Origjinaliteti i dallueshëm në vargjet e autores Sofia Doko Arapaj
Sintaksa poetike dhe origjinaliteti i dallueshëm në vargjet e autores Sofia Doko ARAPAJ
Dy fjalë për profilin poetik të autores, kryesisht mbi vëllimin më të ri “Terminal”, shkruar në dy gjuhë: shqip dhe në gjuhën vllahe (armânesht [armënesht] nga poetja emigrante – Sofia Doko Arapaj
MSc. Albert HABAZAJ
Përgjegjës i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë;
Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë
Jemi mbledhur në një takim të veçantë dhe domethënës që flet vetëpër shpirtgjerësinë fisnike të Vlorës letrare. Si pjesë integrale e Detashmentit të Letërsisë dhe Artit në qytet, po i themi autores emigrante Sofia Doko Arapaj, bijë nga Mekati i Vlorës (armâno [rëmëne]- vllahe, nuse në Labëri, që jeton në Greqi: Mirë se na erdhe me librin: “Terminal”; poezi , botuar në dy gjuhë: shqip – armânesht [armënesht]!Në vazhdim të veprimtarive të përbashkëta dhe në mbështetje të edukimit letrar e kulturor të qytetarëve vlonjatë, si dhe të formimit letrar të studentëve tanë, po aq për të shkëmbyer përvojat letrare midis miqsh të penës, Biblioteka Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” e Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë në bashkëpunimin me Qendrën e Kulturës dhe Artit, Bashkia Vlorë, po zhvillojmë këtë përurim libri më tepër me vlera njohëse, si një takim në formën e një bashkëbisedimi të ngrohtë me autoren Sofia Doko Arapaj. Mendoj se kjo veprimtari është një ngjarje letraro – kulturore e veçantë për qytetin kulturëdashës të Vlorës dhe, patjetër për Universitetin e qytetit tonë.
Takime të tilla po bëhen një traditë e mirë, sepse kemi ç’marrim e japim, kemi ç’përfitojmë nga njëri-tjetri.
Dëshiroj të bëj një parantezë, edhe për plotësim të natyrshëm të mozaikut shpirtëror e kulturor të Vlorës.
Qarku i Vlorës u paraqit siç i ka hije në Festivalin Folklorik Kombëtar (FFK) të Gjirokastrës 2023, me 25 numra folklorikë, me një atlas etnofolklorik të mrekullueshëm dhe me një hartë gjeografike të admirueshme, si një kartolinë e gjallë mesdhetare. Ishin rreth 200 festivalistë që vinin nga 7 bashkitë e qarkut të Vlorës: Konispoli, Finiqi, Saranda, Delvina, Himara, Selenica dhe Vlora, që u ngjitën të parët në Kala natën e dytë të Festivalit, të dielën e 25 qershorit dhe tejmbushën skenën e Festivaleve. Polifonia labe, ninulla, kënga vllahe, monofonia, vallja e minoritetit e mbushën me frymë lirike atë natë të rrallë magjike, që shfaqej më madhështore me natyrën liriko-epike, kur kënga dhe vallja burimore gërshetohej bukur me ato bashkëkohore. Komuniteti vllah u përfaqësua nga 6 artistë popullorë të grupit të minoritetit vllah nga Mekati i Sofisë, me “Këngën e Vasillës” (interpretuar në të dy gjuhët) që ishin shumë specifikë, sepse ishin pjesëtarë të një familjeje, asaj Greveni, ndërkohë që njëra nga këngëtaret kapte rekordin për moshën më të madhe të festivalistëve, 86 vjeçe.
Rikthehemi në temë. Me “Terminalin” autorja Sofia Doko Arapaj na dhuron 87 poezi lirike, që ngjajnë me një shportë me vjersha me motive shoqërore, të natyrës, peizazhit, dashurisë, ku spikasin poezitë me temën e shqetësimeve qytetare, të cilat duken se mbështillen me një tis gri trishtimi, por që nëterminal të poezisë, ngrenë zërin shkronjor me aftësinë, shëndetin letrar dhe forcën e ujkut. Besoj se jo më kot autorja në mbi tri poezi ka ujkun hero e simbol. Ç’ka i rrit vlerat më tej vëllimit, janë një tufëz me vjersha antropologjike. Autorja shprehet hapur, e dëlirë, siç është, e pabujshme, por që, jo në pak poezi, godet me të parën. Shfaq një art shkrimor të bukur, elegant, me mesazhe të guximshme, por të larta e të dobishme. Shkruan me varg të lirë, monokolonë e rrallë përdor poezinë me strofa. Ka ritëm poezia e saj, ka muzikalitetin e pëlqyeshëm të kohës, jetë aktive, dinamikë e gjallëri të natyrshme, që nuk të lejon të ngresh kokën që sa nis “Tek stacioni” (poezia e parë) deri tek poezia e fundit “E mëndafshtë”. Në vjershërimin e saj vërejmë kërleshjen (gërshetimin) e traditës dhe bashkëkohësinë, të antikitetit e mitologjinë me modernitetin e futurizmin.
Sofia më duket si një njeri në trajtë metafore, një metaforë që merr frymë në hapësirë dhe në kohë, një metaforë e fisme në lëvizje, “herë si zog… dhe herë si ëndërr”, siç sapo prezantohet ajo “Tek stacioni”.
Marrëdhëniet letrare të vargjeve në poezi i freskon, si në kopshtin e shtëpisë së saj me një ibrik të argjendtë me figura stilistike që nga litota apo hiperbola, krahasimi apo dhe similituda, antonimia apo sinonimia, kontrasti apo dhe grotesku, metafora e alegoria apo dhe sinekdoka etj. Duket dëshira apo dhuntia e saj për gjetjet poetike, që shumë prej figurave që përdor i ka nga flora e trevës, aq e pasur dhe e larmishme dhe në botën bimore.
Autorja nuk tutet nga paragjykimet seç do të thotë bota, ajo shprehet si rebelkë e nuk i llogarit llafazanët që shikojnë punët e të tjerëve dhe jo punët e tyre. Poetja i shpërfill ata me lirinë e saj që bën dhe hënën ziliqare. Ajo nuk ka komplekse, sepse është poete dhe raca e poetëve ka nevojë të ketë ngrohtësi njerëzish e ndjenjash, shokëshe miqsh. Ajo sa është vllahe, ndihet e është labe. Si vllahe kujtojmë disa poezi, por sidomos “Mumja armâne (vllahe)”. “Sa e lehtë jam, trupin nuk e kam” – një varg të tillë vetëm një dashuri gjenetike e tejdukshme dhe e trashëguar mund ta prodhojë. Ka dhe shumë poezi të tjera më konkrete, të hollësishme dhe me persona realë, që në letërsi shndërrohen në personazhe letrarë. Por, përsëri, Sofia sa është vllahe, është labe, shqiptare. Po citoj një poezi me dy strofa kushtuar lirikut tonëaq të ngrohtë, të paharruarit Petrit Ruka, thurur nga autorja qysh në gjallje të mjeshtrit të baladave, e cila nis thjeshtë, si një këshillë a qortim e përfundon në një furtunë poetike në stilin e saj të dallueshëm origjinal: “Ali Pasha qëvërtitesh/ me atë kokë të prerë/ lermi rehat djemtë labë/ po të them edhe një herë./ Mos i ajdë vërdallë Petritit/ dritës dhe madhështisë / se pastaj asgjë s’të mbeti/ pa kokën e poezisë”. Emocionuese është poezia për Ali Podrimjen, thurur kur Sofia i kërkoi autograf për librin që poeti ynë identitar përuroi në Athinë. Vëreni ç’gjetje poetike: “Libri u drodh edhe ra/ si zog në dysheme u vra…”. Tek poezia “Do të vishem”, një energji e brendshme përcjell dritëz dashurie: “Fshihemi të tromaksur/ Si vllahka me labin”, deri sa ndihet tamam labe me ujkun më të mirë në botë, më të bukurin e Lumit…[është fjala për trimin e saj nga krahina etnografike e Lumit të Vlorës] tek poezia “Ukju më i mirë në botë”, si ujkonjë metaforike e tij.
Ajo udhëton në kohë dhe në hapësirë, si grimcëz me grymë e universit dhe vetëdeklarohet jo vetëm poetikisht: “Kam shekuj pa prekur/ ëndrrat e braktisura/ pa kënduar shqipen,/ pa puthur tokën tonë”.
Poezia e Sofia Doko Arapaj është një filigran në veshjen poetike të letërsisë femërore në Vlorë dhe përbën një vlerë e shtuar në letërsinë bashkëkohore të Vlorës. “Ai më dashuroi/ gjer në vajin e një violine...”. Dallon qëështë një poezi femërore, me nota të ndjeshme të melankolisë romantike, e cila të rrëmben në ktahtë qiellorë të dashurisë. Po shkëpus dhe dy vargje nga një strofë treshe “që trëndelinat/ i gudulisin sandalen”, estetikisht ngacmuese, e ëmbël. Me një tjetër prerje poetike vjen tek vargjet “Mos e prek mermerin/ se pse i dhemb zemra”, që vijnë tek lexuesi si vargje abstraksioniste me një logjikë mbushmendëse të pakundërshtueshme. Një ndër poezitë më tëbukura dhe origjinale është ajo me titull “Gratë e përrallave”, ku trilli letrar vërtet ka dalë hergjele, por nuk fluturon qiejve të fantazisë, ai udhëton vëmendshëm lëndinave, brinjave, honeve, llagëmeve apo shkrepave të realitetit të jetuar. Sidomos këtë poezi e nis me ironinë, më tej përdor satirën, për ta mbyllur me ortekun e sarkazmës. Ja vargjet nismëtare: “Nëna mua më lindi me të meta të mëdha/ Akoma besoj në përrallat për burrin…”. Ja dhe “terminali” – vargjet përfundimtare: “Vrapoj të zë gratë e tjera të përrallave…/ Vetëm ato janë më të ndershmet deri më sot”…
Kur shprehem që Sofiaështë origjinalenë thurjen e vargjeve, e kam fjalën qëështë vetvetja, nuk është kopje e askujt tjetri. Ja nga kush autor tjetër i kemi dëgjuar vargje të tilla për veshin, bistakun e rrushit si “Cicat e vreshtave/ Pikojnë raki” apo “O vajzë e virgjër ku je?/ Cicat e vogla ia thëthiste dielli”. Vjershëz befasuese që të ngulet si gozhdë në tru, por çuditërisht nuk ndjen aspak dhimbje, veç qesh bukur si tek një mikropoezi. Tre vargje janë: “Sa më shpon trurin zhurma/ Sa e përdredhur është jeta…/ Eja ferrë, të të vesh rroba banje…”
Nuk mund të kuptohet një poet pa poezi për nënën, ndaj kështu, në disa raste mendoj, që është më mirë të recitosh vargjet e Sofisë se sa të flasësh dhe të komentosh ato. Është në stilin e saj që vargjet i nis të thjeshta në dukje e rrjedhin natyrshëm, por janë ca poezi a vargje gjurmëlënëse në kujtesën tonë si këto: “Nëna ime i ka shpatullat të thara/ Kalojnë dhjetëra trena e ia bëjnë shpinën copë…”
Sikurse dhe disa të tjera, poezia “E mëndafshtë” është jetësore, filozofike, mbresëlënëse, që të ngelet në kujtesë, të vë në mendime e aty të lë, se nuk e kundërshton dot, sidomos vargu: “Zemra u dhemb atyre, që nuk bën dot dashuri”…
Më bën përshtypje sintaksa, si disiplinë gjuhësore e përdorur nga autorja, me mënyrën se si i lidh fjalët në fjali, në varg dhe fjalitë e vargjet ndërmjet tyre në poezi në dy gjuhë, në gjuhën shqipe dhe armânesht [armënesht], që e ka bërë vëllimin poetik më të mirë gjuhësiht dhe artistikisht, ptjetër me ndihmën e devotshme të përkthyesit z. Kristo Goçi, i cili është dhe redaktor i librit, por ndërkohë zotërues igjuhës armâno[rrëmëno]-vllahe, posaçërisht i gramatikës, veçorive të përdorimit të pjesëve të ndryshme të ligjëratës në fjali e vargje; ndërtimi i fjalive në poezi, kohezioni tekstor i librit dhe pasurimi i leksikut letrar në të dy gjuhët, në të cilën na vjen ky libër.
Duke e përfunduar këtë udhëtim të shkurtër komunikimi me “Terminalin” e Sofisë, them se më tërheq sintaksa poetike që përdor autorja, nëpërmjet ndërtimit të posaçëm të fjalisë për t`i dhënë fuqi e gjallëri shprehjes, ndjenjës e mendimit poetik.
Eee, sot ne kemi përurim libri, pra jemi mbledhur në një festë letrare, ç’ka do të thotë që nuk kemi të bëjmë me një diskutim libri, që ka kuptimin e një kuvendi letrar. Gjithsesi, me dashamirësinë më të madhe, nuk mund të rri pa shprehur se disa probleme të redaktimit, sidomos të korrektimit nuk ia ulin vlerat librit, por struktura e letërsisë artistike kërkon arkitekturë letrare bukurisht të veçantë.
Vlorë, e premte, 08.09.2023,