KLEANTH DEDI – MËSUESI QË SHKROI EPOKË NË ZHULATIN HISTORIK
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Nuk habitesh kur një intelektual “rrëmben” penën për të shkruar për vendlindjen. Në fund të fundit “e ka për detyrë”. Është një detyrim për të ushqyer brezat me historinë e fshatit, zonës, trevës, me të dhëna të brezave që shkuan, që bënë histori, por që meritojnë të përjetësohen. Ndërkohë që bijtë e trevave të tjera e sidomos mësuesit kur jetën ja dedikojnë arsimit, kulturës dhe edukimit, por veçanërtisht kur kujtimet i shkruajnë, ata ngelen përmendore të kujtimit për të gjithë brezat si dhe marrin me vete nderimin e gjithë brezave.
Ishte dita e tretë e vitit 2023, kur u takuam me ish-mësuesin e drejtorin e shkollës 7 vjeçare të Zhulatit dhe Fushëbardhës bashkë, të mirënjohurin Kleanth Dedi. Kishte qenë mësues dhe drejtor në Zhulat në vitet 1953-1955. Pas rreth shtatë dekadash është fakt se, një bir i Lunxhërisë nuk e harroi kurrë Zhulatin ku punoi dhe jetoi. Kujtimet i mbajti me vete në arkivin lëvizës dhe i hodhi në letër nën titullin sinjifikativ të mirëmenduar: “Zhulati me sytë e mi, lunxhotit”, (Vlerat e Zhulatit të artë,/Nuk mund të hidhen në kartë,..)”. Është një premtim i mbajtur në radhë të parë i vetvetes, dhe më tej edhe i miqve e shokëve, por dhe detyrën patriotike: “Të lëmë diçka në kartë për brezat.”
Sekretet e librit zbulohen në një paraqitje të këndshme, që në hyrje plot kolorit, tek “Reflektime–Dashuri e nderime për histori të jetuara”: “..të shtunën e asaj jave filluam të zbatonim planin. I zëvendësuam shëtitjet e ëmbla nëpër fushat e gjelbërta e pyllin madhështor te Pallati i Çurçillit me dedikimin për librin. Historia angleze na u duk shumë pa rëndësi para grimcave historike të Zhulatit të viteve 1953 -1955…”. Ishte si një amanet që nuk e tret koha. Lexuesin e tërheq me një përshkrim hyrës plot ngjyra e vlerë një intelektuale erudite, e bija e profesorit, Poli Shajko e cila i jep edhe më shumë dritë dhe kuptim këtij libri kur thotë: “Babi mori dosjen e shënimeve me shkrimin e tij tipik e vuri syzat. Unë, bija e dedikuar e tij, lashë punët, fëmijët, e mora kompjuterin për të hedhur në të kujtimet; jemi një ekip shumë produktiv e të dy e kuptojmë njeri-tjetrin pa fjalë. Isha e ekzaltuar!…”.
Ngrohtësi dhe mirëkuptim, dashuri prindërore e pamasë, mbi të gjitha plotshmëri dhe ndriçim të së shkuarës memoristike të një fisniku lunxhot sikurse është Kleanth Dedi, mjaft i njohur në realitetin shqiptar të historiografisë dhe muzeumologjisë shqiptare. Reflektimet janë paraqitje e mirësisë njerëzore, e shkruar pa limite dhe e treguar me klas aristokrat, që përngason sikur futesh në botën e gurrës dhe muzës labe të Zhulatit duke kalëruar me kalin poetik të poetit plugar Robert Bërns. Kështu vijnë “Grimcat nga jeta në Zhulat”, si një aperitiv, që të fton të zhytësh në një botë plot mistere dhe histori, për “penxheren e diturisë”, për shpirtin pagan e ilir të lebërve, për çinarët e historisë, për frymën e legjendave dhe miteve e mbi të gjitha për jetën e vërtetë të fshatit Zhulat dhe Fushbardhë bashkë, gjithmonë të pandarë.
Mësuesi dhe drejtori i shkollës së Zhulatit nuk ja ka arritur që vetëm vajzën “ta bëjë zhulatase”, siç shkruan vetë, por pasi të lezojnë librin ka shumë mundësi që të bëjë edhe dhjetra qindra të tjerë zhulatas, duke “pasur frikë” që të firojnë nga fshatrat e krahinat e tjera.
Kleanth Dedi ishte mësues i klasit aristokrat të Lunxhërisë fisnike. Ai nuk ka shkruar një libër, por ka ngritur një monument, që e ka titulluar “Zhulati me sytë e mi, lunxhotit, (Vlerat e Zhulatit të artë,/ Nuk mund të hidhen në kartë,..)”. Libri më i ri i Kleanth Dedit vjen pas një pune të palodhur muzeologjike dhe historiografike të njohur dhe të dokumentuar, të shkruar dhe të skeduar, të memorizuar në themelet e kulturës shqiptare. Pesë monografitë historiko-letrare si dhe dhjetra punime, studime e kërkime si “Qeveria provizore e Vlorës 1912-1914” e vitit 1962, “Përmbledhje të heroizmit shqiptar”, “Për ngritjen e punës në muze”, disa zëra për muzeumet në fjalorin Enciklopedik Shqiptar e vitit 1985, Bibliografitë për muzetë në Shqipëri, Skenari i dokumentarit “Lunxhëri plot lezete”, “Kënga Lunxhote”, më 2006 etj. Janë një gjerdan i artë i krijimtarisë dhe publicistikës së Kleanth Dedit.
Mësuesi Kleanth Dedi shkroi epokë në Zhulatin historik. Ai ishte vetëm 19 vjeç, kur u përzgjodh nga mësuesit e rrethit, që të punonte si mësues dhe si drejtor i shkollës 7-vjeçare të Zhulatit. Data 15 gusht 1953 e gjeti drejtorin e ri në fshatin me histori të madhe Zhulat.
Ai kishte pajtuar një kafshar nga Prongjia, Majko Llurim dhe me mushkën e tij ngarkoi “pajën” e mësuesit dhe bashkë me burrin e mençur të Prongjisë rrugën e bënë në këmbë, që u njoh edhe si një rikonicion për të njohur terrenin e një krahine lavdiplotë sikurse ishte krahina e Kardhiqit. Udhëtuan rrugën gjithmonë përbri lumit dhe dukej sikur djepi i maleve në të dy krahët i përkundëtete drejt një fshati me famë me kala, me bibliotekë, me sahat, por i shquar për kuvendet e së drejtës zakonore labe. Sikurse shkruan autori në mendje se si më erdhën vargjet e asaj këngës lunxhiote: “Nuse, si erdhe në vendin tënë,/kaluar apo në këmbë?/Dhe nusja ua kthen:./Dhe kaluar, dhe në këmbë,/mu duk udha pëndë …”.
E nis ëmbël librin sepse zemrën e ka të mbushur zjarr e frymëzim për gjithë vendet ku ka punuar dhe ka lënë një copëz të shpirtit të tij. Historitë e Zhulatit janë si një thes zhake të mbushur me miell, që sa herë ta shkundësh nxjerr miell, sepse aq e pasur ka qenë zona në tregime, balada, mite, legjenda, këngë, vaje, trimëri, heroizma saqë nuk mund të mbarten vetëm në një libër.
Kleanth Dedi erdhi në Zhulat nga Lunxheria e lezeteve, e lavdisë, trimërisë, mençurisë, e këngëve aq të bukura, e kostumeve që si ka kush, e historisë së burrave të mëdhenj të kombit, vinte nga Lunxhëria fqinje për trevën e Zhulatit historik që fillonte tek Ura e Kardhiqit dhe mbaronte tek Qafa e Breshërit në Sarandë. Fare thjesht këto dy krahina i ndante vetëm një lumë, që në verë kthehej në një përrua. Prandaj Kleanthi fare i ri në Zhulat e njente veten si në shtëpinë e tij dhe mbi të gjitha të gjitha familjet e Zhulatit e donin si birin e vet.
Treva ku kishte shkuar ishte arsimdashëse dhe mësuesi shikohej si shenjtëri për atë çfarë ishte dhe çfarë kryente. Arsimimi për këto treva ishte një uri e përhershme dhe e pashtershme, për dituri e njohuri për jetën dhe shkencat, për gjuhën, letërsinë e kulturën në tërësi. Dhe këtë mision Kleanthi e plotësoi më së miri, por dhe mbresat e kujtimet i ruajti kaq gjatë të trupëzuara me të gjitha kujtimet e tij jetësore.
Libri është një memorial vlerash dhe jo një stoli bibliotekash. Natyrisht që do të zërë vendin e vet në kolanën e librave për Zhulatin dhe krejt Labërinë, si një mesazh kulture dhe jete shoqërore në messhekullin e XX-të. Autori ka ditur të zbulojë të veçantat dhe anët pozitive të një treve plot histori e bëma atdhetarie, që meriton vëmëndje në rrethet intelektuale e shoqërore, por edhe vlera për institucionet këtej e matanë kufirit shqiptaro-shqiptar, sepse shqiptarizma mund e duhet të lartësohet vetëm përmes kulturës, gjuhës, mençurisë, vlerave. Në këtë aspekt autori Dedi ka kontribut të veçantë.
Nuk ka ngjarje historike që nuk lidhet me luftrat e shumta të krahinës së Labërisë dhe më gjerë me folklorin dhe këngët që i referohen qoftë dhe me autorë anonimë për ato ditë të vështira të kombit shqiptar: “Lëvon topi, kërcet pushka,/ gjak po derdhet si rrëke/ burrat bien si lëpusha/ për ti i dashur atdhe…”.
Labëria dhe veçanërisht treva e krahinës së Kardhiqit, ishin ndër të parat që u ndeshën me hasmin para më shumë se një shekulli dhe populli vajtonte, luftonte dhe këndonte shpërnguljem e tij: “Fushatë me lule,/Malet me dëborë,/Qaj moj Shqipëri,/Ulëri e gjorë./Gratë e Kurveleshit,/Nisen për në Vlorë,/Me djepe ngarkuar,/Me foshnja në dorë,…”, një gjëmë nga më të tmërrshmet përjetonte vendi, ku vargjet e kësaj kënge janë gdhendur edhe në memorialin madhështor të ngritur në Fushëbardhë në kuadër të 100 vjetorit të luftës së Skërficës të 20 deri 25 Qershor 1914. Autori i librit gjeti një “thesar historik”, një “minierë ari” të trashëgimisë popullore labe, një të drejtë zakonore të trashëgueshme gojore në qindravjeçarë, në atë shkollë të Zhulatit të zhuritur shekujve për dije.
Shprehja latine se, “Habent sua fata libelli/Librat kanë fatin e tyre”, flet qartë, më shumë se njëmijë fjalë, sepse fatet librat i shkruajnë vet, që kur autori Dedi derdhi në letër mendimet. Por një gjë është e sigurtë se destinacioni i këtij libri është qartësisht i dukshëm. Intelektualizmi shqiptar gjithmonë do të ketë uri dhe dëshirë që të lexojë të vërtetat historike shqiptare për të gjitha periudhat e luftës për liri pavarësi dhe të drejta të shqiptarëve, edhe për jetën shoqërore sociologjike që autori e ka sjellë kaq natyrshëm dhe bindshëm për lexuesin.
Biri i Lunxhërisë mundëson në libër përshkrimin e ngjarjeve reale, të mbledhura sokak më sokak, e shtëpi më shtëpi, padyshim dhe në shkollë, të mësojë për luftra, tragjedi, këngë e vaje, kostumografi e folklor, që meritojnë vëmëndje me qëllim që kush nuk e di historinë e vërtetë, le ta mësojë, ndërkohë që kush e di, të mos ta harrojë, sepse maksima proverbiale popullore është e pagabueshme kur thotë se, “një popull që harron historinë e tij, historia është e destinuar që ti përsëritet”. Luftat e viteve 1928, 1854, 1978, 1897 dhe në luftrat për pavarësi, por luftrat atiandarte kanë histori lavdie, trimërie dhe shumë dëshmorë, që jetojnë në themelet e lirisë shqiptare.
Ndaj rapsodi i ka përjetësuar në vargje jetën e vështirë gjithmonë në luftë dhe me viktima të shumtë: “O Kurveleshi me derte,/Si duron për ato lezete,/Për ato odat me qelqe,/Zile, bipe, e salltanete,/T’i mori greku me vete!..” Dhe nga Zhulati morën edhe orën e kambanën e kalasë së famshme si dhe mjaft material që dokumentonin historinë. Por heroizmi i pashoq i burrave dhe grave mbeti emblem për burra e gra luftëtare të Labërisë. Kënga “Në Gjashtë u vranë zhuletë”, tronditi festivalet, kur flitet qartë për trimëritë e burrave në luftra kundër pushtuesve. Po gratë? Në Zhulat dhe gjithë Labërinë janë po aq trimëresha sa burrat. Po të futesh në axhendat historike të luftrave, gjejmë se, “…nga fqinjët e Zhulatit ranë heroikisht trimëreshat e Tatëzatit si Hava Idrizi, Xhemo Hito, Merjo Nuredini, Fato Selimi, ndërsa nga Zhulati, ranë për atdhenë: Bijë Gjeçi, Shahide Peçi, Hade Peçi, Xheko Braja, Manxho Mato dhe Merjeme (Merjo) Korro. Zhulati dhe gjithë treva e Labërisë ishte dhe mbeti një “depozitë” e pashterrshme këngësh: “..Maj e Lucës Sinamat,/Kroi i Mollës mbi Zhulat,/As më molloisni pak?/Thoni se çkeni parë,/Ata levendë shqipëtarë,/Djem trima të Arbërisë,/Bij sorqedh të Labërisë,/Që e marrin plumbin në sisë!..”.
Kam qëmtuar dhe shkruar herë pas here për Zhulatin, veçanërisht kur u inagurua busti i legjislatorit popullor Idriz Sulli që ishte “fshehur” për 300 vjet në rrapin e Zhulatit, shkrova një artikull të gjatë në gazëtën “Telegraf”. Kam shkruar për Zhulatin edhe në shkrime tek gazeta “Fushëbardha”, “Labëria”, “Rrënjët”, “Sot”, “Tema”, “Ushtria”, “Mbrojtja”, në disa portale shqiptare brenda e jashtë vendit, të cilat më mirë “i mban mend” Biblioteka Kombëtare. Sigurisht të tërheq vendi. Ndërkohë që vitin e kaluar më ra në dorë një libër interesant për Zhulatin e historisë të mësuesit nga Zhulati Petrit Arsim Puli. E lexova me një frymë librin që ndoshta është mendim personal deri në atë kohë ishte si asnjë botim i mëparshëm për Zhulatin, me informacion të gjërë jo vetëm si histori por edhe si trashëgimi. Prandaj shkrimin e titullova: “Petrit Puli – mësuesi, profesori, nderi dhe krenari e Zhulatit historik”.
Ndërkohë libri i Kleanth Dedit është një tjetër dritare kulture për një fshat të vlerësuar në të gjitha epokat dhe që ka ndriçuar në historinë shqiptare, në trimëri, në këngë, në punë, në mençuri, në folklor, në pasuri kontumografike në jetë të pasur kulturore dhe arsimdashës në të gjitha epokat. Libri plot pasión dhe vërtetësi është një copëz e shpirtit të tij të pasur, një burim drite më shumë, një botë kulture që ka ngelur në kujtesën e mësuesit për nxënësit e Zhulatit, Fushëbardhës, Labërisë. Në afro dyqind faqe të librit lexuesi ka rastin të marrë një informacion tepër të gjerë por mbi të gjitha autori me një kulturë të lartë e një gjuhë të kulluar letrare sjell përmes faqeve të librit një copëz interesante të historikut të Zhulatit, me personazhe historibërës të këtij fshati me lashtësi, të pasur me zakone e tradita, me institucione shpirtërore që banorët e këtij vend banimi i kanë trashëguar brez pas brezi shekujve. Për këto kanë shkruar bij e bija të Zhulatit dhe më gjerë si Nexhip Pelivan Alpan Pula, Mitat Kondi, Muzafer Pula, Petrit Puli, Sejmen Gjokoli, Agim Hila, Nazmi Sejfo, Murat Kërraj, Jupe Gavoi, Avdul Haxhiu, Mane Gjoça, Ahmet Capa, Emin Memushi, Myrto Çela, Afe Brahimi (Capa), Dëshira Haxhiu, Migena Izet Gjokoli, e shumë të tjerë. Ndërsa pena të tjera janë dhe ndër të parët sigurisht autori i këtij libri Kleanth Dedi, Si dhe Mexhit Kokalari, Hyjni Ceka nga Elbasani etj.
Bashkë me kujtimet për Zhulatin në libër padyshim kemi edhe një copëz të Lunxhërisë, të vendlindjes së autorit, të trevës që ka bashkëjetuar shekujve me Labërinë. Në udhëtimin në kujtesë të Kleanth Dedit kanë ngelur, “kalaja e Zhulatit që s’i gjendet shënjë dhe si motrat e tyre në mbarë trojet shqiptare, që kishin “trup” e “gojë”, “flisnin”…”. Ndërkohë që Taronina, rrapi i Agait ku Idriz Sulli mblodhi në kuvend krerët e krahinave të Jugut deri në Çamëri, jehona e atij kuvendi, dhe kuvendeve të tjera në Sinjë, Senicë, Idriz legjislatori popullor një vijues i Papa Zhulit, kanë ngelur si oshëtimë e shekujve për autorin. Prandaj vargjet e rapsodëve jetuan dhe jetojnë gjatë për vërtetësinë epokale të bëmave: “Dyzet burra kan zën vajnë,/ Petro Zhulatin e qajnë,/ dyzet burra po bëjn’ gjëmë,/ se ish burrë për kuvëndë./ Bir o bir, Petro Zhulati / Me bizant, të zu inati / Ç’i bëre gjithë ata trima /jataganët vrëngëllima!…”. Një këngë gati njëmijë vjeçare. Libri për Zhulatin është edhe më i perceptueshëm dhe më i dashur kur i jepet dimensioni i lashtësisë përmes dokumenteve arkivore, me të dhëna edhe për ngulimet, edhe për largimet e viteve 1220 – 1235 ku Zhulati kishte principatën e tij të Ljoshajve, ose sikurse njihej principata e “Petro Ljoshës, (Joshajve)”, që mendohet se ka ngelur dhe lagjija si dhe emërtimi i lumit me të njëjtin emër, “Joshe”, por edhe për lagje të tjera në epoka të ndryshme.
Çdo shekull e veçanërisht shek. XVlll-XlX ka historitë e lavdishme të Zhulatit me dy kuvëndet e Idriz Sullit, atë të Palcimit, (besës), në Senicë, dhe atë të Taroninës, ose të sharteve në Taroninë. Vajtimet për vdekjen e Idriz Sullit, janë elegji nga më të veçantat në Labëri. Mbesa e Kapedan Idrizit dhe vajza e Myrteza Sullit, një vajtojcë e njohur në krahinë vargëzonte me ligje: “Erdhë shokët të kërkojnë,/T’u thuash nga të shkojnë?/ Kristo Koka i Vunjot,/Gjikë Sava Qepariot,/Kolë Mili Nivicjot,/Dalan Shehu Kalasjot,/Demir Dosti Kardhiqot,/ Totaj, Rushaj, Progonat,/Zoto Mahmuti Smokthinë,/Selim Koka Delvinë,/ dhe Sejkajtë në Filat,/Dalani Konispolatë,/O Ati ynë xhaxha,…!”. dhe më tej, “..sa rrove kënove qiqe,/Këto anë i kullandrise,/I pajtove dhe i ujdise,/Për milet u leqenise,/ Pashallarët i bezdise,/Fermanët si begenise..!”. Këto këngë e vargje i mësoi të parat mësuesi i fshatit, sepse mbeti i karfosur pas tyre, pas çdo vargu ishin bëmat: “U ngrenë o shokë ç’u ngrenë,/Zhuletë me fustanellë,/Fushëbardhë çepe paprerë,/Kuç, Kallarat e Bolenë,/Golem, Picar si përherë,/Nivicjot ata levenë/ ikn’ e van në Tepelenë,/ në mekam e bënë benë / nizam turkut mos ti venë!/…”.
Të vegjël dhe të mëdhenj i dinin vargjet e këngëve, edhe të pashkruar dhe padokumentuar sikurse bëri vite më vonë biri i fshatit Mitat Kondi, që i mblodhi me terezi fshat më fshat dhe shtëpi më shtëpi dhe i publikoi në vëllimet e Institutit të Kulturës popullore shqiptare. Në mendjen dhe në zemrën e mësuesit dhe drejtorit të Zhulatit kanë zënë vend edhe lufta që u bë në Zhulat deri në Palavli, ku u vranë shumë luftëtarë, dhe vajtimet ishin mëse të ligjshme: “Në Taronin e në lumë,/Luftojnë turq, e kaurë,/Topa nga kalaja vunë,/Tet a nëntë djem furtunë/U vran’ e vënit s’u tunë!/Që në Luvadh e Delvinë,/ njëmbëdhjetë Zhulet, u grinë!/…. Ndërkohë që gjëmimet historike shkojnë edhe në vitet 1852, kur bejlerët dhe kapedanët e Zhulatit së bashku me ata të Labërisë e Bregut, vanë në ndihmë të pashallëkut të Shkodrës, në luftë me Malazezët, me një u vranë pothuajse gjithë kapedanët e bejlerët e dëgjuar, midis tyre edhe të Zhulatit.
Ja si na kanë ardhur vajtimet për ta: “Qaj o Zhulati në gropë/për ata trima të fortë,/për Rakip Gjoçën me shokë,/me këllëç, që vin’ gjashtë okë,/ Shefi Lonarin me shokë,/ O Shefi ç’kule bajraknë,/ e ngule në istikamë,/me katër plumba të ranë./ Qajnë Zhulet e Hormovitë/ qajnë për të dy Rakiptë,/që të dy, ranë shehitë(dëshmorë),/ Rakip Gjoça i Zhulat,/Tu hap manata në fshat,/Të priste nusja në shkallë,/ ajo lindi, e bëri djalë!..”. Të veçanta janë elegjitë për bijtë e Zhulatit që dërgoheshin në frontet e luftrave, që nënat e Zhulatit, Fushëbardhës dhe gjithë Labërisë vajtonin: “Për habi po bëj merak,/Me këtë të zinë fshat,/Që s’mbeti as djalë as plak,/Ca në Bosnjë, ca në Bagdat,/Në Stamboll, Jemen e Artë,/Lumthi kush është sakat,/Që do pleqërojë në fshat!,/Zjarrëndezur ditë e natë!..”.
Por elegjitë dhe vajtimet më të thekura të Zhulatit janë për “dyzetë e gjashtë mandat”, vrarë në 1878 në luftën me grekun në Gjashtë e Lëkurës. Këngët dhe vajtimet për Idriz Ymer Alidhimën, komandantin e forcave të Zhulatit, janë të shumta: “Të xhumanë që me natë,/Vjen një ulurim e thatë,/Thonë u vranë Zhulatë,/Dyzet e gjashtë mandatë/…Kuje e madhe tuni fshanë,/male, fusha dhe kazanë,/Për dyzet trima të vrarë!/Që të gjithë kapedanë!/…”. Ndërkohë që në luftën e Grebenesë në vilajetin e Janinës historitë dhe vajtimet vijnë me këngë: “Qaj moj Grebeneja e shkretë,/Bashllatash binin gjuletë,/Briti komandanti vetë:/O burra, zini tepetë!/Se vjen i ligu përpjetë,/Se gjith’ u vranë Zhuletë!/Gjithë Zhuletë u vranë,/Resul Peçi lule djalë,/Muho Cama rrënjëdalë,/Po ju ndodh Zequa pranë,/Të tre me Rustem Shalarë,/Të tre kushërinj të parë… Por historia e viteve 1911 që çeta e Zhulatit dhe Fushëbardhës luftuan bashkë me atë të Çerçiz Topullit: “Delvina me Çamërinë,/Gjirokastra me Kardhiqnë,/Lopësi me Salarinë,/në Zhulat bëjnë tertipnë,/Te rrapi ke kadiminë,/Progonatit ju vërvinë!/…Seneja më njëmbëdhjetë,/Na vjen koshadhja përpjetë,/Një zabit me dyzet vetë,/Foli Veipi me djemtë,/Zini shtigjet e tepetë,/Sipër i presin Zhuletë./…Ndërkohë që libri i Kleanth Dedit dhe asnjë libër nuk i nxë dot gjithë bëmat historike të luftrave, sepse në dhjetor 1912 një muaj pas shpalljes së pavarësisë, greku zbarkoi me trupa në Sarandë. Sërish u ngritën prapë Zhuletë me tetë çeta dhe e hodhën atë në det. Kënga vjen: “Në vitinë dymbëdhjetë,/U mush Sarënda me grekë,/Doli Mersin Gjoça vetë,/Me ca bajrakë me fletë,/Bënë shtatë a tetë çetë,/U derdh bregut përpjetë,/Bini burra, asnjë mos mbetë,/që të pijnë ujë në det,/Far’e tyre një mos mbetë!”. Për të vrarët e masakrave të viteve 1913-1914-ës, gjithë treva labe ka shumë vajtime, pasi u vranë shumë trima në luftë, por edhe gra e pleq e fëmij të pafajshëm.
Zhulati ishte nga fshatrat ku ai donte të bënte masakra si të Hormovës, pasi çetat labe vranë u kolonelin e ushtrisë, Karaiskaqin, përtej qafës së Skërficës ku luftonte çeta e kryeplakut të Fushëbardhës Halil Sullit që u ndësh përgjakshëm me ta: “Të shtunën që në saba,/Boria në Luvadh ra,..”, një luftë që zgjati një javë dhe nga çeta shqiptare ngelën nëntë dëshmorë, që janë përjetuar në memorialin më madhështor të kësaj lufte, memorial i përuruar më 2014-tën i ngritur nga bijtë e Fushëbardhës por gdhendësi ka qenë biri i Zhulatit mjeshtri Murat Kërraj. Për këtë betejë edhe “doktori” i Skërficës Ramiz Harxhi, do shkruante një libër në vitin 1917 në SHBA, që në thelb fliste, “Të pavdekshëm janë gjithë ata luanë,/Që për ndër të kombit,/U grinë dhe u vranë…”.
Çetat e Zhulatit e Bako Pulës, luftonin me grekun dhe në Kardhiq e Taroninë, prandaj edhe kënga thotë: “Taroninë e më të poshtë,/ lufton Çerçizi me shokë,/Me Zhulet e Kardhiqotë,/Me ca trima kapedanë,/Me Velikon e Barjamnë,/Alim e Harrem Muxhanë,/Bënë uxhumë mbi junanë./.., që bëjnë fjalë për Veliko Kondi, Bajram Ligu, Alim Miho. Ndërkohë kënga për trima nuk pushon, “Qaj’ Zhulat e Fushëbardhë,/Qani trimat kapedanë,/Halil Sullo kordhëtarë,/Surja Tefën e Rizanë,/Dalip Kondi deli djalë,/ Halil Norra me Dullanë,/Për Maliqin dhe Asllanë,/Birçen e Haxhi Muxhanë,/Musteakun e Abazë,/Tetë gra edhe një vajzë!/..”(kënga bën fjalë për Maliq Bineri, Asllan Gjoça, Abaz Puli, Mustehak Bineri, Birçe Çiço, Haxhi Muxhai dhe gratë e masakruara dhe shumë të njohura nga Zhulati: Merjo Koro, Bijë Gjeçi, Xheko Braja, Shahide Peçi, Hade Peçi, Mantho Mato).
Në faqet e librit fotografitë janë një vlerë e dokumentuar sikurse është fotoja e Shkollës 7-vjeçare në Zhulat, e shtatorit 1953, shkollë që u ndërtua vullnetarisht, një parim i njohur në ish rregjimin e kaluar. Autori sjell detaje që vetëm një rregjistrim brilant i sjell nga dita e parë e Shkollës 7-vjeçare ose sikurse thirrej në atë kohë si “cikli i lartë”, që u shërbente fëmijëve që mbaronin klasën e katërt. Autori Dedi flet për nxënës që vinin që nga Fushbardha, por më vonë edhe nga Kaparjeli sepse, distancat e arsimimit i “shkurtonte” dashuria për arsim e kulturë, që këtyre fshatrave nuk u kanë munguar kurrë.
Kush nuk do ta lexonte me kënaqësi një përshkrim të mrekullueshëm, të veshur me muzë poetike: “Mësimi filloi mbarë e mirë. Asnjë mungesë. Të bëhej zemra mal kur shihje ato vajza e djem të shëndetshëm, lindur e rritur midis atyre maleve, gjelbërimit e luleve shumëngjyrëshe erëmirë. Ishin të shkathët, kalitur në vështirësi të mëdha, por të ushqyer me gëzimin e punës së prindërve të tyre në mbarështimin e blegtorisë; nën tingujt e zileve e këmborëve, blegërimën e bagëtive, këngët polifonike labe, longaren dyjare e plot e plot mrekulli të botës malore ku edhe mendimet e shprehjet janë më të kthjellta, më açik e optimistë dhe fjala besë, trimëri dhe atdhedashuri kishin rrënjë të thella”. Askush nuk mund t’i heqë presje dhe nuk ka si të mos ngelet “rob” i këtij përshkrimi, që e ka bërë spelling jetën e një fshati arsimdashës.
Mësuesi dhe drejtori i fshatit ka rregjistruar në kujtesë një “mangësi” që ka rregjistruar më të zgjuarit, por dhe më problematikët, që në fakt nuk kanë ekzisuar.
Gjithsej u rregjistruan 21 nxënës në klasën e 5-të) nga Fushbardha ishin 11 nxënës, ndërsa nga Zhulati 14, si më poshtë: Nefo Çarçani, Anife Tefa, Fatime Muho, Xhano Proda, Hader Muho, Selfo Xhuvani, Ismail Kondi, Laze Nora, Zhuli Tefa, Nasip Xhuvani dhe Rasim Meçe; ndërsa nga Zhulati ishin Kalo Koro, Haseni Logli, Shërbim (Shaban) Capa, Hateme Pula, Harbie Logli, Haxhire Boçka, Lufto Çela, Nimet Gjokoli, Nasibe Gjurgji, Malo Mata, Tomor Hila, Kalo Haxhia, Zabite Gjoka dhe Mihan Vreshaj. Libri bëhet gjithënjë e më i lehtë dhe më i thellë, kur autori bëhet njësh me jetën e hallet e një treve dhe fshati që të bën për vete, që në libër vjen tek “Tregime dhe ese nga jeta në fshat”, për “Mushkën e Azizit”, por dhe për “profesionet” e tjera që të mësonte jeta e fshatit, sikurse ishte ai i mësimit të zakonit të mushkës, njësoj sikurse e bënin edhe në Lunxhëri.
Mësuesi dhe drejtori mësoi edhe më shumë në Zhulat, për “Çobanët që “flenë me sy hapur”, dhe më tej shkroi shkoqur dhe me zemërbardhësi për “Mësuesit “në rrethim”, “Korieri i lokalitetit”, për “labin e dyfekut dhe mençurisë”, për “ish nxënësin e tij dhe ish-Komandantin e Korpusit në Burrelit Ushtarakun madhor Tomorr Hila”, ndërsa në pjesëzën “Palltesya me Erë”, është sa gazmore aq edhe reale, që më kujtonte një shprehje të Mario Benedetti, për “të qeshurën në jetë si domosdoshmëri..”. Produktet e Zhulatit me një traditë mbi katërmijë vjeçare vijnë në libër me finesë sikurse është “meseleja e kosit”, por edhe pejde hokatare, si “Sefer Haska, Sefer Haska,/Një kobure që e paska,/Për të vrarë ato laraska,..”, por vlerën e ka edhe tek përgjigjia e menjëhershme: “S’thua mirë i dashur Cekë,/Koburja që kam vetë,/Vret laraska e mëllenja,/Por më shumë dru të shtrembëra”.
Autori Dedi përshkruan ashtu sikurse e ka njohur edhe mësuesin elbasanas, Hyjni Ceka (16.10.1932 – 21.8.2020), me “cen” në biografi, me të cilin ishte njohur që në Lunxhëri më 1950. Nga ana tjetër Ceka kishte qenë dhe mësues në Fushëbardhë, dhe ishte ndëshkuar që ditën e parë, prandaj dhe i këndohej kënga: “Cekë or Cekë,/nga mëngjesi gjer në drekë,/çi pagove pesëqind lekë…”. Autori edhe arkivist të ishte nuk do ti fiksonte kaq në mënyrë të saktë mësuesit e shkollës 7-vjeçare në Prongji, Zhulat, Golem e Kolonjë, me mësues e drejtorë Njazi Fico (drejtor), Antigoni Dilo në Prongji, në Fushbardhë Hyjni Ceka e Petro Paskali, në Zhulat, Mynir Dalipi e Nexhmi Çuni; në Golem Ferat Keri (Drejtor) dhe mësues Thanas Vasili nga Dhoksati, Xhani Kavo e Niqi Kavo, vëlla e motër, në Kolonjë Hasan Zani, Hasan Sazani Shef i Kabinetit Pedagogjik dhe pedagog në shkollën pedagogjike “Pandeli Sotiri” etj. Autori ndalet edhe tek e drejta për studimet e larta në Institutin Pedagogjik 4-vjeçar e më vonë në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, që është një periudhë tjetër intensive jetësore.
Në faqet e librit vjen natyrshëm edhe polemika me Kryeministrin Mehmet Shehu më 7 gusht 1955, në përvjetorin e dymbëdhjetë të krijimit të batalionit partisan “Asim Zeneli”. Kryeministri që detyrën e kishte marrë nga Enver Hoxha kishte shkuar bashkë me Adil Çarçanin që ishte djalë nga Fushbardha. Autori flet për oratorinë e sertë e të hidhur që se kishte problem edhe të përplaste grushtin, por që ishte i drejtë dhe i saktë dhe e vlerësonteshumë trimërinë dhe bujarinë labe. Kleanth Dedi, e ka bërë si me mik dhe me nge librin, edhe duke ju referuar maksimës proverbiale popullore “Mik të rinj zë, por të vjetrin mos e lë”, që është një amanet nga të parët.
Autori si botues i sprovuar, në gazetën “Dita” të 27.9.2015 kishte gdhendur një supliment për Zhulatin, për “Zhulatin me histori të madhe, për njerëz të mëdhenj”; “Dyfeket e Labërisë dhe gërmat e Lunxhërisë”, “Ndodh dhe kështu”, “Djemtë e kulturuar të Zhulatit”, që u prit si një frut që po piqej dhe po shkonte drejt një formatimit të një libri, që aktualisht është plotësisht i gatshëm për lexuesin.
Autori “Të dhëna për Zhulatin historik”, duket se ka udhërrëfyes, “Kristo Frashërin që i la për detyrë të mos bëjë provim por, studim tematike Zhulatin, si skeda e parë”, të jetë sqimëtar në referenca dhe ka sjellë hulumtimin e arkeologut të mirënjohur Skënder Muçaj për detaje të lashtësisë së Zhulatit, por edhe pjesët e tjera të librit si “Zhulati gjatë Luftës Nacionalçlirimtare”, “Zhulatasit në treg ishin më shumë shitës se blerës”, “Zhulati, histori e madhe, njerëz të mëdhenj”, njek më vëmëndje dhe i referohet penëartëve të tjerë si Fitim Çaushi një kërkues e studiues i apasionuar, që nuk ishte nga Zhulati, sjell si homazh një shkrim për një zhulatas të madh profesor Nexhip Pelivan Pula (Alpan), por dhe “Personazhe që flasin”. Nëse ndalemi faleve të librit lexojmë një merak të autorit, sepse në vetvete i gjithë Zhulati është një muze më vete. Shqetësimi për historinë, ngjarjet, bëmat, luftrat, lavdinë, muzeologu Kleanth Dedi e ka evident, për ruajtjen e vlerave. Ai mrekullohet monumentin e Idriz Sullit të gdhendur në rrapin shekullor, përgëzon autorin Murat Këraj, dhe inkurajon për vepra të tjera.
Mirënjohja e autorit për Zhulatin dhe Fushëbardhën bashkë vjen nën siglën, “Kleanth Dedi – Oksford 2022”, që tejkalon pritshmëritë, për një fshat mijëvjeçar historik, ndërkohë që kur mirënjohja e sjellë përmes vargut bëhet edhe më solide: “Shkrova se kam mall,/Për Zhulat e Fushbardhë,/Që të dy pranë e pranë,/Ngjajnë si motra me vëllanë./Kështu tha dhe rapsodi i parë,/Që kish mend e s’mbante anë.”. Gjurmët e Zhulatit 3000 vjeçar, kërkojnë ekspedita, gjurmime, punë hulumtuese në arkiva e biblioteka që vizitorët e huaj, miq e dashamirës me zhulatasit, të henë në të ardhmen sikurse thotë autori “një muze si hambar shkencor i Zhulatit historik”.
Faleminderit i nderuar mësues dhe drejtor i shkollës së Zhulatit përpara shtatë dekadash, që nuk na sollët vetëm një libër me vlerë, por ngritët një monument të ri për Zhulatin historik, krahinën e Kardhiqit dhe mbarë trevën e Labërisë! Mirënjohje për birin e Lunxhërisë Kleanth Dedi!
-&-