Albspirit

Media/News/Publishing

Vilson Blloshmi: SAHARAJA

 

Saharaja, larg është Saharaja,

Saharaja shkëmb e rërë e gurë,

Që ka shok veç emrin e saja

Dhe ngaqë s’sheh ëndrra, s’sheh as drurë.

 

Saharaja s’di të ëndërrojë.

Ajo bluan gurë me mend’ e saj…

Saharaja s’ka këngë të këndojë,

Saharaja s’ka as lot të qajë.

 

Saharaja nuk ka miq e shokë,

Saharaja nuk ka bijë, as bir.

Saharaja është një copë tokë,

Thonë se dhe me natën s’shkon mirë.

 

Natës s’i pëlqen në Sahara,

S’i pëlqen të ketë veç gurë për shtrojë;

Fjalë e dashuri e njerëz s’ka;

Perç’ e saj e zezë s’ka ç’të mbulojë.

 

As dhe një s’e di si është kandisur

Me kët’ plagë mbi shpinë rruzullimi,

Por se thonë në botë është stisur

Kur i duhej njerëzisë mallkimi.

 

Kur ai për keq e mban në gojë,

Saharaja e mban vesh e qesh.

Saharaja fillon të gëzojë,

Kur ne mallkohemi mes nesh.

 

E kur bie ndrojtur rrez’ e diellit

Dhe mbi gurët e pamyshkët ndrit,

I ngjan vello savani i qiellit,

Shkretëtirës shket e shkrepëtit.

 

Prandaj, kur urrejtjen e fortë e nxehur

Mbi dikë mallon e shfryn e shan,

Që nga skuta del kujtimi i dehur

Dhe thërret menjëherë Saharanë.

 

Kur mallkimi shfryn e kur kujtimi

Në pusin e harresës tret…

Kur hyn dielli e kur hesht thëllimi,

Shkretëtirë e shkretë mbetet shkretë.

Please follow and like us: