Stipe Mesiç në promovimin e librit të Shaban Muratit
Çerçiz Loloçi
Pomovimi i librit të fundit të Shaban Muratit, “Aleanca e duhur Shqipëri-Kroaci”, organizuar nga fondacioni ‘Çamëria’ më 14 nëntor në Tiranë, pati një emocion të veçantë me praninë e një personaliteti të rëndësishëm ballkanik dhe jo vetëm, Stipe Mesiç.
Siç dihet Mesiç, lindur më 24 dhjetor 1934, është juristi dhe politikani që ka shërbyer dy mandate rresht si president i Kroacisë, 2000-2010, dy mandate të tjera si kryeministër, ndërsa ka qenë presidenti i fundit i Presidencës së Jugosllavisë, 1991.
Në hapërsirën shqiptare, pra në Tiranë, Prishtinë, Shkup ai njihet edhe si mbështetës i fortë i kauzës shqiptare, në veçanti të Kosovës. Në qeverinë Mesiç dhe Presidencën Mesiç, përveç mbështetjes së drejtpërdrejtë të nivelit më të lartë shtetëror, për gati 20 vjet, ministri i jashtëm kroat përkrahte pa asnjë mëdyshje çështjen shqiptare në të gjitha kancelaritë perëndimore. Mesiç ishte në radhë të parë një politikan i spikatur për arritjet e Kroacisë, anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Europian.
Nga ana tjetër, ashtu sic pohohet nga një gjuhëtar i shquar nga ky vend, Milan Shuflai se shqiptarë dhe kroatë janë në të njëtën amzë shtetërore, Mesiç ka qenë një përkrahës i proceseve demokratike në Ballkan dhe në veçanti i shteteve shqiptare ose në ato me bashkëqeverisje shqiptare.
Ish politikani i lartë e vlerësoi shumë librin e Shaban Muratit dhe shtoi se ka ende hapësira për t’u forcuar lidhjet mes dy vendeve. Kjo bëhet edhe më e domosdoshme kur Europa, tha ai ka problemet e veta, nuk është shumë e bashkuar, nuk ka lider të besueshëm. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për SHBA, vijoi ai, nuk ka lider me ndikim si para disa vitesh.
Bota sot ka dy vatra të mëdha lufte, agresioni në Ukrainë dhe konflikti në Palestinë, por mungesa e unitetit së pari në kontinentin tonë e bën botën më të pasigurtë. Mesiç ishte kritik sidomos me liderët europianë për vonesat dhe pengesat e tyre në Ballkan, për mosarritjen e konsensusit për t’i bërë anëtarë të familjes së tij.
Mesiç është i nderuar dhe i respektuar në vendin e vet, por po aq i vlerësuar është në shkallë rajonale dhe europiane, çka shqiptarët duhet të jenë krenarë e mirënjohës se kanë një mik të çmueshëm.