Albspirit

Media/News/Publishing

3 NËNTORI I VITIT 1443, DITA KUR SKËNDERBEU U RIKTHYE NË ATDHE

Frank Shkreli

Në çdo vend tjetër, nga çdo komb tjetër, kjo datë – ky përvjetor historik për Kombin shqiptar — do të kujtohej zyrtarisht nga dy shtetet shqiptare dhe nga pikëpamja historike prej akademive të shkencave në Tiranë dhe Prishtinë dhe si rrjedhim nga i mbarë Kombi shqiptar kudo, përfshirë diasporën. Kjo duhej të ishte një ditë, në të cilën shqiptarët kudo, por sidomos në Shqipëri e Kosovë dhe anëa e mbanë trojeve shqiptare nën sundime të huaja në Ballkanin Përendimor – të festonin këtë ditë të madhe për ta—të mbledhur të gjithë së bashku – të pakën në këtë ditë për të përkuajtur Fatosin e Madh dhe të përgjithmonshim e Kombit – rikthimin e Gjergj Kastriotit-Skenderbe, në Atdhe.

Për fat të keq, ashtu siç u harrua në heshtje disa vite më parë edhe i  shpalluri “Vit i Gjergj Kastriotit- Skënderbe–   Frank Shkreli/ U mbyll “Viti i Gjergj Kastriotit Skënderbeu” – Në heshtje | Gazeta Telegraf – ashtu edhe kjo datë (3 nëntori 1443) të pakën me sa shoh deri tani – me përjashtim të ndonjë portali aty këtu, nuk u përmend nga asnjë ent me rëndësi qeveritar, shtetëror ose akademik. Ky qëndrim anti-kombëtar sot ndaj Gjergj Kastriotit -Skënderbe, nga shqiptarët, për Heroin e tyre Kombëtar –i cili me luftimet e tij kundër Perandorisë Osmane u solli lirinë për një çerek shekulli. Por kjo datë e kthimit të Skënderbeut në Atdheun e tij, duhej të ishte edhe një ditë kujtesë nga Europa për ndihmesën që luftërat e Gjergj Kastriotit Skënderbe kanë dhënë për shpëtimin e kontinentit të vjetër nga hordhitë osmane. Do të ishte mirë që dikush t’ua kujtojë këtë datë borrelave dhe lajçakëve të Europës moderne se çfarë rëndësie ka kjo datë për lirinë e shqiptarëve sot, por edhe për mbarë Europën. Dikush duhet t’ua kujtojë europianëve modernë që vazhdojnë të përçajnë e të ndajnë me pazarllëqe trojet shqiptare se kush ishte Kastrioti i shqiptarëve të shekullit XV që luftoi edhe për të mbrojtur lirinë dhe qyttetërimin e tyre, por dhe i shqiptarëve të shekullit XXI – i këtyre shqiptarëve që edhe sot e kësaj dite nuk kanë siguruar lirinë dhe pavarësinë e plotë për veten në trojet e tyre shekullore.

Ndryshe nga heshtja e klasës së sotme politike shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë – ishte At Gjergj Fishta –Poeti i Madh i Kombit shqiptar, që në fillim të shekullit të kaluar u ka kujtuar fuqive të atëhershme europiane, por aktuale edhe për ditët tona për fat të keq të shqiptarëve – se pasardhësit e Gjergj Kastriotit -Skënderbeut ende nuk gëzojnë lirinë dhe pavarësinë e plotë:

Uh! Europë, ti kurva e motit,
Qi i rae mohit besës e Zotit,
Po a ky â shêji i gjytetnís:
Me dá tokën e Shqypnís

Për me mbajtë klysht e Rusís?
Po ti a kshtû sod na i perligje
Njata burra qi m’ kto brigje
Për tý vehten bâne flije
Kur ti heshtshe prej ligshtije?

(At Gjergj Fishta – Lahuta e Malsisë)

Mirë – nëqoftëse Europa ka heshtur prej ligështie, siç me të drejtë, At Gjergj Fishta qortonte fuqitë e mëdha europiane të kohës së tij, pse heshtin sot shqiptarët – prej ligështie thua a po prej ndonjë gjëje tjetër — për At Gjergj Fishtën dhe për data të rëndësishme për Kombin shqiptar, siç është (3 nëntori, 1443) – dita e rikthimit të Gjergj Kastriotit-Skenderbe në Atdhe. Një përvjetor ky që ka hapur një kapitull të ri në historinë e qendresës së shqiptarëve ndaj së keqës së Perandorisë Osmane dhe që, njëkohësisht, shënon edhe flijimet e mëdha të shqiptarëve në mbrojtje të qytetërimit europian!?

Pamje nga sheshi “Skënderbej” në Tiranë, ku siç duket në këtë ditë të 3 Nëntorit 2023) që shënon rikthimin e Gjergj Kastriotit në Atdhe, (3 Nëntori, 1443) dikush ka vendosur të pengojë pamjen e Monumentit të Heroit Kombëtar duke ngritur këto kioskë – se për çfarë qëllimi, nuk është e qartë.

HENRY WADSWORTH LONGFELLOW –Poeti amerikan që lartësoi Skënderbeun me poemën e tij ku Skënderbeu paraqitet si hero legjendar. Vjersha është përkthyer nga i madhi Fan Noli (1916).

SKENDERBEU

Shkruar me 4 Shkurt, 1873

Lëfton luftën dhe fiton
Mbreti Ladisllav gjëmon,
Djek si Ferr, si vdekje pret

Ditën e Rushajevet,
Dhe nga fush’ e kuqe gjak
Ikën, rent përpara tij

E Muratit ushtëri
Që shpëtoj e s’ra në lak.
Kur u-ngrys e kur u-err,

Skënderbeu, nder, lavdi
I asqerit Osmanlli
Tok me Turqit krismën merr,

Si lëfton e si humbet
Ditën e Rushajevet.

Mbet e vdekur prapa tij

E Muratit ushtëri,
Kryerojtja udhën hap,
Praparojtja rent me vrap,

Dhe armiku gjakësor
Si me drapër grin e kor.

Po kujdes ay s’të ka

As për Bej as për Pasha,
Edhe natën tek’ po shkon
Yjt’ e fatit po shikon

Që i ndritnin n’udhëtim;
Edhe kalit tij i ra,
Nënëqeshi edhe tha:

“Është koha për gëzim”.

Mez’ i natës kur afroj,
Ikja e rreptë kur pushoj,

Një Qatip na vjen i Mbretit
Me myhyrin e Dovletit
Edhe tha me zëmërim:

“Njoll’ e parë t’u-vu sot
N’emër, o Gjergj Kastriot!
Pse kështu? Oh, mjerë ne!

Ushtërinë pse e le
Therrur fushës për vajtim?”

U-përgjeq Skënderi, e tha:

“Dergjen mbytur nëpër gjak.
Thembr’ e kalit i ka prak,
Po kështu e shkruar qe

Nga i Madhi Zot atje
Q’urdhëron çdo ushtëri.
Dhe ku kemi ne fuqi

Kur ngre dorën kundër nesh
Dhe na grryen si rrebesh?

“Lidheni, tha, me litar
Shkronjësin me kallamar!”
Dhe Qatipi tha: “Po ç’faj

Paskam bërë që Pashaj
M’a bën mua këtë gjë?”
U-përgjeq Skënderi e tha:

“Faj s’ke bërë asnonjë,
Po që të mos na shpëtosh,
Dhe të fshihesh e të shkosh,

Përandaj t’a bënj këtë.”

Tani shkrua-më një shkrim
-Dhe për fis e paç bekim!

Me myhyrin e Dovletit
Për Mytesarifn e Mbretit
Që mban Krujën, një qytet

Rreth me mur e me hendek,
Të m’a kthenjë gjën’ e atit
N’emrin e Sulltan Muratit;

Se çdo urdhër që të japë
Kurrë nukë merret prapë.

Dhe Qatipi u-krrus prej tmerrit

Dhe kështu i tha Skënderit:
“O Allah i math, i naltë,
Që të jemi hi e baltë!

Qysh t’i shkruanj këto shkrime
Kur e di që kokën time
Po m’a pret ay Dovlet?”

Shpejt ahere si një yll
Që këputet lark nga qjelli
Çpallet nga i arti myll

Një hanxhar me reze djelli
Dhe gjëmon Skënderi: “Shkruaj!”
Dhe Qatipi i tmerruar

Shkroj në dritën e drithmuar
Afër zjarrit, i dërmuar,
Flokë-bardhë, kokë-ngrirë,

Nga e ftohta i mërdhirë,
Zëmër-prerë, vdekje-grirë.

Dhe Skënderi prapë tha:

“Tani eja pas me mua
Se të mbetesh këtu s’dua
Do t’të kem si mik e vlla,

Gjithënjë do t’të nderonj
Me kujdes do t’të rrethonj
Sa të rrosh në këtë botë.”

U përgjeq Qatipi e thotë:
“Udha jonë këtu ndahet,
Shoqëria jonë s’mbahet.”

Pa mbaruar këtë fjalë
Një hanxhar i rëndë ra,
Kur s’ish afër asnjë tjatër

Dhe Qatipi po përmbyset
Si një gur që rrugulliset
Në liqen të zi dhe shket

Tatëpjetë dhe humbet;
Edhe rreth në qetësi
Asnjë pipëtim s’u-ndi

Përveç kalit Skënderbeut
Që përpjet’ u-hodh prej dheut.

Pastaj sulet si shigjeta

Me tre qint pothua veta
Nëpër lum’ e pyll e garth
Përmi malet Argjendar;

Dhe me zemrën plot gëzim
Kapërceu lumin Drin
Dhe u-gdhi e n’agullim

Pa kështjellën Ak-Hissar,
Krujën, ah atë qytet
Rreth me mur e me hendek

Tek u-lint e tek u-rrit,
Yll mëngjezi mi të ndrit.

Dhe ahere trumbetarët

Brirëve t’argjëntë u bien
Edhe togje rreth i mblidhen
Turqit bashkë me Shqiptarët

Që dëgjuan atë thirrje.
Dhe kremtoj me miqt’ e tij
Dhe u-ngrohnë me dolli.

Dhe u thotë: “Miqt’ e mi,
Shihni fati ç’na dërgon,
Perëndia ç’na bekon!

Mbret Murati urdhëron
Mall’ i gjërë i tim-eti,
Vend’ i terë dhe qyteti

Të më jipen nga Dovleti”.

Dhe pastaj me salltanet,
Veshur armët si një mbret,

Shkon kaluar në kështjellë
Edhe hyn nga port’ e gjerë
Dhe pashajt që urdhëron

Përmi Kruj’ i dorëzon
Urdhërin e Murat Mbretit
Me myhyrin e Dovletit.

Dhe Pashaj, si heshti, tha:
“Lavdi pastë Perëndia,
Ja ku hiqem nga fuqia.

Merr-e vendin dhe qytetin;
Kush lëfton dot me kësmetin”?

Nga kështjella shpejt ka rënë

Flamuri me gjysmë-hënë
Edhe populli shikon
Që në vënt të tij valon

Flamur’ i Skënderit n’erë
Shkab’ e zezë me dy krerë.

Dhe një thirrje lart-u-ngrit,

Se çdo zëmër e çdo shpirt
U-mërzit nga Turku i lik,
Q’e kish bërë atë Krujë

Zi, murtajë dhe rrëmujë.
Ay zë me gas me bujë
Q’oshëtin nga brek në brek

Është: “Rrofsh, o Skanderbeg!”

Ja kështu Skënderi trim
Mori Krujën me rrëmbim;

Edhe lajma u-përhap
Si një flagë, si një zjarr
Q’i fryn era në behar

Dhe qytetet afër larg,
Thotë Ben Isa Ben Miri
Në Qitap, të tij fakiri

“Binin m’atë lehtësi
Që zë burri veshn’ e tij”.

Please follow and like us: