Albspirit

Media/News/Publishing

Konferencë shkencore kushtuar veprës së “Nderit të Kombit”, Eqrem Çabejt

Në kuadër të 115-vjetorit të lindjes, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja organizoi një konferencë ndërkombëtare kushtuar veprës së pavdekshme të prof. dr. Eqrem Çabejt.

Në këtë konferencë ka qenë i pranishëm edhe kreu i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi.

“Pjesëmarrja dhe përshëndetja e punimeve të një konference shkencore është gjithnjë kënaqësi, por, kur ajo i kushtohet kryeshenjës së akademizmit e të shkencës shqiptare, anëtarit themeltar të Akademisë së Shkencave, prof. Eqrem Çabejt, kënaqësia kthehet në një nderim e krenari për vetë Akademinë e Shkencave”, u shpreh akad. Gjinushi.

Në fjalën e tij kryetari i ASHSH tha se, Eqrem Çabej, pa diskutim, është modeli i një të riu shqiptar, që arriti të kthehet, me përkushtimin e talentin e tij, nga nxënës i shkollës së parë albanologjike në Botë, i asaj austro-gjermane, në përfaqësues nga më kryesorët e saj në albanologji; nga nxënës i albanologut me të njohur të kohës Norbert Jokl, në lartësinë e profesorit të tij të shquar e më pas ta çojë më përpara veprën e tij.

Çabej dhe bashkëkohësit e tij, studiues e kolegë, bënë që albanologjia të vinte në shtëpinë e vet. Në rast se deri atëherë shkenca e albanologjisë e kishte qendrën në Austri e Gjermani, gradualisht, në fillimin e viteve 1970, siç shprehej vetë Çabej, ajo u vendos në Tiranë. Kështu, profesor Çabej me brezin e tij, treguan se mund të jemi të suksesshëm në shkencë jo vetëm individualisht, por edhe duke krijuar traditën e përvojën tonë, duke formuar individualitetin e deri shkollën tonë.

Sot ne pohojmë me lehtësi se gjuha jonë vjen nga ilirishtja; se ajo është nga më të vjetrat; se paraardhësit tanë janë ilirët; por vite më parë, në kohën e të riut Çabej, për arsye të mirënjohura, ishin më të pranishme e më agresive shkollat dhe studiuesit që përpiqeshin të propagandonin e të vërtetonin të kundërtën. Qysh në Kongresin e Parë të Studimeve Ilire, më 1972, në sajë të veprës së Çabejt, Budës etj., u vërejt me kënaqësi se kishte filluar të ndryshonte balanca në botën albanologjike, brenda e jashtë Shqipërisë, në favor të tezave tona, të shkollës tonë./atsh

Please follow and like us: