Albspirit

Media/News/Publishing

Për injorantët me patentë dhe moderatorët që i ftojnë nëpër studio

 

Aristotel Spiro

 

TUMORI MALINJ I NDËRGJEGJES SHOQËRORE (Me shkas nga shkrimi Prof. Fatos Tarifës “Vdekja e arsyes)

Lexova me vëmendje kryeartikullin «Vdekja e arsyes» të Fatos Tarifës, botuar në gazetën «Dita» më 28 shtator 2023. Është gjë e mirë që më në fund njerëz nga bota akademike po reagojnë kundër pellazgologëve, këtyre vagabondëve të dijes, të cilët dalin në tregun e ideve si shitës përrallash nacionaliste.

Shembujt hipotetikë që artikullshkruesi sjell në artikullin e vet dëshmojnë se arsyeja e shëndoshë është ende një barrikadë e fortë ndaj mashtruesve e prestigjiatorëve shëtitës të etimologjisë vulgare.

Autori i këtij kryeartikulli shpjegoi qartë absurditetin dhe karakterin qesharak të arsyetimeve të sëmura të kësaj kategorie individësh. Por dëshira ime ishte që ai të përqendrohej më shumë në plagën e thellë që mundojnë në mënyrë tragjike mendimin dhe ligjëratën e sotme shoqërore.

Problemi i vërtetë me përrallëtarët e alkimive etimologjike dhe patetizmave pellazgologjikë nuk është ekzistenca e tyre. Përrallëtarë të tillë, entuziastë e batakçinj, haluçinantë idesh të sëmura ka pasur, ka dhe do të ketë gjithmonë. Ajo që ka ndryshuar sot është se këta sharlatanë gjejnë tribunë në median televizive. Fatos Tarifa e shpreh qartë edhe këtë shqetësim.

Kjo është fatkeqësia e vërtetë: media e shndërruar në një plehurishte, ku gjelat moderatorë në majë të tyre ftojnë në bisedë a në duele rrugësh lloj-lloj sharlatanësh të etimologjisë, mjafton që të nyjëtojnë çdo budallallëk, çdo banalitet, çdo lloj ekskrementi mendor në lidhje me origjinën e fjalëve e të gjuhës shqipe, mjafton që të tingëllojë ledhatues për psikozat e sëmura të vulgut.

Është vërtet e vajtueshme të shohësh në një panel televiziv të një medie me emër si Euronews Albania, një profesor të mirënjohur si Rami Memushaj krah për krah me një «hero» të vulgut, të cilit moderatorja e papërgjegjshme dhe injorante i drejtohet me fjalën «Profesor».

Është trishtues të shohësh një profesor të denjë si Xhevat Lloshi përkrah bashkëpanelistësh me ligjëratë të padenjë. A ka një kod etik media shqiptare për këto raste? A ka ndonjë fije përgjegjësie organizmi i quajtur Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA)? A e kuptojnë këta njerëz se ç’dëm kolosal i bëjnë shoqërisë duke lejuar vulgarizimin e komunikimit dhe lejimin e banalitetit mendor e shkencor?

Është lajm i mirë që AMA ka marrë ditët e fundit kryesimin e enteve rregullatore të Mesdheut. Por ky lajm vjen si një ironi kur dikush njihet me gjendjen kritike në të cilën ka rënë sot media shqiptare, kur sheh që zbatohen standarde të ulëta etike dhe të shfaqen nëpër studio në rolin e specialistit lloj-lloj njerëzish me përgatitje të pamjaftueshme arsimore, kulturore e shkencore.

Këta maskarenj, që moderatorët e papërgjegjshëm i thërrasin nëpër studio, nuk janë engjëj të dijes. Përkundrazi! Janë injorantë me patentë, matrapazë të dijes, që përdorin si kriter nacionalizmin banal. Duke qenë injorantë, kërkojnë të monopolizojnë patriotizmin dhe atdhedashurinë dhe fabrikojnë etiketa tradhtie ndaj çdo shkencëtari e dijetari të ndershëm dhe vjellin nga truri i tyre i sëmurë çdo lloj akuze monstruoze.

Nuk është e rastit që përbindësha të tillë kanë vjellë fëlliqësitë e tyre mendore kundër figurave të ndritura të gjuhësisë shqiptare si Eqrem Çabej ose kundër Kolec Topallit. Nuk është e rastit që vjellin vrer ndaj Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, një institucioni që është pasuri e vendit dhe e shoqërisë shqiptare.

Por ata nuk e bëjnë këtë gjë vetë. Këtë vrer ia mundëson një medie me një mendje të papërgjegjshme dhe një emisioni të quajtur «Me Xhaxhiun». E, pra, ky moderator vendos lidhje direkte me «xhihadistët» antiakademikë dhe lejon që të përbaltet figura e të madhit Eqrem Çabej.

Intelektualët e këtij vendi – në qoftë se vërtet ka ende të tillë – kanë një përgjegjësi të madhe në mbrojtjen e vlerave intelektuale e shpirtërore dhe dinjitetit të shoqërisë. Duhet ngritur zëri sa nuk është vonë për vendosjen e një kodi të qartë etik dhe moral të medias televizive e të shkruar, në mënyrë që atmosfera shoqërore të mos ndotet nga fëlliqësirat mendore të çdo sharlatani dhe batakçiu.

Kjo gjë duhet bërë sa më parë. Duhet miratuar një ligj që t’i ndalojë televizionet të punësojnë moderatorë injorantë, në mënyrë që të mos ftojnë në panelet e tyre sharlatanë të dijes dhe individë të papërgjegjshëm. Një gjuhëtar me emër nuk duhet assesi të pranojë të dalë në të njëjtin panel me karagjozët e etimologjisë. As me përrallëtarët e historisë. Nuk ka ç’i duhet një publicitet i përlyer.

Dhe në rastin e një «fakti të kryer» prej moderatorëve të papërgjegjshëm e injorantë, duhet menjëherë të denoncojnë jo vetëm batakçinjtë e pranishëm por edhe vetë moderatorin.

Ka ardhur koha për t’i shpallur një luftë të vendosur aventurizmit të dijes dhe aventurierëve të etimologjisë. Përndryshe, truri i shoqërisë shqiptare do të toksifikohet nga helmi që derdhin këta individë, një helm i cili do të evoluojë në tumor malinj duke ia mbërthyer gjithë trupin dhe duke e çuar drejt fundit të sigurtë./gazeta dita

Please follow and like us: