Albspirit

Media/News/Publishing

INTERVISTA EKSKLUZIVE ME ISMAIL BEJ QEMALIN NË QYTETIN TONË

IL PICCOLO DI TRIESTE (1914) / INTERVISTA EKSKLUZIVE ME ISMAIL BEJ QEMALIN NË QYTETIN TONË : “PO KTHEHEM NË VLORË PËR T’I SHËRBYER ATDHEUT TIM…”…

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 2 Nëntor 2023

 

“Il Piccolo di Trieste” ka botuar, të hënën e 25 majit 1914, në ballinë, intervistën ekskluzive me Ismail Bej Qemalin në Trieste, qytet nga ku ishte nisur asokohe për tu kthyer në Vlorë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

 

Ismail Qemali kthehet në Shqipëri.

Një intervistë me beun kalimtar në Trieste.

 

Burimi : Il Piccolo di Trieste, e hënë, 25 maj 1914, ballinë

Ismail Bej Qemal rikthehet në skenë. Prej disa muajsh nuk kishim dëgjuar asgjë për të. Pas grushtit të dështuar të Izet Pashës dhe Beqir beut në Vlorë, ish-presidenti i qeverisë së përkohshme shqiptare u nis për në Nisë (Nice). Ai kishte humbur një pjesë të mirë të popullaritetit të tij dhe armiqtë e tij e akuzuan se kishte intriguar për të penguar ardhjen e princit të emëruar nga Evropa. Pak ditë më parë, sapo u përhap lajmi në mbarë botën se Princ Vidi kishte hequr qafe Esad Pashën, Ismail Qemali i dërgoi sovranit një telegram nga Nisa (Nice), ku dëshmonte një akt besnikërie dhe inkurajonte të gjithë shqiptarët të bashkoheshin me mbretin : pas zhdukjes nga skena të armikut të tij më vdekjeprurës, Esadit, ish-presidenti i qeverisë së përkohshme dha sërish shenja jete. Dhe dje në mëngjes, përtej Xhenovas dhe Milanos, Ismail Bej Qemali mbërriti papritur në qytetin tonë, rrugës për në Shqipëri.

Pasi zbriti në hotelin “Excelsior Palace”, ai ishte i lumtur të më jepte një intervistë. E gjetëm shumë të shqetësuar, të tronditur, ende nën përshtypjen e lajmeve të fundit shumë serioze që vinin nga Durrësi, të cilat ai sapo i kishte mësuar nga gazeta jonë pak çaste më parë. Gjatë bisedës së gjatë, Ismail Qemali na tha se është mësuar me surpriza dhe goditje, por se nuk është ndjerë kurrë kaq i tronditur sa në këtë moment. Ai pranon se situata në Shqipëri është bërë befas jashtëzakonisht kritike. Nëse ngjarjet vazhdojnë të përshkallëzohen, është e pamundur të thuhet se me çfarë rreziqesh mund të përballet Shqipëria.

— Shkëlqesia Juaj, a besoni në mundësinë e një ndërhyrjeje ?

— Do ta dëshpërohesha thellësisht, si çdo shqiptar i mirë ! Megjithatë, nisur nga situata e sotme, kjo mundësi nuk mund të përjashtohet. Përsa i përket përshtypjeve të mia për momentin aktual të turbullt, më duhet të shpreh bindjen time më të fortë se shumica dërrmuese e popullit shqiptar është besnike ndaj princit dhe se pikërisht për këtë është mirëpritur me gëzim heqja e elementeve të paqarta dhe rebele, të cilat interesat e huaja përfitojnë nga çdo fakt më i vogël për të ndezur telashe në dëm të vendit të tyre. Pra Esad Pasha. Linjat e kryengritjes që ai lëshoi tani, me sa duket u komplotuan nga ai në marrëveshje me emisarët e Kostandinopojës. Më habit fakti që shtypi, pavarësisht se e njeh të kaluarën e tij të errët, tani po përpiqet ta bëjë atë të duket viktimë e intrigave. Por një fakt tjetër më befason akoma më shumë : tani nuk flitet më për gjyqin që princi kishte nisur kundër tradhtarit; Esad Pasha është i lirë në Itali.

Princi duhej ta çonte deri në fund aktin e tij energjik; për fat të keq ai ishte i keqkëshilluar dhe jo më pak tani se kur u vendos përkrah njeriut që e tradhtoi sot. Në fund të fundit, e prisja këtë kthesë : Esadin e kam njohur për shumë vite dhe me shumë përvoja të ashpra. Në një telegram dërguar Princ Vidit dhe i cili i shpëtoi publicitetit, unë shpreha indinjatën time për tradhtinë e Esadit dhe përmenda gabimin e pafalshëm të kryer nga ata që e kishin këshilluar shumë lehtë sovranin të vinte ujkun të ruante kopenë…

— A është e vërtetë ajo që thuhet se kohët e fundit Esad Pasha ka humbur çdo ndërhyrje në vend ?

— Shumë e vërtetë. Nëse ka arritur të punësojë disa banda me ndihmën e Alifik beut dhe emisarëve të tjerë xhonturq, duhet ditur se këta të ashtuquajtur kryengritës janë të përbërë nga ata shqiptarë fatkeqë tokat e të cilëve kanë kaluar nën sundimin e serbëve apo grekëve, dhe të cilët, pasi humbën gjithçka, panë shpresë tek ai.

Princi donte të ishte shumë i butë me Esad Pashën dhe sot nuk janë të kënaqur as ata që arritën ta çlirojnë vendin nga një njeri i rrezikshëm si Esadi. Shqiptarët sot duhet të bashkohen si një njeri i vetëm rreth mbretit të tyre dhe do ta bëjnë këtë, jo vetëm për atë ndjenjë besnikërie, për të cilën me të drejtë krenohen, por edhe për një kalkulim (llogaritje) të interesit kombëtar : ata kanë nevojë tani më shumë se kurrë për këtë mbrojtës, për këtë baba të adoptuar, shumë i pëlqyer nga Evropa, që vetë Evropa e ka vënë në krah për ta rikthyer shtetin shqiptar të shkëputur prej saj katër shekuj më parë në familjen e madhe evropiane. Por nga ana e tij, princi duhet të tregojë besimin më të plotë te shqiptarët dhe duhet të mbetet mes tyre.

— Pra, Shkëlqesia juaj po kthehet në Shqipëri ?

— Po. Po kthehem në Vlorë ku prej kohësh më thërrasin me këmbëngulje miq dhe përkrahës. Thuhej se më kishin dëbuar prej andej. Kjo është e pavërtetë. Në një moment kuptova se kauza e Shqipërisë kërkon sakrificën e personit tim dhe e braktisa vullnetarisht vendin tim. Për më tepër, pas muajsh e muajsh pune rraskapitëse, kisha dëshpërimisht nevojë për pushim dhe shkova për ta kërkuar në Nisë. Tani kam vendosur të kthehem në atdhe. Do të shkoj të takoj princin dhe në çdo moment jam gati të ofroj krahun dhe mendjen time në shërbim të tokës sime. Megjithatë, do të them përsëri — përfundoi Ismail Bej Qemali — se nëse duam një organ të vërtetë shqiptar të qëndrueshëm, ata që janë në qeveri nuk duhet të kënaqen me gjysmë masa.

Ismail Bej Qemali — i cili shoqërohet nga një nga djemtë e tij — llogarit që brenda javës të jetë në Vlorë.

Please follow and like us: