Rudolf Marku: U prehtë në Paqen e Përjetshme Shpirti i tij i bukur
Nga një postim mbresëlenës i Sadik Bejkos në Facebook, mësoj shuarjen e at Arthur Liolinit, Kryetarit të Kishës autoqefale shqiptare të Amerikës.
Patin fatin ta takoj at Arthurin në Korrik- Gushtin e vitit 1994, në Boston, Massachusetts. Në fillim në Kishën e Shën Gjergjit, në po atë kishë ku ka dhënë meshë Noli ynë i madh. Në ditën e neserme më ftoi për drekë në Down Town te Bostonit, ku kaluam plot një ditë.
Më kujtohen bisedat që bëmë së bashku. Tregimet e tij emocionale për Fan Nolin, adhurimin e tij fëmijë, sa herë që Noli vinte në shtëpinë e prindërve të vet. Folëm si dy shqiptarë që dhe sikur të takoheshin në planetin Mars, prapë se prapë do të flisnin për Shqipërinë dhe shqiptarët… Nga të gjitha bisedat, mbaj mënd adhurimin e tij për Ernest Koliqin- diçka që aso kohe më erdh e papritur, po ta mendosh se gjithë jeten e kish kaluar në ShBA. Ai më tregoi historinë që e dëgjoja për herë të parë, se si Koliqi i kishte kërkuar Ministrit të Jashtëm të Italisë, kontit Çiano, që të ndërhynte tek Hitleri, që të mund të lironte prej kampit të përqendrimit albanologun hebre Gustav Mayer! I kishte dhënë dhe një letër të shkruar, të cilën shpresonte se Konti Çiano mund t’ia kalonte Hitlerit!… Ja, më tha, cili Ministër i Kulturës a i Arsimit i Shtetit shqiptar do të mund të guxonte t’i kërkonte Enverit që t’i falej jeta Lazër Shantojës?…
U prehtë në Paqen e Përjetshme Shpirti i tij i bukur, qoftë në dritën e Zotit!
Please follow and like us: