Albspirit

Media/News/Publishing

Lutfi Alia: Dinastia e Dukagjinëve

(PJESA I)

Nga Lutfi ALIA, Siena – Itali

Në historinë e Arbërisë – Albanisë mesjetare, janë shquar shumë familje fisnike patronimike dhe prijësit e tyre kishin tituj perëndimor (princ, kont, duka, markez), si dhe tituj bizantinë (arhond, sevast, sevastonkrator, protosevast, panhypersevast). Arbëria-Albania porta lidhëse mes perëndimit e lindjes, historikisht është ndikuar  nga kultura europiane dhe ajo bizantine, të cilat u ndërthurën në jetën e arbërorëve, të shprehura si në sistemin e organizmit administrativ, në dy fetë katolike dhe ortodokse, si dhe në stemat heraldike të familjeve fisnike, që ishin sa origjinale, po aq pasqyrim i heraldikës europiane dhe bizantine.

Familjet dinastike arbërore Progoni, Arianiti, Muzaka, Dukagjini, Balsha, Spani, Topia, Skura, Zaharia, Blinishti, Golemi, Matranga, Gropa, Kastrioti, Granai, Engjëlli, Gazuli, Jonima, Frangu, Martaseos, Manesi, Toka, Zenebishti, Losha, Bua Shpata etj, ishin të lidhura mes tyre me krushqi, por dhe me pakte aleance, rrethana këto që ndikuan në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe të individualitetit teritorial arbëror.

Ndër familjet patronimike të herëshme në historinë e Arbërisë janë shquar Dukagjinët, që zotëronin trojet e Arbërisë veriore. Rreth origjinës së lashtë të Dukagjinëve dëshmojnë studiues të shumtë të mesjetës. Bazuar në rrethana historike, një kronist bizantin i shekullit VII pas K, shkruan: “Në vitin 460 pas K, gjatë mbretërimit të Leonit I, vizigotët e shkretuan Ilirinë dhe një tribu e tyre e udhëhequr nga Duka Gentius (Gjini) zbriti nga Dalmacia dhe u vendos në Shkodër. Pasardhësit e Gjinit përdorën mbiemërin e kombinuar Dukagjini. [Herwing Wolfram, Storia dei Goti, Roma, Salerno 1985, pp. 431 – 433]

Me fuqizimin e pushtetit, Duka Gjini, i pushtoi territoret ndërmjet Shkodrës dhe Durrësit dhe krijoi Principatën e Dukagjinëve. Në administrimin e këtyre trojeve, Duka Gjini zbatoi ligje, rregulla dhe norma gote, duke i ndaluar ligjet romane dhe ato lokale ilire.

Perandori bizantin Teodosio II, e emëroi Duka Gjinin sebastoncrator dhe Magister militum për Dalmacinë (gjykatës ushtarak). [Maku?ev V. Vasilievi?O Slavjanah v Albanie v srednie veka. Varsavskij Univers. Izvestija. 1871. Heft 3, f. 128]. Sebastoncrator është titull nga greqishtja; Sebaston – i hirësuar, i nderuar dhe Cratos – i fuqishëm sundues, zot trojesh.

Në vjetarët anonimë të Raguzës (Annales Ragusini Anonymi, sec. VII, pp. 6 – 8), në një fragment që trajton ngjarjet e vitit 687, janë përshkruar trazirat në Bosnie, ku një pjesë e vendit donte për zot Dukagjinin e Albanisë (Duchagini de Albania), ndërsa kishin refuzuar mbretin Stjepan. Në një trajtim të ngjarjeve të vitit 688, tregohet se një Dukagjin ishte mundur dhe ishte vrarë nga mbreti Radosavo, i cili mori Shkodrën dhe Lezhën dhe i shtriu zotërimet deri në det: “Duchagini fo amazato, et Arbania oltra Leso fo presa per Radosavo, et molti altri paesi, chasteli, chasteleti, Schutari, et Aleso fo de le bande de Levante, qual fo de Duchagini”.

Në Analet e Raguzës tregohet dhe për ngjarjet e vitit 689, përshkruhet vala e migrimit të banorëve nga Arbëria dhe nga Bosnia (De Arbania e de parte de Bosna), për t’u strehuar në Raguzë, sepse ishin persekutuar si “partizanë” të Dukagjinit të mundur (perchè parici erano de Bosna partixani de Duchagini). Ndër ngjarjet e vitit 690, tregohet për masat që kishte marrë qyteti i Raguzës, duke ngrijt një mur rrethues për t’u mbrojtur nga gjindja që vinin nga Arbëria dhe nga Bosnia. (E queso perchè tutta via venevano homeni de ogni bande, tanto per mare quanto per tera de Arbania et de Bosna). [Aurel Plasari. Arbni  Historik, Gjeografik, kishtar dhe politik. Tiranë 2020, f. 26 – 27]

Si kuptohet nga këto kronika Raguziane, Dukagjinët u përballën me dyndjet sllave. Në një nga kronikat e vitit 744 tregohet për migrimin e arbërorëve dhe bosniakëve, që kërkuan strehim në Raguzë, madje saktësojnë se nuk ishin vetëm shtresat e ulëta, por dhe fisnikë kapedanë, kontë, ofiqar, pra gjindje e rëndësishme, ndër ata dhe Dukagjinët. Me migrimin e arbërorëve nga Lezha, Shkodra, Rodoni etj, spjegohet prania e shumë familjeve arbërore në Raguza në shekujt e më vonshëm. [Serafino Razzi, Storia di Ragusa, 1903, pp 5 -6].

Pas dyndjeve barbare, në shekujt IX – XI, trojet arbërore kaluan në vartësi të Perandorisë Bizantine. Perandorët e Bizantit ushtruan autoritet të fuqishëm politik dhe ushtarak, ata aplikuan ndarje të re administrative të trojeve, kësisoj Iliria, u nda në zotërime të shumta lokale, ndërsa disa fise u bashkuan dhe formuan njesi administrative të gjera si Dukati i Shkodrës, Tema e Durrësit, Dhespotati i Albanezëve i Artës, Dhespotati i Epirit i Muzakëve, më pas principatat e Dukagjinit, Arianitëve, Topia, Kastrioti, Gropa, Toka, Losha, Zenebishi, Bua Shpata etj.

Në shekullin XII Principata e Dukagjinëve përfshinte Shkodrën, Zadrimën, Malin e Zi, Pultin, Shatin, Ndërfanin dhe ishte pjesë e Shtetit të Arbërit të Progonëve. [Makushev Vasilievi?Zadunajskije i adriatiçeskije slavianie. Sankt-Peterburg, red “Lit.6-ki”, 1867, IV, p. 304].

Në vitin 1214, Dhespoti i Epirit Mihal Komneni pushtoi Shkodrën, por u detyrua të largohet, pas revoltës të organizuar nga Dukagjinët. [Kristo Frashëri, Principata e Arbërisë. Tiranë 2014, f. 107].

Në vitet 1202 – 1214, Dukagjinët i zgjeruan territoret e principatës, duke pushtuar trevat malore rreth lumit Fan (Mirdita). Kryeqyteti i Principatës të Dukagjinëve bëhet Lezha. Në vitin 1210, në bisedimet dhe në nënshkrimin e marrëveshjes të paqes ndërmjet Venedikut dhe Republikës së Raguzës, morën pjesë princat Dukagjini, që ishin aleatë të Venedikut. [M. Šhufflay et al. Acta Albaniae 1913, vol. I, doc. 268]

Ashtu si fisnikët e tjerë arbëror dhe Dukagjinët kishin stemën e tyre heraldike: mburoja me shqiponjën e bardhë me një kokë të kthyer nga e djathta, me krahët të ngritura lart për fluturim. Stemën e Dukagjinëve e përshkruan Gjon Muzaka në kujtimet e tij “Memorie breve, faqe 278” ku shkruan: “Shqiponja e bardhë është stema e nënës tuaj, e cila ishte nga dera e Dukagjinëve, që ishin familje fisnike, andaj mos e harroni …. ”.

Shumë historianë theksojnë se Dukagjinët morën stemën heraldike të dinastisë të Progonëve të Principatës së Arbërit, sepse e konsideronin veten pasardhës të Shtetit të Arbërit. Në fakt, Papa Klementi V dhe Papa Gjoni XXII, kur e njohën Mbretërinë e Albanisë, i pranuan albanezët pasardhësit natyral të Shtetit të Arbërit. Bazuar në faktin se të dy stemat, pra ajo e Progonëve dhe e Dukagjinëve ishin murosur në të njëjtin mur të kishës Shen Maria në Gëziq, Kristo Frashëri e lidhi stemën e Dukagjinëve me të Principatës së Arbërit. [Kristo Frashëri, Principata e Arbërisë. Tiranë 2014, f. 112]

Hipotezën e parë se dinastia e Principatës së Arbërit u vazhdua me Dukagjinët përmes lidhjes me Progonin e dha Šufflay [Das mittelaterliche Albanien, f. 286], mendim që e mbështeti dhe Gegaj në botimin e vitit 1937 [L’Albanie, f. 14], pra para se të njihej mbishkrimi i Gëziqit. Prania në këtë mbishkrim i emrave Tanush dhe i bijëve të tij Gjin dhe Progon të pranishëm dhe në familjen e Dukagjinëve, vertetojnë lidhjen e Dukagjinëve me dinastinë e Arbërit. Bernardin Palaj ishte i bindur se Dera e Dukagjinëve ishte e lidhur me dinastinë e Arbënit, madje këtë mendim e bazon në personazhin historik Duka Tanushi I Dukagjini, i dokumentuar në vitin 1281. [Palaj B., Duka Gjini e Dukagjinët, “Hylli i Dritës”, Shkodër 1941, nr 11012, f. 496]

Në vitin 1967 bazuar në mbishkrimin e zbuluar në Gëziq, këtë tezë e trajtoi Shuteriqi, i cili theksoi se Dinastia e Progonëve të Arbërit u vazhdua me Dukagjinët. [Shuteriqi Dh. Një mbishkrim i Arbërit dhe mbishkrime të gjetur në Mirditë. Studime historike, Tiranë 1967, nr 3, f. 18 – 149]

Këto hamendësime u përforcuan kur u zbulua stema e Dukagjinëve, e cila me sa duket, për ta ruajtur, e kishin ngujuar në murin e të njejtës kishë në Gëziq, ku ishin murosur dhe gurët me mbishkrimin, të cilat ndofta ishin trashëguar nga ndonjë kishë, apo manastir i më kahershëm. [Plasari AArbni, botimi i vitit 2020, f. 130 – 132].

Zamputti, në përkrahje të kësaj teze argumentoi: “Zonat malore të shtrira në luginën e Drinit dhe në luginën e Matit, u bënë qendra e një principate tjetër, e asaj të Dukagjinit. [Zamputti Injac, Rindërtimi i mbishkrimit të Arbërit …. botuar në Illiria, Tiranë 1984,  f. 215 – 216]

Ky argument bëhet më bindës kur dimë se në luginën e Matit ndodhet fshati i quajtur Dukagjin, i quajtur me këtë emër, si fshat në zotërim të familjes Dukagjini. [Zojzi Rrok, Ndamja krahinore e popullit shqiptar, në “Etnografia shqiptare”, Tiranë 1961, Nr. 1]

Dukagjinët i njihte mirë Gjon Muzaka, i cili në testamentin e vitit 1510, me shtesën e vitit 1515 të birit Kostantin Muzaka, dorëshkrim i zbuluar në vitin 1864 dhe i botuar nga Karl Hopf, i tregon të bijëve historinë e Derës të nënës së tyre Maria Dukagjini, një histori tjetër e origjinës të Dukagjinëve. [Giovanni Musachio, La breve memoria de li discendenti de nostra casa Musachi, 1510, pp. 282 – 283]

Në dorëshkrimet e tij, Gjon Muzaka tregon se Dukagjinët në trojet arbërore, janë me origjinë nga Troja, më pas kaluan në Francë dhe në shekullin XII, gjatë kryqëzatës të komanduar nga mbreti i Francës Balduini IV për çlirimin e Jerusalemit, u vendosën në trojet e Arbërisë. [Giovanni Musachio, La breve memoria de li discendenti de nostra casa Musachi, 1510, p. 292]

Si theksuam më sipër, në dokumentat bizantine Dukagjinët rezultojnë më herët në trojet arbërore, madje që në shekullin V pas K, me origjinë nga fiset Gote dhe në vazhdim në shekujt VI – XV, kur ishin në vartësi të Perandorisë Bizantine, gjatë pushtimit nga sllavët dhe pjestarë në Beslidhjen e Lezhës. Plasari thotë: “Në se hiqen mënjanë fantazitë gjenealogjike të prejërdhjes së Dukagjinëve nga Troja etj, kronika e Muzakës futet në histori, kur tregon për njërin nga të parët e Dukagjinëve. [Plasari AArbni, botimi i vitit 2020, f. 132].

Pavarësisht nga këto inkonvenienca historike, po e prezantoj të plotë dëshminë e Gjon Muzakës, si e ka shkruar në kujtimet e tij.

“Bijtë e mi, nëna e juaj është nga familja Dukagjini, dhe ajo familje ka sunduar në Albania. Ju rrëfej se origjina e Dukagjinëve është nga Troja dhe nga aty u transferuan në Francë. Ishin dy vëllezër, të cilët më pas shkuan në Itali, sepse në këtë kohë mbreti i Francës dhe princat e tjerë kristianë, ndërmorën fushatën për çlirimin e Jerusalemit dhe njëri nga vëllezërit mbeti në Itali dhe u bë sundimtari i Este dhe më pas i Ferrarës, ku ndodhen dhe në ditët e sotme. Vëllai tjetër i quajtur Dukagjin, mori pjesë në betejën dhe çlirimin e Levante dhe kur kaloi në Albania, mori në zotërim një trevë të quajur Zadrima, më pas mori fshatrat e Fanit, trojet e Malit të Zi, të Pultit dhe të Flatit, ku rindërtoi kështjellën e Flatit, si dhe morën në zotërim qytetin e vogël të quajtur Shati, i cili aktualisht është shkatërruar. Të gjitha këto troje janë quajtur Dukagjin, sepse ishin zotërime të fisnikëve Dukagjini. Sundimtari i këtyre trojeve, Dukagjini u vra nga vasalët e fshatit Elefanti. Shkaku ishte se ipeshkëvi i kësaj dioqeze e ngacmoi në nderë gruan e Dukagjinit dhe ai e vrau ipeshkëvin në kishën Shen Maria e Elefantit. Atëhere vasalët e tij u ngritën dhe e vranë sundimtarin e tyre, si dhe pjestarët e familjes së tij, ndërsa djalin e vogël e shpëtoi Stefan Progani i trevës Kalameri. Kur djali u rrit, Stefani e martoi me të bijën dhe e këshilloi dhe e ndihmoi të kthehet e të marri në zotërim trojet e të atit dhe të njihet me emrin Dukagjin. Nga kjo martesë lindën shumë fëmijë, që trashëguan trojet e Dukagjinëve, ndër të cilët u shquan Gjergj Dukagjini, vëllai i tij Tanushi dhe një vëlla tjetër. Vëllai i madh Gjergji ishte sundimtar i Zadrimës, Tanushi ishte sundimtar i Fanit dhe vëllai tjetër mori në zotërim pjesën tjetër me tetë fshatra të Zadrimës. Pasi u martua, vëllai i tretë Dukagjin krijoi derën e Dukagjinëve në qytetin e Shkodrës dhe tani ndodhet në Venecia, me titullin baron. Nga djali i parë Gjergj Dukagjini lindën Nikolla Dukagjini i Vjetri dhe vëllezërit e tij. Nga djali i dytë zoti Tanush lindën Gjergji II dhe vëllezërit e tjerë të tij. Nga këta pasardhës lindën shumë trashëgimtarë, që sunduan këto troje, të cilët disa për vdekje natyrale, të tjerët të vdekur në beteja, kështu u eleminuan dhe mbeti vetëm Pal Dukagjini, i cili u martua me motrën e zotit Arianit Komneno, i ati i zonjës Skenderbega. Pas vdekjes të Palit dhe të fëmijëve të tij, u shua dega e Dukagjinëve të vërtetë, tani kanë mbetur vetëm ata, që si thashë janë në Venecia, ku vazhdon të jetoi vëllai i fundit i Pal Dukagjinit”. [Karl HopfCroniques gréco-romanes. Inedite ou peu connues; avec notes et tables généalogiques. Berlin. Librairie de Weidmann, 1873,  f. 270 –  353]. [Giovanni Musachio, La breve memoria de li discendenti de nostra casa Musachi, 1510, pp. 292]

Në kujtimet e Gjon Muzakës është shkruar emri Elefanti, por në fakt është gabim i kopjuesit të dorëshkrimit, sepse në varjantin latinisht të tekstit është shkruar Trefanti. Këtë gabim e ka konstatuar dhe Šufflay, i cili thotë se bëhet fjalë për Ndërfandën dhe për abacinë bendektine[Šufflay Milan. Srbi i Arbanasi. Njihova simbioza u Srednjem vijeku. Beograd 1925, f. 123]

Gjon Muzaka shkruan Progan, por ndoshta është Stefan Progoni. Kjo ngjarje ka ndodhur në një vend dhe në një kishë ku ndodhet dhe mbishkrimi i Gëziqit në Ndërfandë, ose si quhej më herët Trafandina dhe në abacinë e Shen Maria të kësaj treve. Plasari thotë se pinjolli i shpëtuar Progoni i Dukagjinëve i rritur, mund të jetë edhe nipi i Dhimitër Progonit, si rezulton në mbishkrimin e Gëziqit, i cili e martoi me të bijën e vet e atëhere pinjolli në fjalë trashëgoi sundimin dhe mbiemërin e të atit si Dukagjin, sikundër mund të ketë trashëguar dhe sundimin e vjehrrit, porsa linja e dinastisë së mirfilltë të Arbërit kishte mbetur në femra dhe prej një situate të tillë, u mundësua dhe martesa e Komnenës të vesë së Dhimitrit me Gregor Kamonën. Ky pinjoll i Dukagjinëve, i shartuar me një degë të dinastisë së Arbërit, kishte disa fëmijë, si i ka përmendur Gjon Muzaka kur flet për famijët e Gjin Tanush Dukagjinit. [Plasari AArbni, botimi i vitit 2020, f. 133].

Përmendja e trevës Kalameri, si zotërime të Stefan Progano, si ka shkruar Gjon Muzaka, kuptohet se bëhet fjalë për Kallmetin e Zadrimës. Për sa i përket Gjin Tanushi I Dukagjini, kuptohet se lidhet me konfliktin e tij me mbretin Karli I Anzhuin, sundimtari i Mbretërisë së Albanisë.

Duka Ginium Tanuschi Albanensem përmendet në vitet 1280 – 1281 pjesmarrës në betejën e Beratit, që ishte kryeqendra e Muzakëve. Gjin Tanush Dukagjini u rradhit përkrah ushtrisë të Perandorit Bizantin, kundër ushtrisë të anzhuinëve, që kishin rrethuar qytetin. Šufflay tregon se Gjin Tanush Dukagjini ishte partizan i Paleologëve bizantinë. Duka Gjin Tanushi u kap rob nga kapiteni anzhuin i Durrësit dhe e burgosën në kështjellën e Tranit në Pulja. Në urdhërin e mbretit Karli I, cilësohej se Gjini ishte “nga të fuqishmit e oborrit të Paleologut”, andaj kështjellari në zbatim të urdhërit të mbretit, e mbante në qeli me këmbët e lidhura me hekura. [Milan Šufflay. Srbi i Arbanasi. Njihova simbioza u Srednjem vijeku. Beograd 1925, f. 123].

Në veprën Chronique gréco-romanes …. krahas botimit të kujtimeve të Gjon Muzakës të hartuara në formën testamenti për fëmijët e tij, Karl Hopf prezanton dhe gjeanologjinë e familjes Dukagjini, të cilën e fillon në  vitin 1281, me Duka Tanush I Dukagjini (Duca Ginus Tanusius Albanenses), sundimtari i Lezhës.

Në shkrimin e ardhshëm do të rrëfej për Dukën Tanush I Dukagjini, për fëmijët e tij dhe pasardhësit e shumtë të kësaj dinastie fisnikësh arbërorë.

Lutfi Alia: Dinastia e Dukagjinëve (2)

Lutfi Alia: Dinastia e Dukagjinëve (3)

Please follow and like us: