Ibrahim Vasjari: “Virusi’’ i Adamit
– Përsiatje –
Përjashtimi, ky ndëshkim me zanafillë të stërlashtë mitike, mbetet më jetëgjati në histori, i pacënuar në esencën e vet deri në ditët tona nga asnjë kod juridik apo moral, nga asnjë sistem, reformë apo përmbysje revolucionare. Drama e dëbimit të Adamit që, siç na e përcjellin burimet biblike, nisi me një “prolog në qiell”, vazhdon ende me akte pa fund, pa zgjidhje, pa epilog.
Duke zbërthyer ‘’gjuhën e fshehtë’’ të simbolikës së këtij ndëshkimi që “kodi penal” hyjnor i dha njeriut të parë dhe krejt racës njerëzore për mëkatin e arsyes e të mendimit të lirë, mendimtarë të ndryshëm vërejnë se fataliteti ishte i rëndë, e keqja ishte injektuar në thelbin ontologjik të njeriut.
Njeriu i dëbuar erdhi tepër i brishtë në tokë. Ai do ta pagonte shtrenjtë mendimin e lirë, “do ta nxirrte me djersë bukën e gojës” e do të provonte për herë të parë vuajtjet, frikërat, ankthet e së fundi vdekjen. Por, ndonëse i viktimizuar nga një nen i rreptë ndëshkues, Adami nuk e pati të vështirë ta sillte me vete këtë nen për ta bërë prioritar të kodeve më të hershme njerëzore. Ishte mbartës ‘’virusi’’ apo me ambicien për t’u bërë edhe ai Zot!? Ç’ishte kjo ngasje satanike!? Adami u bë kështu i përjashtuari dhe përjashtuesi i parë.
Burimet e anashkalojnë shpjegimin e faktit nëse Adami (njeriu) e kishte të drejtën të ndëshkonte në tokë të njëllojtët e vet, po aq të vdekshëm e mëkatarë sa ai, duke adoptuar ‘’legjislacionin hyjnor’’, në mungesë të një autoriteti epror të ndryshëm nga vetja. Aplikimi i përjashtimit në tokë, në një hapësirë, kohë dhe ekzistencë tjetërdimensionale, jashtë çdo analogjie me prejardhjen burimore të këtij lloj ndëshkimi, tregonte se mallkimi hyjnor ishte më i thellë nga ç’dukej, se në brumin njerëzor ishte injektuar tharmi i vetëshkatërrimit.
Njeriu i hershëm nisi t’i druhej së ndryshmes nga vetja, e bezdiste prania e një tjetri ndryshe p.sh. nga ngjyra e fytyrës, nga flokët, nga gjuha, nga krahina përtej malit, përtej lumit të fshatit etj. Të qenët ndryshe, konceptuar si tjetërllojshmëri, ngjallte te ky njeri frikën dhe nxiste armiqësinë, ndërsa instikti i vetëmbrojtjes këshillonte në këtë rast mënjanimin ose eliminimin e së ndryshmes.
Por, ndonëse thelbësisht egoist e përjashtues, ndryshe nga ç’mendon A. Shopenhauer se “vetmia është gjendja e natyrshme e njeriut, që e kthen atë në lumturinë fillestare, si në kohën e Adamit’’, duket se njeriu u përball me një botë të ndërlikuar ku nuk mjaftonte vetvetja. Përpjekja për të pajtuar kontradiktën midis prirjes egoiste të njeriut dhe domosdoshmërisë së jetës komunitare doli në plan të parë duke u bërë motiv veprimi e organizimi politik racional, por pa mundur dot kurrë të shteronte plotësisht gurrën e mistershme nga vërshonin rrëmbat e iracionalizmit, herë duke u fryrë përplasjeve e duke ndezur zjarret e luftërave të përgjakshme, herë të maskuara në regjimet diktatoriale me përrallën e ‘’armikut socialpolitik ose klasor’’.
Me gjithë progresin e madh intelektual, ekonomik, kulturor e shpirtëror, njeriu mbetet gjithnjë një qenie thelbësisht e shqetësuar, e pamjaftueshme, e kufizuar, e paplotë, me një prirje të përjetshme për t’u zmadhuar e fuqizuar, për ta kapërcyer kufishmërinë, në një përpjekje të mundimshme ekstensive e intensive për zgjerim kufijsh të ekzistencës.
Zhvillimi i shoqërisë kërkonte bashkësi më të mëdha se familja dhe fisi. Organizimet e mëdha kërkonin motive më të fuqishme e koherente, ndërkohë që, paralelisht, edhe përjashtimi bëhej kërcënues e përfshirës, por më i sofistifikuar, sepse tashmë ai gjente strehë e mbështetje në entitete të tilla autoritare, si: kombi, gjuha, raca, feja, klasa, partia, fryma e shenjtë apo revolucionare etj. Domosdoshmëria e jetës komunitare zvogëlonte mundësinë e përjashtimit absolut, por pa mundur ta eliminonte atë asnjëherë. Ai veç u modifikua, madje duke zgjeruar fushën e veprimit të tij mbi baza të reja morale e juridike, mori një larmi formash, i mbrojtur nga mijëra udhëzime, nene e paragrafe penale, sipas ‘’nevojave’’ historike.
Kontradiktat ‘’vetmi – pamjaftueshmëri e vetvetes’’ po aq sa edhe ‘’liri – barazi’’ ose ‘’kureshtje pa kufi – mundësi e kufizuar njohëse’’ u bënë baza e një dialektike përplasjesh dhe ndërveprimi të gjatë e të frytshëm në udhën e progresit njerëzor. Mbijetesa e llojit, aftësia përshtatëse dhe burimi i pashtershëm i energjisë njerëzore në tokë mbështetet te mëkati fillestar, tek ai shpirt i pavdekshëm kureshtar që nxit mendimin e lirë, pjellor e të shumëllojshëm dhe që përbën pjesën më thelbësore të potencialit organik njerëzor. Ndërsa intoleranca dhe përjashtimi nuk reshtin së prodhuari gjithnjë energji negative, frenuese, regresive. Një kulturë, përvojë dhe subkoshiencë e tillë prodhon kudo armikun e provokon kudo konfliktin. Prania e ideve të ndryshme nuk e konflikton botën, përkundrazi shton mundësitë e zhvillimit. Konflikte gjenerojnë idealet përjashtuese. Madje, kur flamuri i tyre bie në duar të aktivistëve fanatikë, ato përfshijnë shoqërinë dhe botën në masakra të përgjakshme.
… Qysh prej Kohëve Biblike e deri sot, për miliona vjet, frenimi i përjashtimit, i kësaj dukurie thelbësisht vetëshkatërruese (sepse për eliminim të plotë ende nuk bëhet fjalë) mbështetet kryesisht në racionalizëm, përsëri në një mundësi që na dha “molla e kafshuar”, por mjerisht e paaftë të depërtojë përfundimisht në thellësi të realiteteve tona për të luftuar me sukses “virusin’’ e Adamit. Qiejt kanë re të trishta: jemi ende shumë larg fitores mbi këtë ‘’virus’’.
Please follow and like us: