Albspirit

Media/News/Publishing

Astrit Lulushi: Hakmarrje?!

Vëllime mund të mbushen me rrëfime të mijëra rasteve të ndjekjeve penale gjatë diktaturës 45 vjetësh; çdo rast i vetëm është aq rrëqethës saqë shoqëria preferon t’i kalojë në heshtje. Akuzat janë pothuajse gjithmonë shumë rrethanore dhe të prera, kryesisht për paturpësi brutale dhe në mënyrë qesharake të pamundura. Ndjekja e kundërshtarëve ka qenë, edhe sot, një armë e përshtatshme e njerëzve paskrupull për të arritur qëllime të shtrembra ose për të kënaqur ndonjë hakmarrje personale.
Një nga rastet më tragjike dhe patetike është vdekja e trishtë e Agnes Bernauer, një grua e bukur, e bija e një berberi dhe e dashura e Albrecht, Dukës së Bavarisë. Agnes lindi rreth vitit 1410 në Biberach dhe duket se ishte një shërbëtore e thjeshtë në Augsburg në kohën kur Duka Albrecht i Wurtemberg, djali i Dukës Ernest, e njohu. Historia që Agnesa dhe Albrech u dashuruan sot është thjesht legjendë, por është e sigurt se Agnesa ishte jashtëzakonisht e bukur, me flokë të artë dhe tipare delikate fisnike; edhe armiqtë e saj nuk mund të mos lavdëronin fisnikërinë e pamjes së saj. Dihet pak ose aspak për marrëdhëniet midis Albrecht-it dhe Agnesës, përveç se ai e shoqëroi atë dhe e mori me vete në rezidencën e tij në kontenë Vohnburg. Duka Ernest,  i vjetri, dinte për praninë e Agnes-ës në Vohnburg, por u kujdes pak, derisa u shqetësuar për të pasur një trashëgimtar ligjor të dukatit të tij. Pastaj i kërkoi birit për t’u martuar me vajzën e Dukës Erik të Brunswick, por Albrecht refuzoi për shkak të dashurisë me Agnesën. Kur pa se bindja ishte e kotë, Duka Ernest mendoi mënyra të tjera për të ndarë djalin e tij nga vajza e lindur e një shtrese më të ulët. Në një turne publik, ai urdhëroi gjyqtarët të refuzonin Albrechtin si birin e tij me arsyetimin se për hir të një konkubine ai kishte neglizhuar detyrat ndaj te atit.
Albrecht u acarua shumë dhe sapo u kthye në Vohnburg, e njohu Agnesën si gruan e tij. Me pëlqimin e xhaxhait, Dukës Uilliam, ai u zhvendos në kështjellën Straubing, të cilën ia dhuroi Agnesës, duke e quajtur Dukesha Agnes. E gjora nuk e shijoi shkëlqimin e oborrit. Ajo kishte frikë nga zemërimi i Dukës së vjetër dhe ndërtoi, në një paraqitje melankolike të fatit të saj të trishtuar, një kishë të vogël në manastirin e Karmelitëve në Straubing. Lumturia ishte e shkurtër. Në mungesë të Albrecht-it, Duka Ernest e kapi Agnesën, e burgosi ​​dhe e denoncoi si shtrigë. Ishte koha e gjyetisë (inkuizicionit). Dënimi i saj ishte vendosur përpara se të fillonte gjyqi dhe vendimi e shpalli fajtore se i kishte bërë magji Dukës Albrecht dhe kështu kishte kryer një vepër penale. Aktgjykimi urdhëroi që ajo të mbytej në lumë dhe Duka i vjetër nënshkroi vendimin. Xhelatët e çuan gruan e re te ura në Straubing dhe e hodhën në ujë, në prani të një morie spektatorësh. Rryma e tërhoqi në breg dhe ajo ngriti krahët e saj duke iu drejtuar njerëzve për ndihmë. Njerëzit u prekën dhe ajo mund të kishte shpëtuar, nëse një nga xhelatët, nga frika e zemërimit të dukës së vjetër, nuk do të kishte marrë një degë dhe duke kapur flokët e saj, duke e mbajtur nën ujë derisa u mbyt. Kjo ndodhi në vitin 1435. Agnes u varros në varrezat e Shën Pjetrit në Straubing. Kur Duka i ri në kthim u informua për vdekjen e tmerrshme të Agnes së tij të dashur, u betua për hakmarrje dhe në aleancë me kushëririn e tij Dukën Ludwig të Bavarisë, filloi një luftë të fuqishme kundër babait të tij. Megjithatë, me ndërmjetësimin e Perandorit, ai u pajtua me të atin në këshillin e Bazelit. Duka i vjetër ndërtoi një kishëz mbi varrin e viktimës së pafajshme dhe dha një meshë, që mbahet çdo vit, për mirëqenien e shpirtit të saj. Duka Albrecht më pas pranoi të martohej me Anën, Princeshën e Brunswick-ut, nga e cila pati dhjetë fëmijë, megjithëse nuk mund të thuhet se jeta e tij martesore ishte e lumtur. Në 1447 Duka Albrecht e transferoi trupin e Agnes në kishën që ajo kishte ndërtuar në manastirin Karmelit; vendin e prehjes së mbetjeve të saj e stolisi me një imazh të bukur mermeri me mbishkrimin e thjeshtë:
“Agnes Bernauerin. Pushoftë në paqë.”
Poetët që kanë përjetësuar emrin e saj, dhe populli i Bavarisë, ndër të cilët kujtimi i saj është ende i çmuar, e quajnë atë “engjëlli i Augsburgut”.
Një nga ndjekjet më komike u zhvillua në 1474 kundër një gjeli, i cili kishte qenë aq mendjemadh sa pretendonte se bënte vezë. Krijesa e gjorë u gjykua solemnisht; u dënua të vdiste në kunj dhe u dogj publikisht me urdhër të autoriteteve të Bazelit.
Ç’të thuash më tej në detaje rreth ndjekjeve penale të inkuizicionit, të cilat u ringjallën pas 500 vjetësh në një biznes sistematik që përfshiu shpërblime të mëdha për gjyqtarët, torturuesit, xhelatët, inkuizitorët, denoncuesit, dëshmitarët dhe të gjithë personat e lidhur me procesin. Është një punë e dhimbshme të kalosh mbi statistikat e thjeshta dhe të mos ngjallet indinjata më e thellë; madje edhe tani nuk është zhdukur midis “të civilizuarve” që mundohen ta zbutin “K”-në me “S”. Liderë që u vunë në krye të protestave kundër diktaturës, peshkut të madh të prishur nga koka në ujin e ndenjur; sot, pas 30 e ca vjetësh dënohen nga bijtë e nomenklaturës që mbajnë gjallë inatin e ndêrprerjes së rehatit.

Please follow and like us: