Albspirit

Media/News/Publishing

Arqile Garo: VDIQ XHA KADRIU

 

Ish një pasdite krejt e qetë kur iku xha Kadriu,

shtrirë në jatak dhe kish përballë pejsazhin dimëror,

kish përkëdhelur dhëntë dhe dhitë, të lagura nga shiu,

kish përshendetur dhe hardhinë dhe manin në oborr.

 

Iku i vetëm, fillikat, në dhomë atje, i vetmuar,

para se dielli të shkojë, tek nis’ të binte borë,

edhe la pas një jetë të tërë, një emër të nderuar,

çibukun mbushur me duhan shtrëngonte fort në dorë.

 

E ulën kokën pemët rreth, stuhia u qetua,

edhe gjitonët s’ janë atje, të venë edhe ta zgjojnë,

iku babai dhe miku i mirë, vëllai u nis, u shua,

u zgjuan gjelat që pa gdhirë dhe nisën ta vajtojnë.

 

Vdiq xha Kadriu fillikat, vdiq me vetmi qarkuar,

Ylli i Mëngjesit u përlot, u fsheh prapa shtërngatës.

Hëna u zbeh, retë u shpërndanë, u treten të malluar,

dhe për ta gdhirë gjer në agim i erdhën zogjtë e natës.

 

Shkoi xha Kadriu, porse pak përpara se të vdiste,

e shkoi gjithë jetën si në film, një pamje vezullore,

ëndrrën e fundme, një vegim, sikur dikush i fliste,

kur ish fëmije dhe bridhte bot në ledhe e në bregore.

 

Se si u rrit dhe u bë burrë dhe vallen hiq i pari,

se ishte trim e kokorroç si bujk edhe blegtor,

pa, si qëllonte me vare, përmbi shkëndija zjarri,

e shihnin vajzat, skuqeshin, oj e bekuar orë!

 

Pa vetën dhëndër, dhe pastaj se si ndërtoi shtëpinë,

dhe si u mbush oborri plot, përplot me vocërrakë,

pa edhe nënën me babanë, që mbaj në krah kërthinë,

se si gëzonin nipërit dhe mbesat në oxhak.

 

I pa se si po rriteshin dhe ikën një nga një,

secili në hisenë e vet, çdokush në punë të tija,

por mblidheshin të djelave, lëshonte ai një zë,

thërriste jevgun me gërnetë dhe merrte flakë shtëpia.

 

Pa dhe të shoqen, Marigonë, gruan e adhuruar,

q’ i ndejti pranë në çdo stuhi, në lot e në gëzime,

që shkoi e re, ja mori thotë, sëmundja e mallkuar,

dhe që i tha: – Kadri rro ti, rrit djem dhe vajza trime!

 

Veç, erdhën vite pa kuptim, erdhi demokracia,

dhe ikën djemtë me vajzat tok, shtëpia u shkretua.

I pari shkoi në Gjermani, tjetri që nga Anglia,

i çon mesazhe në lap top, oh zi për lumë e prrua!

 

Vajzat e përshëndesin shpesh në skajp e mesenxher,

njëra jeton në Kanada, tjetra bredh nëpër botë,

i çojnë dollarë dhe euro por xha Kadriu, tmerr,

ndjen një trishtim dhe një boshllëk, që nuk rrëfehen dot!

***

U mblodhëm ne, të pakëtit, ta çonim në varreza,

dhe Baba Shehu e bekoi, të vejë në punë të tia.

Por një murgeshë, një kallogre e veshur me të zeza,

nisi me ligje ta vajtojë, siç qajnë nga Labëria.

 

Thanë, pas dy javësh do vijnë djemtë, vajzat, tok me dhëndurë,

do bien, thonë, politikanë, ministra… e s’ ka të ndalur,

do t’ i bëjnë ndere të mbëdha, që fshati s’ ka parë kurrë.

Por xha Kadriu andej nga lart, thotë: – Djem, unë ju kam falur!

Nëntor 2021.

Please follow and like us: