Emil Asdurian: Nacionalizmi Linguistik
Duke marrë shkas nga një shkrim i mikut tim Adrian Vehbiu në ‘Pejsazhe të Fjalës’ dhe duke u mbështetur në atë histori të përmbledhur të Linguistikës dua të hedh disa rreshta mbi Nacionalizmi Linguistik i cili është i hershëm dhe pak a shumë mbetet dhe përdoret për një farë hegjemonie unitare të vendeve në kohën e krijimit të tyre si kombe dhe shtete, që përderisa ekziston pothuajse në të gjithë kombet, edhe pse në disa më herët se të tjerë, mbetet një nga tiparet më thelbësore të identitetit kombëtar. Pra mendoj që ky “nacionalizëm” duhet të shihet më shumë në planin “natyror” si pjesë përbërëse e fiziologjisë dhe jo e patologjisë pasi qëndron i pa cenuar pothuajse në të gjitha fazat e zhvillimit shoqëror të njerëzimit, që fillon me venerimin e të vdekurve dhe trashigimisë së tyre. Shkenca filologjike, dhe pse jo aq e saktë sa shkencat natyrore, ka hedhur tashmë dritë dhe do vazhdojë ta bëjë këtë mbi të vërtetën e origjinës së gjuhëve apo vetë gjuhës.
Midis të tjerash Ardian Vehbiu:
“Këto hipoteza nacionaliste duan kuptuar në kontekstin e shekujve XVII dhe XVIII, kur shtetet më të mëdha në Europë filluan të marrin formë dhe të shtrojnë problemin se cili prej tyre do të ishte suprem në kontinent. Gjatë kësaj periudhe, pretendimet entuziaste për origjinalitet dhe epërsi nuk vijnë nga ndonjë kërkesë vizionare për paqe universale por – pavarësisht nga sa ishin për këtë të vetëdijshëm autorët e tyre – nga arsye politike konkrete”.
Ndërsa shtetet e mëdha e bënin këtë për “supremaci” shtetet e vogla e bënin këtë për ngjizje dhe mbijetesë kombëtare, gjë, e cila nuk ka ndryshuar aspak qysh nga koha kur historia filloi të shkruhej nëpërmjet gjuhës dhe pa dyshim deri më sot ku pothuajse të gjitha institutet kërkimore bëjnë të njëjtën gjë: Ushqejnë rrënjët e kombit ndërkohë që internacionalizmi global industrial gëlltit dhe rrafshon çdo të dobët apo “primitiv” si fiset në Amazonë apo Indianët e Amerikës dhe sa e sa të tjerë.
Pse në Shqipëri dhe pse kaq bujshëm tani? Mass-media sigurisht e amplifikon jehonën dhe përdoret edhe si një “fasadë patriotike” që është në modë, për të mos bërë asgjë konkrete, që ne shqipëtarët jemi të njohur ndër shekuj për një përtaci të tejshme shoqërore që vihet re edhe sot. Por mbase, edhe pse në dukje romantike, mund të jetë që shpirti i popullit e ndjen instinktivisht rrezikun e shuarjes graduale që po e kërcënon: 1. Një shtet primitiv ku gëlon një korrupsion galopant dhe psikologjia piramidale e fisit që u shërben sudimtarëve dhe aspak kombit. 2. Komb i përçarë me troje të pushtuara dhe thuajse të rrafshuar nga ana kulturore dhe gjuhësore, Çamëria, një dyshtet komb që nuk merret vesh me veten dhe rrezikohet midis luftrash që të ndahet përsëri. 3. Një komb që në arsimin e tij po humbet gjuhën që edhe ajo është mbytur në luftra fisnore: gege e toske dhe dialektet që po gërryejnë gjuhën që mezi mundi të zgjedhë nje alfabet dhe mezi arriti të njësohet. 4. Braktisja në masë i trojeve veçanërisht nga rinia për një jetë më të mirë dhe një të ardhme më të sigurtë, me një diasporë që assimilohet çdo dite e me shumë e paorganizuar 5. Mungesa e një plani të qartë për te ardhmen ku vendi nuk di se çfarë duhet të bëjë dhe të bëhet që të zërë vend pa u zhdukur në ekonominë globale, pa u shdërruar në një rezervat historik apo kopësht Botanik i mbrojtur nga UNESCO. Mbase kjo gjuhë e lashtë, që dikur shtrihej nga Trieste deri në Peloponez erdh dhe mbahet në një fije floku për t’u mos u mbytur. Megalomania gjuhësore mbase është rrjedhojë e një plagosje tejet të thellë dhe kronike e humbjeve të mëdha. Do jetë se nuk ka si të jetë ndryshe por duhet të shfrytëzohet ndoshta ashtu siç u bë dikur nga rilindasit, për ta ruajtur atë. Më mirë një e tillë se sa një heshtje vdekëndjellëse.
Ja si i drejtohet të vetëve Johann Gottlieb Fichte në Letrën drejtuar kombit gjerman 1807 – 1808: (nuk besoj që për gjermanet sot një ndjenje e tillë të ketë ndryshuar apo të jetë fashitur):
“Do të varet nga ju nëse do te jeni raca m’e fundme e çnderuar, dhe sigurisht më shumë të përbuzuar se ç’e meritoni nga ata që do vinë dhe në historinë e të cilëve — nëse do të ketë një histori të tillë në barbarizmin që atëhere do të nisë — gjeneratat pasardhëse do të kënaqen të humbur dhe do pranojnë drejtësine e fatit, ose ndoshta ju do të jeni pika nismëtare e zhvillimit të një epoke të re, e cila do të jetë e lavdishme përtej çdo prishtshmërie, dhe të bëheni ata prej të cilëve e ardhmja do kujtojë ditën e shpëtimit. Mendoni se jeni ju të fundit që mbartni mbi supe këtë forcë të madhe ndryshimi”. *
——————————————————
* It depends upon you whether you will be the last of a dishonorable race, even more surely despised by posterity than it deserves, and in whose history — if there can be any history in the barbarism which will then begin — succeeding generations will rejoice when it perishes and will praise fate that it is just; or whether you will be the beginning and the point of development of a new age which will be glorious beyond all your expectations, and become those from whom posterity will date the year of their salvation. Bethink yourselves that you are the last in whose power this great change lies.
JOHANN GOTTLIEB FICHTE
ADDRESSES TO THE GERMAN NATION (1807 to 1808)
TRANSLATED BY LOUIS H. GRAY, PH.D.
Address Eight
The Definition of a Nation in the Higher Sense of the Word, and of Patriotism.