Ymer Çiraku: MAGJIA E POEZISË TRANSCENDENTALE
(Një studim krahasues mbi dy perla të lirikës: Pushkinit dhe Kadaresë)
Emine Sadiku (Teichmann) ka qënë një redaktore e njohur e letërsisë në gazetën “Zëri i rinisë”, në fillim të viteve `70-të. Gëzonte simpati, sidomos tek letrarët e rinj të asaj kohe. Emri i saj përmendej shpesh për mundësitë, që u krijonte të rinjve në botimin e cikleve me poezi apo të tregimeve, që për ta, ishte vet mrekullia. Unë kam qënë student, kur e dëgjoja emrin e saj gjithë vlerësim nga R. Marku, S. Bejko e B. Matraxhiu. Por do të vinte plenumi i 4-të i KQ të Partisë dhe, si shumë reprezalje tashmë të njohura ndaj njerëzve të artit e letërsisë, edhe ajo do të ndëshkohej, duke u larguar nga gazeta. Për rrethanat e saj, duket se e gjeti veten më volitshëm në studime gjuhësore. Prej gati 30 vitesh, jeton në Gjermani, ku puna si lektore e shqipes, e ka angazhuar edhe në botimin e mjaft studimeve gjuhësore dhe disa manualeve metodike për mësimin e shqipes nga të huajt.
Pak vite më parë, botoi romanin e saj të parë “Fustani total”. Është një vepër, që bën përshtypje për rrëfimin “inventarizues” linear, në vështrim të parë, por që pas këtij ligjërimi “neutral”, vibrojnë drama fort pikëlluese për kohët e humbura e plot mungesa të njeriut. Pra, këtu shpaloset një tablo atipike njerëzore, që bën të mundshëm dhe përcjellje origjinaliteti tek lexuesi.
Kohëve më të fundit, ajo ka botuar studimin e gjerë monografik me titull “Magjia e Poezisë Transcendentale”, duke u ndalur veçmas tek poezia “A. Kernës” e Pushkinit dhe tek poezia “Kristal” e Kadaresë. Mbështetur në një vështrim intensiv krahasimtar, vetëm tek dy poezi, ajo ”guxon” të konceptojë një studim të tërë monografik. Si edhe po aq guximshëm, që të hedhë tezën se ato renditen si dy ndër perlat e lirikës botërore.
Studimi ka një strukturë mjaft të fortifikuar, jo vetëm për metodologjinë e kritereve akademike të ndjekura, por para së gjithash, në pikëvështrimin në një rrafsh të gjerë të argumentit qëndror të marrë përsipër. Konkretisht, “poezia transcendentale”, si tipologji, shihet brenda atij kufiri të relativizuar, pra, një thurrimë arti mes letërsisë e filozofisë. Kështu autorja bashkohet në këtë studim me përpjekjen e guximshme për t`u endur dhe gjetur veten, mu në atë pikën e ndezur kritike të letërsisë, që konceptohet magjishëm mes “ushtrisë së metaforave dhe falangave të koncepteve”. Realitet dhe habi njëherësh kjo situatë ambigue, që ka shtyrë në mendime gjatë shekujv shumë filozofë dhe estetë, që nga Kanti, Schlegel, Nitzsche e të tjerë teoricienë më pas.
Të realizosh një studim të gjerë dhe me këndvështrime të shumëfishta sistemore rreth vetëm dy teksteve poetike, përveçse tepër e vështirë, mund të ngjajë edhe si një alterego obsesive, për të dëshmuar rrethin e gjerë të dijeve që disponon studiuesi. Por në këtë rast, duket se vet niveli i brendshëm i teksteve, e sugjeron këtë interpretim – me qasje komplekse. Duke evidentuar kështu tërë shtresat e konteksteve kulturore e letrare, ku janë formuar këta krijues të shquar, me ato paraprijëse e bashkëkohëse, me modelet stilistike dhe frymën estetiko-filozofike, që shenjuan.
Për të sjellë ndërmend dhe shijuar frymën e këtyre poezive, po sjell tri strofa nga secila prej tyre.
Pushkin:
Kujtoj me mall një ças gëzimi:
Përpara sysh m`u çfaqe ti,
Si vezullim i një vegimi,
Si engjëll plot me bukuri.
N`andralla jete zhurmëkote,
Në dhëmbje brengash e mërzi,
Më grishte larg fytyra jote
Dhe zëri yt plot ëmbëlsi.
Nga shqot` e kohrave që shkuan
Kështjell`e ëndrrave m`u shëmb,
Me mjergull vitet na mbuluan
Fytyrën tënde, zërin tënd…
Kadare:
Ka kohë që s`shihemi dhe ndiej
Si të harroj un` dalngadal,
Si vdes tek unë kujtimi yt
Si vdesin flokët dhe gjithçka
Tani kërkoj unë posht` e lart
Një vend ku ty të të lëshoj.
Një strofë a notë a një brilant
Ku të të lë, të puth, të shkoj.
Në s`të pranoftë asnjë varr,
Asnjë mermer a morg-kristal,
Mos duhet vall` prap` të të mbart
Gjysmë të vdekur, gjysmë të gjallë…?
Please follow and like us: