Albspirit

Media/News/Publishing

Vasil Muka: Në… për… me… gjimnazin për mëse 25 vjet

Çudi, unë shkruaj shpesh për njerëz, ngjarje, vende e tradita, por për Gjimnazin tim e kam të vështirë. Kam ditë që përpëlitem midis dëshirës, detyrimit e pa mundësisë. Çfarë po ndodh me mua? Me sa duket, ndjehem akoma shumë i vogël për të shkruar për këtë “… kështjellë të diturisë dhe të dijes… E kam ndier veten gjithmonë me fat, që formatimin tim të parë serioz kulturor e kam marrë në këtë lice, që ka qenë ndër të njohurit e më dinjitozët në Shqipëri, e në gjithë këtë zonë të Ballkanit”, siç e quan gjeniu ynë I. Kadare, apo siç e quan i madhi Dritëro ‘’…monument i bardhë, ku qëndrojnë gjithmonë pëllumba për të fluturuar. Ne fluturuam në të gjitha anët e Shqipërisë dhe të botës, po përsëri vimë e qëndrojmë te ky monument i bardhë që quhet Gjimnazi i Gjirokastrës. Ja këtu mësova jetën dhe librin’’.

E unë gjithmonë jam ndier i vogël në këtë Kështjellë të dijes, në këtë Lice, si nxënës, si mësues, si prind, si drejtues i arsimit, si qytetar. Ajo sikur më përshpërit vazhdimisht: Heeeej… shëëëët… mëso nga unë siç mësuan Kadare, Çabej, Kokalari, Dritëroi… Ftohtësia e mermereve të bardhë të shkallëve, të ngrëna nga këmbët e nxënësve, lartësia e madhe e klasave e gjerësia e korridoreve gjithë dritë,  të bën të ndjehesh gjithmonë i vogël para tij .

Mbi 25 vjet në, me, për Gjimnazin tim.

1.

Me… Isha i vogël adoleshent kur shoqëroja time motër Djanën gjimnaziste në mbrëmjet kulturore- argëtuese, apo në aktivitetet sportive e ajo godinë më bënte edhe më të vogël, e shikoja si diçka mistike, por më bënte ta adhuroja.

2.

Në… Erdha nxënës në 1968, ishim si shqoftora, humbameno edhe pse mësuesit na deshën e na respektonin, përsëri ndjehej madhështia e saj. Nuk harroj mësuesit tanë të letërsisë, Dragush Çabej, Hasan Poga e Agim Shehu, tre identitete të ndryshme me botë të pasur letrare që na bënin për vehte me recitimet e komentet.

Mësues Dragushi ashtu me siluetë të gjatë, pak i krrusur me mollzat pak të skuqura,me pasion e dashuri na mëkoi letërsinë. Mësues Hasani me atë zërin paksa të ngjirur, me një veriore të lehtë e të bukur, shpesh na tërhiqte vëmendjen kur na thosh: ‘’Shi, shi maçoku si lëpihet’’. Pale labi  Agim Shehu me buzëqeshjen e ëmbël në anë të buzës e me kaçurrelin në ballë, na nxiste e inkurajonte të ‘’ vidhnim’’ kulturë. Ishte koha e Festivalit të Parë Kombëtar Folklorik e çoku iknim nga mësimi, e ai na justifikonte, ‘’mirë bëni që veni, aty mësoni shumë gjëra, për artin tonë”.

Oha sa frikë e kishim matematikën. Vitet e para e bënim me mësuesin minoritar Mihal Papa, nga Goranxia. Ishte babaxhan, me një shqipe pak të çalë, pinte shumë duhan, i zverdhnin gishtat. Mbante në xhepin e brendshëm një fletore me ushtrime me yje, të vështira, e sigurisht mbështetës kishte nxënësit e mirë si Mimoza Bakiri, Serxhi Sallabanda, Maksi Gozhita, Elpidha  Papa, Kleopatra Rizo, Kristo Pulla, Emil Papallopulli, Eli Prifti, Gjenovefa Karanxha, Vasil Shuti, etj. Më pas erdhi ‘’ i tmershmi’’ Kosta Makariadhi, një i ri trupmadh, energjik, korrekt. Ne të dobtit në shkenca, kur mësues Kosta ikte në Tiranë, do dilnim çdo mbasdite te satat (autobuzat) e Tiranës te Sheshi i Çerçizit, e nëse nuk vinte, atë mbasdite e të nesërmen e kishim gati festë.

Erdhën atë vit dhe mësuesit e rinj,Banush Mezini,  Vajo Kuko, Sedat Kale të cilin e kishim kujdestar në maturë. Ashtu  pak liberal, na organizonte çdo fundjavë ekskursione e shëtitje, mbrëmje vallzimi,e  ne prëheshim.

Qëlloi viti 1972, ne maturantë, kohë e liberalizmit, e Hid Pares. Në maturën tonë kishim edhe fëmijtë e të mëdhenjve: Mimoza Bakiri, Diana Selita, Serxhi Sallabanda, Lutfie Zeneli, etj, e ne në çdo orë pushimi, a në pushimet mes orëve do të bënim ‘’aheng’’.

Nuk harroj kur theva xhamin e portretit të Stalinit. Kish rënë zborë dhe ne si djem çamarokë gjuanim me topa bore vajzat e kursit të infermerisë, që e kishin klasën në fund të bodrumit në katin përdhes, ngjitur me klasën tonë. Ndoqa me vrap çapkënen Natasha Bedjava e sipër në krye të shkallëve, mbi derën e katit përdhes, varur në mur ishte një portret i madh i Stalinit. Gjuajta me top bore dhe frap u thye xhami i tij. Ohh, sa problem u bë. Drejtori, Bashkim Karagjozi, thirri babain  e më thyen notën e sjelljes, se demek e kisha bërë me qëllim.

Venim ato vite në aksion e në zbor, lodheshim por dhe argëtoheshim. Fitonim njëfarë lirie nga shtëpia. Nuk harroj ‘’ bëmat’’ në ndërtimin e hekurudhës në Murrash a në Xibrakë. Vdisnim të merrnim ‘’S’’ sulmues. Ama çdo darkë mbrëmje në mensë.

Vite të bukura, plot sinqeritet e dashuri, ndaj kur u takuam në 2022, në 50 vjetorin e maturës, tashmë 70 vjeçarë, sëbashku me mësues Elmaz Shkurtën, kujtuam me mall e nostalgji, shkollën, klasat, mësuesit, e premtuam që do takohemi përsëri në 100 vjetorin e gjimnazit.

3.

Në… Për… Në vitin 1984 u riktheva në gjimnaz, tashmë mësues letërsie. Sa emocione pse jo dhe frikë, a do ja dilja? Stresi shtohej pasi mu desh të zëvëndësoj të madhin, korrektin e gjuhës, “Mësuesin e Popullit”, Bekim Harxhin. Ishte simestri i dytë, e do jepja mësim  në maturë. Sa mu desh të lexoj, por mu ndodh pranë kolegu Sadik Bejko, që ishte një enciklopedi letrare, kritike, me një memorje fenomanale. Për të qenë më në kontakt me literaturën, mora vullnetarisht biblotekën e shkollës, ku doja s’doja lexoja kritikë e analiza, botime e artikuj letrarë. Bibloteka ziente nga nxënësit e kolegët. Ishte e pasur e plotësohej çdo ditë.

Ishim një grup mësuesish të rinj: Lulzim Haska, Besnik Toro, Jorgo Xhori, Silvana Xuhano, Ollga Duri, Agetina Bozgo, Eftalia Rapi, Edmond Sinojmeri, Dilaver Koçiu, Jorgo Laro, Lumturi Çaushi,  Natasha Kuruni, Suzana Demo, Hatixhe Kadare,Renard Kardhashi, Najada Gjokutaj, Eglantina Duka, së bashku me më të vjetrit: Thanas Koçi, Nevro Angoni,Elmaz Shkurta, Sotir Dodo,  Vajo Kuko, Kujtim Kale,Sadik Bejko, Parime Kasaruho, Koço Dedi, Vangjel Kllapi, Sotiraq Arseni, Andrea Toli,  Stavrulla Kote, Agron Skënduli,me drejtor Muharem Bejleri e nëndrejtor Luan Hoxha, i cili më pas u bë drejtor. Kalonim kaq mirë sa na kishin zili. Çdo 15 ditësh që merrnim rrogën, do venim te Kurveleshi gati të gjithë meshkujt. Ra në sy të Komitetitdhe e thirrën Luanin e i tërhoqi vëmendjen Kryetari Flamur Çani: Pse mblidheni? Çfarë diskutoni? Nuk e kishin qejf të kishim kolektiv kompakt e të ishim miq të mirë. Filluam të venim fshehurazi.

Më qëlloi në kujdestari një klasë me nxënës  të mirë. I përgatita, gati të gjithë letrarë. Çdo orë mësimi u kërkoja të binin ese të shkruara nga mbresat e së djeshmes. I lexonim e diskutonim para klasës. Ata prëheshin, rriteshin e formoheshin artistikisht e shkencërisht sëbashku me mua. I kisha si fëmijtë e mi, madje ishin miq të familjes e fëmijve të mi. Çdo fund javë eskursione, marshime në Çajup, Palokastër, Kardhiq, Dropull etj. Mbrëmje vallzimi, mbasdite poetike, shikim filmi e teatri. Në palestër luanim sëbashku, basketboll e futboll. Edhe pse kanë kaluar mbi 30 vjet akoma komunikojmë, takohemi në përvjetorë e unë vazhdoj me humor ti quaj ‘’kalamaja’’ e ata kënaqen e ndjehen të përkëdhelur.Jemi grup në wacap. Vite të bukura, që më rritën profesionalisht e më shtuan qytetarinë, pasi vija në qytet pas gati 10 vjetësh studimesh në Shkodër e punë në malsi të Pukës.

4.

Për… Në 1992 deri në 1997 qëlloi të isha Kryeinspektor në Drejtorinë Arsimore Rajonale. Ndroheshin, programe e plane mësimor,tekste e metoda. Një përmbysje e madhe ideologjike e politike. Sigurisht gjimnazi tim ishte në qendër të vëmendjes. Ai ishte një shkollë e përvojë e madhe pune e arritjesh. Tradita nuk mund të shpërbëhej,përkundrazi ishte një bazë e mirë dhe e shëndetshme për ndryshimin. Kolegët na mirëkuptonin edhe kur punohej me fashikuj në vend të teksteve që po rinovoheshin. Mësues të talentuar, nxënës të etur për dije. Aty gjetëm mbështetjen, trajnuam e trajtuam mësuesit e gjithë rrethit. Aty përsëri gjimnazi tim më rriti e më mbajti në gji, më dha emër e kurajo për të ecur në gjurmë të reja.

5.

Për… Në 1998 fillova Koordinator i AEDP- Projekti për Zhvillimin në Arsim. Një kohë pune formimi e ngritje profesionale, me metodologjitë perëndimore e të rejat në mësimdhënie. Sytë e mi qenë nga gjimnazi tim. Realizuam rikonstruksionin e çatisë, tavaneve, dyerve e dritareve, u instalua për herë të parë sistemi i ngrohjes qendrore me kaldajë. U rikonstruktuan tualetet në katin e dytë e u vunë në funksion. U rikonstruktua aneksi dhe u kthye në Klubin e Qeverisë së Nxënësve. Kolegia e gjimnazit Silvana Xuhano, tashmë kolege në AEDP, sytë e mendjen e kish nga Gjimnazi.

Mësueset Zana, Najada, Silvana, Vjollca, Ladi etj, u bënë bashkëpunëtorë të Fondacionit e hartuan e përfituan projekte mësimore për laboratorë, paisje e mjete mësimore, u angazhuan në olimpiada, e rezultatet  nuk mënuan të vinë.

Për herë të parë në qytet, në këtë gjimnaz u instalua Kabineti i informatikës,  ku veç nxënësve, dhjetra e qindra intelektualë, zyrtarë të administratës së qytetit, mësuan nga mësuesi pasionant Ladi Konomi, përdorimin e kompjuterit. Një koontribut me vlerë  i gjimnazit për qytetin. Gjimnazi u kthye në qendër komunitare shkencore e arritjesh mësimore.

6.

Në…Për… Djali tim Stavri u bë për gjimnaz e atëhere drejtorët e dy gjimnazeve të qytetit e donin ta kishin nxënësin e tyre, sigurisht për të patur edhe më tepër mbështetje nga unë. Stavri që mbaroi 9-vjeçaren në ‘’K. Hoxhi’ kish qejf të shkonte bashkë me shokët te gjimnazi Nr.2, por mbas bisedave me ne zgjodhi këtë gjimnaz me argumentin se këtu reflektohet më tepër qytetari, traditë familjare e vlera gjirokastrite. Ky ishte me traditë e identitet, ai poshtë ishte në formim e sipër. Duhej të kaloje rrugëve të kadërllëmta, Qafën e Pazarit, rrugën e Gjimnazit, të ngjitje shkallët e mermerta të tij, të ndjeje peshën e ‘’kështjellës’’. Ashtu u bë.

Për herë të parë ai dhe shokët e tij, filluan të vinë në shkollë me çanta shpine, pasi në ato vite të rrëmujës e çthurrjes, së marrëzisë të 1997-ës, nxënësit venin në shkollë me një fletore në xhepin e pasëm. Nuk ishte e lehtë. Brezi i tij u edukua me qytetari e nuk harroj kur i kërkuan drejtor Zemanit ti ndihmonte të plotësonin muret rrethuese të shkollës me pllaka. Dilnin në fund javë dhe nuk shkonin si shumica e të rinjve, klubeve e  bilardove të 18 Shtatorit. Jo, ata ngjteshin në Pazar.Kafen e pinin te Fantazija, lojra e bilardo luanin të Kroi i Premtos, xhiron e bënin pazarit. Kjo ndikoi dhe te unë e time shoqe, që tashmë filluam të ngjiteshim në Pazar për kafe. Pra ky Gjimnaz i rriti e i edukoi këta të rinj me qytetari, me  dashurinë për qytetin e krenarinë qytetare, çka e ndjej dhe sot te Stavri e shokët e tij, madje dhe te fëmijtë e tyre. Ata e duan shumë Gjirokastrën. Kujtoj me nderim se vetëm nga fisi ynë rreth 15 fëmijë ishin nxënës të tij, pra rreth 60 vjet jetë në, për dhe me Të.

7.

Për… Me… Viti 2005 u bëra Drejtor i DAR e në Gjimnaz me mirëkuptimin tim shkoi Drejtor Dhimitër Qurku e nëndrejtoreshë znj. Alma Shehu, ish nxënësja time. Na u desh shumë punë e mund për të ngritur emrin e prestigjin e shkollës, personalitetin e mësuesve. Kishin ndodhur keqpërdorime me shkollën e mbrëmjes që varej nga Gjimnazi.

Dhjetra projekte e ide filluan të marrin jetë. Unë isha i pranishëm si fizikisht ashtu dhe shpirtërisht e mendërisht. Shpesh në mëngjes shkoja e do të rrija brenda makinës, poshtë hyrjes së shkollës. Më pas nga zyra merrja në telefon Taqin e i thosha:- Filan nxënës të ka ardhur me vonesë, pasi më krenohej për rregullin  e disiplinën. Kënaqesha kur me krenari e kënaqësi Taqi  më deklaronte: -Të m’i ruaj nxënësit  Zoti, i kam shumë të mirë. Dhe vërtet ashtu ishte. Në ato vite u fitua Olimpiada Kombëtare e Informatikës nga E. Ristani. Dolën shumë ekselent.

Tashmë kisha mundësi më tepër si drejtues i arsimit, të kontribuoja e t’i ktheja ‘’borxhet’’ Gjimnazit tonë. Shkolla u kthye në qendër trajnimesh. Model mësimdhënie e harmonie drejtues-mësues- prindër e nxënës. Mësuesit na prisnin në analizat e inspektimit me dashuri e mirëkuptim, si kolegë. E ne ndjeheshim të respektuar e më tepër të obliguar, por dhe shumë të emocionuar e të përgjegjshëm. Unë personalisht vazhdoja të ndihesha i vogël sa herë veja në Gjimnazin tim. Ai ishte një Akademi, emësuesit e tij ishin Akademikë të vërtetë.

Qeveria e nxënësve e Bordi i Prindërve funksiononin me efektivitet e i jepnin Gjimnazit tjetër frymëmarrje e prezencë në qytet. Flamurtari i shkollës e veçanërisht ceremonia e shpalljes së tij, ishte një festë e arsimit dhe e gjithë qytetit.

Mësues Genti Hyka filloi të realizojë mësimin me C.D me angazhimin edhe të kolegëve e inspektorëve të DAR. Prezantimi i projekteve punëve kërkimore-shkencore prezantoheshin në kinemanë e qytetit, para prindërve e nxënësve.Koleget e letërsisë AlmaShehu, Desada Nuredini, Anila Mako, nën eksperiencën e Odise Çerkezit, gjallëronin jetën kulturore-artistike – letrare. Mësuesit e shkencave Spiro Poçi, Ladi Naçi, Vjollca Devolli,  Zana Demo, Vilson Miço,  Yllka Golloshi, Irini Gozhita, zhvillonin orë model mësimdhënie me metodat aktive të mësimit të integruar e zhvillonin mendimin kritik të nxënësve.

2008-ta – kisha fatin të ndihmoja si Drejtor i DAR, në organizimin e 85-vjetorit të Liceut, të cilin e festuam edhe në kuadër të Javës së Arsimit. Ishte fati tim të organizonim këtë festë, jo kujtdo i qëllon ky shans. E ne e festuam me madhështi e krenari, me dashuri e respekt, me shumë aktivitete, me Muzeun e tij të rinovuar. Qindra ish gjimnazistë, qytetarë, mësues me Ministrat e kohës e deputetë, Fatos Beja e Genc Pollo, Genc Rulie Ministri i Arsimit të Kosovës, gjithë qyteti festonte e krenohej me Liceun e tij, ‘’kështjellën ‘’ e dijes.

Qëlloi pak para festës, I. Kadareja të ishte në Gjirokastër. E takuam me Taqin dhe ju lutëm të vinte. Sigurisht e kishte të vështirë por ju lutëm të na dërgonte një mesazh, të cilin e dërgoi. Më bëri përshtypje kur Gjeniu ynë na tha : – E quajnë Liceu i Gjinokastrës, atë shkollë. E ne sigurisht nuk mund t’ia ndrronim emrin por sëpaku në nderim të ditës së Çeljes së Tij, vendosëm në hyrje në murin ballor nga ana tjetër e pllakës përkujtimore të Dëshmorëve të shkollës, një pllakë mermeri çiklaminë me Stemën e Liceut, emrin LICEU i GjINOKASTRËS  dhe vitin e Çeljes- 1923.

Gëzofsh në pafundësi  vitesh Liceu i Gjinokastrës, Gjimnazi tim i dashur.

 

Tiranë, më 25.03.2023.

Please follow and like us: