Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: REND TA KAP JETËN

Asnjëherë s’e arrij jetën time,

m’i shpërthen kocka… deje.

Sa bëj ta kap në njërin breg,

e shoh në tjetrin para meje.

 

Me vrap e s’e arrij dot jetën time.

Një ujk i egër jam, bari kopeje,

sa i shoh delet te ky breg,

marrin hov në një tjetër, tej meje.

 

Një kokër rëre lartohet breg

E ma ngre kurthin… verbër.

Rrëzuar në sy kam barin,

e arrij vallë… në ditën tjetër?

 

Si erën hov ta rrok në krahë jetën.

Në zarf më vjen hënë e sëmurë;

dhëmbët shtrëngoj, shpatullat,

ura – unë, jeta lumë dhe lumë.

 

Luftoj ta rrok jetën, timen,

dhe zgjuar, dhe në fjetje.

Sakaq një breg më tej ajo rend

gjithmonë përpara meje.

 

Please follow and like us: