Sharl Bodler vjen në shqip nga Besiana Kadare
CHARLES BAUDELAIRE: Një vdekje heroike
Fancioulle (1) ishte një bufon që s’e kishte shokun dhe pothuajse bënte pjesë në rrethin e miqve të Princit. Por, për njerëzit që janë të prirë t’u kushtohen gjërave qesharake, të kundërtat e tyre, ato serioze, janë fatalisht tërheqëse, dhe, ndonëse mund të duket e çuditshme që idealet e atdheut dhe të lirisë të mund ta pushtojnë në mënyrë tiranike trurin e një aktori, një ditë të bukur Fancioulle mori pjesë në një komplot të organizuar nga disa zotërinj të pakënaqur.
Ekzistojnë gjithandej njerëz për së mbari që denoncojnë tek autoritetet individët e zymtë që kërkojnë të rrëzojnë princat dhe të ndryshojnë shoqërinë, pa kërkuar mendimin e kësaj të fundit. Zotërinjtë në fjalë u arrestuan, ashtu si dhe Fancioulle, dhe u dënuan me vdekje.
Do ta besoja me gjithë qejf që Princi gati u zemërua kur gjeti aktorin e tij të preferuar midis rebelëve. Ky princ nuk ishte as më i mirë, as më i keq se të tjerët; por një ndjeshmëri e tepruar e bënte, në shumë raste, më mizor dhe më despotik se të gjithë të ngjashmit e vet. I dashuruar me pasion pas arteve të bukura dhe, për më tepër, një njohës i shkëlqyer i tyre, ai ishte vërtet i pangopur kur vinte puna te qejfi. Krejt mospërfillës ndaj njerëzimit dhe moralit, dhe duke qenë vetë një artist i vërtetë, ai nuk njihte tjetër armik të rrezikshëm përveç Mërzisë, dhe përpjekjet e çuditshme që bënte për të shmangur apo për të vënë poshtë këtë tiran të botës do ta kishin shtyrë, me siguri, ndonjë historian të rreptë ta cilësonte me fjalën “përbindësh”, sikur në viset e tij të lejohej të shkruhej çfarëdo qoftë që nuk kishte për qëllim të vetëm të ngjallte kënaqësinë apo habinë, një nga format më delikate të kënaqësisë. Fatkeqësia e madhe e këtij Princi ishte se ai nuk kishte pasur kurrë një teatër aq të madh sa të nxinte gjeninë e tij. Ka Neronë të rinj që u zihet fryma brenda kufijve tepër të ngushtë, dhe që shekujt e ardhshëm nuk do t’jua njohin kurrë as emrin e as vullnetin. Perëndia e pakujdesshme i kishte dhënë këtij Princi prirje më të mëdha sesa fuqia e tij.
Papritur u hap fjala që sovrani kishte ndër mend t’i falte të gjithë të përbetuarit. Ajo që i dha shkas thashethemit ishte lajmërimi i një shfaqjeje të madhe, ku Fancioulle do të interpretonte një nga rolet e tij më të rëndësishme dhe më të mira, shfaqje në të cilën do të merrnin pjesë, madje, edhe zotërinjtë e dënuar, kështu thuhej së paku. Një shenjë e qartë, shtonin mendjet e cekëta, që linte të kuptohej se Princi i fyer ishte i prirë të tregohej zemërgjerë. Prej një njeriu që ishte aq natyrshëm dhe aq vendosmërisht trillan, gjithçka ishte e mundur, madje edhe virtyti, edhe përdëllimi, po të mendohej se kishte shpresë që këto t’i jepnin kënaqësi të paparashikuara. Por për ata që, sikurse unë vetë, kishin mundur të depërtonin më thellë në këtë shpirt kureshtar dhe të sëmurë, kishte më tepër gjasë që Princi të donte të gjykonte vlerën e talentit aktorial të një njeriu të dënuar me vdekje. Ai donte të përfitonte nga rasti për të bërë një eksperiment fiziologjik të një interesi themelor, me qëllim që të shihte se deri në ç’pikë aftësitë e lindura të një artisti mund të veniteshin apo të tjetërsoheshin nga gjendja e jashtëzakonshme në të cilën ai ndodhej. Përveç kësaj, a ekzistonte në shpirtin e tij ndonjë ndjenjë që i ngjante pak a shumë përdëllimit? Kjo është një pikë që kurrë nuk ka mundur të sqarohet mirë.
Më në fund arriti dita e madhe dhe ai oborr i vogël mbretëror vuri në pah të gjitha salltanetet. Do të ishte e vështirë të përfytyroheshin, pa i pare vetë me sy, të gjitha madhështitë që klasa e privilegjuar e një shteti të vogël e me të ardhura të kufizuara, është në gjendje të shpalosë kur bëhet fjalë për një solemnitet të vërtetë. Ky ishte dyfish i vërtetë, e para për nga magjia e luksit, dhe e dyta për nga interesi moral dhe misterioz që ngjallte.
Zoti Fancioulle shkëlqente sidomos në rolet e heshtura ose në ato me pak fjalë, që janë shpesh më të rëndësishme në dramat që u ngjajnë përrallave, tema e të cilave është vënia në skenë, në mënyrë simbolike, e misterit të jetës. Ai hyri në skenë me një lehtësi dhe gjakftohtësi të përsosur, çka ushqeu te publiku fisnik shpresën për zemërgjerësi dhe falje.
Kur themi për një aktor: “Ja një aktor i mirë”, përdorim një formulë që lë të kuptohet se prapa personazhit dallohet ende aktori, me fjalë të tjera, arti, përpjekja, vullneti. Por, në qoftë se një aktor do të mund të arrinte të kishte me personazhin që ai interpreton një marrëdhënie të ngjashme me atë që shtatoret më të bukura të antikitetit do të kishin – sikur një mrekulli t’u jepte jetë, sy, dhe lëvizje, – me idenë e përgjithshme dhe të turbullt të Bukurisë, ky artist do të përbënte, pa dyshim, një rast të veçantë dhe krejt befasues. Atë mbrëmje, Fancioulle ishte një mishërim i përsosur i idealit, dhe dukej krejt i gjallë, i besueshëm, i njëmendtë. Bufoni shkonte e vinte, qeshte, qante, shfytyrohej, i rrethuar nga një aureolë e papërshkrueshme, aureolë e padukshme për të tjerët, por e dukshme për mua, ku përziheshin në një ngjizje të çuditshme rrezet e Artit dhe lavdia e Martirit. Me një hir të veçantë dhe të pashpjegueshëm, Fancioulle arrinte të fuste hyjnoren dhe të mbinatyrshmen edhe në bufonëritë më ekstravagante. Pena më dridhet dhe lotët e një emocioni që s’më ka dalë ende nga mendja më mbushin sytë, ndërsa përpiqem t’ju përshkruaj këtë mbrëmje të paharrueshme. Fancioulle ishte prova e prerë, e pakundërshtueshme, që dehja që të jep Arti arrin më mirë se gjithë të tjerat t’i fshehë tmerret e humnerës; prova që gjeniu mund të luajë komedi në buzë të varrit me një gëzim të atillë që e pengon të shohë varrin, i përpirë siç është nga një parajsë që përjashton çdo ide grope apo shkatërrimi.
I gjithë publiku, sado i velur dhe mendjelehtë që ishte, e ndjeu shumë shpejt sundimin e plotfuqishëm të artistit. Kurrkush nuk mendonte më për vdekjen, zinë, apo torturat. Secili e la veten të shijonte, pa e vrarë mendjen, kënaqësinë e madhe që të jep një kryevepër arti e gjallë. Shpërthimet e gëzimit dhe të mahnitjes tundën gjithë ato herë kubetë e ndërtesës me fuqinë e një bubullime të paprerë. Vetë Princi, si i dehur, i përzjeu duartrokitjet e tij me ato të oborrit.
Megjithatë, për një njeri largpamës, dehja e Princit nuk ishte e plotë. Mos ndoshta ndiente se fuqia e tij despotike kishte pësuar një disfatë? Se arti i tij për të tmerruar zemrat dhe për të topitur mendjet, ishte poshtëruar? Se shpresat nuk po i realizoheshin dhe parashikimet nuk po i dilnin? Të tilla hamendje jo krejt të përligjura, por jo dhe fare të papërligjura, me përshkuan mendjen, teksa sodisja fytyrën e Princit, mbi të cilën një zbehtësi e panjohur i shtohej pareshtur zbehtësisë së tij të zakonshme, si dëbora që i shtohet dëborës së vjetër. Buzët i shtrëngoheshin gjithnjë e më tepër, ndërsa sytë ia ndriçonte një zjarr i brendshëm, i ngjashëm me atë të xhelozisë dhe të mërisë, ia ndriçonte sytë edhe kur ishte duke duartrokitur në mënyrë të dukshme talentin e mikut të tij të vjetër, karagjozit të çuditshëm, që bënte aq bukur karagjozllëqe me vdekjen. Në një çast pashë Madhërinë të përkulej drejt një pazhi të vogël që ndodhej prapa tij dhe t’i pëshpëriste diçka në vesh. Një buzëqeshje ndriçoi fytyrën prej djallushi të fëmijës së bukur; pastaj ai doli me shpejtësi nga lozha princore, si të kishte një mision të ngutshëm për të kryer.
Disa minuta më pas, një fishkëllimë e mprehtë dhe e gjatë e ndërpreu Fancioulle në një nga momentet e tij më të bukura, duke çjerrë veshë dhe zemra bashkë. Andej nga kishte shpërthyer fishkëllima e papritur, një fëmijë shpejtonte drejt një korridori të brendshëm, duke mbytur të qeshurën.
Fancioulle, i tronditur, i zgjuar në mes të ëndrrës së tij, mbylli në fillim sytë, i rihapi aty për aty, të zmadhuar pa masë, pastaj shqeu gojën si të donte të merrte frymë me gulç, u lëkund paksa përpara, paksa prapa, dhe më në fund ra i vdekur mbi skenë.
Fishkëllima, e shpejtë si një thikë, a ia kishte kursyer vërtet mundimin xhelatit? A ia kishte marrë mendja Princit ç’aftësi vrasëse mbartte dredhia e tij? Kemi të drejtë të dyshojmë mbi këtë gjë. A i erdhi atij keq për Fancioulle-in e tij të dashur dhe të paimitueshëm? Është bukur dhe e ligjshme që ta besojmë.
Ishte hera e fundit që zotërinjtë fajtorë kishin shijuar spektaklin e komedisë. Po atë natë ata u fshinë nga kjo botë. Që atëherë, shumë aktorë të pantomimës, të vlerësuar siç e meritonin në vende të ndryshme, kanë ardhur të luajnë në oborrin ***; por asnjëri prej tyre nuk ka mundur t’i afrohet talentit të mrekullueshëm të Fancioulle, as të ngrihet në rangun e tij.
- Ky emër mund të ketë një kuptim të veçantë, meqenëse në italisht “fanciullo” do të thotë “fëmijë”. Sipas Baudelaire, gjenia është “fëmijëria e rigjetur sipas dëshirës”./exlibris.al