Albspirit

Media/News/Publishing

Sazan Goliku: NËN HIJEN E FLAMURIT

Përsiatje
Kur nipi im 6-vjeçar, Joni, nis e recitonte vargjet:
“Valëvitet, valëvitet
Kuq e zi flamuri ynë.
Kush atë më lart e ngre
Nderon veten, shqiptarinë”,
pa dashur më kujtohej Fishta ynë, kur një djalë i vogël shkoi tek ai duke qarë dhe i tha: ‘Atë, armiqtë po gjuajnë me topa flamurin tonë!”. “Mos u dëshpëro, bir – e qetësoi poeti – është në nderin e Flamurit ta përshëndesin më topa.”
Si simbol në rrafshin filozofik flamuri është vetë qenia kombëtare si e tillë, në kuptimin konstitucional është vetë shteti, si konvencion etik është dinjiteti e krenaria si qenie shoqërore, sidomos për ne shqiptarët.
Në vorbullat e dallgët e pushtimeve, të luftërave e kryengritjeve, i pari që është ngritur lart mbi zezonat historike ka qenë flamuri kuq e zi. Pra, shqiptari ka mbetur gjallë si i tillë me sytë e mbërthyer te valëvitja e këtij flamuri që është bërë edhe më i kuq nga gjaku i derdhur për të, që nga epoka e pavdekshme e të madhit Skënderbe, në luftërat e pandërprera në shekuj, deri në ditët tona, kur bishat shoviniste ngulin thikat në shpatullat e të rinjve shqiptarë të mbuluar krenarisht me këtë flamur.
Nuk mundi të shkulet nga zemra e një populli ky flamur, kur gjendet në gjokset e çdo dëshmori të rënë për lirinë e pavarësinë e atdheut.
Një shekull mbijetuam në dy luftëra shovene, në dy luftëra botërore, u pushtuam e u liruam, kapërcyem anarki e diktatura edhe pse të copëtuar thela-thela në pesë shtete.
Jo më kot, që në vargun e parë të Himnit tonë kërkohet: “Rreth flamurit të përbashkuar”. Përçarja – sëmundja e shqiptarëve, e trashëguar si një virus dhe e injektuar nga armiqtë tanë tradicionalë – ka sjellë pasojat e saj fatale: Shqipëria e vërtetë ka mbetur sa një grusht në fund të Europës. Po ky fakt nuk mund të na çojë në pesimizëm e mohim të vetes, siç disa shqipfolës, qofshin intelektualë, qofshin të paditur. Përkundrazi. Na ngjallë e përshndrit ambicien për të sfiduar veten e keqdashësit tanë. Dëshira e Fan Nolit, që flamuri ynë të bëhet “për botën ëndrr’ e qiell i ri!”, sot na tingëllon si utopi, po e ardhmja, edhe paradokset më të habitshme e më të pabesueshme, i bën ëndrrat realitet.
Nëse dikush deklaron me paturpësi se “unë nuk ngrihem më këmbë kur luhet Himni i Flamurit”, ai ose nuk është shqiptar, ose është atdhemohues. Nëse rastësisht do të ndodhej në një sallë diku në Francë, Gjermani, Angli ose gjetkë në botë, dhe ai dikush nuk do të ngrihej më këmbë, gjindja do ta nxirrte jashtë me shkelma si një kafshë.
Poetët tanë, po dhe shqiptarët më të thjeshtë, kur donin të shprehnin mallin e dashurinë për atdheun, gjuhën shqipe, lirinë, sytë i kanë hedhur mbi flamurin, vargjet e para i kanë thurur e kënduar për të si për shpirtin e tyre.
Askush nuk mund të ndalojë sot flamurin tonë të ngrihet, së bashku me flamujt e kombeve të tjerë të botës, në emër të lirisë, të humanizmit e demokracisë!
Please follow and like us: