Sadik Bejko: REKUIEM PËR AT ARTUR LIOLIN!
U hidhërova që nuk je më në këtë botë. Qofsh i parajsës atë Artur! U prehsh në paqe dhe në mirësinë ungjillore.
Atë Arturin e kam takuar në Gjirokastër më 1991. Në Mitropolinë e vjetër, në kishën e lagjes Pazari i Vjetër.
Ishte një burrë shumë simpatik për të qenë prift. Aq simpatik sa i shkonin për mrekulli mjekrra, kamillafi i zi prej kleriku ortodoks. Shtati i lartë.
Portreti i tij ishte fetar, po aq fetar sikur ta kishe gdhendur në skulptura klerikale të lashta. Zëri i tij i pastër, në një shqiptim të qartë, në tonalitet prej basi të ngrohtë vinte prej Korçe. Ishte një kombimim mrekullish. Një klerik shqiptar elegant modern prej Amerike dhe njëherësh klerik që të çonte në Rilindje e më larg.
Një legjendë e gjallë në atë kishë po na vinte rrotull. Njëherësh njeri i bukur, priftëror, fantast dhe i prekshëm. Klerik? I mbështjellë me mister? Jo, një burrë konkret me një degë borziloku të zhytur në ujë. Që psaltëte dhe na spërkaste. Uji i tij i shenjtë na rrëshqiste mbi flokë, mbi ballë. Ai ujë dhe ai borzilok që ne… pas kërkesës së tij, ia kishin vënë në duar.
Po ai ishte një prift që vinte nga katedra e Fan Nolit. Dhe mbinte i gjallë aty para nesh. Prift që, po… mua më ka spërkatur me ujë. Degë të plota nga borziloku ynë zhyteshin në enën me ujë… dhe Atë Artur Liolini na spërkaste… duke thirrur me zë të lartë lutje dhe psalme, thërriste fjalë, vargje tekstesh ungjillore. Por për ne të harruara, të pakuptuara.
Ju kam pagëzuar me borzilokun dhe ujin “tuaj”, na thoshte ai. Vetëm zëri dhe lutjet ishin të atij. Të Ungjilli.
Mua atë Arturi më ka “pagëzuar”. Më lagu me ujë borziloku Gjirokastre. Nga uji dhe borziloku im. Dhe e pranoja prej atij.
Po sa i bukur prift që ishte!
Isha krijesë komuniste e tjetërsuar nga çdo fe, si secili aty rreth e rrotull meje. Isha i rrafshuar nga hekuri i skuqur komunist mbi kokën time; një krejt trushpëlarë i komunizmit.
Por pagëzimin me borzilok e ujë të lagjes sime prej dorës së Atë Liolinit si përtëritje nga vapa e nga zhuri i gjatë… e pranoja.
Ai klerik, Ai atë Arturi, me atë zë grykor e të lashtë prej korçari ishte yni. Në jetë të jetëve ishte, kishte qenë yni. Dhe ja: na kishte ardhur nga larg. (Pse na u vonove kaq shumë? Ku ishe o prift i lashtë, pse na u vonove kaq gjatë ti o atë ?)
Dhe u spërkatëm nga duart e tij me ujin dhe borzilokun tonë të Gjirokastrës.
Ai po na kthente te lutjet e psalmet që ishin mbi 2000 vjet të qëmotshme. Lutje e psalme që na i kishin mëkuar mbi djep gjysh – stërgjyshat tanë. Por… që tashmë i kishim harruar.
Aleluja aleluja… na spërkaste Atë Arturi me borzilok e me ujë të freskët, me ujë të qëmotshëm pusi. Nga uji i puseve tona.
Qofsh i parajsës Atë Artur Liolin!
E pranova ujitjen tënde si një shtrat i tharë lumi, pret rrëkerat e shirave, pret vlagën e rrjedhave të ujit gjerë e gjatë sipër tij. Pranova të lagem nga ai ujë pusi si në një rit të lashtë kur paganët zhvisheshin që të lageshin, që të pastroheshin, që të shenjtëroheshin nga uji, kur prej qiejsh binte, binte shi… shi.
Aleluja… qofsh i parajsës atë Artur! Qofsh lart në paqe e në mirësi të përjetshme!
Please follow and like us: