Udhëtim të mbarë në fushën e letrave autores Valentina SATKA!
MSc. Albert HABAZAJ
Përgjegjës i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë;
Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë
Për Vlorën bujare ndaj letërsisë dhe artit kjo vjeshtë nisi e begatë. Këto ditë në Galerinë e Arteve të qytetit u çel një ekspozitë pikture e piktorit Arben Kristani me banim në Durrës, që do të jetë hapur për publikun vlonjat deri më 14 shtator. Sot po zhvillojmë një veprimtari letrare specifike, sepse kemi dy gëzime njëkohësisht të një autoreje paksa të çuditshme, në kuptimin e mirë të fjalës. Kemi përurimin e dy librave, novelës “Një jetë në rrugëtim”, që klasifikohet në letërsinë shqipe për të rritur, si dhe të librit “Ditë pushimesh në fshat” me përralla për më të vegjlit që shkojnë në shkollë dhe me ilustrime me ngjyra e bardhezi të autores Valentina Levenishti Satka. Pse u shpreha që kemi të bëjmë me një autore paksa të çuditshme?! Autorja ka ardhur enkas nga Greqia për të përuruar dy librat e saj të parë pikërisht në Vlorë. Meqenëse autorja vjen për herë të parë në qytetin tonë dhe në këtë takim special me autoritetet e letërsisë dhe artit në Vlorë, e ndjej të nevojshme të paraqes përpara jush një jetëshkrim të shkurtër letrar të shkrimtares Valentina Satka: Ka lindur në qytetin e Çorovodës më 14 gusht 1974, babai me origjinë nga Potomi i dëgjuar i Skraparit. Shkollën fillore e ka bërë në Malësi të madhe dhe në Shkodër. Klasën e shtatë, si dhe shkollën e mesme bujqësore për veterinari dhe zooteknikë e përfundoi në Çorovodë, periudhë në të cilën mori pjesë në veprimtaritë artistike e letrare të qytetit. “Tosk e geg’, malci jallia” i kemi të mishëruar në trupin fizik, në gjakun dhe në shpirtin e autores Valentina Satka. Bijë Skrapar e mbesë e Shkodërlokes në Malësi të Madhe, sot është një qytetare e botës, që i flet kohës me zërin e saj, paksa të druajtur, por të vërtetë, që gjatë udhëtimit letrar të sapo nisur në do ta formësojë më qartë për ta dalluar edhe profilin e saj në shkrimtarinë e sotme.
Vali është një femër korrekte, grua serioze, familjare shembullore, e martuar dhe ka tre fëmijë. Qysh prej vitit 1994 jeton e punon në Greqi, banon në Athinë. Krahas punës së mundimshme përditë si emigrante, arriti të kursente dhe të niste dy nga ëndrrat më të bukura me synime të larta, të fillonte dhe të përfundonte studimet për infermieri, profesion që së fundmi po e ushtron me përkushtim e profesionalizëm. Por ajo nuk heq dorë nga pasioni i hershëm, sepse letërsia dhe shkencat humane ia zbukurojnë jetën në emigracion. Vali është e entuziazmuar, sepse tani po prek edhe ëndrrën e dytë, aq të dëshiruar që kur ishte vajzë. Por ora qe thënë: Vali duhet të bëhej gjyshe, madje 3 herë gjyshe, që të ndjente kënaqësinë dhe përgjegjësinë që të jep botimi i librit me emrin tënd në krye të ballinës. E frymëzuar dhe e mbushur nga jeta si emigrante, duke e parë në sy jetën atje, duke u përplasur në tokë e duke u ngritur në këmbë me dinjitet, duke njohur në thelb e në imtësi problemet e emigrimit shqiptar në dhera të huaj, si dhe nga pafundësi motivesh atje, autorja përcjell para lexuesit librin e saj të parë “Një jetë në rrugëtim”, nën kujdesin e veçantë dhe redaktimin e shkrimtares, poetes dhe botueses së njohur Enrieta Sina.
Pasioni për letërsinë, shkrimin letrar është “çmenduria” më e bukur, që është dhe gardiani i besuar dhe i merituar, që ruan shpirtin njerëzor nga infeksionet, barërat e këqija, veset, që po na mbysin frymën, pasi s’mbahet mend që kur është bërë dezinfektimi i duhur e i domosdoshëm. Gjithsesi, ne jemi në udhëtim gjithë jetën dhe në këmbë me dinjitet. Pa diskutim edhe autorja e përkushtuar Valentina Satka që është dhe me shumë optimizëm, do të vijojë një jetë të merituar në udhëtim midis sfidash me vlerat humane që mbart e përcjell.
Bashkëbisedimet me fëmijët si gjyshe me vogëlushët e moshës së kopshtit apo të ciklit të ulët, i dhanë kënaqësi dhe frymëzim autores të botojë librin e saj të dytë me titullin “Ditë pushimesh në fshat”. Të dyja librat e Satkës janë botim i vitit 2023, kohë kur autorja e ka fituar statusin e gjyshes, më të lumturin në botë dhe gati është ngjitur në fronin gjysmëshekullor të jetës fizike.
Dua të ndalem pakëz jo sa tek subjekti, por tek mesazhet që përcjell libri me përrallë për të vegjël. Sidomos ne, gjyshërit, që punojmë me durim me nipërit e mbesat tona kemi ç’mësojmë. Përse e them këtë? Po u lexojmë vogëlushëve tanë libra me përralla ku princesha kalon ca peripeci e përplasen në ca të papritura gjatë jetës së saj luksoze, pastaj si me magji gjen princin e kaltër, puthet fort, po fort fare me të: pastaj martohen dhe kalojnë jetë të lumtur si ata. Po pse ky është modeli që na duhet ne për nipërit dhe mbesat? Kjo letërsi na ka munguar ne?! Gati në të gjitha ato libërtha që kam blerë për t’ua rrëfyer mbesave dhe nipit jam ndeshur me këtë shabllonizëm nervozues dhe tekste aspak motivuese për edukimin fillestar të “mjaltit të mjaltit”, që vetëm dëgjojnë, shikojnë e nxejnë për të imituar ne a për të vepruar duke u rritur. Ndërkohë, në Shqipëri, përveç letërsisë klasike për fëmijë, ku u shquan Odise Grillo, Ferhat Çakërri, Tasim Gjokutaj, Skënder Hasko, Gaqo Bushaka, Bardhyl Xhama, Bedri Dedja etj, janë në ikje të tjerët si i paharruari Shkëlzen Zalli, apo në rrallim ata që bëjnë jetë aktive sot në letërsinë shqipe për fëmijë si prof. Bardhosh Gaçe, Xhahid Bushati, Pandeli Koçi, Adelina Mamaqi, Andrea Petromilo e ndonjë tjerë që vijon, edhe pse kjo letërsi themeltare për jetën e brezave është gati në harrim arkivor. Por jo. Ja ku na del, me thjeshtësi e me një këndvështrim origjinal shkrimtarja Valentina Satka me këtë libër të vogël, por me vlera të mira njohëse, didaktike dhe edukative. Subjekti është pak a shumë është ky: pushime e fëmijëve dhe tregimet e gjyshes, pra janë disa fëmijë të qytetit shkojnë në një fshat të largët malor tek gjyshe Vali, ku kalojnë dy ditë nga pushimet verore, që atyre iu duk sikur ikën e fluturuan sa hap e mbyll sytë. Aq tërheqëse e të mrekullueshme ishin. Gjyshja natyrshëm futet në botën e tyre, në kërkesat e dëshirat e tyre, në kërshërinë ndaj enigmave të botës sa të bukur, aq të panjohur. Gjyshja u flet me shumë takt, durim e dashuri për faunën dhe florën në Shqipëri dhe në botë. Ka disa të dhëna që ndoshta dhe të rriturit i bën të skuqen, siç ato për listimin e 22 kafshëve të egra, për 3200 specie bimësh të florës shqiptare e asaj ballkanike, për 300 bimët mjekësore të Shqipërisë, për 110 familjet e peshkut mesdhetar, për macet e egra, për kashtë e shtëpiake, për malin e Tomorit si shtëpia e kafshëve të egra si ujku, dhelpra, dhia e egër, kaprolli, dhia e egër etj. Mënyra se si e ndërton lëndën është për t’u lavdëruar, ndërkohë që duhet të kishte më tepër ngjyra letrare në tekst, përshtatur 100 % për botën e fëmijëve. E dobishme është loja që bën gjyshja me fëmijët, nipërit dhe mbesat për të marrë vesh çfarë të reje mësuan ata. Është një lojë e pamërzitshme, aktive, me gjallëri, me shpirtin e bukur e stimulues të garës ndërmjet fëmijëve kush ka mësuar më shumë, ku nëpërmjet pyetjeve që bëhen dhe përgjigjeve që jepen zhvillohet një bashkëbisedim i ngrohtë dhe i frytshëm. Në fund të tekstit, ato që rrëfeu gjyshja i ka vizatuar bardhezi, për t’i ngjyrosur fëmijët sipas modelit. Tek Vali, si autore, edhe pa qenë mësuese, vërejmë se ka shfaqur shumë elementë të didaktikës e pedagogjisë për fëmijët e kësaj grup moshe. Po u ka mësuese më të mira se gjyshet!