Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi: DJALIN QË BURRËROI LUFTA, E PËRJETËSOI HISTORIA

(Në përkujtim dhe në kuadër të 80 vjetorit të ekzekutimit të Ferik Zagoll Bilbilaj (7.3.1930–30.11.1943), dëshmorit 14 vjeçar, të ekzekutuar nga fashizmi gjerman se ishte pjesë e rinisë antifashiste dhe korier i çetës partizane të fshatit Vajzë, që rridhte nga oxhaku i Bilbilajve dhe që ishte i lidhur fort me formacionet partizane të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Vajza në të gjitha përballjet me pushtuesit ka 39 të rënë në fushën e nderit, 27 prej të cilëve janë të shpallur dëshmor, ndërsa 12 të rënë janë në proces të shpalljes dëshmor, sikurse janë Hito Zenel Hitaj rënë më 1878, Resul Beqo Resuli/Onjea, Manaj (1869–1897), rënë në Luftën e tretë për Vilajetin e Janinës më 1897; Nëntë të rënë gjatë LANÇ-it: Ferik Zagoll Bilbilaj, Delo Mystehak Sulçaj, Dalan Mehmet Kamberaj, Këze Shahin Sulçaj, Pesare Xhezo Kërroçaj, Beqir Hasho Osmani, Abdyl Hasho Osmani, Shaho Barjam Selimaj, Sadedin Sherif Hazizi, si dhe Azbi Nurçe Hitaj i burgosur, torturuar dhe vdekur nga plagët më 10.2.1945).

 

Labëria ka qenë dhe mbetur palca e atdhetarisë dhe trimërisë shqiptare. Nuk është e nevojshme as të kërkojmë dhe as të sjellim shembuj nga spartanët apo popuj të tjerë luftëtarë, pasi Labëria është shembulli më i shkëlqyer i lavdisë së kombit, i trimërisë, qëndresës, kundërshtimit të pushtimeve. Heroizmi i trevës labe dhe shumë trevave shqiptare nga gadishulli i Istrës në very në gjirin e Ambrakisë, nga Adriatiku e Joni deri tek Sava, Danubi, Morava, Vardari etj., është pjesë e historisë luftarake shqiptare dhe e kulturës së qëndrimit të paepur. Vitaliteti i një zone të tërë është sa heroik aq edhe monumentale, pasi monumentalë janë njerëzit që kanë shkruar historinë e “pemës së pavdekësisë”. Përpara se të veprojnë besa-besë shekujve kanë bashkuar zemrat për të bashkuar gjakun e idealet e qëndresës. Kështu ka ndodhur edhe në fshatin Vajzë, ku “ju mbiu lufta në prag,/luftë ditë e luftë natë”.

Përpara Luftës së Dytë Botërore nuk perceptohej një botë pa luftë, ndërsa në Labëri nuk perceptohej Labëria pa trimëri. Këtu kishte lindur domosdoshmëria, që dhe bijtë e kësaj treve të burrëroheshin përpara kohe, të bëheshin pjesë e formacioneve luftarake që fëmijë, të thithnin “ajrin e luftës”, të privoheshin nga fëmijëria, për të cilët edhe shkruan historia. Kështu fshati Vajzë ka histori dhe trashëgimi të pasur dhe tashmë jo vetëm gojore, por edhe të shkruar në dy historikë: një i viteve ’70 – ’80 dhe Historiku i rihartuar, rishtypur, riformatuar e kompjuterizuar besnikërisht sipas origjinalit të parë, publikuar më 11.11.2023.

Në të dy publikimet fshati Vajzë spikat si fshat i Labërisë, i lashtësisë, me qytetërim të hershëm amantin, i burrave të fortë luftëtarë lirie, në barikadat e përhershme të kundërshtimit të pushtimeve shekujve, fshati i prijësit e kapedantit në njohur të 1878-tës Hito Hitaj, i trimave e luftëtarë të rrëzës së Malit të Beunit, ku nisi vrullshëm Lufta e Vlorës e 1920-tës, fshat i martirizuar antifashist deri në palcë, ku historinë e shkruajtën me gjakun e 39 dëshmorëve kundër të gjithë pushtuesve. Ka një pjesë të spikatur në “Historikun e fshatit Vajzë”, ku thuhet se: Rinia antifashiste e fshatit Vajzë ka qenë pjesë e gjithë formacioneve antifashiste.

Ndërsa për Ferik Zagoll Bilbilaj, dëshmorin 14 vjeçar, që është në proces të hartimit të dokumentacionit, për t’u shpallur me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut” shkruhet: “Ferik Zagoll Bilbilaj, ishte në moshë fare i ri kur filloi Lufta Nacionalçlirimtare. E gjithë familja e tij u lidh me luftën. Babai i tij Zagolli, ishte anëtar i Këshillit Nacionalçlirimtar. Vëllai i tij më i madh, Iljazi, qe partizan në çetën e fshatit Vajzë. Feriku ishte 13 vjeç. Edhe ai punonte, bënte detyrën e korrierit në shumë raste.

Në muajin nëntor të vitit 1943 u vra nga forcat gjermane në afërsi të Mullirit të Rexhepit kur po ikte për t’i shpëtuar kapjes nga ana e fashistëve”. (sipas origjinalit të “Historiku i fshatit Vajzë” të botimit të dytë, Vajzë 1980, faqe 142-143), por edhe të librit të Maliq Sadushit ish-zvendësministër i Mbrojtjes në vitet ’70-’80-të, i cili ka publikuar librin “Fshati ynë i mirë” (Histori e fshatit Vajzë), e vitit 2002 në të cilin për të ekzekutuarin Ferik Bilbilaj dhe në faqn 275 shkruhet: “Nga zjarri i mitralozit fashist mbeti i vrarë pionieri trim Ferik Bilbilaj”, ndërsa në përcaktimin “”viktima apo dëshmorë të LANÇ-it” shkruhet: “Okupatori nazi-fashist në bashkëpunim me tradhëtarët e vendit, në çdo operacion që ndërmori bëri terror në popull. Ata kapnin e pushkatonin gra e fëmijë të pafajshëm.

Krime të tilla bënë edhe në Vajzë duke kapur e pushkatuar pa gjyq nëntë vetë, midis tyre edhe dy gra. Po të merret parasysh aktiviteti i këtyre viktimave në dobi të luftës dhe mënyra se si janë kapur nga armiku, qëndresa e tyre etj, ata me të drejtë duhen quajtur dëshmorë të luftës nacionalçlirimtare e jo viktima. Ky problem mbetet i hapur edhe në organet kompetente dhe mund e duhet të shikohet në të ardhmen. Tani për tani, këta persona mbeten në kujtesën time si viktima të luftës, meqënëse ligjërisht ky problem nuk është zgjidhur ende”. (271-272).

Në lidhje me “Të rinjtë e fshatit Vajzë” shkruhet: Edhe të rinjtë e fshatit Vajzë treguan trimëri dhe vendosmëri.., mbushën radhët e çetës partizane të fshatit dhe të çetave të tjera të rregullta, ata ishin agjitatorë të zjarrtë për çështjen e luftës kundër fashizmit italian e gjerman, punuan pa u lodhur me rininë antifashiste të fshatit dhe luftuan me trimëri dhe shumë prej tyre dhanë edhe jetën për çlirimin e Shqipërisë. Të rinjtë e fshatit Vajzë që ranë në luftë për çlirimin e Atdheut nga Vajza ishin nëntë dëshmorë: Mete Mystehak Sulçaj, Sheremet Çerçiz Çaushaj, Faik Ormen Shakaj, Xhepo Xhevit Shakaj, Qendro Sadush Bellaj, Lelo Hadër Habilaj, Maliq Hadër Habilaj, Haxhi Hate Deraj dhe Isa Zagoll Veselaj.

Në radhët e çetave, batalioneve e brigadave partizane të UNÇSH-së, por dhe me aktivitet në terren ishin: Pirro Rexhep Hoxhaj, Vojsava Hitaj e Donika Hitaj, Çize Bellaj, Marika Brahimaj, Tafil Sadushaj, Malo Alem Nazaj, Bino Kasaj, Xhevdet Kasaj, Remzi Bege Hanaj, Selfo Perhati, Reshat Zagoll Bilbilaj, Maliq Sadushaj, Fuat Çerçiz Çaushaj, Hysen Brahimaj, Shamet Hanaj, Reiz Ali Brahaj dhe shumë të tjerë. Aktiviteti patriotik e luftarak i popullit të Vajzës ishte dhe ka ngelur në histori një vepër monumentale që flet qartësisht për qëndresë, burrëri, guxim, trimëri si dhe besim të patundur në fitore.

Nga fshati Vajzë janë ekzekutuar nga fashizmi italian e gjerman nëntë banorë të fshatit: Ferik Zagoll Bilbilaj, Delo Mystehak Sulçaj, Dalan Mehmet Kamberaj, Këze Shahin Sulçaj, Pesare Xhezo Kërroçaj, Beqir Hasho Osmani, Abdyl Hasho Osmani, Shaho Barjam Selimaj, Sadedin Sherif Hazizi, si dhe Azbi Nurçe Hitaj i burgosur, torturuar dhe vdekur nga plagët në fillim të vitit 1945. Kështu që përmendorja memoristike e fshatit Vajzë që është dhe ndër kurorat më të bukura të lavdisë së një fshat përmban 27 emra kur në fakt duhet të përbajë të gjithë të rënët e këtij fshati në të gjitha epokat që duhet të jenë faktikisht 39 dëshmorë në altarin e lirisë.

Dhe në këtë altar lirie e përjetësie duhet të jetë edhe emri i të riut 14 vjeçar Ferik Zagoll Bilbilaj, krahas 32 dëshmorëve të LANÇ-it. Ai meriton të nderohet bashkë me gjakun të rënëve të tjerë për lirinë sepse, gjithë të pushkatuarit nga fashizmi duhet të shpallen dëshmorë në bazë të Ligjit nr. 109/2018, datë 20.12.2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, neni 5 “Kriteret për shpalljen ose njohjen e statusit “Dëshmor i atdheut”, pika d), që thotë: “Shtetasit shqiptarë të pushkatuar për pjesëmarrjen në formacionet luftarake të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare apo për mbështetje të pjesëmarrësve të Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, si dhe të pushkatuar për hakmarrje nga pushtuesit nazifashistë apo bashkëpunëtorët e tyre, nga data 7 prill 1939 deri më 9 maj 1945”. Të rënët në frontin e luftës çlirimtare dhe të ekzekutuarit me pushkatim ose me tortura e forma të tjera shfarrosjeje të sakrifikuar për lirinë e Shqipërisë meritojnë titullin e lartë “dëshmor”.

Cili ishte Ferik Zagoll Bilbilaj, i cili ka hyrë në epopenë e luftës çlirimtare si “pioneri- dëshmor” i fshatit Vajzë?

Ferik Zagoll Bilbilaj ishte lindur në fshatin Vajzë më 7 Mars 1930, në një familje me tradita patriotike dhe atdhetare. Fillimi i Luftës Nacionalçlirimtare shqiptare, e gjeti Ferik Bilbilaj në moshë fare të re e të paformuar plotësisht. Por ai u rrit dhe edukua në familjen e tij me traditat e parsura të të parëve. Oxhaku i familjes Bilbili ishte shquar për trimëri dhe mençuri dhe që se kishin lëshuar kurrë dyfekun nga supi, ku trimëritë dhe bëmat e fisit dhe fshatit rritën breza të denjë për Atdheun mes këngësh, tregimesh e legjendash që mëkonin trimërinë, burrërinë dhe mençurinë e fisit, fshatit, krahinës dhe Labërisë. Ferik Bilbilaj u rrit në prushin atdhetar dhe u kalit si një luftëar i së ardhmes dhe u bë një ndër të rënët në betejat e mëdha të historisë gjatë luftës së madhe të shqiptarëve në Luftën e Dytë Botërore. Familja e tij, babai, Zagolli dhe të dy vëllzërit, u lidhen që në fillim me Lëvizjen Antifashiste dhe u bënë një ndër bazat kryesore në Vajzë.

Fillimisht ka qenë pionier i Rinisë Antifashiste dhe më tej erdhi gjithmonë duke u rritur, forcuar e burrëruar. Ferik Bilbilaj i shikonte me simpati të madhe burrat e rritur të fshatit që u rreshtuan me bindje të plotë në çetën antifashiste të fshatit. Nga ana tjetër ai i vrente me vëmëndje dhe dëgjonte me kureshtje të madhe ata që vinin shpesh në kasollen e tij e ëndërronte të bëhej partizan, pa marrë parasysh moshën. Kjo nuk e pengoi për të qenë në shërbim të çetës së fshatit si korier, mbledhës i ndihmave në veshmbathje e ushqime për partizanët dhe për transportimin e armëve dhe municioneve.

Feriku si i vogël që ishte nuk binte në sy, ndaj kryente në shumë raste detyrën e korrierit partizan për çetën e Vajzës. Ishte një djalë i shkathët dhe i zgjuar, që ishte rritur me frymë atdhetare si dhe ishte djalë i përgatitur për t’u ndeshur me armikun, ku nga ana tjetër kishte mësuar nga të parët se forca e trimëria nuk qëndron tek numrat, por tek zemra, guximi e shpirti luftarak për të mbrojtur vatrat tona, edhe pse maksima proverbiale popullore në Labëri është e njohur: “Dy lebër bëjnë një kompani, tre lebër bëjnë një ushtri”. Prandaj edhe Feriku ndjehej zotërues i terrenit, që e njihte me pëllëmbë dhe forcën labe përballë pushtuesve nuk e maste me numrin e tyre ose me armatimin edhe shumë herë më të pajisur se forcat partizane. Në muajin nëntor të vitit 1943, kur zhvilloheshin luftime të ashpra në Vajzë, Plloçë, rrëzë malit dhe gjithë pllajën e Beunit e gjetkë tërë familjet e fshatit dhe të fushës u larguan dhe u fshehën në pyje. Ndërkohë gjermanët dhe bashkëpunëtorët e tyre kishin djegur shtëtpitë dhe kasollet e fshatit Vajzë. Banorët ishin dëbuar nga fshati dhe korieri i çetës Feriku për të shpëtuar shpërnguljen e popullatës drejt fshatit Amonicë dhe pyjeve mbështeste më të vegjëlit që të ecin bashkë me gratë e të moshuarit e fshatit.

Ndërkohë që Feriku po shkonte nga përroi i Amonicës drejt pyllit të Kuliut, në afërsi të Mullirit të Rexhepit që ndodhej afër kasolleve të familjes së tij, u diktua nga forcat gjermane, të cilat hapen zjarr kundër tij. Nga zjarri i mitrolozit fashist gjerman mbeti i vrarë pionieri trim Ferik Bilbilaj. Nuk do mjaftonte breshëria e mitralozit por edhe goditja me mortajë, që ja preu trupin dhe jetën në mes djaloshit 14 vjeçar Ferik Bilbilaj. Kur trupi i tij ishte ende I ngrohtë, Feriku ishte duke dhënë shpirt dhe i thotë kunatës së tij, Peshqeshes: “Mos u vrave gjë?!”. Dhe në fakt pa pritur përgjigjen që i vinte “jo”, ndërroi jetë nga plagët e shumta që kishte marrë nga mitralozi dhe mortaja armike e nazistëve gjermanë.

Sikurse shkruhet në Historikun e fshatit Vajzë të vitit 1981, djaloshi trim i oxhakut të Bilbilajve pranë Mullirit të Rexhepit. Dëshmitarë ishin të shumtë shumica fëmijë të vegjël që ishin përzënë nga fshati. Sipas kujtimeve të Behije Iliaz Bilbilaj, që ka qenë dëshmitare në momentin e vrasjes së xhaxhait të saj, Ferik Zagoll Bilbilaj, që është larguar nga jeta këtë vit, ka lënë dëshmi të imtësishme nga momenti i vrasjes së Ferik Bilbilaj, që thoshte se, “..pas goditjes me mortajë nga gjermanët, plasja ishte shumë pranë nesh dhe mbaj mend se në dorën time në pëlqi me ngjit si e salduar një copëz e mëlçisë së Ferikut, që e kishte prerë trupin e tij mortaja në mes…”.

Dëshmi të tilla vijnë dhe nga burri 104 vjeçar, vajzioti Bino Zigur Kasaj (që është shuar në këtë mes nëntori 2023, në prag të 79 vetorit të çlirimit), i cili kishte përjetuar të gjitha ngjarjet, ekzekutimet e pushkatimet e bashkëfshatarëve të tij, ku dëshmon edhe për vrasjen e Ferik Bilbilaj midis përroit të Amonicës dhe pyllit të Kuliut, tek Mulliri i Rexhepit, një ekzekutim barbar me mitraloz dhe me mortajë nga nazifashistët gjermanë. Për këtë kanë dëshmuar edhe ish-mësuesi i fshatit Vajzë Nasip Xhelili (që ka qenë anëtar i komisionit për hartimin e historikut të fshatit Vajzë dhe të Muzeut të LANÇ-it të Vajzës ngritur në shtëpinë e Heroit e dëshmorit Perlat Rexhepi), ku vërtetohet fakti se korieri i çetës partizane Ferik Bilbilaj është vrarë nga gjermanët në zonën midis përroit të Amonicës e pyllit të Kuliut tek Mulliri i Rexhepit. Kështu Ferik Bilbilaj ishte partizan i pashpallur, një korier i denjë i çetës partizane që po përgatitej që të dilte në mal me shokët në formacionet partizane.

Ferik Bilbilaj ra për të mos vdekur kurrë, sepse ngeli në memorien e të gjithë brezave të fshatit Vajzë dhe të mbarë krahinës, Labërisë dhe mbarë vendit. Historiografia shqiptare do t’i kujtojë gjithmonë trimat dhe ata që ranë për Atdhe, që gjakun e derdhën për kombin arbëror. Të rënët janë përjetësuar dhe trupëzuar me idealet e përjetshme të vetë kombit, prandaj edhe kujtohet Ferik Bilbilaj në 80 vjetorin e rënies së tij, pasi tetëdhejtë vjet më parë më 30 nëntor 1943, ai mbylli sytë përgjithmonë nga breshëria e mitrolozit gjerman dhe mortaja që i preu trupin dhe jetën në lule të rinisë. Edhe pse jeta e birit të fshatit Vajzë ishte e shkurtër kontributi për çlirim nuk harrohet brez pas brezi dhe gjaku I bijëve të fshatit Vajzë meriton nderim e homazh si dhe lartësim në piedestalet e lirisë së kombit. Nderimi për bijtë e lirisë sikurse është edhe Ferik Bilbilaj është nderim është nderim në përjetësi për të rënët pasi ata janë identiteti dhe sovraniteti i kombit dhe i mbarë shqiptarizmës.

Please follow and like us: