Lidhjet mafioze midis serbëve dhe shqiptarëve
Gjelok Marko
Politika është një fushë ku personat e paaftë dhe mediokër mund të zenë poste të larta dhe t’i mbajnë këto pozita për një kohë të gjatë. Ndërsa një pilot apo edhe shofer i paaftë demaskohet brenda pak minutash, po ashtu edhe një mjek apo inxhiner i paaftë demaskohen për një kohë relativisht të shkurtër, politikanët e paaftë, sidomos kur janë demagogë të shkathët dhe dinë të marrin poza teatrale, jo vetëm që dinë të maskojnë shumë mirë paaftësinë e tyre por madje dinë edhe të shiten si vizjonarë dhe kanë aftësinë të mashtrojnë kombe të tëra për shumë vite. Këtë na e provojnë figura të tilla historikisht të njohura si Adolf Hitleri, Josef Stalin, etj.
Gjatë luftës së Dytë Botërore Dushan Mogusha e Miladin Popoviçi gjykuan se kandidati më i mirë për të sunduar Shqipërinë ishte Enver Hoxha. Enveri gjatë kohës që ish për studime në Francë nuk kish marrë asnjë provim, nuk kish asnjë aftësi për të marrë frenat e një shteti, pikërisht për këtë ai ishte kandidati më i përshtatshëm. (Më vonë sërbët gjetën edhe një person edhe më të përshtatshëm, teneqexhiun analfabet Koçi Xoxe, por dështuan ta vendosin në krye të Shqipërisë).
Enver Hoxha deklaronte se: “Mbrojtja më e mirë është sulmi” dhe në bazë të këtij parimi ai vendosi se rruga më e mirë për të mbuluar paaftësinë dhe injorancën e tij ishte ngritja e kultit të individit. Kështu propaganda e quante Enver Hoxhën si “burrin më të shquar që kish lindur ndonjëherë në kombin shqiptar”, si “yll drite që ndriçonte në Evropë dhe në botë”, etj, etj. (Të njëjtën taktikë po mundohet ta verë në zbatim sot Edi Rama, “zeusi” i sotëm i politikës shqiptare.) Fakt është se Enver Hoxha ishte tepër mediokër dhe i paaftë për pozitën që mbante. Ai nuk e kuptonte se të ashtuquajturat parime të marksizëm-leninizmit në fushën ekonomike nuk funksiononin. Kur dilnin persona dhe kërkonin të veprohej në ekonomi sipas ligjeve të ekonomisë Enver Hoxha i quante këta persona tradhëtarë, agjentë; i vriste, i burgoste dhe vendoste në pozitë të tjerë të cilët ishin të detyruar të vepronin në ekonomi sipas ligjeve dhe parimeve të marksizëm-leninizmit.Të gjitha vendet e tjera kishin kaluar në revizionizëm, vetëm Shqipëria e Enverit u qëndronte me besnikëri këtyre parimeve?! Kjo natyrisht solli kolapsin ekonomik. Tani Enveri ishte në hall të madh dhe duhej gjetur një zgjidhje. Po të vepronte ashtu si e kërkonin ligjet ekonomike do të diskretitohej kulti i tij, nga një udhëheqës larkpamës do të dilte si një mediokër që kish dënuar personat e aftë që i thoshin të vërtetën. Në këtë hall të madh ai u shtriu dorën për ndihmë padronëve të tij të vjetër, atyre që e sollën në pushtet, “vëllezërve” jugosllavë, sërbë. Dhe ata i treguan rrugëdaljen: Kondrabandën.
Është fakt i njohur nga të gjithë se ekonomia shqiptare e kohës së komunizmit për shumë vjet, në një masë të konsiderueshme, u mbajt në këmbë nga të ardhurat që dilnin prej kondrabandës. Pa këto të ardhura do të kish patur kolaps ekonomik para 1980. Të gjithë gjithashtu e dinë se kondrabanda zhvillohej nga Evropa përmes territorit të Ish-Jugosllavisë, të Sërbisë, të Kosovës në Shqipëri, e që aty në Itali.Gjithashtu është fakt i njohur se në këtë veprimtari bashkëpunonin midis të tjerëve dhe shqiptarë të Kosovës, sërbë, persona të UDB Jugosllave si dhe oficerë të sigurimit të shtetit shqiptar. Është e natyrshme të besohet se gjatë gjithë këtyre viteve aktiviteti kondrabandist u krijuan lidhje e miqësi, ndofta të ngushta. Sigurisht që UDB u mundua të rekrutonte agjentët e saj si midis shqiptarëve të Kosovës ashtu edhe midis personave nga Shqipëria…. Kjo kondrabandë ish kaq e gjërë, vazhdoi për shumë vite…
Terrori i Millosheviçit bëri që të gjithë shqiptarët të ngrihen në luftë, edhe ata që dikur kishin organizuar kondrabandën. Natyrisht që dikush që ka punuar për vite me rradhë në kondrabandë është më i aftë të organizojë një luftë guerrile e partizane shumë më mirë se të tjerë të cilët gjatë gjithë kohës së paqes kanë ushtruar profesionin e mjekut, arsimtarit, etj. Kështu është e natyrshme që këta persona të vihen në pozita drejtuese dhe të kenë sukses në luftë. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi. Problemet dalin në qoftë se këta persona që kanë drejtuar luftën dhe padyshim kanë patur meritat e tyre në luftë, problem është kur këta persona marrin pozita politike.Problem i madh është në qoftë se këta shqiptarë, të Shqipërisë apo Kosovës dikur të lidhur me kondrabandën, ose pasardhësit e tyre, marrin pozita politike dhe kërkojnë ti ndërtojnë marrëdhëniet politike midis Kosovës, Shqipërisë e Sërbisë sipas modelit, miqësive dhe lidhjeve të marrëdhënieve që kishin dikur në veprimtarinë e kondrabandës. Aq më keq kur midis tyre ndodhet rastësisht ndonjë nga ata persona që UDB e dikurshme e ka rekrutuar ose e mban peng në ndonjë farë mënyre…
Dihet që Aleksandër Vuçiçi është Joseph Goebbels-i , i Millosheviçt një person që ka interesa e srategji të njëjtë me të. Ndryshojnë vetëm taktikat. Mbase Vuçiçi and co. është një partner i besueshëm dhe i respekton kolegët e tij në shqiptarë kur është fjala për të organizuar lidhje kondrabandiste në botën e krimit, por Vuçiçit kurrë, premtimeve e planeve të tija politike, nuk mund tu besohen kurrë. Politkisht Aleksander Vuçiç është dhe do të mbetet :
Joseph Goebbels-i i Millosheviçit. Synimet e parimet e tij politike do të mbeten gjithmonë ato që kanë patur dhe ata që quhen “ baballarët “ e kombit sërb: “Sa më shumë shqiptarë të vrasim e të shpërngulim, aq më të mëdha janë meritat tona ndaj interesave të Sërbisë.” Mbase këtu qëndron pika ku “ngatërrohen” Baton Haxhija, Edi Rama e co. Fatkeqësisht Aleksander Vuçiç është dhe mbetet edhe sot Joseph Goebbels për ne shqiptarët. Po ashtu edhe qeveria e Sërbisë mbetet ajo që ka qënë në kohën e Millosheviçit, këto fakte, sado të duam ne shqiptarët, nuk i ndryshojmë dot. Por ne shqiptarët, si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë, duhet të kemi kujdes që politikanët tanë të mos i lidhin marrëdhëniet politike midis Shqipërisë dhe Kosovës me Sërbinë sipas ligjeve dhe parimeve të kondrabandës, sipas marrëdhënieve “të mira” që personat e korruptuar kanë patur e kanë me sërbët në fushën e kondrabandës. Në asnjë mënyrë këto lloj marëdhënesh e miqësirash, të lidhura në botën e krimit, nuk duhen adoptuar në fushën e politikës. Marëdhëniet shtetërore, marrëdhënit midis kombeve në fushën e politikës duhet të mbështeten në parime krejt të tjera. Aleksandër Vuçiçit e klanit të tij mbase mund ti besohet në fushën e kondrabandës, po në nivelin politik e ndërshtetëror, kurrsesi jo. Ne të gjithë shqiptarët, kudo që jemi, duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm e ti kotrollojmë politikanët tanë, sidomos në lidhjet dhe në marrëdhënien që ata kanë me Sërbinë. Në asnjë mënyrë nuk duhet të lejojmë që Sërbia të na vendosë në pushtet në Shqipëri e Kosovë ata politikanë që janë të korruptuar, pikërisht ata politikanë që i shërbejnë intersave sërbe.Në qoftë se kemi të tillë duhen demaskuar. Duhen demaskuar botërisht, me emra dhe pa drojë edhe gazetarët e demagogët e paguar. Gjërat duhen quajtur me emrin e tyre të vërtetë.Historia nuk duhet lejuar të përsëritet!