Pishtari i frymëzimit poetik të autores Fatbardha Hamzaj Xhindi
MSc. Albert Habazaj
Emri i mësueses Fatbardha Hamzaj Xhindi është i nderuar jo vetëm në sektorin e arsimit dhe edukimit në qytetin e Vlorës, po është i njohur dhe i vlerësuar nga shoqëria jonë letrare dhe më gjerë. Korrekte si qytetare, shembullore si nënë, e devotshme si mësuese dhe e përkushtuar si poete, autorja Fatbardha Hamzaj Xhindi sot na ka mbedhur që të gëzojmë së bashku për ditëlindjen e vëllimit të dytë poetik të saj që i ka vënë emrin që i shkon aq shumë: “Perëndim dielli në Vlorë”. Për mua dhe për prof. Bardhosh Gaçen ishte një kënaqësi e dëlirë që u morëm me përgatitjen për botim të këtij libri të thjeshtë në strukturë, të bukur në stilistikë, të mirë në edukimin qytetar dhe të dobishëm për një jetë të dinjitetshme.
Vlen të theksojmë se në kohët e sotme, në qytetin e Vlorës, mjaft poetë e poetesha vijnë nga radhët e arsimit. Një ndër to është edhe poeteja Fatbardha Hamzaj Xhindi, e cila, qysh në shkollën e mesme, u shfaq me talentin e saj me një varg poezish, esesh e frymëzimesh, që bartin një botë të thellë artistike, me përjetime e ndijime, që kanë lënë gjurmë te nxënësit e saj, kolegët dhe poetët e tjerë të qytetit bregdetar.
Pas vallëzimit të parë poetik “Midis qiellit dhe detit”, përmbledhja “Perëndim dielli në Vlorë” është vëllimi dytë, ku duket se, në frymëzimin e saj rri ndezur pishtari i dashurisë për vendlindjen (Kaninën) dhe Vlorën, vatrën familjare, nxënësit e shkollës e mbi të gjitha peizazhin e mrekullueshëm të brigjeve shqiptare, detet e bukur të Vlorës, ku herë-herë vargu i saj poetik, shfaqet si akuarel pikture. Ndryshe nga vëllimi i parë poetik “Midis qiellit dhe detit”, poetja Fatbardha Hamzaj Xhindi, në botën e saj tematike dhe motivore përsiat një horizont të ri poetik, ku shpesh herë vargu poetik merr ngarkesa emocionale më të gjera, duke qenë në kërkim të një frymëzimi të freskët e të dëlirë, me mbështetje të fortë në muzën popullore.
Është kjo arsyeja, që shpesh herë, frymëzimi poetik i autores Fatbardha Hamzaj Xhindi, të duket si një këngë në buzët e saj, të cilën e këndon nëpër udhët e jetës. Vetë Kanina dhe Vlora me traditën e tyre artistike e popullore, janë një gurrë e pashtershme, ku poetët freskojnë artin e tyre. Vëllimi i ri poetik “Perëndim dielli në Vlorë” i poetes Fatbardha Hamzaj, është një buqetë e bukur poetike, ku shpirti i poetes i flet kohës dhe njerëzve, me zërin dhe mesazhet e saj fisnike. Në këtë vëllim të ri, poetja, me frymëzim fiton hapësira të reja, nga portretet e njerëzve që e rrethojnë, te peizazhet e kaltra bregdetare, te cicërimat e nxënësve në shkollë, por edhe në Kosovë, ku trualli i lashtë dardan flet me zëra lirie.
Ky vëllim poetik është edhe një botim i ri dhe vlerë e shtuar në Bibliotekën e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë, ku mësuesja poete Fatbardha Hamzaj Xhindi, është anëtare korekte e kësaj shoqërie letraro-artistike. Në këtë mënyrë, bota tematike e motivore e autores bëhet më e larmishme me ngjyrat e jetës, më e pasur artistikisht, më e bukur estetikisht. Urime, Bardha në misionin tënd fisnik për edukimin e brezave jo vetëm me tekstet mësimore, edukatën qytetare, por patjetër edhe me letërsinë e thjeshtë dhe të pastër artistike të shpirtit tend poetik!
Vlorë, 14.07.2023.