Refleksione në 20-vjetorin e Konventës së UNESCO-s për trashëgiminë kulturore shpirtërore
Niko MIHALI
President i Seksionit Kombëtar Shqiptar të CIOFF, TIRANË
Konventa e Unescos për trashëgiminë kulturore shpirtërore, këto ditë shënoi dekadën e dytë. Ajo u miratua më datën 17 tetor 2003 në sesionin e 32 të saj në Paris dhe është ënë një program pune për gjithë qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare, institucionet kulturore e arsimore, shoqërine civile e me gjerë për mbajtjen gjallë të kësaj dukurije, pasurimin e saj me gjetje të reja që shpallen kryevepra të kësaj trashëgimie dhe inkurajimin e bartësve të këtyre vlerave për t’i promovuar e ballafaquar në aktivitete kombëtare e ndërkombëtare, inkurajimin e diversitetit kulturor shpirtëror, si pjesë e të drejtave të njeriut. Organizata botërore e CIOFF dhe seksionet e saj kombëtare në ato vende që janë anëtarë të OKB-së, është partnere zyrtare me UNESCO edhe për 8 vjet të tjera pikërisht për këtë trashëgimi shpirtërore dhe vec qindra e mijëra aktivitete e festivale që zhvillon në të gjitha skenat e globit, organizon edhe në selinë e saj në Paris një festival unikal ku ftohen grupe e ansamble nga shumë vende të botës të promovojnë ato vlera që tanimë njihen si kryevepra të trashëgimisë kulturore shpirtërore që mbrohen me ligje nga qeveritë e shteteve përkatëse dhe mbështeten me projekte sensibilizuese edhe nga UNESCO.
Vendi ynë, Shqipëria e ka miratuar dhe e ka nënëshkruar këtë konventë me vendim të Kuvendit të Shqipërise më datën 4 prill 2006, ka mbështetur e programuar vendimet dhe udhëzimet e kësaj konvente për organet e larta të Qeverisë Shqiptare si dhe për pushtetin lokal, për institucionet qendrore e lokale si dhe aktorët e shoqërisë civile, sikundër jemi edhe ne, sektorët kombëtarë të CIOFF. Institucioni shtetëror i ngarkuar me ligj për të ndjekur dhe zbatuar detyrimet e shtetit shqiptar me UNESCO-n është Komisioni Kombëtar i UNESCO-s në Shqipëri (KKUSH). Ky organizëm është krijuar me Vendim të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë nr. 36, dt. 20.01.2000 .
Ky komision ka marrë informacion për konventën e UNESCOn-s 2003 dhe ka filluar nga puna për propozimimin e atyre vlerave kombëtare të vendit tonë, për të qënë kryevepra të trashëgimisë kulturore botërore dhe që duhet të mbrohen e promovohen me programe e ligje të vecanta. Në vijim të kësaj pune në shkallë kombëtare me Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 213 date 31.03.2010 është krijuar edhe Komiteti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore – KKTSH që është organi më i lartë për trashëgiminë kulturore në Republikën e Shqipërisë.
Dy vjet pas hartimit të kësaj Konvente, në muajin nëntor 2005 miratohet nga komisioni zyrtar i UNESCO-s, Albanian Folk Isopoliphoni, si kryevepër e kësaj trashëgimije. Nga ajo ditë për gati 20 vjet si institucionet shtetërore dhe organizatat e shoqerisë civile, kanë gjetur vendin e tyre për ta promovuar atë në shumë veprimtari lokale, rajonale, kombëtare e ndërkombëtare. Isopolifonia si një kulturë jetësore dhe muzikore, që ka në thelb të kënduarit së bashku, pra në grup, është një tregues i fuqishëm i jetës në bashkësinë njerëzore, tregues i nivelit të demokracisë dhe shoqërizimit të njeriut nga kohët e vjetra e deri më sot. Ajo është një mënyrë të kënduari me shumë zëra, ku vec këngëtarëve shoqërohet edhe me iso dhe ka një shtrirje gjeografike pothuajse në të gjitha trevat e Shqipërisë Jugore. Në zona të veçanta të këtij rajoni shoqërohet edhe me instrumenta muzikorë që quhen saze dhe ku evidentohet qartë shumë zërat. Për të mbajtur gjallë e promovuar sa më mirë këtë dukuri muzikore si organet shtetërore, institucionet kulturore lokale por edhe shoqëritë kulturore, një pjesë e të cilave janë edhe anëtarësuar në CIOFF, organizojnë veprimtari të shumta kulturore e artistike. Cdo muaj nëntor, në qytetin e Vlorës nga viti 2005 e gjer me sot organizohet festivali Tipologjik i Polifonisë me iso, ku për tre dite e net marrin pjesë në cdo edicion deri më 30 grupe polifonike, që promovojnë këtë këngë unikale kombëtare. Ndërkohë edhe në qytetin e Korcës cdo vit në muajin shtator për tre dite e net organizohet festivali tipologjik i sazeve, ku marrinm pjesë 15-20 grupe muzikore me isntrumentistë e këngëtarë. Këto janë aktivitete të organizuara nga Ministria e Kulturës dhe bashkitë e këtyre qyteteve respektive, por aktorët e këtyre festivaleve janë përfaqësues të shoqërive kulturore nga Përmeti, Korca, Leskoviku, Vlora, Delvina, Tirana, Berati, Mallakastra, Delvina e Saranda, etj.
Në amfiteatrin e qytetit antik të Butrintit apo në kalanë e Lëkurësit në Sarandë, organizohet cdo vit konkurs i shkollave të mesme të rajonit jugor me këngë polifonike, e ka për organizator Drejtoritë Arsimore dhe Drejtoritë Kulturore në shkallë qarku, ndërsa në fshatin Pilur të Himarrës, poeti dhe njeriu kulturëdashës pasardhës i dinstisë Cipa, Kristaq Cipa ka mbi 5 vjet që ka filluar e organizon një festival tjetër të grupeve polifonike të Labërisë por edhe zonave të tjera. Organizatori është pjesëtar i CIOFF Albania dhe bashkëpunon me bashkinë e qytetit e bën një festival shumë të lakmuar e me plot kërkesa, ku mban jo gjallë por të ndezur si një pishtar mbi detin e Jonit, sharmin e këngës polifonike. Seksioni shqiptar i CIOFF prej vitit 2001 e gjer më sot organizon në qytetin e Përmetit, me mbështetjen e donatorëve por edhe të Ministrisë së Kulturës e herë-herë edhe të bashkisë së qytetit, një festival për multikulturat në shkallë ballkanike, ku vec të tjerash promovohet edhe polifonia me iso, me saze, me valle etj si dhe inkurajohet diversiteti kulturor i minoriteteve dhe pakicave kultuore e gjuhësore që jetojnë në vendin tonë dhe shtetet fqinj me ne.
Cdo maj prej vitit 2007, në qytetin e Vlorës, z. Sejmen Gjokoli i Qendrës Kulturore “Aulona”, anëtare e CIOFF Albania, në bashkëpunim me bashkinë e bizneset e qytetit, organizon festivalin ndërkombëtar “Aulona Interfolk”, një festival unikal me standarte shumëtë larta, ku vec grupeve e ansambleve nga vende të ndryshme të botës, marrin pjesë edhe grupe polifonike nga gjithë hapësira shqiptare, festival ky që për masivitetit dhe vlerat që përcjell është shumë i kërkuar nga gjithë hapësira europiane, aziatike e afrikane.
Këtë vlerë të trashëgimisë kulturore orale që mbrohet edhe nga UNESCO, seksioni ynë i CIOFF e ka promovuar edhe në disa aktivitete ndërkombëtare, duke organizuar work-shope për Albania Folk Isopoliphoni si në Open Museum Budapest, në Shkup, Maqedonia e Veriut, në Mostar të Bosnjë e Hercegovinës dhe disa herë në Bruksel në bashkëpunim me seksionet kombëtare respektive të CIOFF dhe zyrat kombëtare të UNESCO-s në këto vende, të cilat rregullisht thërrasin ato grupe nga hapësira ballkanike që promovojnë vlera unikale që mbrohen nga UNRSCO si: ansamblin “Bistrica Barbi” nga Bullgarija, ”Vallen e dervishëve” nga Turqia, grupin e Nafiz Celës nga Vlora, interpretimi me vegla frymore e daulle nga Kroacia, Maqedonia etj.
Në dhjetra festivale folklorike ndërkombëtare ku kemi marrë pjesë si në Poloni, Spanjë, Portugali, Itali, Francë, Rusi, Greqi, etj krahas grupeve të vallzimit, marrin pjesë edhe grupe polifonike që promovojnë këtë vlerë unikale, e vlerësohen me cmime speciale sikundër është rasti i Festivalit të Zakopanes në Poloni, të Bonifacios Corsikë, Badajozit në Spanjë, pa harruar koncertet e dhëna ne qytetet e rajone të Rusisë Qendrore, midis kufirit virtual Europe dhe Azi nga ansambli “Bilbili“ i QK “Aulona” në Folkloreadën e VI Botërore te CIOFF… Një bashkërendim e koperim kemi pasur edhe me shoqata kulturore e grupe polifonike të shtetit grek si grupi “Dion” nga Selaniku, grupi polifonik “Oniros” i Konservatorit të Janinës, kemi organizuar ekspedita të përbashkëta me Universitetin e Janinës në luginën e Vjosës në të dy anët e kufirit, ku dua të evidentoij angazhimin e Prof Vasilis Nitsiakosnga Universiteti i Janines dhe muzikologut Kosta Loli, si dhe Karvanin e Polifonisë me drejtues, studiuesin pasionat e të palodhur Aleksandër Llambridhis.
Ne shikojmë e konstatojmë se kjo punë për mbrojtjen , pasurimin dhe trasmetimin e kësaj dukurije, të kësaj vlere kombëtare unikale ka interes, ka masivitet, ka vullnetarizëm, por pretendojmë e kërkojmë të ketë edhe më shumë vëmëndje e mbështetje nga Ministria e Kulturës, pushtetet lokale etj, për të evituar spontanitetin e të mos ndodhur si këtë vit, ku me dashje apo me tendencë, u privuan nga kjo e drejtë disa festivale që kishin krijuar një traditë 20 vjeçare si Oda Dibrane, Përmeti Multikulturor, takimi i zonave polifonike të Shkumbinit, etj. Festivali Folklorik Kombëtër i Gjirokastrës që është një eveniment i madh kombëtar dhe që u zhvillua edhe këtë vit nga data 23 qershor deri 1 korrik, ishte një tregues i fortë i promovimit të kësaj dukurie, me një masivitet absolut, ku vetëm rajoni i Gjirokastrës ngjiti në skenën e festivalit në kalanë e gurtë, mbi 300 pjesëmarrës, të moshave të ndryshme, të pajisur me kostume orgjinale dhe me një pasuri të madhe këngësh e vallesh polifonike.
Data 29 shtator e cdo viti është miratuar nga Ministria e Kulturës si Dita kombëtare e trashëgimisë sonë kulturore dhe në këtë ditë më shumë se kurrë organizohen me dhjetra e dhjetra veprimtari lokale nëpër shkolla, të mesme e 9-vjecare, në institucione kulturore etj si ekspozita kostumesh e zejesh, panaire të kulinarisë, koncerte me këngë e valle polifonike, promovime librash që flasin për këtë trashëgimi, ku evidentohen disa qytete të vecanta si Gjirokastra, Kruja, Berati, Durrësi, Shkodra, Tirana, Elbasani etj, që kanë pazaret karakteristike dhe ku cdo vit e me shumë frekuentohen nga mijëra e mijëra turistë. Por vec Albania folk Isopoliphoni, fiks para një viti, në nëntor 2022, në takimin e UNESCO-s në Rabat të Marokut, listës së kësaj trashëgimie shpirtërore nga vendi ynë iu shtua edhe Xhubleta, nje veshje tipike më se 4000 vjeçare e malësive tona në Shqipërinë e Veriut, me refernca edhe në trojet shqiptare në Malin e Zi, Kosovë etj. Xhubleta është një veshje karakteristike, prej shajaku të zi, të trashë e të fortë, pa mëngë, me mes të ngushtë e me fund të gjerë, që e veshnin zakonisht gratë e Malësisë së Madhe e të Dukagjinit në veri të Shqipërisë. Ajo ka qënë e mbetet si pjesë e iventarit të pajës së nuses, e vajzave të Malësisë, të cilat kur shkojnë tek burri në sepetet e tyre kanë edhe 3-7 xhubleta të përmasave e llojeve të ndryshme. Kampione apo subjekte të ngjajshme me të janë parë në veshjet e lashta të Mesdheut Lindor, në Serbi, në Malin e Zi, në Kretë, në Bosnjë, gjë që e lidh drejtpërdrejt me qytetërimet antike të Mesdheut, dhe sipas studiueses shqiptare Profesoreshe Afërdita Onuzi- sot e kësaj dite ajo ‘ngjan shumë me statuetat e Kliçevacit dhe të Kreto- Mikenës’, Një ekzemplar i saj ndodhet në Muzeun e Njeriut në Paris (Musee de l’Home). Ky thesar i rrallë e mijëravjecar, në vrullin e kohës dhe globalizmit, rrezikonte dita-ditës të humbiste, por duke u përfshirë në këtë listë ajo, e madhërishmja xhubletë, nuk do të jetë e mbetet një relike e së shkuarës, por sikundër pohoi ato ditë nga Rabati, ministrja e Kulturës së Qeversië shqiptare zjn. Margariti do të ketë gjithë mbështetjen e institucioneve tona e ndërkombëtare dhe do t’i flasë botës për një qytetërim të lashtë mijravjecar.
Vetëm gjatë këtij viti janë organizuar me dhjetra e dhjetra veprimtari promovuese nga institucione shtetërore, Muzeume e Qendra kulturore, Televizione lokale e kombëtare,janë ngritur e ringritur qendra e shoqata që prodhojne e promovojnë këtë pasuri unikale, janë gjallëruar njësi artizanati dhe në tregun e trashëgimisë kulturore është ndër objektet më të kërkuara nga turistët dhe agjensi turistike. Ka rreth 15 vjet që në fillim të gushtit në një livadh të bjeshkëve të Alpeve shqiptare në Malsinë e Kelmendit, tek Qafa e Përdelecit shoqata Xhubleta dhe aktorë të tjerë nga shoqëria civile, nga emigracioni,b ashkitë lokale etj organizojnë një aktivitet kulturor, pjesë e te cilit është edhe një sfilatë mode nga vajzat e kësaj ane, të gjitha të veshura me xhubleta. Ato konkurojnë për t’u zgjedhur më e bukura e bjeshkëve dhe për të fituar kurorën “Miss Bjeshka“ me xhubletë. Në festivalin e madh Folklorik të Gjirokastrës të këtij viti kostumi me xhubletë ishte i pranishëm në disa variante dhe tani do jetë i pranishëm edhe në gjithë ato aktivitete e festivale kombëtare e ndërkombëtare. Janë hartuar programe për trasmetimit e kësaj vlere tek brezat e rinj, janë hapur kurse e forma të tjera ku fjalën e parë e kanë artizanët e talentuara të këtyre malsive. Mund të themi se ky objekt, ishte dhurata më e mirë që iu shtua trashëgimisë kulturore botërore shpirtërore në prag të 20- vjetorit të Konventës, e cila ka çliruar shumë energji dhe kërkime për t’u pasuruar me objekte të tjera. Gjatë këtyre dy dekadave komisioni i trashëgimisë kulturore shpirtërtore pranë Ministrisë së Kulturës ka shpallur kryevepra të trashëgise kulturore kombëtare si Eposi i kreshnikëve, Vallja e Dropullit, Ahengu shkodran, Kërcimi i Tropojës me tupan, Dialektet gjuhësore, Shtegtimi i deleve. Për të gjitha këto ka patur e ka projekte e veprimtari nga shoqatat përkatëse të anëtarësuara apo jo në CIOFF dhe po bëhet gati për në UNESCO dosja e Eposit të Kreshnikëve dhe Kërcimi i Tropojës. Marrëdhëniet tona me zyrat kombëtare të UNESCO-s të atashuara në dy ministri kryesore në Tiranë, kanë qenë e janë të dobëta. Nuk është ndjerë dora dhe mbështetja e tyre sa e si duhet, nuk kanë qënë prezent në aktivitetet tona dhe nuk na kanë sugjeruar porositë e shqetësimet që vijnë nga UNESCO, por shpresojmë që ky event dhe pranimet e reja nga këto vlera unikale kombëtare, do ta përmirësojë këtë bashkëpunim dhe ato duhet të dalin nga anonimati.
Javën që vjen, nga data 6 deri 11 nëntor, në Osijek të Kroacisë, organizohet kongresi i 52-të botëror i CIOFF, ku do diskutohet më shumë e më mirë për këto probleme, pasi CIOFF është e vetmja organizatë ndërkombëtare që është partnere me UNESCO për ICH- trashëgiminë kulturore shpirtërore dhe promovon këtë trashëgimi në më shumë se 540 festivale ndërkombëtare në botë, ku mes tyre janë edhe ansamblet nga Shqipëria sa me polifoninë edhe me xhubletat unikale andaj edhe vëmendja e mbwshtetja e institucioneve qendrore dhe zyrave të UNESCO-s, duhet të jetë prioritare.