Nevro Angoni: Ta gëzojë gjimnazi ynë 100-vjetorin!
Të dashur mësues e nxënës, pjesëmarrës të festës! Ju falenderoj nga zemra për ftesën, por mosha nuk ma lejon që të ndodhem sot mes jush. Fjalët janë plot emocion për të përshkruar 30 vjetët e jetës sime si mësuese e kësaj shkolle. Vite të bukura me punë këmbëngulëse, pasion por edhe vështirësi me mentalitetet e vjetra të asaj kohe. Breza të tërë gjirokastritësh kaluan derën e kësaj shkolle dhe nuk ka ndjenjë më të ëmbël e më prekëse kur ish nxënësit e tu të dërgojnë përshëndetje e të urojnë pleqëri të bardhë. Kujtoj me respekt të thellë gjithë kolegët e brezit tim që shumica nuk jeton sot, por edhe më të rinjtë që ma do mendja ndodheni aty dhe ju uroj nga zemra: Ta gëzojë gjimnazi ynë 100-vjetorin. Mbajeni hapur derën e dijes, arsimimit dhe zhvillimit të kulturës e sportit për brezat e ardhshëm. Çojeni më lart emrin e ndritur të kësaj shkolle që është krenaria e Gjirokastrës për të cilën malli më ka marrë shumë. Ju përshëndes e ta kaloni mirë në këte jubile. Me respekt Nevro Angoni.