LETËRSIA FEMËRORE NË VLORË NUK SFIDON, AJO EDUKON
Albert HABAZAJ
Tradita letrare në Vlorë e shek. XX ka të regjistruar edhe zërin femëror që përfaqësohet me emrin e Nermin Vlora Falaschit, e cila klasifikohet në grupin e shkrimtarëve shqiptarë të diasporës.
Letërsia femërore e ka zbukuruar dhe emancipuar më qytetarisht letërsinë që krijohej në Vlorë deri në shkallë kombëtare, e ka ndërkombëtarizuar atë me poezitë, prozën, studimet e përkthimet që janë bërë nga autorete sotme të Vlorës.
Figura e tyre shquan si femra të emancipimit qytetar që japin ndihmesën e dukshme në krijimtarinë letrare dhe fjalës së lirë, ndër penat e ndjeshme e përfaqësuese të frymës lirike të prozës dhe poezisë femërore dhe letrave bashkëkohore shqipe, por edhe për kontributin si autore të përkushtuara dhe të sakrificës dinjitoze me staturë shkrimore, edukative dhe përparuese.
Në parantezë, mendoj se vlen të bëjmë një marrëveshje komunikimi, në përmendjen e emrave të autoreve, duke respektuar kriterin alfabetik.
Në profilin e Vlorës letrare të viteve 1970-’80 shfaqen emrat e poeteshave Flora Gjondedaj Dervishi, Maro Pasho e Merita Caci Mako. Maro Pasho u shfaq para lexuesit në viti 1968 mebotimin e vëllimit poetik “Shkëndija jete”; “Çelën luledardhët”, 1978 dhe me vëllimin tjetër “Para Monumentit”, 1979, duke krijuar një profil të admiruar për kohën. Maro Pashos i flisnin Kontesha e Vlorës.
Sidomos mbas viteve 1990, letërsia femërore pati prurje të fuqishme në fushën e poezisë, prozës dhe përkthimit, ku spikatën emra si Albana Hodo, Albana Lula, Alisa Velaj, Alma S. Feruni, Anila Toto, Anilda Ibrahimi, Arjola Vangjel Sako, Aurora Allushi, Besa Roshi, Besiana Koshena, Blerina Kotorri, Edlira Thano, Elisabeta Alikaj, Elma Rama, Elpiza Gaxhazi, Elvira Vangjeli, Enrieta Sina, Esmeralda Zaçe Bregaj, Eva Gavani, Evis Çelo, Fabiola Begaj, Fatbardha Hamzaj Xhindi, Floreta Alliaj Malaj, Gjinovefa Myrtaj Ferrari, Harikla Beduli, Iskra Thoma Tata, Joana Xhaferi, Laureta Petoshati, Lela Qejvani, Lola Meçaj, Lulëzime Malaj, Marjeta Musaraj, Mirela Dauti, Natasha Fejzaj Limaj, Rashel Solomon, Rudina Papajani, Sanie Tushi Rrokaj, Sibora Kamberaj, Sofia Doko Arapaj, Suzana Zisi, Shpresa Vranari, Valbona Gaçe Avdullaj, Valbona Mezini, Vilhelme Vranari (Haxhiraj), Vjollca Staro, Xhiliola Lamaj, Zamira Agalliu, Zenepe Luka… deri tek talentet e reja, studente të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë Jonida Arben Çelaj e Razielda Hitaj, apo vogëlushet Letica Senaj e Xhoni Kasa…
Po kështu në fushën e përkthimit, dallojnë emra si Adriana Manaj Gjika, Alisa Velaj, Elvira Feruni Besho, Evis Çelo, Irena Cani, Laureta Petoshati, Liljana Hamdi Zoga.
Për autore të veçanta si Alma Feruni, Arjola Sako, Harikla Beduli, Eda Thano, Elma Rama, Enrieta Sina, Floreta Alliaj Malaj, Liljana Zoga, Lela Qejvani, Sofie Doko Arapaj, Vilhelme Vranari, Xhiliola Lamaj, Zenepe Luka e ndonjë tjetër autori i këtyre radhëve ka bërë shqyrtime letrare, botuar në librat e autoreve përkatëse ose në shtypin qendror periodik apo online.
Letërsinë femërore që krijohet në Vlorë, të cilën, nga që pothuaj të gjitha autoret e qytetit i kam mikesha të mira, mendoj se njoh. Letërsia e tyre ka vlera artistike, estetike, morale dhe edukative të veçanta, ndoshta kjo vatër virtytesh letrare është edhe falë misionit fatlum e hyjnor që ka femra: lindjen, mirërritjen dhe edukimin qytetar të fëmijës. Vërejmë se piketa e letërsisë së tyre është: Trilli poetik është i motivuar dhe i pranuar në letërsi, por jo gënjeshtra, në jetë jo, kurrsesi.
Ndërkohë, Vlora, studentët, nxënësit, dashamirësit tanë, por edhe letërsia bashkëkohore shqipe mendojmë se vlen ta njohin letërsinë e tyre të bukur dhe elegante, sepse paraqet interes.
Letërsia femërore në Vlorë ka peshë, sepse ajo e zbukuron dhe e emancipon shoqërinë, duke sfiduar paragjykimet e vogla burracake, provinciale dhe jo tejçuese.