Mimoza Agastra: MISIONARËT E LETËRSISË PËR FËMIJË
– Shënime mbi librat për fëmijë të Rifat Ismailit, e veçmas për atë më të fundit ” Bretkosa me fustan”, me përralla.
T’u dhurosh fëmijëve kohë, emocione, afeksion, dije, dashuri, pasion, t’u trasmetosh modelin tënd të vlerave, mësimeve edukative që përcjellin përrallat dhe gjithë letërsia për fëmijë, është në vetvete një mision. Të kuptosh që vlera më e madhe e njerëzimit është fëmija dhe investimi mbi gjithë rritjen e formimin e tij, përmes krijimtarisë dedikuar botës së tyre s’ është gjë tjetër veçse devocion.
Jemi mësuar rëndom të dëgjojmë termin “misionarë”, në fusha të ndryshme, por fatkeqësisht misionarë në fushën e letërsisë për fëmijë ka shumë pak.
Do të ishte retorike pyetja që do të shtroja: Përse ky handikap në këtë zhanër artistik? Shumë studiues të letërsisë i kanë dhënë shpjegimet e tyre, ku një ndër më kryesoret do të mbetej mungesa e mbështetjes së shtetit për këtë zhanër tashmë djerrë si dhe mungesa e respektit të duhur për shkrimtarët nga lexuesit e tyre.
Personalisht, mendoj që të trokasësh në shenjtërinë e fëmijëve duhen disa dhunti specifike, gati- gati hyjnore si “vetë ata”.
Të zotërosh guximin për t’iu qasur kësaj bote, njohuritë për aspektin psiko-emocional, pedagogjinë dhe psikologjinë e zhvillimit, nuk do të ishin të mjaftueshme nëse nuk do të zotëroje talentin dhe dëshirën për të trokitur në parajsën e tyre.
Jam e bindur tashmë që edhe këto merita nuk do të ishin çelësat e suksesit për t’u bërë pjesë e një armate krijuesish për fëmijë, sepse fëmijët kanë kritere shumë transparente, shumë të thjeshta, por njëkohësisht filozofike në vetvete. Selektiviteti i tyre ndonjëherë të step, të bën të kuptosh që të bëhesh i pranueshëm, i kërkuar, i dëshiruar dhe i lexuar duhet të jesh “si ata”. “Si ata”, jo vetëm në moshë, por edhe në fantazi, në emocion, në horizont, në ngjyrime shpirtërore, në besnikëri, çiltërsi e në të bërit magji.
Ajo çka fëmijët duan prej një krijuesi është gjetja origjinale thjeshtësisht e përbërë, e adhuruar e shumëdimensionale. Ata kërkojnë rrëfime ku personazhet t’u kthehen në heronj, në inspirim, në modele e në personifikim. Parajsa e tyre pranon vlera të pahiperbolizuara, pranon diversitetin, ndalon paragjykimin dhe unifikon shtresëzimin.
Çfarë vetëdije që kanë fëmijët sot!
Mos ka të bëjë kjo me faktin se jo të gjithë arrijnë të lexojnë e dëgjojnë cfarë fëmijët kërkojnë?
Vallë i dëgjojnë të gjithë kërkesat e fëmijëve? Po ju a e dëgjoni zërin e fëmijëve? Apo jo të gjithë janë të vëmendshëm ndaj kërkesave të tyre?
Mos vallë ata dëgjohen vetëm prej atyre që janë “si ata”, prej atyre që unë do ti quaja misionarë?
Gjyshet tona psh, do të ishin misionaret e para të letërsisë për fëmijë, sepse ato përmes butësisë shpirtërore, dashurisë, eksperiencës së jetës, dëshirës për të trasmetuar dijen dhe afërsinë fizike, çka është shumë e rëndësishme sidomos në fazat e para të rritjes së fëmijës për të formuar vetbesimin dhe sigurinë, kanë formuar plejadën e pakonkurueshme të shkrimtarëve gjyshe që kanë ngacmuar te nipërit e tyre dëshirën për lexim dhe etjen për librin. Natyrshëm më lind një seri pyetjesh:
Keni takuar ndonjëherë një misionar letërsie për fëmijë, përveç gjysheve tona?
Keni arritur ti dalloni vetëm përmes punës ata që janë të pagëzuar si misionarë pa e ditur që e zotërojnë këtë etiketë?
Keni prekur nga afër thjeshtësinë dhe humanitetin e tyre?
Keni ndjerë peshën e misionit përmes sloganit të tyre: Të arrijmë në zemrat e fëmijëve e t’ u dhurojmë një botë letrare si e tyrja pastërti?
Keni dëgjuar për intuitën e tyre, fantazinë fëminore, unifikimin e ndjenjave me fëmijët si të ishin një nga ata?
Po për gjithëpërfshirjen e tyre ndaj kujtdo që kërkon t’i qaset Dinastisë: Fëmijë përjetë?
Unë kam pasur fatin t’a ndjej ekzistencën e një misionari të tillë që punon si një “Bletë punëtore” duke iu dhuruar çdo ditë fëmijëve pasuri, ngjyra, jetë, model, trashëgimi letrare dhe artistike.
Ai s’ resht së bëri pjesë pranë kësaj Dinastie, këdo që do të lerë një gjurmë në këtë letërsi që sot po e vuan shterpësinë. Dora e tij mban shtrënguar fort atë dorë që penën e tij e ka orientuar në kontributin hyjnor drej fisnikerimit të fëmijëve.
Kini durimin të njihni misionarin që do tu prezantoj, sepse ende më shqetësojnë disa pyetje:
A nuk nis jeta me fëmijë? A nuk zë fill e ardhmja prej tyre? Dikur shpërndaheshin çmime dhe lëvdata për këdo që kontribuonte në letërsinë për fëmijë, e ndoshta kjo ishte një motivim.
Po sot si motivohen dhe inkurajohen shkrimtarët për fëmijë? Shohim që tkurrja e letërsisë për fëmijë është kaq vrastare e të krijon idenë se ka shumë pak autorë për fëmijë.
Pandjeshmëria ndaj këtij fenomeni ka bërë që edhe ata pak shkrimtarë që i japin përditë kësaj bote, të bëhen transparentë, e pastaj ankohemi se nuk ka më talente në këtë fushë?
Të mos harrojmë:
“Talentin ta jep Zoti. Ji modest!
Famën ta japin njerëzit. Ji mirënjohës”, (John Wooden)
Me këtë shprehje dua të personifikoj personazhin sa më lart, Zotin Rifat Ismaili, mikun tim misionar të letërsisë për fëmijë i cili zotëron talentin që Zoti ia ka dhuruar duke e vënë në përkushtim të fëmijëve, pa lëvdata e merita, duke vazhduar të punojë me modestinë e tij siç thotë pjesa e parë e shprehjes. Ndërsa famën e ka marrë nga fëmijët që në mënyrë reciproke marrin dhe japin falenderime për vëmendjen që ky autor i kompletuar për fëmijë dhe jo vetëm i’u ka dhënë e u jep çdo ditë atyre pa pritur asgjë në këmbim.
Janë fëmijët ata që kthehen në motiv inspirues për penën e pandalshme të tij i cili prej çdonjërit fëmijë ka marrë çertifikatë mirënjohjeje e falenderimi.
Ndihem krenare të kem njohur e lexuar botën e tij Piterpaniste, plot diapazon e ngjyrime shpirtërore pasqyruar me aq art në veprat e tij që trasmetojnë moral, dashuri, humanizëm, forcë e mbi gjithcka të nxisë fantazinë.
Ai të rrëmben e të fton në udhëtimet e personazheve duke të të bërë të ndihesh protagonist i përrallës: Ajo çka më ka intriguar më shumë është zgjidhja e konflikteve ne disa mënyra krejtësisht të tijat, të paimagjinueshme, pa ndëshkime të forta, pa qëndrime të ashpra. Ndëshkimet e tij vijnë përmes punës, si në përrallën “Breshka me samar”. Personazhet e tij kafshë marrin attribute njerëzore ose anasjelltas, dhe vijnë përballë lexuesit natyrshëm pa drama. Analizohen vese e ndëshkohen pa i gozhduar por duke i ndërgjegjësuar si në rastin e përrallës “Pula e llastuar”, e cila kërkonte të hante në mënyrë diferente nga shoqet e saj. Donte të trajtohej si njeri, e kur i’u dha kjo mundësi kuptoi pamundësinë dhe përkatësinë e saj.
Vizioni i tij eshtë optimizmi, mirësia dhe solidariteti, shprehur bukur e gjetur kjo te përralla “Bleta e verbër dhe lulet erëmira”. Ai lufton të rrënjosë idenë te fëmijët që ndëshkimet kanë përshkallëzime. Armikun ndonjeherë mund ta luftosh edhe me forma më të buta pa ia marrë jetën si me rastin e karkalecit që e kishte verbuar bletën e vogël, duke e dëbuan për ta izoluar larg , për ta burgosur në vetmi. A s’ është vetmia dënimi më i madh për çdo qënie?
Këto mësime e shumë të tjera ju mund ti gjeni duke lexuar veprat e tij unike për fëmijë:
-“Ëndërrat e kalorësit”, Tregime
-“Shpikësi i vargjeve”, Poezi e fabula
-“Breshka me samar”, përralla dhe më së fundmi “Bretkosa me Fustan”, disa prej përrallave të këtij libri sapo edhe i analizuam.
Thjeshtësia në të shkruar, është një tjetër sukses i mikut tim Rifat i cili është lehtësisht i asimilueshëm dhe i dëshiruar në lexim nga çdo moshë.
Vij nga brezi i përrallave klasike të Hans Kristian Andersenit, popullariteti i të cilit është ende mbarëbotëror. Mbetet frymëzim i atyre të paktëve shkrimtarë për fëmijë, si edhe Rifatit, por evoluimi solli ndryshime si në cdo fushë edhe në krijimtarinë për fëmijë e kryesisht përrallën.
Një meritë e pamohueshme i mbetet edhe Rifat Ismailit i cili iu pergjigj erës së ndryshimeve me frymëzime e struktura të reja të përshtatshme për brezat e rinj. Çdo brez ka plejadën e tij të shkrimtarëve për fëmijë e i referohet atij si nostalgji edhe kur rritet, madje i kujton ende krijimtaritë e tyre e u’a trasmeton fëmijëve apo nipërve e mbesave.
Shumë shpejt popullariteti i Rifatit nuk do te njohe kufinj. Jetuar mes dy realitetesh ai i’u shërben jo vetëm fëmijëve të lindur e të rritur në Shqipëri por edhe atyre të Mërgatës apo siç njihet ndryshe Diasporës, që ka etje për gjuhën e bukur e të pasur Shqipe. Veprat e tij sot janë gjurma e së vërtetës së lëvizjes përtëritëse në ringjalljen e forcës së dëshirës për krijimtarinë e fëmijëve.
Mbetesh krenari fisnike miku im Rifat!
Please follow and like us: