Albspirit

Media/News/Publishing

Janusz Bugajski: Përplasja e dy blloqeve botërore

Një seri luftërash lokale janë ndërlidhur në një përpjekje globale për dominim dhe ndikim midis dy blloqeve rivale. Nuk është thjesht çështje e përplasjes së autoritarizmit me demokracinë, apo Perëndimit me Lindjen. Bëhet fjalë për një sërë rreshtimesh përtej rajoneve përkatëse, të cilat nuk mund të bashkëekzistojnë.

Kjo nuk është një “përplasje qytetërimesh”, por një konflikt i bazuar në një ndarje shumë më themelore dhe ekzistenciale.

Blloqet në fjalë mund të përkufizohen krejt mirë si koalicioni perandorak dhe koalicioni i pavarësisë. Rusia dhe Kina janë në ballë të bllokut perandorak, duke kërkuar të krijojnë hegjemoni mbi fqinjët e vet, nëpërmjet dominimit të ekonomive të tyre, përcaktimit të sistemeve politike dhe kapjes së territoreve të këtyre vendeve.

Aleatët e tyre të vetvetishëm janë shtetet që kanë ambicie mini-perandorake rajonale, si Irani, Koreja e Veriut dhe Serbia, apo edhe regjimet që përfitojnë nga mbështetja e tyre ekonomike dhe diplomatike për të qëndruar në pushtet, ku mund të përfshihet Bjellorusia e Hungaria.

Koalicioni i pavarësisë është ndërtuar nga demokracitë perëndimore dhe lindore, por përfshin edhe shtete gjysmë-autoritare që kërkojnë të ruajnë pavarësinë e tyre nga grabitqarët perandorakë.

SHBA-ja është shteti më i fuqishëm anti-perandorak, e cila ka dalë vetë nga një ish-perandori. Ndonëse udhëheqësit amerikanë besojnë se shumicave e shtetasve të një vendi përfiton më shumë nga një formë demokratike qeverisjeje, pas dështimeve në Irak dhe Afganistan, Uashingtoni e ka kuptuar se demokracia nuk mund të imponohet.

NATO dhe BE janë koalicione me anëtarësim vullnetar, të cilat ofrojnë siguri dhe përparim për anëtarët e tyre. Po ashtu, një numër shtetesh të Paqësorit, duke përfshirë Japoninë, Korenë e Jugut, Tajvanin, Filipinet, Australinë dhe Zelandën e Re, kërkojnë të kenë një mbrojtje të ngjashme kundër mashtruesve perandorakë.

Blloku i pavarësisë përfshin gjithashtu demokraci të reja si Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia e demokraci në zhvillim. Madje edhe shtete thuajse autoritare, të cilat kërkojnë të mbrojnë pavarësinë nga fqinjët e tyre perandorakë, si Azerbajxhani dhe vendet e Azisë Qendrore, janë, po ashtu, pjesë.

Ekziston gjithashtu një grup i tretë shtetesh, të cilët devijojnë në mënyrë oportuniste midis dy koalicioneve të mëdha globale. Në to futen India dhe Indonezia, ose vende të tjera në Afrikë, në Azinë Jugore e Amerikën Latine, të cilat janë pre e luftërave të brendshme për pushtet dhe e moszhvillimit ekonomik, prandaj mbështesin këdo që mbështet liderët përkatës apo që ofron ndihmë ekonomike.

Kjo ndarje globale është bërë më evidente dhe është përkeqësuar nga një sërë luftërash, në të cilat fuqitë e mëdha po përfshihen gjithnjë e më shumë. Rusia nisi “luftën e re botërore” përmes pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022, me idenë e një pushtim të shpejtë perandorak.

Por tani ajo po përballet me humbje ushtarake katastrofike, tkurrje të ekonomisë civile dhe, herët a vonë, me shpërbërje, çfarë do të rezultojë në një numër shtetesh të pavarura, të cilat do të kërkojnë t’i bashkohen bllokut botëror të i pavarësisë.

Në mënyrë që të fshehë humbjet e veta si dhe për të ulur ndikimin e e SHBA dhe BE-së, si fuqitë udhëheqëse të bllokut të pavarësisë, Moska ka nxitur konflikte në disa rajone të tjera. Ajo përfiton nga aleatë, bashkëpunëtorë dhe përfitues, siç janë Hamasi, Hezbollahu dhe regjimi iranian për të kryer sulme terroriste dhe për të ndezur luftëra në Lindjen e Mesme.

Ajo nxit regjimin e Vuçiçit, si dhe bashkëpunëtorët e tij në Bosnje-Hercegovinë, Kosovë dhe Mal të Zi, të destabilizojnë qeveritë e pavarura dhe të krijojnë probleme për Uashingtonin dhe Brukselin në Ballkanin Perëndimor. Po ashtu, Moska mbështet Korenë e Veriut në qëndrimet e saj me kërcënime bërthamore ndaj Seulit dhe Tokios.

Moska dhe Pekini janë në kërkim të vazhdueshëm të konflikteve të tjera rajonale, të cilat mund t’i përdorin kundër kundërshtarëve të tyre perëndimorë. Gjithsesi, jo të gjitha luftërat rajonale janë në interes të Rusisë. Përkundrazi, disa mund të zgjerojnë pavarësinë kombëtare të ndonjë shteti apo të kontribuojnë për stabilitet rajonal.

Fitorja e Ukrainës, përmes dëbimit të forcave ruse nga i gjithë territori i saj, do hapë rrugën për një Europë më të gjerë dhe më të sigurt. Pas tre dekadash konflikt të armatosur me Armeninë, Azerbajxhani i rimori territoret e veta të pushtuara me një ofensivë të shkurtër ushtarake në shtator dhe tani është gati të kontribuojë për stabilitetin rajonal të Kaukazit të Jugut. Një transformim i tillë, padyshim, do të kërkojë përfshirje më të koordinuar nga ana e SHBA dhe BE-së.

Ata që do të humbin në Europën Lindore do të jenë Rusia dhe kjo do të minojë regjimet aktuale në Serbi, Bjellorusi dhe Hungari. Ndërsa Rusia dhe Irani, dy fuqitë që lulëzojnë nga konfliktet rajonale, do të humbasin terren në Kaukazin e Jugut.

Lufta midis izraelitëve dhe palestinezëve mund të zgjidhet vetëm përmes një formule me dy shtete, sipas së cilës garantohet siguria e Izraelit dhe Palestina nuk ka aftësitë të sulmojë fqinjin e vet. Një zgjidhje e tillë u refuzua nga liderët palestinezë, pasi ata duan që Izraeli të fshihet nga harta.

Dhe qëndrimi i tyre radikal ka mundësuar depërtimin iranian me mbështetjen ruse (në rajon).

Edhe një herë, udhëheqja amerikane do të jetë vendimtare në rezultatin e përballjes në nivel global midis sovranitetit dhe nënshtrimit./gazeta dita

https://gazetadita.al/perplasja-e-dy-blloqeve-boterore/

Please follow and like us: