Albspirit

Media/News/Publishing

Një shëtitje rrëfimtare në të kaluarën dhe të tashmen

Adil Olluri

(Parathënia e romanit “Dritarja e Martin Shkrelit” të shkrimtarit Ndue Ukaj, botuar nga “Onufri”, Tiranë, 2023)

 

Ndue Ukajn e kam njohur si poet të mendimit të thurur bukur, autor të tregimeve të krijuara me gjuhë të figurshme dhe si një publicist që përballët me njëmendësinë, ndërsa nga sot e tutje e njoh edhe si romancier në ardhje që na shëtit në të kaluarën e afërme dhe në të tashmen e vendit tonë.

Romani i tij i ri “Dritarja e Martin Shkrelit”, të cilin pata kënaqësi ta lexoj në dorëshkrim, është një ngrehinë stilistike, mendimtare dhe tematike që i flet në mënyrën më të mirë njeriut të sotëm shqiptar të Kosovës. I flet për të kaluarën e mynxyrtë, tragjike e të tmerrshme dhe për të ardhmen e pasigurt dhe të mjegullt të vendit tonë.

“Dritarja e Martin Shkrelit” nis me një fillim tronditës dhe mbaron me një fund tragjik, që për mendimin tim janë dy pikat më kulmore të rrëfimit artistik të Ndue Ukajt. Fillimi i romanit është i vendosur në një hapësirë pranë ambasadave të huaja dhe me një grup të rinjsh që doemos dëshirojnë të ikin sa më parë nga Kosova. Kohësisht fillimi i romanit vendoset shumë vite pas luftës në vendin tonë, por që realisht është fundi i fabulës dhe rrëfimit të Martin Shkrelit, një krijues dhe kontribuues për lirinë e vendit të tij, që tronditet me dëshirën e pakompromis të të rinjve për ta braktisur sa më parë, në çdo çast e në çdo rast, Kosovën, për të cilën ky kishte sakrifikuar shumë. Një gjë të tillë protagonisti i romanit nuk e përjeton aq lehtë, meqë sheh një pasiguri, mungesë shprese dhe busulle që shpi drejt një të ardhme të ëndërruar vite më parë nga ai.

Fundi i rrëfimit të romanit na dërgon te drama tragjike e luftës, te përdhunimet e grave shqiptare të Kosovës, një plagë shpirtërore e përshkruarve mjaft bukur nga ana e shkrimtarit Ukaj. Viktimë e përdhunimit është Diana, e dashura e Martinit, e cila jeton me e vrarë shpirtërisht edhe për një kohë të gjatë pas aktit makabër.

Në planin e rrëfimtarisë, romani i ri i Ndue Ukajt na shfaq një gërshëtim në mes të formës së rrëfimit objektiv, ku rrëfimtari është i gjithpranishëm dhe di shumë gjëra rreth personazheve dhe botës së tyre dhe në mes të një rrëfimi personal, që vërehet te letrat e Martint dhe çastet e tij përsiatëse, ku duket se ai kalon nga pozita e personazhit në atë të rrëfimtarit. Një gërshëtim i realizuar mjaft mirë. Rrëfimtaria e Ukajt është drejtvizore dhe kauzale, ku një situatë e prodhon tjetrën, ku një veprim personazhi e prodhon tjetrin. Në këtë aspekt, është një rrëfim i këndshëm për lexim, meqë e shëtit lexuesin nëpër kohë, ambiente e rrethana e ndodhi.

Për mendimin tim, romani “Dritarja e Martin Shkrelit” i shkrimtarit Ndue Ukaj është i rëndësishëm për dy arsye. Së pari, është një roman i personazhit, si nënlloj letrar, i skalitur mjeshtërisht me të gjitha tiparet dhe aspektet e karakterit të kryeprotagonistit, Martin Shkreli, rreth të cilit e për të cilin, flitet në këtë roman. Personazhi në fjalë është i ndërtuar në plotninë e tij, i realizuar me të gjitha shenjat karakterizuese të një subjekti vëzhgues, veprues, përjetues dhe mendimtar. Pra, kemi të bëjmë me një personazh me katër elemente thelbësore (vëzhgimi, veprimi, përjetimi, mendimi), që i përplotësojnë karakteristikat e një protagonisti të thurur në plotninë e tij, gjë që dëshmon për një pjekuri letrare dhe rrëfimtare të shkrimtarit Ukaj.

Romani “Dritarja e Martin Shkrelit” i flet lexuesit të sotëm për një periudhë mbi tridhjetë vjeçare të ecejakeve të njeriut shqiptar të Kosovës, që nga fundi i viteve të 80-ta të shekullit të shkuar deri të fillimi i dhjetëvjeçarit të tretë të këtij shekulli. Njeriu i këtij vendi është përballur me ngjarje e të bëma të tmerrshme, që për të rioshin e sotëm as që mund të merren me mend, sepse jeton në një kohë ku liria është e mirëqenë dhe e nënkuptueshme, duke mos e vrarë mendjen se një gjë e tillë është arritur me një përpjekje madhore dhe sublime të gjeneratave të ndryshme në Kosovë. Njeriu i Kosovës është përballur me mohimin e lirisë së plotë, me zvetënimin, përçudnimin, shkeljen e dinjitetit gjatë viteve të 90-ta të shekullit XX, kur të qenët shqiptar i Kosovës ishte gjë e mjaftueshme për t’u dënuar, për t’u rrahur e për t’u vrarë nga regjimi pushtues dhe kriminal i Millosheviqit. Në të roman përshkruhet mirëfilli kjo periudhë e robërimit klasik të një populli. Po ashtu, në këtë roman të Ukajt, me një gjuhë të pjekur artistike, flitet edhe për luftën e fundit në Kosovë, e cila shkaktojë krime, tmerre dhe tronditje të mëdha në shpirtin e njeriut kosovar. Vrasjet, përdhunimet, shkatërrimet e njëmendta janë në sfond të këtij romani, meqë rrëfimi i tij kryekëput lidhet me protagonistin kryesor, Martin Shkrelin, dhe orvatjen e tij për ta parë sërish të dashurën e tij, Dianën e bukur. Ai dëshiron që ta shoh sërish, ta shoh të gjallë dhe të kujdeset për të. Synim kryesor i Martinit është që ta gjejë atë gjallë, ta shpëtojë dhe të vazhdojë tutje me dashurinë për të. Dashuria është shumë e fuqishme, madje më e fuqishme se lufta dhe tmerret e saj. Vullneti për të jetuar, për të qenë gjallë, e për të qenë i lirë, kanë qenë busulla të Martinit dhe martinëve të tjerë kosovarë që kishin ideale dhe motive të epërme në kohën e robërisë. Ndërkaq, dy dekada pas ardhjes së lirisë, Martini e sheh njeriun e sotëm kosovar të katandisur si mos më keq, si një qenie pa shpresë, pa vizion, pa ëndrra për të ardhmen në vendin e tij dhe pa busulla të qarta orientimi.

Ky roman i Ndue Ukajt ka situata mjaft interesante e mjaft të veçanta, të cilat na bëjnë të mendojmë dhe ta kthejmë kokën pas për të parë se ku kemi qenë dhe ku jemi sot. Sa për ilustrim, dua ta përmend vetëm njërën prej tyre. Disa pjesëtarë të milicisë serbe tallen me një të moshuar në sheshin e Prishtinës, luajnë me plisin e tij, ia hedhin në tokë, ia shkelin me këmbë dhe e urdhërojnë që ta vëjë sërish në kokë dhe për disa minuta e urdhërojnë që ta bëjë të njëjtën, duke i përsëritur të njëjtat veprime, që për shumëkë sot ngjajnë me gjëra absurde, por që gjatë viteve të 90-ta ishin të njëmendta dhe të ndodhshme shumëherë. Më tragjikja e kësaj situate është se askush nga qytetarët e Prishtinës nuk guxon t’i vihet në ndihmë plakut, përkundër që ndjejnë dhimbje për të. Aq shumë ishte e instaluar frika nga dhuna e përditshme, sa që është tejet e vështirë të merret sot me mend.

Martini i sheh, i përjeton dhe pëpjeket e vepron në të gjitha ngjarjet nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë. Andaj, unë si lexues i këtij romani kisha rastin që t’i shoh të tillat përmes “dritares së Martinit”, të bashkëndjej me të dhe të futem në hullinë e mendimeve të tij.  Romani “Dritarja e Martin Shkrelit”, për mendimin tim, është ndër romanet më të mira që e përshkruan atmosferën e robërisë së viteve të 90-ta, për të cilat folëm pak më sipër. Është një roman që na bën të mendojmë, të kujtojmë dhe ta shijojmë gjuhën e artikuluar shqipe.

Please follow and like us: