Mimoza Bici: Më ler të të dua
Më ler të të dua shpirti im
dashni e fsheht
pushtim i përjet’.
E bukur është bota
aty ku flen ti
E unë s’jam më trup
s’më duhet ky trup
Vetëm puhizë
Liqenit të ngrohtë
Vetëm një re
qiellit të ftohtë.
Je një zjarr tek mbetesh hi
Ky hi përvëluar shpirtit tim
përsëri ndizem të digjem tek ti
Je akullnajë ku s”ka diell ta shkrij
E prapë unë gjej portën
brenda teje të ngrij.
Sa them u dashurova
të nesërmen harroj
Errësirë vegimesh
një tjetër kërkoj
I iki vetes
kthehem verbuar
Vesh sytë e botës
lëkurës arnuar.
Si hoje janë mbledh
të gjitha çfarë preke
I shrydh
më pas dheut i kalb
E prapë të kërkoj
E pse të kërkoj?
Nuk gjej më qetësi
Nuk rresht së dashuruar
E pakohë dashurisë tretur
brenda në kohë djegur
Me krahë mister
errësira ndriçon
ngjyrën e vet
E unë zhytem vetes
më e bukur se kurrë
Aty ku mes ngricës dhe flakës
këndoj e vallëzoj
rreth trupit tënd
ashtu lakuriqësuar
t’më vishesh veç ti
si pëlhurë aq butë
frikës
së bukurisë Nimfës liqenit blu
Të mbetem aty
për ty
Një këngë e pakënduar kurrë…
Tiranë, shtator 2023.