Albspirit

Media/News/Publishing

Një libër i freskët me mesazhe të fuqishme

Dy fjalë për vëllimin poetik “Midis qiellit dhe detit” e autores Fatbardha Hamzaj (Xhindi)

 

Msc. Albert Habazaj

 

Poetja Fatbardha Hamzaj Xhindi, talentin e saj të vërtetë e ka shfaqur si një mësuese e spikatur, e cila ka lënë gjurmë në shkollën e Kaninës, Llakatundit, “4 Heronjtë”, “1 Maji”, “Naim Frashëri” e gjetkë. Pasi kreu Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan (Cikli i Ulët), në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë (Parashkollor), si dhe studimet “Master Shkencor në Edukim” në këtë universitet, ka botuar një varg artikujsh në shtypin shqiptar dhe atë europian mbi zhvillimin e arsimit bashkëkohor. Krahas kësaj veprimtarie pedagogjike mësimore, si zjarr i fjetur brenda saj ka mbetur frymëzimi poetik, i cili zuri fill qysh në shkollën tetëtvjeçare. Në këtë vëllim poetik, nën titullin “Midis qiellit dhe detit” shfaqet metafora e muzës së saj, si një kopësht i bukur poetik.

Fatbardha Hamzaj Xhindi vjen sot para lexuesit me një libër të freskët, zë origjinal, hijeshuar me mesazhe të fuqishme, duke na u shfaqur si një identitet poetik lokal. Me vargje të thjeshta, të bukura, të ndjeshme, që burojnë natyrshëm, ashtu siç i buisin nga ndjenjat e pastra të shpirtit poetik, autorja thotë: Unë jam Fatbardha e vargut tim, midis qiellit dhe detit, jam bota ime, bota e të parëve të mi, e vendlindjes, e Vlorës, e Kaninës, e Labërisë, e Ujit të Ftohtë, e lagjeve të qytetit, e mallit dhe krenarisë. Poezia e saj është nderim qytetar për datat e shenjta të kombit, për emrat e ndritur të letrave shqipe dhe veprave qytetimbërëse si Ali Asllani “zëhekur”, siç e cilëson autorja.

Vërejmë se Hamzaj e gjen veten te drejtimi letrar i romantizmit, duke i parë njerëzit dhe botën që e rrethon me sy ëndërrimtari dhe për motive të larta atdhetare i idealizon brenda hapësirave përkatëse të figurave stilistike, por nuk mungojnw ngjyrat e realizmit nw disa poezi apo, herw-herw, edhe notat e pesimizmit. Së shumti, muza e saj na dhuron vargje që të mbushin me Atdhe, që i thur himne heroikës historike. Motivet atdhetare në poezinë e Hamzajt ngjajnë si shtiza e flamurit nëansamblin poetik tw lirisë. Vëreni sa qartë, thjeshtë, me ngarkesë të fuqishme poetike ka thurur autorja me daltën e poetit atdhetar vargje të tilla si: “Te fjalët e babait/ atdheu ka folenë…”. Ajo thur ëmbëlsi vjershërimi me thesarin e traditës, ku feks dashuria humane brenda mjedisit që autorja zotëron. Ajo shkruan për njerëzit e saj më të dashur, për babain, nënën, hallën, vëllain, motrën, djalin, vajzat,veçse s’ka se si të shkëpusë nga kjo dashuri e thellë, e çiltër edhe nxënësit e saj, me të cilët është treguar jo thjeshtë një mësimdhënëse model, por sidomos një nënëshembullore me kulturë qytetare për ta. Poezi të tilla na përforcojnë idenë se Fatbardha është poete e jetës reale të njeriut, nuk kërkon të stis vargje figurativisht të ngatërruara, por, si një gëzimtare e vargut të bukur, ngre lart vlerat qytetare të njeriut. Mësuesja poete bëhet kështu misionare e edukimit të brezave jo vetëm nëpërmjet mësimdhënies në përditëmërinë shkollore me nxënësit, por, në kontekst, për edukimin moral dhe dokesor të të rinjve, sidomos të nuseve të reja etj. Kujtoj me ju poezinë “Do të ishte mrekulli” kushtuar së vjehrrës: “Nënën që s’e pata,/ E gjeta këtu,/ “Te shtëpia ime”,/ Jo ku linda unë”… dhe vijon rrëfimi në vargje mbushur me nostalgji, dhembshuri, trishtim, rënduar nga hallet e jetës, zbukuruar nga lulet e shpirtit, që autorja i fal “zemrës së plagosur”. Të them të vërtetën, deri më sot nuk më ka rastisur të lexoj qoftë edhe një poezi nga autor tjetër kushtuar vjehrrës, mbushur mall e dashuri për “mbretëreshën në fron”, për nënën e dytë. Tek kjo poezi kemi traditë, moral, edukim, detyrë, vërtetësi jetësore dhe mirësi familjare në raportet nuse-vjehrrë.

Do të kisha dëshirë t’i trajtoja një për një të 64 poezitë e autores, por le ta ndjejë vetë lexuesi dritën e bardhë të vargut të mësueses poete Fatbardha Hamzaj Xhindi, spërkatur me sherbetin e trëndafiltë të shpirtit të këngës mjaltore të Kaninës.

 

Please follow and like us: