Albspirit

Media/News/Publishing

Roli i Smokthinës në enciklopedinë e Vlorës të prof. Bardhodh Gaçes

(Përgatitur nga prof. dr. Bardhosh Gaçe)

Prof. Asc. Dr. Bernard Zotaj

Një përmendore që pasqyron dhe flet edhe për Smokthinën

Pas një pune shumë vjeçare lexuesi smokthinjot njihet dhe me një libër Enciklopedi për Vlorën, por që Smokthina pasqyrohet në 78 zëra në historinë shumë shekullore të Vlorës. Libri enciklopedik është për çdo familje smokthinjote një vlerësim dhe një punë e vyer patriotike, pasi aty gjejnë pasqyrim historia e fshatrave të Smokthinës si Ramica, Bashaj, Matogjini dhe Shalës – Mesapliku, paraardhësit, luftëtarë që shkruan epopetë nga kryengritjet e Tanzimatit, të çetave patriotike, të shpalljes së pavarësisë, të Luftës së Janinës, të Luftës së Vlorës, si dhe të faqes më të ndritur, të LANÇ-it, për të vazhduar më tej me pasardhësit që mbajnë gjallë këto tradita e që punojnë e luftojnë për t’i përcjellë në shekuj në breza. Është një punë tepër e vyer, një përmendore që pasqyron dhe flet edhe për Smokthinën të përballur në histori me luftëra të përgjakshme për mbrojtjen e saj nga pushtues të ndryshëm, një histori legjendë që brezat do të flasin në vijimësi…

Prof. Bardhosh Gaçe me këtë libër shpuri në vend amanetin Kryetarit të Parë të Akademisë së Shkencave që Vlora duhet të ketë një Fjalor Enciklopedik. Dhe ja dita erdhi. Prof. Bardhosh Gaçe për vite mblodhi tërë mjaltin e mjaltit të saj dhe na dhuroi një veprë me përmasa gjigande për Vlorën dhe historinë e saj. Me shumë përkushtim dhe vëmendje të madhe në libër zënë vend jeta material e shpirtërore, duke filluar nga prehistoria dhe deri në ditët e sotme… duke pasqyruar ngjarje politike, historike, shoqërore, luftërat dhe përpjekjet në të gjithë rrugëtimin e saj nga pellazgët e deri më sot.

Në këtë libër – fjalor gjejmë gjurmët e vendbanimeve të hershme të Smokthinës, të lashtësisë dhe të qytetërimit, të bashkësisë smokthinjote gjer në zhvillimet bashkohore të saj. Në këtë ndërrmajre të madhe për fjalorin, prof. Bardhoshi ka shfrytëzuar mjaft arkiva, ka dhënë një pasqyrim të ndërtimit të shoqërisë dhe të jetës në këtë zonë të madhe, ka shkrur thjeshtë duke na dhënë një mesazh të qartë për krahinën e Smokthinës, për zhvillimin dhe ndërtimin e jetës në kohë të ndryshme, duke folur për tradita dhe për historinë të jetës së saj, për propogandistët e saj në periudha të ndryshme dhe për luftëtarë dhe kryetrima të dalë nga kjo zonë…

Libri nuk e ka vendin vetëm në bibliotekat personale, por ai duhet të jetë në shkolla, në institucione të çdo fshati, tek kryepleqtë, në familje pasi është një pasuri e të gjithëve, është një pasuri historike dhe frymëzuese që mëson dhe edukon të mëdhenj e të vegjël, na tregon rrugën nga erdhëm dhe do të mbrijmë. Libri është një punë shkencore dhe madhore për Smokthinën.

Fashatrat e Smokthinës me histori të veçantë

Në fjalor vend të veçantë dhe të përshkruar në detaje zënë dhe zërat për fshatrat e Smokthinës Bashaj, Matogjin, Ramicë dhe Shalës-Mesaplik, ku përshkruhet historia e gjurmëve të tyre. Me shumë kujdes janë pasqyruar territoret ku shtrihen, vendet historike, betejat, vendet e kullotave, krojet dhe burimet e shumta, pyjet, rrugët dhe shtigjet për të hyrë në Smokthinë, etj. Në fshatrat e Smokthinës në shekuj është zhvilluar shumë blegtoria, për arsye se Smokthina ka shumë kullota dhe në malet e saj janë vendosur shumë stane të familjeve smokthinjote. Në këto fshatara ka vepruar kanuni i Papa Zhulit dhe e drejta zakonore e Labërisë, ka pasur dhe janë ndërtuar dërstila dhe mullinj të shumtë. Në zërat për fshatrat e Smokthinës pasqyrohen dhe lëvizjet e tyre brenda territorit të saj nga tërmetet, rrëshqitetjet e tokës apo dhe të sëmundje të ndryshme, etj. Në zërat për fshatrat përshkruhen luftëra, aleanca, kryetrima që i kanë udhëhequr, përpjekje dhe përballim i halleve të jetës, lidhjet dhe bashkëpunimi midis tyre, etj.

Vend të dukshëm zënë udhëheqës e luftëtarë si Zoto Mahmuti, Cane Miftari, Dule Zoto, Haxhi Hoxha, Tartar Memushi, Kapo e Jazo Lelaj, Zaçe Xhelo, Zyber Musai, Zigur Lelo, Bajram Qamili, Qeriba Derri, Mevlan Dervishaj, Bako Dervishaj, Shefqet Musaraj, Perlat Hasani, Veiz Pipa, Moisi Elezi, Gilo Lamaj, Hasan Abedini etj.

Më tej janë pasqyruar figura të shquara të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare për çdo fshat, rindërtimi i shtëpive të djegura nga lufta, krijimi i kooperativës së çdo fshati dhe bashkimi i tyre në kooperativën e Smokthinës. Vend zë dhe pasqyrimi i traditave folklorike dhe i këngës polifonike “Qazimademçe”, si dhe rapsodë e këngëtarë të shquar popullorë si Demir Ago, Qazim Ademi, Perlat Hasani, Hysen Ruka, Xhevit Zeneli, Tomorr Lelo, Namik Jahaj etj.

Nga lashtësia vijnë gjurmët e kalasë së Cerjes, të kalasë së Boderit, të mozaikut të Mesaplikut, të urës së Bogdanit, si dhe mjaft shenja dhe vende të ciltadhe sot thirren nga banorët e Smokthinës si te qafa e kishës, etj.

Rrepet ku u bënë kuvende historie

Tek Rrepet e Mesaplikut në qershor të vitit 1847, krerët e kryengritjeve antiosmane të fshatarësisë së Jugut, me në krye Zenel Gjolekën e Rrapo Hekalin formuan “Beslidhjën Kombëtare Shqiptare” dhe komitetin drejtues dhe shpallën vendimet e luftës kundër Tanzimatit. Tek këto rrepe në vjeshtën e vitit 1878 Abdyl Frashëri dhe Mustafa Pashë Vlora u takuan me krerët drejtues të Lumit të Vlorës për zgjerimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në vitin 1908 Isamil Qemali organizoi një kuvend ku u bisedua mbi gjendjen e rëndë të vendit nën pushtimin xhonturk dhe u përkrah kanditatura e tij për deputet në parlamentin e ri. Ndërsa në vitin 1913 Ismail Qemali organizoi një kuvendim për mobilizimin e luftëtarëve kundër shovinistëve grekë, etj. Rrepet thirren me toponimin “Rrepet e Ismail Qemalit” dhe pranë tyre sot është ngritur një memorial kushtuar kapedanëve të Lumit të Vlorës.

Figurat dinjitoze të Smokthinës

Në fjalor një vend të dukshëm zënë dhe figurat që përfaqësojnë kapedanët dhe udhëheqësit popullor të kryengritjeve gjatë shek. XIX të tillë si Zoto Mahmuti, Imer Ali Mustafaj, Ali Mesapliku, Dule Zoto, Cane Miftar Smokthina, Demir Ago Vlonjati, Haxhi Hoxhë Smokthina, Qazim Ademi, Tartar Memushi, Jazo Lelaj, Lulo dhe Mukë Bajrami etj. Në veprimtarinë e tyre shfaqet kontributi dhe përpjekjet e vazhdueshme për të qenë të lirë në krahinën e tyre, duke bërë roje e qëndruar në këmbë, që armiku të mos shkelte në këto troje. Në këto luftëra kemi dhe dëshmorët e parë të Smokthinës.

Më tej në fjalor na shfaqen çeta patriotike e “Mesaplikut” e komanduar nga Zaçe Xhelo, një nga prijsët dhe luftëtarët më në zë në fillim të shek. XX. Kjo periudhë kap një numër të shumët patriotësh që me zërin dhe veprën e tyre u shquan në shoqata, klube, si dhe në organizimin dhe zhvillimin e Luftës së Janinës, të Luftës së Vlorës të vitit 1920. Të tillë në fjalor paraqiten Ago Agaj, Zigur Lelo, Bajram Qamili, Boro Pipa, Feti Deromemaj, Hamzo Nurçe, Hate Qamili, Hazbi Rukaj, Shero Emini, Veliko Sarçaj, Idriz Ruka, Zenel Curri etj.

Në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare Smokthina zë një vend nderi të veçantë. Aty patën bazën dhe selinë e tyre mjaft shtabe lufte, komanda vendi, spitali partizan etj. Në Smokthinë u krijuar dhe çeta partizane “Zigur Lelo”, si smokthinjotët mbushën radhët me luftëtarë në mjaft njësi sulmuese të UNÇSH. Në Ramicë, ku ishte dhe spitali partizan, shpella e Hyse zë një vend të rëndësishëm në strehimin e të plagosurve gjatë kësaj lufte.

Nga Smokthina që bënë emër dhe u daluan në këtë luftë epope janë Mevlan Dervishaj, Vezi Pipa, Bako Dervishaj, Moisi Elezi, Sadik Zotaj, Shaqo Derri, Qeriba Derri, Pashako Sarçaj, Orman Murraj, Shefqet Musaraj, Perlat Hasani dhe mjaft luftëtarë dhe partizanë, ku shquhen mbi 80 dëshmorë të rënë në këtë luftë.

Më tej në Fjalor përshkruhen dhe këngëtar populor me zë të njohur në Vlorë dhe më gjerë si Tomorr Lelo, Hysen Ruka, Xhevit Zeneli etj. Po kështu vend të veçantë zënë dhe poetët Agim Ruka, Ëngjëll Zotaj, Muhamet Derri, Namik Jahaj dhe Bedri Sullaj, shkrimtarët e njohur të Shipërisë Idajet Jahaj dhe Eqerem Canaj.

Me përparësi prof. Bardhosh Gaçe ka trajtuar dhe figurën e intelektualëve smokthinjot të shquar në vite si Eshref Ymeri, Novruz Dervishaj, Idajet Sejdiaj, Abedin Lamaj, Fuat Kokallaj, Zeno Jahaj etj.

Në mjaft zëra jepen njoftime të sakta që kanë vlera njohëse për të gjithë të interesuarit dhe studiuesit, sidomos për brezin e ri. Fjalori përshkruan rrugëtimin në shekuj të mjaft figurave historike, kanë dalë në pah momente kyçe të jetës së Smokthinës, energjitë, sakrificat deh përvoja luftarake në shekuj, të cilat i kanë bërë dhe i bëjnë një shërbim të vçantë historisë së Vlorës dhe kombëtare.

Në këtë punë të nisur nga prof. Bardhoshi në vitin 1987 dhe të përfunduar në vitin 2021, atë e ka frymëzuar ndjenja e fuqishme, pasioni dhe këmbëngulja, dashuria për njerëzit, zakonet, historinë e Vlorë, por dhe për punën, përpjekjet dhe sakrificat e smokthinjotëve që kanë lënë gjurmë në histori. Të falënderojmë prof. Bardhoshi për këtë kontribut të dhënë edhe për Smokthinën.

Please follow and like us: