Behar Metohu: RRUGICA E ARTË
Tregim
Kur ai ia kishte ngulur sytë me një vështrim të veçantë dhe e kishte prekur lehtë tek supi ashtu si padashje, ajo ndjeu për herë të parë një rrënqethje, të cilën nuk donte kurrë ta mendonte se midis atij dhe saj kishte diçka që nuk ishte shprehur kaq drithmërisht. Në fakt ajo kurrë nuk ishte përpjekur, që Kolin ta shikonte si një të veçantë nga të gjithë shokët e tjerë të fakulteti. Por, atë ditë ndërsa po zbrisnin shkallët e ekonomikut dhe po i drejtoheshin portës së daljes, supet e tyre u ngjeshën një moment si në një përthithje magneti dhe sytë u shkëmbyen automatiksht. Aty, në atë moment, ajo dalloi një vështrim ndryshe nga herët e tjera. Pse kështu? Pyeti vehten. Ishin muajt e fundit të fakultetit, do të merrnin diplomat dhe me emërimet ndoshta shumë të vështirë do të kishin për t’u takuar përsëri. Ndoshta kjo ndarje… kishte krijuar keqardhjen për shoqërinë e krijuar dhe këtë moment të ndarjes së afërme nuk donin ta përjetonin shpejt.
Kishin kaluar shumë vite nga vitet ’90 dhe studentët kishin fituar një liri të paprovuar më parë. Ishin shembur idhuj e koha po lejonte njerzit të lëviznin shpejt në një rrugë të re.
Ajo ngjiti shkallët e apartamentit ku jetonte dhe duke trokitur në derë rikujtoi vështrimin e Kolit dhe si e përhumbur u fut në dhomën e saj.
Kur erdhi babai në shtëpi Klodi doli nga dhoma e saj. Ata shkëmbyen vështrimet. Ai dukej pak i lodhur dhe i mërzitur. Ai pa se mbi tryezë asgjë nuk ishte gati dhe vështroi të bijën i merakosur. Ajo kishte ndalur vështrimin pranë këndit, ku në murr ishte e varur fotografia e prindërve të saj në ditën e martesës. Ajo qëndronte e ngrirë dhe e menduar përballë fotografisë. Velloja e fustanit të nusërisë u shkri në syrin e saj të shqetësuar.
– Pse nuk ke ngrënë drekë akoma? – i tha i ati.
– Ja tani baba, ham bashkë, – dhe i buzëqeshi.
* * *
Ditën e diplomimit ajo ndjeu gëzimin e një dite të shumëpritur. Në darkë të gjithë studentët dhe disa nga pedagogët kaluan natën e ndarjes së madhe. Qeshnin dhe bisedat me shakatë e pafundme kaluan orët e asaj mbrëmjeje. Në sfond dëgjohej muzika, që përcillte orkestra e lokalit me repertorin e ri të këngëve, të kohës nga vendet perëndimore, por edhe ato shqiptare. U kërcye napoleoni dhe vallzimet rrok. Koli ishte jo shumë afër saj në tavolinat, por disa herë në distancë shkëmbyen vështrimet. Vonë kur u njoftua se do të ishte kërcimi i fundit, salla mbeti me tavolinat e zbrazura. Vetëm ata të dy kishin mbetur pa u futur në kërcimin e fundit. Ai e vështroi ngultazi dhe i buzëqeshi. Ajo uli kokën dhe ngriti pak pëllëmbën e dorës, si shenjë përshëndetjeje. Pastaj ai u ngrit dhe i shkoi pranë. Zhurma e orkestrës nuk e lejoj atë të dëgjonte qartë. Po nuk duheshin shumë fjalë. Ata u bashkuan me turmën e studentëve të tjerë. Ajo ndjeu se dora e tij e vendosur në belin e saj po e tërhiqte gradualisht pranë tij. Ata vazhduan të kërcenin deri në fund. Fustani i bardhë prej mendafshi i solli nxehtësi dhe ndjeu vapë. Ajo donte të dilte jashtë dhe ai e kuptoi. Në një stol u ulën të dy. Yjet e asaj nate shkëlqenin dhe hëna ishte e plotë.
– Do të takohemi përsëri? – mori ai guximin i pari të pyes. Ajo heshti dhe vështroi flokët e tij kaçurrel. Ajo nuk dinte ç’të thoshte.
– A takohen yjet? – pyeti ajo dhe vështroi yjet e natës që vezullonin.
Ai qeshi dhe i kapi dorën butësisht.
-Nuk e di… por dy gjëra që… duhet tërheqin njera-tjetrën, – edhe ai ishte mjaft konfuz dhe heshti duke vështruar yjet.
Nga larg orkestra vazhdonte shoqërimin e kërcimit të fundit. Një fllad i freskët po vinte nga mali i Dajtit.
* * *
Atë ditë që morri diplomën,ajo u përlot. Ai e pa nga larg aty tek salla, ku u shpërndan diplomat. Ajo ishte drejtuar nga dritarja dhe vështronte njerzit poshtë ndërtesës. Koli i vajti pranë. Ai u bë mjaft kurioz për ta pyetur pse ishte përlotur. Mos vallë kishte të bënte me të?
– Çfarë ke Klodi? – e pyeti ai me gjysëm zëri, – Pse po qan? Ti sot duhet të jesh më e gëzuar se kurrë.
Ajo u kthye nga ai përballë dhe i tha:
– Më mungon shumë… – dhe heshti. Ajo i vuri dorën në krah. Ata dolën të dy dhe shkuan në pastiçerinë aty pranë ku shpesh hanin akullore.
– Kush të mungon? – pyeti Koli, si për të lidhur dy momentet pas një heshtjeje. Ajo ishte ulur në tavolinën pranë trotuarit nga ku kalonin mjaft njerëz. Në dorë mbante diplomën. Ajo uli sytë dhe vuri re se një pikë loti kishte rrëshqitur mbi të. Psherëtiu.
– Ju thatë, se dikush ju mungon… po kush?- ripyeti Koli gati në ankth.
Ajo e kapi nga dora duke e parë në sy fort.
– Dua t’ju them… – por, ajo uli kokën dhe përsëri gati në dënesë, belbëzoi:
– Mamaja ime…
Ra heshtje. Dora e saj rrëshqiti mbi tavolinë duke shtrënguar diplomën.
– Po pse? – pyeti më tej djali tashmë pak i trullosur dhe i mërzitur, pasi priste diçka tjetër.
– Nëna ime… Në këtë ditë doja t’i sillja gëzimin. Ajo është larg dhe nuk e di kur kthehet.
* * *
Në fakt jo më shumë për paraqitjen krejtësisht të veçantë të saj, por për aq sa shfaqej kudo, ajo kur kalonte në rrugët e Tiranës, doje s’doje o do të stepeshe prej shembulltirës së saj dhe do të ktheje kokën edhe pas për t’a shoqëruar me vështrim kureshtar, o ndryshe nuk ndodhte. Kështu i ndodhte jo vetëm meshkujve e në mënyre të veçantë djemve në moshë, por dhe vajzave të reja, që në çast u lindte kurreshtja dhe më pas një zili e përzjerë me xhelozinë. “Uauuuuu… sa e bukur”?! – do t’u dilte pa dashur nën zë”. “Oh zot… sa e dashke këtë krijesë”!
Këto mendime i vinin në kokë sa herë e kujtonte Klodin. Ajo ishte rritur në sytë e tij, por zhdukja ishte goditëse për të… Shtëpia e tij ishte shumë afër nga shtëpia e saj. E kishte ndjekur me syrin e kureshtarit ecurinë e saj, por jo vetëm si ish shok gjimnazi, por edhe në fakultet. Nuk e harronte atë mbrëmje të largët të diplomimit, atë afrim, ajo lidhje, që sapo filloi, e cila u shkëput pa pritur e kujtuar. Ajo nuk e takoi më. Ai nuk e pa të dilte nga shtëpia e saj asnjëherë. Më vonë, mësoi se kishte ndrruar shtëpi. Në hyrjen e pallatit të saj u shfaqën të tjerë njerëz. Numri i telefonit të saj ishte ndrruar. E kishte kërkuar, por rutina ditore kishte shpërqendruar vëmendjen dhe tashmë që ajo punonte në një nga bankat e njohura në Tiranë, ai nuk e kishte mësuar akoma.
* * *
Mbas gati një viti, një ditë tek dilte nga banka, diku pranë “Librit Universitar”, tek shkallët u ndesh me fytyrën e saj të bukur. Ishte ditë me një shkëlqim dielli marramends. Flokët e saj të zezë dhe fytyra e bardhë, e cila u shfaq më e plotë me heqjen e syzeve të mëdha të diellit, ndriçonin verbues. Sytë e tyre ndeshën peshën e vështrimit vërtetë marramendës dhe të dy ngrin në çast përballë njeri-tjetrit.
– Klodi ? – belbëzoi ai.
– Po, unë jam Koli. – tha ajo fare lirshëm dhe i buzëqeshi. – Unë tani punoj këtu, tha ajo duke shkëputur vështrimin nga sytë e tij, tek hyrja e njesisë bankare, ku po hynin e dilnin mjaft njerëz. – Ti çfarë bën?
– Jam tek një kompani gjermane dhe jam mjaft i kënaqur,- u shpreh shpejt ai. – Ty nuk të kam parë që nga koha e diplomimit.
– Koli, – i tha ajo duke e prekur tek supi, si në kohën kur ishin në fakultet, – do të takohemi, – vazhdoi ajo duke nxjerr nga çanta e zezë e dorës diçka.- Mund të merrni kartën time, ku keni numrin e celularit dhe adresen e email. Unë sapo jam kthyer nga një specializim në Austri dhe kam rifilluar këtu.
Ajo buzëqeshi pak, duke rinxjerë bukurinë shpirtërore, që ia njihnin të gjithë dhe ia lakmonin për ta patur pranë sa herë që të mund të ishte e mundur. Ajo ju afrua më pranë, i la në dorë kartën dhe u përqafuan, si dikur studentë, pa ndonjë arësye tjetër të veçantë, thjesht si shokë të vjetër.
Ai mbajti kartën fort dhe ndjeu aromën e parfumit të saj pas përqafimit të lehtë. Ai kuptoi mjaft, se specializimi në Austri kishte ndryshuar shumë jetën e saj. Veshja elegante dhe trajtimi fizik kishte transformuar bukurinë e saj natyrore sipas modeleve të kohës, duke u bërë edhe më tërheqëse. Atij i mbetën në vesh akoma kërcitja e takave të këpucëve elegante në pllakat e shkallëve, që i ngjiti me një ritëm mjaft të prerë e të shpejtë.
* * *
Ishte fundtetori dhe vjeshta po ndjehej me larshmërinë e ngjyrave kafe e të verdha të gjetheve të pemëve duke i dhënë rrugëve të Tiranës një brez të artë vezullues, që ngacmon fantazinë, sidomos të artistëve të penelit për tabllo si të Rembrandit apo të Van Gogut. Ai ishte ulur në kolltukun pranë dritares dhe duke parë rrugicën që të dërgonte tek pallati saj i dikurshëm, vuri re se pemët përreth kishin rrëzuar gjethet e para, të zverdhura mbi trotuar. Dielli perëndues i ditëve të tetorit, i jepte një shkëlqim të artë verbues rrugicës. Ai shpesh e mendonte… Ja aty… në ato pllakat e tortuarit gjatë gjithë vitit, pranverë, verë e vjeshtë si këto ditë, por edhe në dimrin e acartë, kishte shkelur ajo…dhe kuptoi se për herë të parë i mungonte mosprania e saj. Po, sa djem e meshkuj mund të kishin rënë në dashuri me të? E gjithë qenia e saj përcillte një dhimbshuri, afrimitet, një ngrohtësi mirësie, krahas bukurisë truprore duke e kthyer në një idol artisteje e hollivudiane.
Ai shikonte rrugicën, që po zinte muzgu i mbrëmjes dhe ndjeu një si drithërim në trup duke ndjerë të ftohtën e parë, pas disa muajsh të ngrohtë të verës. Vetmia e kishte topitur në një heshtje të frikshme ndërsa qëndronte tek dritarja dhe hidhte vështrimin e tij nga rrugica e mbushur me gjethet e verdha të vjeshtës. Disa hapa të nxituara prej takash që kërcisnin mbi trotuarin poshtë ndërtesës së tij, i solli në mendje atë ditë kur pas shumë kohësh kishte takuar Klodin. Nxorri portofolin dhe midis kartave dalloi atë të Klodit. Mendimet e dërguan tek vendosja e gishtave mbi celular. Kërkoi numrin e saj. Kaloi tek mesazhet dhe shkroi: “Gjethet e para po bien mbi tortuarin ku ti kaloje nga rrugica ime, ajo është e artë si shkëlqimi yt nën rrezet e diellit…”, por këtu ngeci dhe nuk dinte si të vazhdonte. Iu duk vetja se po shkruante budallallëqe. E fshiu mesazhin dhe i shkruajti thjesht. “Klodi uroj të jesh mirë” dhe pa e menduar gjatë shtypi butonin. Mesazhi iku. Ai mbylli telefonin dhe hodhi sytë nga rruga. Priste t’i kthente një përgjigje. Buzëmbrëmja sapo kishte mbrritur. Llampat e rrugës u ndezën.
Kur u zgjua në mëngjes vuri re se ajo i kishte shkruajtur një mesazh: “Jam mirë Koli, por e zënë me mjaft punë. Ndoshta takohemi…”. Ora e dërgimit ishte dhjetë e pesë minuta e mbrëmjes. Ai kishte qenë mjaft i lodhur atë ditë dhe gjumi e kishte mbërthyer para kthimit të mesazhit të saj.
* * *
Kur u takuan pas disa ditësh ata preferuan bar Mullirin tek ishBlloku. Ai e njihte tipin prej çapkëneje të hedhur, por mjaft gazmore, kur ishte në fakultet. Ajo kishte një natyrë mjaft të çiltër dhe shpenguese. Nuk preferonte të hynte në shpjegime veprimesh dhe as paragjykonte veprimet e të tjerëve. Por, marrëdhënia në punë ndoshta e kishte ndryshuar disi natyrën e saj të shpenguar. Kjo dallohej qartë që nga veshjet, të cilat ishin më të menduara dhe sipas modeleve të kohës, ku anonte në finesën e shijes serioze. Kjo gjë sikur e stepi, e trembi kur e pa atë ditë tek banka. Ndërsa tani që e kishte përballë nuk po i besonte syve se në fytyrën e saj dominonte serioziteti.
– Çfarë do të pish? – theu ajo heshtjen e para.
– Një kafe me pak ujë- u përgjegj Koli.
– Unë do të marrë një limonatë – foli e qetë dhe i buzëqeshi. Ajo e nisi bisedën me kujtimet e fakultetit duke pyetur për shokët e shoqet e kursit, se ku ishin emëruar dhe kujtuan mjaft nga episodet e tyre gjatë viteve të studimit. Në një moment, ai hodhi fjalën tek dita e diplomimit, kur ata ishin afruar më shumë se kurrë gjatë katër viteve të studimit.
– Isha e lumturuar se atë ditë mezi e kemi pritur, por më mungonte mamaja. Ajo kishte shkuar ne Greqi me tezen dhe nuk arriti të kthehej ato ditë. Kaq gjë ishte…- dhe befas ajo u bë shumë serioze në atë moment dhe tha: – keqkuptimet dhe ngatërresat ndodhin, por unë atë ditë desha ta gëzoja së bashku me të dy prindërit e mi.
Ai nuk shquhej për të depërtuar në psikologjinë e bashkëbiseduesve, por tek fytyra e Klodit vuri re një shqetësim, që ajo e kishte të mbarsur prej kohësh, por ai tani po e vinte re. Kjo ndoshta kishte ndikuar në ndryshimin e sjelljes së saj, nga një vajzë moskokçarëse dhe e çlirte, në një person të menduar dhe më e matur në veprimet e saj.
Ata u ndan me një përqafim para buzëmbrëmjes, kur lokali po mbushej me mjaft të rinj e të reja. Ai dalloi se përqafimi nuk kishte aromën e parfumit tek zyrat e bankës dhe në këmbë ajo kishte veshur këpucë të thjeshta dhe jo me taka të larta. Ai kuptoi se ajo e vuante largimin e viteve të vajzërisë së dlirtë dhe futjen në një jetë më komplekse dhe serioze. Këtë gjë ai e kishte ndjerë edhe tek vetja e tij, se gjërat po ndryshonin me të njejtin seriozitet si tek Klodi. Pas atij takimi ata i shtuan komunikimet me mesazhe dhe përqafimet e buzëmbrëmjeve krijuan një besueshmëri dhe domosdoshmëri për njeri-tjetrin. Ajo sikur rikthehej në vitet studentore sa herë që takohej me të. Por, edhe ai ndjente të njejtën gjë….
Ai ngjiti shkallët e pallatit të tij dhe ndjeu sikur pallati përballë ku jetonte dikur Klodi kishte ndrruar përsëri banorët e tij. Ai ndjeu se kishte atë përsëri pranë, vetëm rrugica me pemë dhe dekor gjelbrimi i ndante, ku gjethet bien apo çelin sythe.
6 nëntor 2023, VANDERBILT NAPLES FLORIDA.