LLesh Gjoka: NË THEMELET E DASHURISË
Erdha në jetë si një rënie bryme
kur natës së lagësht
diçka do të lindte.
Askush ishte emri, gjaku që lidhej me të
Asgjë ishin bëmat që kishin histori në vatër
Të tjerët krijonin botën për veten e tyre
Erën e mbështillnin si shall mëndafshi në qafë.
Diku larg duhej të takohesha me ta
në trafikndarësen e ditëve…
Kishte shumë plojë në gjurmën e parë që lindi
Më kish rënë sysh ajo që vinte
Unë po hidhja një armaturë me lëngun pa ngjyrë të jetës
kur ngriheshin skela gjigante drejt ajrit.
Unë sa një hiq, një grimcë pluhuri
materie e mbështjellë me pelena ëndrrash
në themelet e një dashurie po hetoja veten.
Nuk kisha rënë pa lindur akoma
po prisja kohën boheme
të rilindte flatra qiejsh
sa herë toka më ngulte prej rrënjësh…
Në një gorgë të madhe toka u përpí
aty ku kisha një gur për të themeluar
aty ku priste Hefesti, Farkëtari i Vullkanit
sepse diçka e madhe do të lindte
në themelet e dashurisë
ajo që se kishin parashikur orakujt…
Unë me hipnozën time në qelizë
prisja ndryshimin e madh të botës
të asaj që do të më shihte me sy ciklopi.
E unë sa një larvë duhej të mbijetoja
Diku thellë, thellë
duhej të merrja fuqi.
Nuk i pashë kurbanët që u therën për mua
Mbase kjo ish një ëndërr që kurrë s’e pashë
dhe kurrë s’ia besova vaut të jetës.
Aurën time të lindjes e vendosa si bekim
natës kur këndohej një himn
në themelet e dashurisë…