Albspirit

Media/News/Publishing

SHKRIMTARI ME MJESHTËRINË E FJALËS MAGJIKE

Intervistë me shkrimtarin Rifat ISMAILI

SHKRIMTARI QË MUND MALLIN, ETJEN, ME MJESHTËRINË E FJALËS MAGJIKE NË KURBET
Maxhun  OSMANAJ
Personazhi i kësaj interviste, shkrimtari Rifat Ismaili (1968) na kujton ca shkrimtarë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, që jetuan, vepruan dhe krijuan jashtë atdheut. Tash e mbi tri dekada, si i ri 23  vjeçar, pas ardhjes së demokracisë dhe vlimeve politike në Shqipëri, pati “fatin”, i ra hise si shumë të rinj, ta lërë vendlindjen, Shqipërinë dhe të mërgojë në Itali. Në Itali pos punës, shfaqi talentin në artin  letrar dhe shpejt u integrua në qarqet letrare duke u mirëpritur nga kritika letrare shqiptare dhe e huaj. Veprat e tij dëshmuan se është mjeshtër i fjalës magjike. Talentin e trashëguar më parë në atdhe duke  shkruar në revista dhe gazeta nuk e la të vyshket, por e farkëtoi dhe e mbolli në arën letrare me pjellori  dhe suksese në zhanre të ndryshme; tetë libra në prozë (dy romane), nëntë libra në poezi, katër libra në  eseistikë, dy libra të përkthyera dhe shumë shkrimtarë e poetë italianë të përkthyer nëpër faqet e periodikëve. Autor i shumë çmimeve, bashkëpunëtor i shumë gazetave dhe revistave shqiptare dhe të huaja, e bëjnë një personalitet që qëndron guximshëm dhe sigurt në sofrën e madhe të letërsisë  gjithëshqiptare. Ai me vullnet të çeliktë dhe opusin e pasur ka sjellë prurje të reja dhe të veçuara në artin  letrar. Për  lexuesit e zellshëm zhvilluam një intervistë dhe shpalosëm shumë gjëra nga shpirti i tij letrar, fisnik dhe njerëzor.
Z. Rifat, ikjen tuaj nga Shqipëria për në Itali si i ri, 23  vjeçar, tashmë e konsideroni si fat apo mallkim?
Rifat Ismaili: Ajo ikje nuk ka se si të quhet mallkim, sepse në kohën kur ndodhi ishte pothuajse një domosdoshmëri.Transformimet e mëdha shoqërore që po ndodhnin në mbarë botën lindore me përmbysjen e komunizmit,izolimi dhe arkaizmi me të cilin ishim përballur prej vitesh, na kishin shkurtuar pikë vështrimin, dhe tani ndjeheshim si ai aeroplani që është gati për nisje por nuk ka pistë të mjaftueshme për t’u ngritur. Hermetizmi dhe mbyllja me të cilën ishim përshtatur, tani nuk i shkonin më për shtat jetës sonë, na dukej si një rrobë e vjetëruar dhe e ngushtuar që duhej hedhur poshtë, për të qepur një kostum të ri, kostumin e qytetarit të lirë, një qytetari të denjë për të qenë në Evropën e zhvilluar një pjesë e respektuar e saj. Ajo ikje krejt e rastësishme mbi kurriz të disa anijeve të vogla drejt Italisë, ishte dhe do të jetë një nga emblemat më të rëndësishme të lirisë. Ka diçka gati mitologjike dhe përrallore në këtë ikje , sikur të ishim udhëtarë të verbuar e të humbur dhe ato anijet, si kuçedra të mëdha me gjuhë të zjarrta të na mbledhin mbi krahët e tyre duke na çuar drejt shpëtimit. Ikja në atë kohë ishte shpëtim. Shqipëria i ngjante atij pyllit që befas i kishte rënë zjarr, dhe të gjitha gjërat e gjalla duan t’i arratisen fatit të tyre të keq. Hyrja e Shqipërisë në një udhë të re do të ishte plot gropa dhe vështirësi, dhe për një si unë mërgimi në kryeqendren e artit italian, në Firence, ishte sikur të më hapeshin dyert e parajsës danteske, dhe të shijoja frutat e ëmbla të kopshtit të Edenit. Asnjëherë dhe kurrë s’ do e mendoj atë ikje si mallkim. Sigurisht, gjatë viteve të gjatë të mërgimit do të ketë vetmi e vuajtje, moskuptim njerëzor, diskriminim, por një shpirt i fortë e rebel di t’u bëjë ballë sfidave dhe të gjejë vendin e vet kudo të ndodhet. Mungesa e identitetit do të jetë një nga plagët më të mëdha të emigrimit, por në këtë rast pajisja me kulturë ndihmon të integrohesh më shpejt dhe më mirë se të tjerët dhe të thyesh gjithë barrierat që janë mes teje dhe paragjykimeve të shumta. U zgjata shumë në shtjellimin e kësaj pyetjeje, por duke qenë intriguese kërkon shpjegimin e duhur. Në kohën kur Shqipëria dhe shqiptarët po kalonin beteja të vështira, të rroje në Firence, edhe pse si emigrant, do e quaja fat të madh. Kisha liri, kisha njē punë që më siguronte të ardhura të mira ekonomike, kisha mundësinë të blija rroba të shtrenjta e të frekuentoja lokale e diskoteka, që për njē njëzet e tre vjeçar janë më se të nevojshme. Që sinqerisht nuk i përbuzja, edhe pse isha një ithtar i flaktë i letërsisë. Koha ime e lirë ndahej midis lokaleve e librarive. Dhe e quaj veten me fat.
Po bëhen gati dyzet vite që i keni hyrë udhëtimit maratonik të shkrimit në gazeta, revista, libra. Opusi juaj tashmë përfshin 23 vepra letrare në zhanre të ndryshme, si e arritët këtë? Mos malli, etja për  vendlindje ju bëri shkrimtar apo vullkani i muzës shpërthen në çdo vend? Ç’mendim keni?
Rifat Ismaili: Letërsia trokiti herët në portën time. Ishte si një avull apo dritë që të përfshin. Dhe të mbush me magji. Natyrisht, letërsia nuk hyn e gjitha brenda teje dhe të pushton. Ashtu sikurse një mace lozonjare fillimisht fut njërën këmbë, pastaj merr guxim për të mbështetur në portë një pjesë të fytyrës, pastaj bën hapin tjetër më të sigurtë dhe vjen të bashkohet me ty në një takim të përjetshëm.
Që në atë moshë fëmijërore unë kisha fituar nofkën “poet”. Një djalë rebel dhe i pabindur, që e kthente së prapthi lagjen dhe shkollën, por kur i qëllonte të merrte një libër në dorë mblidhej sa një grusht dhe hynte në një botē tjetër, të panjohur për të. I kam shkruar vargjet e mia të para rreth tetë apo nëntë vjeç dhe nuk i’u kam ndarë më etheve të të shkruarit. Botimi i parë ka qenë në gazetën ” Adriatiku”, në 1986, një skicë e vogël me titull ” Shëmbëllim pranvere”, në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare, falë dashamirësisë sē poetit të mirënjohur Demir Gjergji, që asokohe punonte atje si gazetar e redaktor. Që prej asaj kohe e më pas botimet kanë qenë të panumërta, nëpër gazeta e revista të ndryshme të vendit, por edhe në Itali e vende të tjera. Në vitin 1997 botoj librin tim të parë me tregime, pastaj vijnë në rradhë të tjerët duke e bërë më tē bukur ekzistencën time. Pra, nuk është vetëm malli për vendlindjen dhe atdheun, mungesa e të afërmve dhe e të folurit shqip që më ka shtyrë të shkruaj, por diçka ende më e fshehtë, e pazbuluar, dhe që s’ ka shpjegim. Do të thoja thjeshtë dashuri. Siç ndodh mes dy njerëzve. Unë dhe letërsia? Mbase, dashuri me shikim të parë.
Opusi juaj letrar duket i balancuar; sa jeni prozator, aq dëshmoni poet, sa eseist po aq  përkthyes, si e shpjegoni këtë?
Rifat Ismaili: Çdo gjë ka ardhur vetë, pa e kërkuar. Fillimisht vijnë flladitjet e para nga leximet, të pushtojnë trurin heronjtë, disa prej të cilëve kanë për të të shoqëruar gjithë jetës. Në këtë aventurë të re kurioziteti dhe imagjinata, janë si ato shkarpat e thata, që do jenë ushqim për zjarrin që do të ndizet brenda shpirtit tënd. Dhe etja për të nxjerrë jashtë vetes ndjenjat, do vijë papritur si rrebesh shiu dhe do të të shkundë,hutojë e magjepsë. Në fillim vjen poezia, me vargje të ndrojtura dhe e pakrehur si një bukuroshe e porsa zgjuar. Pastaj bulëzojnë skicimet e para, rrëfimet, copa ditarësh. Në kohën e adoleshencës gjithsesi kisha një repertor të pasur poetik, disa skica dhe tregime dhe ndonjë ese… Para se të shkoja në Itali, vitet 89, 90, kam shkruar dhe librin e parë për fëmijë me dhjetë përralla, me titull “A ka lule në dimër”? të cilin e çova gjithë merak pranë shtēpisë botuese “Naim Frashëri”, i cili m’u kthye mbrapsht me recensa të mira, por që s’ mund tē botohej për mungesë letre e boje, ishte koha kur regjimi po jepte e merrte me grahmat e fundit. U botua në Prishtinë në 2021, pas 30 vjetësh, me titullin” Ëndrra e kalorësit, i kuruar e me parathënie nga poeti e shkrimtari i mirënjohur Sheremet Prokshi. Pra, vetë procesi i të krijuarit , në qenësinë e saj kërkon forma e enë të ndryshme për t’u zbrazur, dhe unë i kam përdorur të gjitha gjinitë letrare për të shprehur ndjenjat dhe mendimet e mia, prozën e shkurtër, prozën e gjatë, esenë, studimin filozofik, poezinë, kritikën letrare, publiçistikën e përkthimin. Dhe në të gjitha këto zhanre ndjehem mirë, dhe i pa sforcuar. Çdo teknikë apo formë shkrimi është një terapi e mirë dhe e qëndrueshme për ti shërbyer mendjes dhe qëllimeve të tua.
Në veprat e tua hetohet mungesa e atdheut, por këtë e përmbushni me një dashuri dhe fisnikëri në çdo  vepër  letrare. Sa ndikon mungesa e atdheut për një krijues që është “rritur” dhe po piqet artistikisht në  dhè të huaj, në Itali?
Rifat Ismaili: Mungesa e atdheut êshtë një plagë që kullon përherë gjak të freskët e dhimbje. Është dobësia e çdo njeriu, sidomos e një poeti që njihet për ndjeshmërinë e tij. Eshtë si kēmba e Akilit , ku fati s ‘ të mbron nga denigrimi shoqëror apo humbja e identitetit. Pjesa jote delikate, dhimbja, shpirti. Gjithçka është vendlindja dhe atdheu, dhe ti shkrimtar e poet, s’ ke si të mos e reflektosh këtë nëpër shkrimet e tua. Kjo mungesë e padurueshme është si një pasqyrë qē e ke përballë, dhe të verbon me klithmat dhe zêrat prej sirene që shfaqen si të gjalla përpara teje. Atdheu është dashuria e papërmbushur,është si gruaja e dashuruar , është si nëna që të mëkon me gji. Ashtu sikurse asnjë tjetër s’ mund të të bëhet nënë sa nëna jote, ashtu edhe një vend tjetër, sado mikpritës dhe me shpirt bujar s’ mund të të zërë vendin e atdheut. Gjithësesi, tërë këto vite në emigrim, integrimi në jetën italiane, përzierja e kulturave dhe shkrirja me njëra-tjetrën , i zhvendosin gjithnjë e më shumë hendeqet dhe i japin përparësi një mënyre jetese , të konceptuari dhe të menduari ndryshe, të përparuar e kozmopolite. E cila reflektohet edhe në letërsinë që shkruan.
Vëllimi poetik “Kështu të dua” është një sintezë e mallit të përvëluar, pra një parabolë në mes atdheut  dhe një të dashure pa emër, qoftë reale apo të imagjinuar. Qëndron ky konstatim?
Rifat Ismaili: Sigurisht konstatimi juaj është mëse i drejtë. Siç thamë dhe më lart atdheu është pasqyra që mbartim brenda vetes dhe e shpiem gjithandej. Ajo është e mbështjellë me dashuri sublime, dhe kjo ndjehet brenda vargjeve të mjaft poezive. Dashuria për atdheun është edhe mbajtja me thonj e me shpirt pas identitetit, tashmë të një identiteti të cunguar e të mohuar. Kjo dashuri është e brishtë dhe e pafajshme dhe i ngjan dashurisë për vajzën e ëndrrave, reale apo e imagjinuar, që bën fole si një zog nē kokën tënde dhe u jep kuptim ditëve të mërzitshme e boshe. Shumë prej poezive të librit janë shkruar në çaste dialogimi të brendshëm me veten, në paralelizëm me botën përreth, që nuk i përmbush ndjesitë dhe kërkesat e një shpirti romantik e të trazuar. Duke qenë se shumë prej poezive janë shkruar rreth viteve ’90, ndjehet edhe bardhësia e shpirtit të një të riu emigrant, e rënduar nga një vetmi e pashpjegueshme që i ka rënë për pjesë e që duhet ta përballojë, në emër të mirëqenies , mbase të njē mirëqenieje paksa të rreme, sepse emigrimi si realizoi kurrë dhe nuk i plotësoi asnjëherë pretendimet dhe ëndrrat e një të riu e poeti idealist.
Në prozën tuaj për të rritur, ju prekni fatin e mërgimtarit, tërthorazi, me dramat që e rrethojnë. Proza  juaj shquhet me dy veçori, përshkrimi dhe rrëfimi që i japin fabulës intriguese një narracion dhe  kompozicion të pranueshëm në strukturën prozaike, pra janë atribut i fabulës mjeshtrore. Pajtoheni me  këtë mendim?
Rifat Ismaili: Jeta është si një laborator gjigant ku në çdo çast farkëtohen mendimet, filtrohen, siten dhe çka mbetet shërben si lëndë për të plazmuar veprat e tua letrare. Çdo tregim e merr impulsin nga jeta, pastaj në tru elaborohet, shndërrohet, që të marrë trajtën e strukturën që dëshirojmë. Ashtu sikurse një dru gdhendës apo gur gdhendës punojnë me drurin dhe gurin, duke e detyruar atë të ” dorëzohet e të shtrohet” dhe të marrë formën që ata me mendjen e tyre kanë përcaktuar. Brenda tregimeve të mia, s’ kishte si të mos ndjehej fati i mërgimtarit, por edhe fati individual i njeriut në lidhje me kolektivitetin apo shoqërinē ku jeton. Mbase edhe tek tregimet e mia ka diçka nga bjerrja e Bukovskit dhe zvetënimi e lodhja e shoqërisë ku jetojmē, edhe pse në pamje të jashtme të verbojnë fasadat e ndritshme dhe premtimi për një jetē ëndrre.
Ka mbi gjysmë dekade që ua lexoj shkrimet e tua – veprat e tua, posaçerisht ato për fëmijë në prozë dhe poezi, meqë jeni anëtar i redaksisë së revistës “Zog mëngjesi” në Prishtinë. Fabula juaj intrigon këndshëm, nxit lexuesit e vegjël, pëlqehet shumë. Ku qëndron çelësi magjik i shkrimeve të kësaj moshe?
Rifat Ismaili: Pas një shkëputjeje mjaft të gjatē me letërsinē për fëmijë, ky pasion u rindez përsëri pas botimit të librit “Ëndrra e kalorësit” dhe takimit me disa shkrimtarë elitarē që lëvrojnë letërsinē për fēmijë, njëri prej tyre jeni edhe ju miku im i respektuar Maxhun, apo Sheremet Prokshi e të tjerë, ku me shumë dashuri aderojmë edhe në redaksinë e revistës për fēmijë “Zog mëngjesi” duke dhënë kontributin tonë modest për t’ua bërë jetën fëmijëve akoma mē tē bukur. Prej asaj kohe dhe nxitjes së këtij bashkëpunimi janë ngjizur me dhjetëra poezi të reja, përralla e tregime, dhe janë botuar dhe presin të botohen të tjerë libra për fëmijë. Në këtë kohë, anija e madhe e poezisë ka ndalur dhe ka ulur velat, ndërsa letërsia për fëmijë ka marrë prioritet. Në këtë moshë, kur ke kryer një pjesë të mirë tē eksperiencës tënde jetësore, rikthimi tek letërsia për fëmijê, eshtë si rikthim në pafajësi, si të rinohesh, si të motivohesh e të rimarrē çdo gjë kuptim të dyfishtë.
Lexuesit ju njohin edhe si përkthyes. Keni përkthyer në shqip Bukovskin, Skarmeton dhe shumë poetë  italianë; pra zotëroni edhe gjuhën italiane. Si arritët ta mësoni “zejën” e përkthimit?
Rifat Ismaili: Edhe përkthimi është si një ngacmim dashurie. Autorët e preferuar janë si një far në det stuhie, ata të udhëzojnē destinacionin e duhur. Përkthimi është një punë që do mund e përkushtim,dhe do vetmjaftueshmēri paraprake mbi gjuhën qē do lëvrosh. Një tekst që duhet të lidhesh me mendje e me zemër e ta ndjesh si krijesën tënde, në mënyrë që edhe shqipërimi të vijë i natyrshēm e t’i përshtatet shijeve më të holla të lexuesit! Shpesh kur lidhesh në mënyrë të pazgjidhshme me një tekst, që bëhet një nga tekstet e jetës tënde, përcjellja edhe tek tē tjerët të bëhet një impuls instiktiv. Duke lexuer Borgesin apo Nerudën, menjëherē të shkon në mendje t’i përshtatësh e t’i bësh të prekshëm dhe për të tjerët për të ndarë së bashku me ata, të njejtat ndjesi dhe emocione.
Është  më lehtë  të jesh përkthyes  kur  jeni vetë  krijues-shkrimtar  apo  përkthimi  kërkon  një  penë  të regjur  të  sprovuar?
Rifat Ismaili: Në të dyja rastet duhet impenjim dhe vetëmohim. Dihet që përkthimi kërkon durim,të ulesh përballë makinës së shkrimit dhe fjalorëve të trashë dhe ta zbërthesh fjalë për fjalë tekstin. Kur je vetë krijues, çdo krijim që merr në dorë e lakon dhe e gdhend me dashurinë dhe zellin prej krijuesi, por po të mos kesh përvojën e duhur , vepra e përkthyer mund tē dëmtohet. Por edhe në rastet kur kemi të bëjmê me përkthyes të sprovuar, një lexim dhe përkthim mekanik i tekstit mund ta zbehë atë dhe të mos përcjellë emocionin e duhur tek lexuesit. Kështu që e mira e të mirave do ishte të jesh krijues por edhe një njohës i mirë i gjuhës.
Si arritët të integroheni në qarqet letrare, italiane? Vullneti, pasioni apo talenti?
Rifat Ismaili: Nëse flasim për integrim, unë mendoj se asnjē autor, sado i përfolur dhe i botuar nuk është kurrë i integruar plotësisht. Kohët evoluojnë, dhe lexuesi ndërron e ndryshon. Kështu të bërit letërsi është një sprovë, njëlloj si me atë boksierin që çdo herë në ring do të përpiqet të mbrojē vendin e nderit dhe titullin kampion. Italia eshtë nje vend që i mirëpret artistët e shkrimtarët, dhe unë jam njëri mes tyre, qe me pjesëmarrjen time modeste përpiqem të jap kontributin tim letrar e njerëzor.
Ç’është shkrimi për ju: plotësim shpirti, ëndërr jete apo udhëtim drejt së panjohurës apo drejt  lumturisë?
Rifat Ismaili: Të treja së bashku, duke u alternuar sipas vendit dhe kohës. Sa vjen e kjo ëndërr po kthehet në realitet, e panjohura po zvogëlohet dhe zhduket dhe ajo që mbetet ende është të shkruarit si plotësim shpirti, si terapi për ta mbajtur larg kotësinë e kësaj jete prej vetes,për të mbajtur larg njerëzit e kotë, vanitetin dhe plogështinë.
Ka  mbetur  edhe  shumëçka pa ju pyetur, por le  të ju flasin veprat e reja. Faleminderit  dhe suksese! 
Rifat Ismaili: Faleminderit juve që më dhatë mundësinë të zbraz enët e shpirtit të mbushura plot e përplot me elizirin e përditshmërisë dhe me artin , dhe kjo zbrazje e vetes do i japë mundësinë dikujt që do më lexojë të përthithë shumë dashuri për letërsinë dhe energjinë time pozitive!
Merano, shtator 2023.
Please follow and like us: