Albspirit

Media/News/Publishing

Rrënjët shekullore të kombit shqiptar në Europë duhen promovuar më shumë

Nga biseda e Konsullit të Nderit z. Anton Dedaj me shkrimtarin e madh Ismail Kadare.


Tiranë, më 17 Tetor 2023.

Konsulli i Nderit i Republikës së Shqipërisë për qytetin dhe prefekturën e Zarës në Kroaci, z. Anton Dedaj, u takua në Tiranë me shkrimtarin e madh Ismail Kadare.

Ata zhvilluan një bisedë të ngrohtë dhe miqësore.

Kjo bisedë përfshinte shumë tema lidhur çështje të aktualitetit mbarëshqiptar.

Zoti Kadare tha se Shqipëria është pjesë e krijimit të Evropës dhe përjetësisht i përket rrënjëve mijëvjeçare të saj.

Ai theksoi gjatë kësaj bisede se: “Natyrisht shqiptarët kanë qënë dhe janë në qendër të vemendjes së historisë dhe zhvillimeve evropianë për shekuj me radhë. Dhe mund të them se akoma deri në ditët e sotme shqiptarët dhe Shqipëria nuk e kanë humbur këtë pozicion, pavarsisht  zhvillimeve tragjike, si dhe luftrave e fatkeqësive që i kanë ndodhur kombit shqiptar. Rrënjët dhe arsyet e këtyre fatkeqësive ende nuk janë sqaruar mirë. Shqipëria është kombi i shqiptarëve. Një komb jashtëzakonisht i vetmuar, por që ne duhet me patjetër të shpëtojmë nga kjo vetmi pasi ne nuk e meritojmë një gjë të tillë. Kjo pasi shqiptarët në thelb janë Evropjanë dhe madje evropjanë shumë të mirë dhe jo barbarë siç mundohen t’i paraqesin disa qarqe jo dashamirëse kundrejt shqiptarëve në Europë. Shqiptarët duhet të jenë të privilegjuarit e kësaj pjese të rajonit, i cili i përket dhe është pjesë integrale e Europës së civilizuar. Pra, Shqipëria në vetvete është europiane, është pjesë origjinale dhe e përjetshme e rrënjëve mijëvjeçare të Europës. Këto rrënjë europiane të saj nuk janë shkëputur asnjëherë, por i janë mohuar asaj në një mënyrë apo në një tjetër, ose dhe janë anashkaluar”.

Gjatë kësaj bisede shkrimtari i madh Kadare u shpreh se: “Ky vend shpesh është trajtuar pa seriozitet. Shqipëria është një vend serioz. Vetë vendosja e saj gjeografike, po ta shikosh me sy të parë, flet për atë që ajo është në të vërtetë, në qendër të Europës. Mosha e saj mijëra vjecare, pesha e saj historike flet më së miri për këtë fakt. Por kjo gjë nuk i është njohur. Pra i është mohuar. Dhe shqiptarët sot në hapësirën mbarëshqiptare po e vuajnë këtë mosnjohje, këtë mohim. Nuk di çfarë të them më tepër, pasi bisedat rreth këtyre çështjeve janë mjaft të komplikuara dhe të vështira për t’u trajtuar. Dhe për më tepër, në momentin aktual unë nuk kam të dhënat e mjaftueshme për t’i shpjeguar më tej dhe për të dhënë përgjigje të hollësishme rreth këtyre çështjeve. Kjo pasi një pjesë e tyre dalin përtej kufijve të artit dhe letërsisë. Por, natyrshëm këto çështje rikthehen tek arti në mënyrën e tyre, ashtu si përgjithësisht rikthehen gjërat e përjetshme. Kjo pasi arti dhe letërsia në vetvete janë sfera që kanë lidhje me themelet e jetës dhe vdekjes së një kombi. Prandaj të flasësh për to duhet ta vrasësh mendjen thellë, në mënyrë që të mos japësh mendime të gabuara, të ngutura, të papërgjegjshme. E them këtë, pasi kjo ka ndodhur dhe ndodh shpesh me punët e shqiptarëve. Kjo është një temë mjaft e vështirë për t’u trajtuar dhe nuk mund të analizohet në mënyrë të hollësishme dhe në detaje brenda kornizave të një bisede. Për këto çështje unë kam shkruar shumë. Kam një jetë të tërë që shkruaj dhe përpiqem t’i trajtoj me objektivitet këto çështje. Kjo pasi këto janë çështje shumë të vështira, janë çështje që lidhen me jetën e vetë kombit shqiptar. Dhe gjërat që lidhen me jetën e kombit shqiptar kanë lidhje gjithashtu me vdekjen e tij të mundshme. Një komb i braktisur, i lënë mënjanë, rrezikon vdekjen e vet. Prandaj ne s’duhet kurrë ta lëmë Shqipërinë mënjanë, s’duhet të jemi të papërgjegjshëm me fatin e saj. Por, për fat të keq mund të them se ne nuk po bëjmë aq sa duhet për të”.

Kaq mund të them rreth këtyre çështjeve në këtë takim me ju, tha shkrimtari i madh Ismail Kadare.

Ne fund bisedës Zoti Dedaj tha se e falenderon nga zemra për mundësimin e këtij takimi dhe për këtë bisedë të çmuar.  Ai i tha zotit Kadare se: “E gjithë krijimtaria juaj si shkrimtar është e nivelit botëror dhe ka nje frymë të theksuar pro-perëndimore. E për rrjedhojë, kjo krijimtari na ka inspiruar në gjithë veprimtaritë tona për çeshtjen kombëtare”.

Konsulli i Nderit Dedaj e uroi shkrimtarin e madh Ismail Kadare për titullin e lartë “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit” që Presidenti Francez, Emmanuel Macron i akordoi atij vetëm pak ditë më parë. Dedaj u shpreh se ky titull i lartë është një vlerësim i merituar që i bëhet atij dhe që bën krenar çdo shqiptar në mbarë botën.

Please follow and like us: