Albspirit

Media/News/Publishing

ELEZ BIBERAJ DHE NJË “UMBRELLË” BEFASUESE

Shefqet Meko
-Njeriu është njeri. Elez Biberaj si një antikult dhe intelektual shqiptar i llojit të vet-
(Si një falenderim në vigjilje Ditës së Falenderimeve Amerikane)
Në atë funddekadë të shekullit që shkoi, kur regjimi i djeshëm tronditej e frikej nga rrëshqitja e pushtetit, gazetari Elez Biberaj shpesh do reportonte diku nga Mali i Zi për situatën në Shqipëri, përmes Zërit të Amerikës. Me nuhatjen gazetareske, Biberaj kishte paraparë rënien dhe ishte përkohësisht “më pranë ngjarjes shqiptare” duke pritur që Shqipëria të hapej. Unë isha “gazetar i regjimit”, por nuk mund të rrija pa dëgjuar “reportazhet e Biberajt”. Kishte një aksent të një shqipeje të veçantë, timburese dhe depërtuese e çdo fjalë që hidhte në efir, dukej si një “bisturi” që kërkonte të bëntë “operacionin e urgjencës politike”. E kam ndjekur në heshtje Elez Biberajn dhe më dukej një zë nga “Bota tjetër”. Ai çuditërisht dinte më shumë se ç’ndodhte në Tiranë, se sa ne “pranë kryeqytetit”. Ishin raportime radiofonike që nuk do të mund të ndodhin më kurrë. Ishte “fati i Biberajt” të dëshmonte dhe dokumentonte një rënie me shpresën e ringritjes ndryshe… Më dukej një “gazetar tjetër lloji” e një njeri që unë kurrë nuk mund ta mendoja se mund ta takoja…
“Regjimi i Tiranës” ra një ditë siç ranë gjithë “dinastitë e lindjes”. Shqipëria u hap dhe erdhën të gjithë ata që “luftonin nga jashtë”. Erdhi aty “pa eskortë” edhe Elez Biberaj. Atë e urrente një shumicë shqiptare, sepse u dukej “agjent amerikan”, kur ai thjesht ishte Lajmës i Kohës. Unë për arsye profesionale nuk isha një nga ta. Shpesh pyesja veten si pati atë fat Biberaj të “raportonte nga Amerika”. Ishte shansi i tij të ishte “Në vendin e duhur, në kohën e duhur”. Ato kohë në mendjet tona Amerika edhe pse ofrohej si shpresë, prap ishin efektet e “Rrezikut anglo-amerikan”. Shpesh i indoktrinuar nga propaganda që “isha pjesë”, kisha një iluzion sikur “Elezi rrëzoi komunizmin”. Ishte një iluzion. Elez Biberaj dukej të ishte njeri si unë dhe si ti. E kam soditur nga larg. Më dukej njeri që nuk mund të ishte kurrë “Miku im”. E kam parë në ndërtesën e RTSH me atë çantën e zezë të meshintë “plot letra” që sikur ja rëndonte shpinën, ndërsa shoqërohej me Skënder Buçpapajn, me Xheved Shehun, dy miqtë e mi që u mbetem mirënjohës për shumë arsye. Elez Biberaj ishte përherë me ta, kurrë me mua. Në Tiranë ai më dukej i patakueshëm, apo një lloj meteori publicistik që e admiroja, por më ishte diçka e largët,e tejshme edhe pse unë ishe një reporter i Radio-Tiranës, sikurse Biberaj ishte i tillë për Zërin e Amerikës. Ky stacion “propogandë” e qeverive amerikane gëzonte një respekt nga unë, sepse ndryshe nga “zbythjet” evropiane, ju qëndroi shqiptarëve dhe vijoi informimin deri në fund, pa ndërprerë misionin asnjë çast. Kujtojmë se BBC u mbyll kur ne na duhej, por Amerika nuk e shoi zërin e vet informues. Kjo është, sipas meje, merita largpamëse e “propogandës qeveritare” të Zërit të Amerikës…
Koha hovi në rrjedhën e vet. Nuk do isha më gazetar i Radio-Tiranës. Fati do më sillte në Amerikë ku “Fillova nga zero”… Nuk dëgjova më kurrë “Zërin e Amerikës”. Nuk më duhej. Kisha ardhur tek vendi ku “Liria të jep liri”. Në ëndërrimet e para drejt Amerikës, në projektet e mia ishte edhe “Ëndrra e Uashingtonit” që të filloja jetën aty dhe të kërkoja punë tek VOA.(Ëndrra në beze thonë në Shkodër). Nuk ndodhi. Ato kohë shkodrano-amerikani Ernest Gocaj do më ofronte mundësi punësimi si brigadier diku në fermat e Kënektikatit me 15 mijë dollar në vit. Mu duk gjë e madhe. Kur ja thashë Maura Schwartz ajo më tha “15K janë kacidhe në USA. Eja në Minnesota ku kam ardhur unë”. Atje shkova. Bëra zgjidhjen më të mirë. Fillova jetën time duke ringritur gjithshka me duart e mia. Mësova se si të jem “zot i vetes”. Ky është realisht leksioni më i madh që të jep Amerika: “Bëju i zoti për veten tënde dhe familjen”. Çdo iluzion tjetër për këtë vend është mashtrim. Këtu nuk e gjen kurrë “sofrën plot”. Këtu ke mundësi të jesh “Ai që do të jesh”. Kaq e thjeshtë është Amerika: Ji vetja jote. Unë u përpoqa të isha Unë. Jam krenar për këtë. Si ish-gazetar kurrë nuk hoqa dorë nga dëshirat e mia, por Amerika nuk pyet për dëshira. Ajo do “prodhim tregu”. Unë nuk mund të prodhoja treg si gazetar…
Vetëm kur u ndodha në Amerikë, ndjeva se unë mund të trokisja edhe tek Elez Biberaj. Pa ndonjë ofiq, pa ndonjë akreditim special, thjesht si Shefqet Meko nga Minesota. Ishte viti 2006. Kosova përjetonte “dhimbjet e praglindjes” falë Amerikës. Isha në DC për një konferencë. Dëshira për ta takuar Elez Biberajn nuk ishte shuar. Nuk kisha asnjë lloj interesi personal apo ish- profesional. Thjesht një takim me shqiptaro-amerikanin Biberaj, për tja dëgjuar zërin timbrues nga afër, për të pirë një kafe. Kaq. A do më pranonte gazetari-famë Biberaj? A do më gjykonte se kush isha? I tejzhgënjyer nga PPSh, unë kurrë nuk iu atashova asnjë rryme politike pas lirisë së ideve në Shqipëri…
Kjo ndodhi fare thjesht. Vetëm një telefonatë dhe unë u ndodh në zyrat e “Zërit të Amerikës”. Ka qënë një nga vizitat më emocionale në DC. Nuk do kisha përjetuar kurrë diçka të tillë edhe sikur të isha tek Zyra Ovale. Kjo për faktin e thjesht sepse aty takova kolegët e mi shqiptarë që dikur na bashkonte Tirana. Kujtoj duarshtrëngimin me Ilir Ikinomin që më pas do më ngazëllente me librin e tij për Faik Konicën.
Ishte emocionale të ndodhesha përballë Elezi Biberjt-zërit që na drithëronte në vitet 90-të. Nuk kisha përjetuar kurrë aq natyrshmëri dhe traditë shqiptare në epiqëndër të Politikës Amerikane. Përballë Biberajt u ndejva si dikur përballë Skëndër Buçpapajt:Miqësor. Ai ishte aq njerëzor, aq i ngrohtë saqë tejkalonte çdo takim në Tiranë. “Shyqyr që na bashkoi Amerika” thashë me vete duke i dhënë dorën Elez Biberajt “ Shefqet Meko nga Minnesota” i thashë. Ai qeshi njerëzisht dhe më kujtoi “buzëqeshjen shqiptare”. Ashtu siç takohemi më përqafoi duke më thënë: “Ish-gazetar i Radio- Tiranës”. Elezi më qeshi sikur ishim miq prej vitesh. Ne kurrë nuk ishim miq të mëparshëm.Nuk di se sa mendime më erdhën në mendjë duke qënë “Përballë Biberajt”.Folëm shkurt dhe telegrafisht e çdo fjalë mbeti “shigjetë”. Biberaj është një njeri që të bën mik, të “ul në krye” dhe të respekton. Ai thjesht të bën të “varrosësh” çdo iluzion.Në pak minuta “rrotullohet” në tavolinë Shqipëria, politika, Kosova, Shqiptari. Elezi thotë shkurt: “Si gjithë të tjerët jemi me të mirën dhe të keqen me nesh. Si të tërë kombet, pa përjashtim”. Unë dua të “përtyp” çdo fjalë të Elezit që në Tiranë më dukej “mes eskortash”. Jam përballë. Më bën për vete. Më bën ta dua. Më bën të “shred” çdo olizion. Elez Biberaj është njeri: shok, miqësor, baba, intelektual, i logjikshëm, njerëzor, i vëmendshëm, i kujdesshëm…Biberaj më “ngjan me mua” dhe ndihem vëllazëror. Kurrë nuk më ka ndodhur të ndihem i tillë në ndonjë “zyrë tjetër”. As në Tiranë. Askund. Ndihem njeri. Është “Magjia” Elezi, po është “normë Uashingtoni”? Jo. Është njeriu shqiptar me emrin Elez Biberaj.Folëm aq shumë në pak kohë. Më mbeti në mendje sentence e Biberajt: “Na erdhi shansi. Na u poqën interest…” Ishte fjala për Kosovën që “po piqej” për mëvetësi nëpër hollet e mëdha të Uashintonit. Elezi dinte më shumë…
Nuk di sa vijoi ai takim. Ishte diçka e magjishme, njerëzore dhe po aq e thjeshtë. Elez Biberaj do më shëtiste nëpër studion e VOA si për të më zgjuar nostalgjinë e punës së dikurshme në Radio-Tirana.Kontrast dhimbës. Do më prezantonte me stafin shqiptar dhe unë momentalisht sikur u ndjeva “një nga ta”. Më dukej sikur një copëz shqipërie kishte “rënë” në mes të Uashgntonit.Kurrë nuk jam ndjerë më njeri se sa ato momente në zyrat e seksionit shqip të Zërit të Amerikës. Aty sikur “u ul me mua” daja im, Izet Begolli që pas ditës së lodhshme si bahçevan i palodhur e plot talent, dëgjontë mbrëmjeve “lajmet e ndaluara”. Isha gati të bërtisja “Daja im vdiq duke ju dëgjuar juve”. Por ishte e kotë. Nostalgjitë ishin varrosur dhe tashmë jeta vijonte. Elezi nuk mu nda në ato moment të vizitës sime blic tek një radio shtetërore që pat krijuar “pushtetin e fjalës” në kohën që iku…
Nuk ka një “Malësor të dytë” në kryeqytetin Amerikan si gazetari Elez Biberaj. Ai nuk është as tropojan, as kosovar. Ai është një “mutacion intelektual” nga shqiptarët e Malit të Zi. Një burrë tradite, një konservator i pakrahasueshëm i vlerave, virtyteve e traditave shqiptare shqiptare, e mbi të gjitha një nga antikomunistët më të spikatur të shekullit që kapërcyem dy dekada të shkuara. Elez Biberaj është për mendimin tim një vlerë shqiptare tashmë “e thekur” në Amerikë. Nga larg nuk mund të kesh atë përshtypje që “të ngjit” kur rri dhe pi një kafe me Biberajn. Nuk kam dëshirë t’i thur titirambe një njeriu që puna në media i ka krijuar “Kultin” publicistik të cilin është ai që e zhbën me sjelljen, respektin dhe vendin që i jep secilit që mund ta njohë nga afër gazetarin Elez Biberaj.
Sa herë më bie rruga në Uashington, nuk mund të rri pa i bërë një zile shqiptaro-amerikanit Elez Biberaj. Madje diku në vitin 2012 do isha sërish tek zyra e Biberajt duke sjellë me vete edhe Dr. Sabah Sena që ndodhej në DC për një panair bujqësor ndërkombëtar. Ai “mbeti pa mend” nga njerëzillëku i Dr. Elez Biberajt. “Ky qënka kaq njerëzor sa nuk mund ta besosh” do më thoshte Sabah Sena kur dolëm nga zyrat e Zërit të Amerikës.
Zëri timbrik i Biberajt ishte “tek Unë” në ato vite furtunë të ndryshimit në Shqipëri, por kurrë nuk e kisha menduar se “zëri legjendë”- Biberaj të ishte aq dashamirës, aq njerëzor dhe aq i thjeshtë në një takim “pa mik”, por thjesht me një telefonatë. Për mua mbetet një rast unik ku “kulti” zbret njerëzisht dhe “pi kafe me ty”. Nuk kam një rast të dytë ta krahasoj. Në librarinë time kam mes librave edhe botimin e Dr. Elez Biberaj “Shqipëria në Tranzicion” me shënimin e autorit: “Miku tim Shefqet Meko, përzemërsisht Elez”.
Besoj se kjo nuk kërkon komente të mëtejshme për të treguar “diçka të pa rrëfyer” për shqiptarin e mirë dhe intelektualin e spikatur Dr. Elez Biberaj. Ajo që më shokon, më bën edhe “më pranë” Elezit është se ne mund të jemi të dy brenda një sistemi amerikan siç është SSA(Sigurimi Shoqëror Amerikan). Kurrë nuk më kishte shkuar në mendje që unë dhe Elez Biberaj mund të ishim nën të njëjtën “umberllë” sociale siç është SSA. (Nuk do harruar të shtoj se Biberaj, nuk mund të jetë vetëm nën një “umbrellë”. Ai me siguri ka menduar më mirë se unë për “vitet e bardha” të moshës.)
Më zgjoi gjithë këto kujtime lajmi se Dr. Elez Biberaj së shpejti del në pension. Unë nuk dua të dal në pension, edhe pse mosha më ofron këtë mundësi, por nëse ndryshoj mendje, të dy do kemi një përkujdesje nga i njëjti sistem federal amerikan, ku natyrisht gjejnë kujdesin që u duhet edhe shumë shqiptaro-amerikanë të tjerë. A nuk është disi e habitshme kjo? A nuk rrëfen edhe ky fakt se Amerika është një “eksperiment i çuditshëm” ku edhe ne shqiptarët jemi pjesë e pakontestueshme?…
Minneapolis 22 Nëntor 2023.
Please follow and like us: