Duke kujtuar Sokol Olldashin, 10 vjet pas tragjedisë
Nga Ruben Avxhiu
10 vjet më parë vdiq në një aksident automobilistik Sokol Olldashi, deputet, ish-ministër, e figurë e Partisë Demokratike.
Për mua ishte një koleg e mik nga vitet përpara se të hynte në politikë, atëhere kur e ardhmja ishte ende një tufë faqesh të bardha ku mund të shkruanim gjithshka. Në vitin 1999, unë i bëra shuk faqet e mia të pashkruara dhe u nisa drejt New York-ut.
14 vitet që vijuan qenë mbase shumë më transformuese për Sokolin sesa për mua. Megjithëse ai mund të ketë pasur pikëpamje tjetër. (Do të kishte qenë temë për një nga ato debatet tona të dikurshme mbase.)
10 vjet më parë, isha në një kafe italiane në Philadelphia, kur më njoftuan me telefon se Sokoli kishte pësuar një aksident. Nuk dihej ende se si ishte situata. Ishte shokuese edhe pse pas një heshtje të gjatë kisha shkruar disa herë për të në javët e fundit. Kishte kandiduar për kryetar të Partisë Demokratike. I bekuar me humbjen e padrejtë ndodhej papritur në një pozitë të pazakontë nga e cila kishte luajtur rol interesant në fillimin e revoltës kundër importit të armëve kimike siriane për asgjësim në Shqipëri. Pikërisht në mesin e jetës, kur të rrallohen faqet e bardha të të ardhmes, Sokoli kishte nxjerrë nga xhepi një tufë të tjera, premtuese e provokuese. Dukej gati për një fillim të ri.
Lajmi i aksidentit dukej i pabesueshëm. Në orët që vijuan nuk kam bërë asgjë. Rrija në pritje. Aty te unë, për shkak të diferencës së orës ishte ende pasdite. Në anën tjetër të Oqeanit, nuk e dija ende, por për Sokolin kishte rënë përgjithmonë nata.
Të nesërmen u ula dhe shkrova shënimin e mëposhtëm, që u botua në atë kohë në disa gazeta.
Këtu, në fotografi, jemi mbase në vitin 1997. Nga e majta, Sokol Olldashi, unë dhe Admir Banaj (karikaturisti i jashtëzakonshëm “Like Rehova”, dizajner i talentuar, ambasador).
Çfarë më mbetet nga Sokoli
Me Sokol Olldashin kam punuar për vite, jo thjesht në të njëjtën gazetë, por edhe me tavolinat ngjitur me njëri-tjetrin, duke diskutuar bashkë çdo gjë që shkruanim, duke pirë të paktën një kafe në ditë së bashku.
Na lidhte mosha, këndvështrimi i botës, muzika që dëgjonim dhe librat që kishim lexuar. Na ndante vetëm koncepti themel për raportin e gazetarisë me politikën.
Unë besoja dhe besoj në mitin e një gazetarie apolitike, e cila ia ka për detyrë lexuesit që të shohë me mosbesim të gjithë politikanët pa dallim.
Ai besonte se gazetaria mbetet pashmangshmërisht politike dhe ia ka për detyrë lexuesit që t’i thotë se cili politikan është më i miri. Sokoli ishte po aq njeri optimist sa isha unë pesimist.
Ishim vetëm njëzetecavjeçarë në atë kohë dhe ndonëse ishim relativisht më të pjekur se shumë prej moshatarëve tanë, kemi bërë budallallëqe plot. Çfarë është rinia pa to në fund të fundit.
Ndonëse Kozeta, nëna e tij e jashtëzakonshme, kishte bërë çmos që të mos e ndjente diskriminim që e rrethonte ndërsa rritej, fenomeni kishte lënë gjurmë te Sokoli. Dhe i dallohej në gati obsesionin që kishte për t’i dhënë kohë e fjalë, respekt dhe vëmendje të gjithë atyre që i dukeshin si të lënë në periferi nga shoqëria. Njihte me emër e histori jete, çdo roje dere, shofer, pastrues, e punëtor që vërtitej qoftë edhe përkohësisht në institucionet ku punonte.
I ndërgjegjshëm për mizorinë e shoqërisë ndaj atyre që vendos të izolojë, ai e kishte bërë një lloj misioni në vetvete të ishte aty për ta. Ndoshta prandaj edhe iu dha politikës, duke lënë pas gazetarinë politike.
Unë nuk pata mundësi që ta njoh Sokolin pushtetar, po mund të them me garanci të plotë që ai nuk shkoi drejt politikës për të përfituar a për të dalë në pah. Sokoli besonte se mund të transformonte botën. Në ato vite ëndërrimesh, energjia e tij e jashtëzakonshme dhe besimi përplasej jo rrallë me dorëheqjen dhe skepticizmin tim. Ndoshta prandaj kombinoheshim shumë mirë në bisedë e në punë.
Në një moment filluam të botonim edhe një revistë së bashku. Braktisëm punën te gazeta “Albania” dhe iu përveshëm “Kohës”. Ishte një përpjekje naive, pa mjetet e nevojshme, po që na dhuroi për disa javë e muaj një aventurë të mrekullueshme. Në atë periudhë ishim gjithë ditën bashkë. Shumë miq, gazetarë ose jo vinin për të na ndihmuar.
Sokoli kishte gjetur te Kela një njeri që e plotësonte në shumë mënyra. Gazetaria kthehet lehtë në një obsesion që nuk lë kohë për asgjë tjetër në jetë, po Kela i kishte thënë dikur, kur sapo ishin njohur se “njeriu po të dojë gjen gjithmonë kohë”. Ishte nga ato gjërat që i kishin ngelur në mendje e që e shtynin të krijonte vazhdimisht dritare për t’u takuar me të.
Vitet 90 ishin në shumë mënyra vite ëndërrimesh. Shumica e gjërave që ndodhnin rreth nesh ndodhnin për herë të parë në histori për Shqipërinë e shqiptarët. Po ishin edhe vite zhgënjimesh. Në fund, ishte e qartë se e lexuam në mënyrë të ndryshme historinë e viteve 90. Unë si arsye për t’u larguar nga Shqipëria. Ai si thirrje për t’u futur më thellë brenda saj.
Ndryshe nga shumë politikanë shqiptarë, Sokoli mund të kishte ndjekur me shumë sukses çfarëdolloj rruge tjetër në jetë. Ai nuk ishte aty se nuk kishte ku të shkonte. Ishte aty se nuk donte të ishte diku tjetër. Ishte nga ata të paktë që e kishte pasuruar politikën me pjesëmarrjen e tij, kur shpesh ndodhte e kundërta.
Suksesi i tij në vite, në karrierë dhe në detyra ishte në përputhje me vizionin e tij. Të ndryshoje Shqipërinë ishte e mundshme. Dy humbjet e tij më të mëdha në politikë dhe fundi i papritur i jetës së tij, pastaj, përkojnë më shumë me imagjinatën time të zymtë se një shoqëri e sëmurë nuk i fal dot ata që duan t’i bëjnë mirë.
Kjo e fundit duket se ka qenë ndoshta vera më e keqe e jetës së tij si i rritur. Jo sepse humbi betejën për kryetar partie por se kuptoi që e vunë në një garë të pabarabartë, një garë për të cilën ishte i bindur se do të përsëritej në një kohë tjetër më të mirë. Një kohë që nuk do të vijë më kurrë.
Ajo që përjetoi si periudhën e tij më të keqe të jetës ishte, sipas meje, fillimi i vërtetë i rrugës së tij në politikë. I çliruar nga miti që ia përcaktonte pozicionet politike, Sokol Olldashi kishte shansin për t’u rifutur në politikë si një forcë transformuese.
Shenjat e kësaj u dukën në ditët e fundit të jetës së tij. Në kohën kur kryesia e PD-së, ndonëse ishte vënë në dijeni të propozimit për sjelljen e armëve kimike në Shqipëri, ishte në dilemë, Sokol Olldashi mori nismën për t’iu bashkuar protestave. Duke gjetur një jehonë të jashtëzakonshme te baza e partisë së tij. Mund të mos jetë rastësi që mobilizimi “pa leje” i bazës, solli vendimin e PD-së për të dalë kundra. Përfshirja e opozitës në protesta ishte pastaj këmbana e fundit të alarmit për apatinë e qeverisë që vendosi në fund të thotë “Jo”.
Aftësia e Sokolit për të dale në protesta si qytetar i thjeshtë, ishte shenjë sesa natyrshëm mund ta hiqte e zhvishte kostumin e politikanit, ishte shenjë se potenciali i tij si udhëheqës shkonte përtej vijave të partisë.
Sot, kur shoh radhën e mëkatarëve që shkojnë për t’i bërë homazh, kur thonë fjalët e bukura ata që në jetë u përpoqën ta sabotonin e ta izolonin, kur shoh sesi armiq e kundërshtarë, miq e të njohur, janë mbledhur të gjithë bashkë për ta përcjellë, nuk mund të rri pakujtuar sërish se ashtu siç mendonte ai dashuria dhe njerëzorja janë mbi të gjitha e mund t’i bëjnë njerëzit bashkë, e mund ta bëjnë armikun të thotë fjalët e mira. Por nuk mund të rri pa u ndjerë për fat të keq, i legjitimuar nga këndi im, se paturpësia e falciteti nuk mungojnë kurrë në paradën publike e se pseudo miqtë janë në qendër të kamerave e ata që vërtet e kanë dashur kanë mbetur në periferi të vëmendjes,ashtu si gjithë njerëzit për të cilët kujdesej e vinte re.
Unë nuk mund të rri pa besuar se po të ishte zgjedhur kryetar i partisë, nuk do të ishte duke udhëtuar në timon në orën e vonë të natës, mes rrebeshit. Nuk do të provokonte shpejtësinë e panevojshme. Do të kishte një tjetër timon në duar, atë të fateve të partisë që e deshi aq shumë.
Politika dhe qeverisja janë një “sport” kolektiv. Sado politikan apo qeveritar i mirë të jesh, do të përshtatesh me mesataren e ekipit. Sado parti apo qeveri të mirë të ndërtosh do të përshtatesh me nivelin e shoqërisë. Në këtë kuadër Sokoli nuk mund të bënte një përjashtim. Po ai mbeti një nga paktët me potencialin për të rrokullisur një gur që sjell pastaj ortek ndryshimesh. Ishte një shpresë e madhe që u shua, pikërisht në të dalë të tunelit.
Po ndoshta, këto që them shtrembërohen nga largësia, nga emocionet dhe trauma e ngjarjes. Nuk ka analiza të përkryera në raste të tilla. Janë të gjitha të nxituara dhe shpesh pa vend.
Në njëfarë mënyre, nuk e përfyroj tani Sokolin politikan. E imagjinoj vetëm të ulur përballë meje në kafenenë e vogël anash Lanës, duke më zgjatur një cigare, duke parë makinat që si jeta vrapojnë përbri, duke biseduar pa e kuptuar ende nëse kemi filluar jetën e vërtetë apo ende po bëjmë prova.
Që u vra aty larg, që humbi aty larg, që nuk jetoi dot më aty larg, ndjenjat më vijnë të përziera. Si ndjenja e çlirimit dhe e vrasjes së ndërgjegjes, të dezertorit që zgjodhi të ikte nga lufta e përbashkët. Po edhe si parandjenja e spektatorit fatalist që e di se nuk mund të ndryshojë fundin e dramës duke kërcyer si i çmendur në skenë. Se është shkruar shumë kohë më parë e se e vetmja zgjedhje ka qenë që të bëhemi aktorë ose spektatorë.
Dje humbëm një njeri që besonte sinqerisht se mund t’ia shkruante ndryshe historinë Shqipërisë dhe njerëzimit. Për humbje të tilla lotët nuk do të rreshtin kurrë, ashtu si shiu i natës së tmerrshme nëpër të cilën çau për herë të fundit e nuk u kthye më.