për t’u bërë e madhe me qëllim që makin të shkojë në oborr. Ndjeva dhimbje… Një humbje e madhe… nuk di si bashkia apo ndonjë sektor tjetër i monumenteve lejon këto prishje të vjetra…
Ende Ramica ka ngelur që në vitet ’70 të shek. XX, me listën e përcaktimit të monomenteve të kulturës dhe nuk ka më prurje të reja në këtë drejtim, për t’i ruajtur dhe mbajtur e për t’i trasmetuar si kujtimin brezave që vijë pas.
Tashmë në Ramicë kanë ngelur porta të vjetra të Age, të Leke (Beqir dhe Maliq Lekaj), e Xhevit Zenjelit dhe e Pronje në Qafë të Alie, në Hysaj e Dervishe, e Hasan Abedinit dhe e Luto Dervishaj. Në Verbas të fisit Malaj.
-Motivet e diellit i gjejmë në gurët e portës së shtëpisë, në djepat e fëmijëve etj., që dëshmon për karakterin religjioz, magjik, mbrojtës që kishte dikur ky zbukurim. Motive të ndryshme na e paraqesin diellin dhe në pozicione të ndryshme: në lindje e gjejmë tek porta e Agajve. Në legjendat e përfytyrimet e vjetra religjioze dielli, por dhe hëna paraqiten bashkë me zbukurime.
-Motivin e gjarprit të gdhendur në gur në portat e shtëpisë i gjejmë tek disa porta të vjetëra në Ramicë, të cilat rezistojnë akoma. Gjarpërinjtë i gjejmë dhe në muret e shtëpive. Gjarpri në shkop ose në djep është përfytyruar dikur si një shpirt mbrojtës për bartësin e tij. Ai është simbol i mençurisë, i së keqes, shëndetit, pjellorisë, personifikim i shpirtit të të ndjerit, mbrojtës i vatrës së shtëpisë e mbi të gjitha kafshë mitologjike. Këto zbukurime në origjinë kanë pasur të bëjnë me kultin e gjarprit, me përfytyrimet mitike lidhur me të. Pra, fillimisht këto figura kanë pasur karakter mbrojtës, dobiprurës. Ashtu si në këtë jetë, edhe “në atë jetë” njerëzit i ruan, sipas besimeve popullore. Në kohë të vona, këto zbukurime kanë ruajtur funksione thjesht artistike, duke e humbur kuptimin e tyre të vjetër ose duke e ruajtur atë në mënyrë të mjegulluar. Kujtojmë shkopin e gdhendur në formë gjarpri, të mbajtur nga burrat e vjetër të Ramicës. Ata natyrisht e kishin punuar vetë, të frymëzuar nga simbolika e mitologjisë popullore shqiptare.
-Kam vënë re, si dhe të gjithë ramiciotët se në shtëpitë e vjetra, ndërtuar nga fundi i shek. XIX ose dhe më parë, kishte dhe ka disa zbukurime me kuptime simbolike virtytesh e të karakterit kultik, gdhendur në gur, në qoshet dhe në portat e shtëpive. Këto zbukurime dhe motive i gjejmë të larmishme. Me domethënie kultike janë: gjarpri, gjethi i bredhit, zogu, dielli, objekte me funksione magjike, si gjinjtë e gruas, njerëz të gdhendur, grua vallëtare me diell në dorë, pranë një çekiç dhe zogun që bën roje, katër vallëtarë dy burra dhe dy gra, kokë burri dhe gruaje etj. Mundet që këto të jenë një mbartje motivesh me qëllime zbukurimi, thjesht si art. Kjo dukeur është e pranishme si një trashëgimi motivesh nga brezi në brez. Tradita është një forcë e madhe që bën të përsëriten të njëjtat gjëra për shumë shekuj, sidomos në shoqëritë e mbyllura patriakore.
-Në portat dhe në qoshet e shtëpive, ndeshen motive që tregojnë thjesht virtyte e mjeshtëri të njerëzve, të cilëve u përkasin: burra e gra në valle, dorë shtrënguar që paraqesin identitetin, por dhe besë e gjallëri në familje.
-Disa motiveve kanë shpjegim shumë të qartë religjioz, por ka të tjera që kërkojnë një interpretim që shkon më tej. Gjethet e bredhit gjithmonë të gjelbër, dimër e verë janë simbole të përjetësisë, të pavdekshmërisë. Këto nuk janë thjesht për zbukurim, por kanë atribute kulti, mbijetojat e të cilit në besimet popullore kanë arritur deri në kohën tonë.
-Natyrë besimi kanë në origjinë dhe figurat, formula simbolike, shkrime që bëhen në portat e shtëpive etj. Këto bëheshin për ta bërë të fortë objektin, për mbarësi të njerëzve të familjes, për t’u ruajtur nga fatkeqësitë. Po këto fytyra me natyrë riti e besimi kanë kaluar shpeshherë në gjëra zbukurimi, pra thjesht për hijeshi, duke e krahasuar shkallën nga brezi në brez, nga mjeshtri në mjeshtër. Po ka dhe jo pak raste, kur këto figura të skalitura, në porta të shtëpisë, të ruajnë natyrën e tyre të shenjtë.
-Në të gjitha këto raste ka karakter mbrojtës për njerëzit që i zotërojnë ato mjedise e objekte. Duke u zbehur karakteri religjioz i kësaj figure, thuhet se kjo gdhendet në gur a në këto vende e objekte të caktuara për fat e mbarësi, po në brendi, në besime zbulohet lehtë karakteri besim i zbehur, pra si kujtimi i stërgjyshëve, si vazhdim i pakëputur i gjeneratave të njerëzve, një simbol i forcës së vazhdimësisë. Ç’lidhje ka kjo me ndërtimin? Ndërtimi do shpirtëzuar që të qëndrojë shtëpia, të sigurojë mbarësi, në vazhdimësinë pasardhëse. Me të njëjtat funksione kulti në qoshet e portat e shtëpive të vjetra në Ramicë ndeshim dhe këndezin, në gjethet e bredhit, zog, gjinjë gruaje, simbole e shkrime me zanafilla të ndryshme.
Qëllimi i këtij shkrimi të thjeshtë, por që do të plotësohet me mendime dhe sugjerime të shumta nga ramiciotët dhe miq të saj, është që të përshkruaj disa nga objektet e kultit që ende gjenden në portat dhe qoshet e shtëpive në Ramicë, por dhe ato që na janë zhdukur…