Albspirit

Media/News/Publishing

SHKRIMTARI NORVEGJEZ JON FOSSE RRËMBEN NOBELIN

Avdulla Kënaçi
Kemi vite që shpresojmë dhe dëshirojmë që çmimin “Nobel” në letërsi ta marrë shkrimtari ynë i famshëm ndërkombëtar, Ismail Kadare. Korpusi i veprave të tij letrare është i jashtëzakonshëm ku përfshihet një periudhë e gjatë kohore, rreth 70 vjet. Ai është i përkthyer dhe i vlerësuar në rreth 50 gjuhë të huaja, megjithse i përket një kombi të vogël 10 milionsh që shkruajnë e flasin shqip, komb i lashtë dhe me histori të madhe. Kryesisht veprat e tij u shkruan në diktaturë. Ai ishte novator, duke krijuar stilin e tij të veçantë, ndryshe nga të ashtuquajturit “shkrimtarë zyrtarë”. U anatemua dhe u rrezikua disa herë, derisa u arratis në Francë. Çdo vit shpresojmë dhe vemë baste se ai do ta marrë pa tjetër “Nobelin”, aq më tepër që ai ka krijuar diversitet idesh dhe stilesh në letërsi. Por ja kur edhe këtë të enjte përsëri u dëshpëruam duke mësuar se çmimi Nobel në Letërsi iu dha romancierit dhe dramaturgut norvegjez Jon Fosse “për dramat dhe prozën e tij novatore që i japin zë të pathënës”. Letësia e tij është e lirë dhe ekzistenciale, shpesh duke u fokusuar në jetën e brendshme të personazheve mjaft të vetmuar…
Po kush është ky shkrimtar? Puna e Fosses është vlerësuar në Europën kontinentale, por ai kohët e fundit ka gjetur një audiencë në rritje në botën anglishtfolëse. Duke marrë atë që shihet gjerësisht si çmimi më prestigjioz në letërsi, autori (emri i të cilit shqiptohet Yune FOSS-eh, sipas përkthyesit të tij) i bashkohet listës së laureatëve duke përfshirë Toni Morrison, Kazuo Ishiguro dhe Annie Ernaux. Kohët e fundit Fosse u kovertua në katolik.
Kritikët i kanë krahasuar prej kohësh veprat e rralla të Fosse me punën e dy laureatëve të mëparshëm të Nobelit: Harold Pinter dhe Samuel Beckett. Fosse prej kohësh ka qenë në listë-pritje për të fituar. Në vitin 2013, bastexhinjtë britanikë pezulluan përkohësisht bastet për çmimin pas një morie bastesh për fitimin e Fosses. Në fund, veprimi rezultoi i panevojshëm, pasi Alice Munro, shkrimtarja kanadeze e tregimeve të shkurtra ia rrëmbeu çmimin.
Krahas prestigjit dhe rritjes së madhe në shitjet e librave, Fosse me këtë rast merr 11 milionë krona suedeze, rreth 991 000 dollarë, pra afër një milion.
Vitet e fundit, Akademia Suedeze, e cila organizon çmimin, është përpjekur të rrisë diversitetin e autorëve të lauruar pasi u përball me kritika të mëdha sepse u konstatua se vetëm 17 laureate të “Nobelit” kishin qenë gra dhe se shumica dërrmuese ishin me origjinë nga Europa ose Amerika e Veriut. Zgjedhja e Fosses ka të ngjarë të interpretohet nga shtypi si një hap prapa nga ato përpjekje.
Përpara njoftimit të së enjtes, në një konferencë shtypi në Stokholm, Fosse ishte ndër të preferuarit, megjithëse Can Xue, një shkrimtar kinez i tregimeve të shkurtra shpesh surrealiste dhe eksperimentale, ishte gjithashtu në prag të fitimit të këtij çmimi, ashtu si Haruki Murakami dhe Gerald Murnane, një autor australian i izoluar dhe pak i njohur, po ashtu edhe Laszlo Krasznahorkai, një autor hungarez që Susan Sontag dikur e quajti “mjeshtër i apokalipsit”.
Norvegjia përdor dy gjuhë në të shkruar. Fosse shkruan në formën më pak të zakonshme. Gjuha në të cilën shkruan Fosse quhet “Nynorsk” dhe është një nga dy format e shkruara të norvegjishtes, tjetra është forma “Bokmål”. Ndërsa forma “Nynorsk” ka një përhapje më të madhe në letërsinë norvegjeze dhe përdoret nga shumë autorë. Fosse është ndoshta më i shquari. “Nynorsk” ose “norvegjishtja e re”, u ndërtua në shekullin e 19-të nga filologu dhe poeti Ivar Aasen, pasi studioi dialektet norvegjeze në mbarë vendin. Forma “Bokmål” ka evoluar nga gjuha daneze. (Norvegjia ishte në një bashkim me Danimarkën nga viti 1380 deri në vitin 1814).
Bokmål përdoret nga rreth 85 përqind e popullsisë, ndërsa Nynorsk përdoret nga 10 deri në 15 përqind, sipas Drejtorisë Norvegjeze për Arsim dhe Trajnim. Ndryshe nga shumica e gjuhëve të tjera kryesore në Europë, norvegjishtja nuk ka standard zyrtar për gjuhën e folur dhe shumica e norvegjezëve flasin një dialekt, madje edhe në mjedise zyrtare. Shumica e dialekteve janë disi më afër Nynorsk se sa Bokmål. Të gjithë norvegjezët mësojnë të dyja gjuhët e shkruara në shkollë. Gjuha kryesore që mësohet në çdo distrikt shkollor përcaktohet nga referendumi lokal. Forma Nynorsk është më e zakonshmi në Norvegjinë perëndimore, ku u rrit shkrimtari Fosse.
Shkrimtarët norvegjezë kanë marrë Çmimin Nobel në Letërsi katër herë, por Xhon Fosse është i pari në 95 vjet. Para tij, fituesja e fundit norvegjeze ishte Sigrid Undset, një shkrimtare e trillimeve historike e cila mori çmimin në vitin 1928 dhe Knut Hamsun në vitin 1920.
Ne jemi ende duke shpresuar se në një të enjte tjetër të viteve të ardhshëm se do ta marrë edhe shkrimtari ynë Ismail Kadare çmimin “Nobel”. Ai është në listë-pritje të Akademisë Suedeze.
Please follow and like us: