Agim Xh. Deshnica: SEKRET, TEPËR SEKRET!
Atëherë u ndërtuan rreth e qark vendit, aq shumë bunkerë sa s’numëroheshin dot. Sheshet e ndërtimit u mbushën fytas me ta. Dhe, ç’ishte më e çuditshmja, bunkerët ishin sekret ushtarak! E ky qenkësh i shenjtë!
Mjaft djem besnikë e ruanin sekretin me fanatizëm.
Kur ndonjë prej tyre kthehej me leje në shtëpi me uniformën e marinarit, e rrethonin shokët dhe e pyesnin për jetën në marinë.
– Sa shokë ke në fjetore ti, Sofo?
– Është sekret ushtarak, mos më pyesni, s’jua them dot!
– Mirë, po kepele si kjo, që ke sot, a ke tjetër?
– Edhe ky është sekret!
Sa herë dilni në det me motovedetat ruse atje? Sa të shpejta janë ato?
-Aaaa,ç’ju qenka shkrepur kështu? Ç’më jeni qepur me këto pyetje, për të zbuluar sekretet ushtarake?!
Kështu ndodhte edhe me bunkerët. Sekret – numri i tyre, sekret – kostoja e tyre, sekret – vlera!… Projektet e bunkerëve ruheshin nëpër kasaforta të fuqishme, siç qenë edhe ata vetë. Megjithatë, udhëheqja e partisë përhapte fjalë nëpër popull se çdo bunker u takonte jo më shumë se tre vetëve. Kaq i madh ishte kujdesi i shtetit për njeriun, si kapitali më i çmuar! Pra, ata, bunkerët siguronin strehimin dhe fjetjen e tërë shqiptarëve, në raste sulmesh të papritura me topa, tanke e bomba nga ana e armikut, i cili, sikurse dihej, edhe kur uji flinte, ai rrinte zgjuar. Dhe ishin aq të fortë bumkerët tanë, saqë nuk pyesnin as për bombën atomike. Dhe kjo s’ishte fjalë e kotë, se qenë bërë prova. Paskëshin futur brenda në bunker një kec të gjorë dhe e kishin qëlluar me topa të kalibrit të rëndë! Populli nisi të sajonte për bunkerët emrat: “Këpurdhë betoni”, “thelë portokalli”, “hotel pa para”… Kur ndonjë udhëtar e zinte nata rrugës, ia merrte me gjumë në bunker si s’ka më mirë. Por, bunkerët e bregdetit shërbenin gjatë verës për bukuri edhe si vila të posaçme. Veç, nuk mungonin edhe rrugaçë, që i përdornin për të kryer nevojat, duke i ndotur e përdhosur.
Lamçe Guri, nga fshati Darzezë ngjitur me Banjën, u shkoi pranë katër ushtarëve, që po ndërtonin një bunker në bahçenë e tij.
– Puna e mbarë, or djem! – u tha. – Ju lumshin krahët!
– Mbarë paç, xhaxha! – ia kthyen uishtarët.
Lamçja iu drejtua ushtarit më të gjatë:
– T’i je i pari i këtyre, or bir?
– E, unë jam!
– Po nga të kemi?
– Nga Shëmbërdhenji.
– Si të thonë?
– Kamber!
– Ta gëzosh! Po yt atë ç’emër ka?
– Isuf Holta.
– Ua, ua! Po pse çuni i Isufit qenke ti!? Po unë jam mik me babanë tënd, ore, mik e shkuar mikut!
Tha kështu Lamçe Guri dhe doli tek donte:
– Sa kohë, xhanëm, do të qendrojë në mes të bahçesë time ky bunkeri?
– Ç’të të them! Më sa di ti, dimë edhe ne, që po e bëjmë!
– Po, ele – ele, sa bunkerë janë ngritur gjer tani në fshatin tonë?
– Aaaa, këtë pyetje mos ma bëj, të lutem shumë! Është sekret ushtarak!
– Jo, or, jo! Por, a më thua dot se me tërë atë çimento e hekur, që ka ky bunker, a u bën dot ballë gjyleve të topit?
– Sigurisht, sigurisht! Se nuk kursehet gjë për bunkerin! Me materialet që ha ky, mund të çohet në këmbë një shtëpi me dy kate!
– Pa shiko, pa shiko! E po, duke i pasur këta, na e marrka të keqen armiku, thuaj!
Të nesërmen, sapo hëngrën groshën e mëngjesit, oficeri i mensës e njoftoi ushtar Kamberin që të paraqitej menjëherë në zyrën e komisarit.
Kamberi shkoi dhe, kur arriti, sapo hapi derën e zyrës, u gjend përballë tre oficerëve pa kepele.
– Shoku komisar, sipas urdhërit tuaj, ushtar Kamber Holta ju paraqitet! – tha ai në qëndrim gatitu, duke nderuar me grusht mbi vsh.
Kaluan disa çaste në heshtje, pastaj komisari u ngrit në këmbë dhe, ndryshe nga herët e tjera, i bërtiti:
– Je i arrestuar! Merr vesh? Të hënën do të dalësh para gjyqit ushtarak!
– Unë!? Pse!? Ç’paskam bërë!?
– Ke guxuar të nxjerrësh jashtë sekretin ushtarak për bukerët dhe je marrë me axhitasion e propagandë!
– S’është e vërtetë, shoku komisar!
– Hajt, pusho, se nuk ia fusim në tym ne! Kemi dëshmitarë tre ushtarët që punojnë me ty dhe Lamçe Gurin nga Darzeza! Tani e pata këtu, në zyrë!
Kamberi u trondit. Njëri prej ushtarëve ishte shoku i tij më i ngushtë, kurse Lamçja, siç i tha vetë, qenkësh mik e shkuar mikut me të atin!