Alban Bala: Idilike
Zjarri flet me vete me gjuhëza flake,
Vesa kullon qelqesh mbi perden e kumbullës,
Hëna e kafshuar hyn pjerrët mes degësh
Dhe kopshti është një dhomë e harruar.
Fëmija ha heshtur mbi tryezën ngjyrë bryme,
Shegët rrudhin sytë mes blanash të arta,
Qumështi i nxehtë bën avuj të hutuar
Dhe drita humb rrugën në ajër.
Mes flakësh arrijnë stuhitë e përtejme,
Gishtat ndjejnë ftohtë shirat që po bien larg,
Era që nuk fryn hedh gjethet e pemëve
Mbi hijen e hënës përudhur dritaresh.
Një dorë shkruan heshtjen me hi të bardhë…
Please follow and like us: