Shkrimtares Irma Kurti i akordohet “Çmimi i Karrierës 2023” në Zvicër
Shkrimtares shqiptare Irma Kurti i akordohet “Çmimi i Karrierës 2023” nga Universum Academy Switzerland 2023. Ky vlerësim i jepet me motivacionin: “Për nderimin që i ka bërë gjuhës e kulturës italiane dhe shqipe në botë si dhe për meritat në biografinë personaleprej nga del në pah veprimtaria e saj, që synon arritjen dhe afirmimin e idealeve më të larta të jetës”.
Universum Academy Switzerland është themeluar në Bellinzona (Zvicër) në vitin 1990 nga Dr. Valerio Giovanni Ruberto, President aktual Federal dhe zhvillon veprimtarinë e vet jofitimprurëse, në mënyrë apolitike dhe jopartiake duke respektuar të gjitha shprehjet dhe liritë fetare. Universum Academy Switzerland përfaqësohet me 23 ambasadorë botë.
Irma Kurti poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese ka filluar të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël. Në vitin 1980 u nderua me çmimin e parë në konkursin kombëtar me rastin e 35-vjetorit të revistës “Pionieri” me poezinë “Për ty atdhe”. Në 1989 fitoi çmimin e dytë në konkursin e organizuar nga Radio – Tirana, me rastin e 45-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë.
Për poezinë dhe prozën i janë akorduar 85 çmime në konkurse të ndryshme letrare në Itali e Zvicër, shumë prej të cilave kanë qenë çmime të para. Ka marrë gjithashtu vlerësime në konkurse letrare ndërkombëtare si dhe në veprimtari të ndryshme në SHBA, Filipine, Liban, Kinë, Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut.
Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër. Në 2021 u nderua me çmimin “Liria” nga Komuniteti Arbëreshë në Itali. Në vitin 2022 u nderua me çmimin “Ambasadore Europiane” si dhe “Poetja më e mirë e vitit” për arritje të rëndësishme në fushën e letërsisë. Në të njëjtin vit emërohet Ambasadore për Shqipërinë e Çmimit Akademik Internacional të Letërsisë Bashkëkohore Seneca nga Akademia e Arteve dhe Shkencave Filozofike në Bari.
Është anëtare jurie në disa konkurse letrare në Itali, si dhepërkthyese pranë Fondacionit “Ithaca” në Spanjë.
Irma Kurti ka botuar 27 libra në gjuhën shqipe, 22 në italisht, 15 në anglisht dhe 2 në frëngjisht. Ka përkthyer 17 libra të autorëve të ndryshëm, si dhe të gjitha veprat e saj në italisht dhe anglisht. Librat e saj janë përkthyer dhe botuar në 14 vende të botës.