Mos u dashuro me një grua që lexon…
Përkthyer nga Klodeta Dibra
Mos u dashuro me një grua që lexon,
me një grua që ndjen me tepri,
me një grua që shkruan…
Mos u dashuro me një grua të kulturuar, magjistricë, të dalldisur, të marrë.
Mos u dashuro me një grua që arsyeton,
që ka amëz dijeje
dhe që është e zonja edhe të fluturojë,
me një grua që beson tek vetja.
Mos u dashuro me një grua që qesh
ose qan kur bën dashuri,
me një grua që di ta shndërrojë shpirtin e vet në mish dhe,
edhe më,
me një grua që dashuron poezinë
(këto janë më të rrezikshmet),
me një grua e zonja të qëndrojë gjysmë ore para një pikture
ose që nuk di të jetojë pa muzikë.
Mos u dashuro me një grua të ndjeshme, lozonjare, rrëzëllitëse, rebele, tallëse.
Mos të ndodhtë kurrë të dashurohesh me një të tillë grua.
Sepse kur dashurohesh me një të këtillë,
mbettë me ty apo jo, u dashuroftë me ty apo jo,
prej nga kjo grua, nuk ka më kthim mbrapa.
Askurrë.
(Martha Rivera Garrido “Mos u dashuro me një grua që lexon”, shqip k.d.)