Albspirit

Media/News/Publishing

Kurthet e letërsisë, një libër provokues, se si biem të gjithë në një kurth!

 

(Rifat  Ismaili, “Kurthet  e letërsisë”-ese,  SHB. “Meshari”, Prishtinë, 2022)
                          (Maratona  e letërsisë)
Maxhun Osmanaj

Ta lexosh një libër me pasion, kënaqësi dhe kureshtje, s’mund të mbetesh vetëm lexues i thjeshtë, nëseke “armën” e vlerësimit, talentin dhe “armatosjen” me arsenalin, estetiko-filozofik. Po t’i kesh këto pronë në fushën e mendjes, në arën e zemrës dhe në blerimin e shpirtit,  atëherë ti mbetesh mëkatar pa thënë dhe pa shpërfaqur ndjesitë, reflektimin, mbresat e tua  para lexuesve. Leximi i parë, i thjeshtë të  mbetet ushqim i çastit, ndërsa  mbresa, opinioni, vlersimi është për një  jetëgjatësi  më  të  madhe  dhe  mundësi  për  ta   shijuar  atë  shije  edhe  shtresa  e  lexuesve. Kur  më  ra  në  dorë  libri  i eseistit, poetit, prozatorit dhe përkthyesit, Rifat Ismailit, “Kurthet  e letërsisë” ese,  me  kërshëri  e   fillova,  me  etje  e  mbarova. Çdo  ese  ma  plotësonte  një  etje  estetike,  por  nga  mesi  i librit,  duke  parë  se  po  bie    edhe  unë  në  “kurthet  e letërsisë”, desha  t’i  ik  vetëm  leximit  të  thjeshtë,  sepse  doja  t’i  bashkohesha  edhe  unë  këtij  kurthi  dhe  shijoja  shijen  time,  sepse  arti  estetik  më  thërriste  ta  ngacmoja  memorjen  time  për  këtë libër.

Mjerisht  sa shumë  krijues  mendojnë  se  në  letërsi  ka  një  ecje apo  vrapim  të  shkurtër  apo  një  sprint  të çastit, por krejt  ky mendim është i gabuar! Krijuesit  e  vërtetë  e  dinë  se  letërsia  është  një  maratonë  që  s’përfundon  kurrë. Dhe  kjo  maratone  kërkon  stërvitje letrare  deri  në  maksimum,  po  deshe  të  ruash  një  emër  që  e  meriton  në  letërsi  apo  duhet  kuptuar  se  marrja  me  letërsi  nuk  është  gëzim  i  çastit, por  torturë  e  ëmbël,  nëse  sjell  fruta  në  kohë  dhe  nëse  lë  gjurmë  të  ndritur,  ai  është  frut  i kohës. Fundja,  “ Dhe te  të gjithë  artistët  e  mëdhenj ,  nganjëherë ka  diçka  anormale”(fq.40). Tani shtrohet pyetja  : Çka  hetojmë  në  këtë  libër,  pos  kënaqësisë  estetike? Çfarë  trajton  krijuesi, esteti,  Ismaili  në këto 40 ese të  shkurtra. Duke  qenë  autori  një poet, prozator, eseist, ai  tani  e  di si trorturohet  shpirti  i  krijuesit,  për  të  dhuruar  nga  laboratori   shpirtëror- krijues  nektar  artistik. Ai  e  di   që “ Kjo  puna  e  të  shkruarit  është  një  fushë  që  s’ka  fund. Do vullnet  të  hekurt. Besim  tek vetja,  pak  marrëzi  që  shpërthen  si  llavë  vullkanike” (fq.40). Autori  në  këtë  libër  shtron  dhe ngre  shumë  çështje  fundamentale  për  krijuesin  dhe  raportet  e  tij  me  “kurthet  e  letërsisë”,  përkatësisht  të  poezisë. Ai  na  jep  shembuj  për  forcën  e  poezisë, përballë erupcionit  shpirtëror,  duke  qenë  poeti, herë vullkan, herë stabilizues  i lëkundjeve “tektonike-shpirtërore”.

Pse  shumë  shkruajmë,  pak  jemi  poetë? Me  shumë  argumente  dhe  shembuj,  na  jep  se  si  jetojnë  poetët   e  vërtetë  me  shekuj,  sado  që  disa  kanë  jetuar  pak,  kanë  shkruar  pak,  prapë  arti  i tyre  i  stolisur  me  vlera  të vërteta,  i  ka  mbijetuar  kohës,  shekujve, pushteteve… Autori  “ngacmon “  mendjen   e vet  si  krijues  për  të  gërmuar  fenomene,  veçori,  të  krijuesit, por  edhe  të  formave  të  manifestimeve  emocionale-shpirtërore. Autori  ndalet  te  një  fenomen  shqetësues  i  ditëve  tona; përvetësimi  i  autorësisë  si  dhe  vjedhja e  vargjeve. Pra,  godet  këta  pseudo poetë  dhe  këtë fenomen apo dukuri. “Përvetësimi  i autorësisë  dhe  vjedhja  e vargjeve,  duket  sikur  i  ndihmon  këta  njerëz  të  paskrupullt,  për  të  arritur ambiciet  e  qëllimet  e  tyre. Sepse  nuk  mund  të  ketë  shpjegim   tjetër,  që  të përvetësosh  fjalë  për  fjalë  një  krijim   dhe  të  marrësh  autorë-sinë  e krijuesit”(fq.17). Duke  parë  se  “bukuritë  e  botës  ngjizur  në vargje”, janë  bukuri  dhe mrekulli  të pakrahasueshme,  ngase  bota,  përkatësisht  natyra  është  hambari  i  të  gjitha  bukurive,  ndërsa  poezia  është  ajo  që  ia  rrëmben fluturim krijuesit  shpirtin, i  jep  ekuilibër,  e  fut  në  vullkan, i  dhuron  dritën  e  udhëtimit,  e  largon  nga  kaosi   dhe absurdi  që  e  rrethon. Pra  autori  vjen  te  konstatimi  se  gjithçka  që  shkruajmë  nuk  është  vlerë,  prandaj “ Kemi  shumë  vargthurës  artizanalë,  por  jo  shumë  poetë  të  vërtetë,  që  kërkojnë  në  vetvete cilësinë,  fabulën  e  ndërtimit  të  një  poezie” (fq.23). Shkurt,  autori  na  jap  të  gjithëve  një  vërejtje  kolektive. Artin   e  vërtetë letrar  e  ruan  vlera nga harresa  e  kohës. Shkrimtari  në  këtë  libër,  “armatimin “  e  shpraz  në  fushën  e poezisë  si “  Udhë    drejt  së  panjohurës”  apo  si  “Udhëtim  në  trenin  poetik”. Kështu  me  një  fjalor   dhe  terminologji  të përkorë, arrin  të  shtrojë  një diskurs  estetik si “ngacmim” i  këndshëm  për lexuesin. “Ky tren  i lodhur  dhe  i mbingarkuar  me  shumë  shpirtra  poetikë  e  të  dyshimtë,  nganjëherë  del  jashtë  binarëve  dhe  përfundon  në  ndonjë  hon  apo  bregore”(fq.23). Pra,  të  krijosh  art  të  qëndrueshëm, art  të  vërtetë,  do të  thotë  të  flijosh  diçka  sublime  nga  shpirti  yt. Fundja, artisti  mund  të  jetë  i  marrë,  mund  të jetë  i  pakuptueshëm  nga  një  pjesë  e  masës,  mund  të jetë  ekstrem  në  dashuri,  ekstrem  në fatin  e  tij,  mund  të jetë  edhe  rreze  që i ngroh  njerëzit, kohën. Nëse  askush  nuk  i flet,  as  koha,  as  njeëzit,  atij i  flet  shpirti  i artit  dhe  i  mbijeton  shekujve  të  harresës:  siç  na  jep  shembuj: Henri Miler, Pol Verleni, Remboja, Bukovski, Apolineri, Markezi  De  Sade. Kështu,  brenda  një “arene të  absurditetit”, poeti  sikur  jeton  në  një  jetë  të  dyfishtë,  siç  e  thekson  autori  në  një nga  esetë. Ndoshta  do  ta quaja këtë libër edhe si “ Kurthet  e poetit”, sepse  autori ka në  “shënjestër”  poetin,  si  përfaqësues  i  shtratit  të  letërsisë: kurthet  e  tij  nga talenti, mos-talenti, kaosi, absurdi, përditshmëria, egoja, urrejtja, dashuria,  dhimbja,  udhëtimi, koha, fati, përsiatja, gërmimi  në  minierën  e shpirtit,  deri  te  laboratori krijues,  i jep  një  shpërthim vullkanik  me  një  llavë poetike  që  kur  të ftohet merr fusha…

Vlen  për  t’u  cekur  se  në  një  nga  esetë  e  këtij  libri ”Poeti  para femrës”,  autori  trajton  fuqinë  e  dashurisë  që  përfiton   dhe  “mund” mendje  më  të  fuqishme  të  njeriut. “ Në  mënyrë  krejt  të  pavetdijshme  mbesim  të  pavdekshëm  vetëm  nga   marrëdhënia  jonë  me  femrën”(fq.70). “Dhe  mbeta  gjithnjë/ Para femrës/Si përballë detit/(fq.70). “Van  gogu  preu  veshin  e  tij  për  t’ia  dhënë  të  dashurës. Drakula  u  shndërrua  në  vampir,  sepse  humbi  të  dashurën  dhe  bashkë me  të  besimin  ndaj Zotit. Jo  më  kot  i këndoi   Danteja  Beatriçes  dhe Pushkini  e  kthen  në  një meteor  pas  vdekjes, dashnoren  e  tij,  Ana Kernin”(fq.71). “ Luftarakë  të  mëdhenj,  udhëtarë, aventurierë, princër  dhe poetë,  janë  përulur  përpara  provës  së  dashurisë” (fq.71).Në   fund  të  librit  ngre  çështje  me  rëndësi  për  krijuesit  dhe  letërsinë  se  si  do  të  shkruhet  për  fëmijët  në  të ardhmen,  poetët  dhe   poezia  tallava-ese  polemizuese,  si  dhe rolin  e kuajve  nëpër  beteja  gjatë  historisë.Pra,  janë  këto  ese ku  trajtohet  me  shumë fakte  dhe argumente,  shtron mendime  shqetësuese  në  rrafshin  e   krijimit  letrar. Ismaili  edhe  me  këtë   vepër  tregon  se  është  një  zhbirues-kërkues  dhe skalpër  estetik, gdhend  mendime  dhe hap dritare  të reja  për  ta parë  më  mirë artin  e  krijimtarisë letrare-poetike.

Please follow and like us: